Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha këtë herë do të të bëj shembull. Falje vetëm me vendim gjykate!

Të reja

Lulzim Basha këtë herë do të të bëj shembull. Falje vetëm me vendim gjykate!

26 Jun 2018    

Prononcimi për media i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla:

Së pari dua të them me përgjegjësinë që i takon çdo përfaqësuesi të popullit, u them të gjithë atyre që më kanë besuar mandatin e përfaqësuesit të popullit, se kjo akuzë nuk qëndron në asnjë përqindje të saj.

Kjo akuzë është nxjerrë nga goja e zotërisë në një moment të papërgjegjshëm, në një seancë ku të gjithë qeshnim me përpjekjen donkishoteske të Lulzim Bashës se, gjoja kish bërë të pamundurën për të ndihmuar Shqipërinë në hapjen e negociatave. E vazhdoi papërgjegjshmërinë e tij edhe dje, edhe sot.

Sigurisht që deklarata e Policisë së Shtetit ishte shteruese përsa i përket personave të arrestuar, personave ende në kërkim, të cilët përbëjnë të gjithë grupin kriminal dhe gjej rastin të përgëzoj Policinë e Shtetit që aksione si ky, të ketë sa më shumë dhe që prapa hekurave të shkojnë të gjithë këta delinkuentë e kriminelë, të cilët trafikojnë apo transportojnë sende të ndaluara me ligj, qofshin këto para’, drogë, e çfarëdo të jetë kjo.

Duke falenderuar Policinë, sigurisht që mesa jam njohur edhe nga deklarata e policisë, kam kuptuar që një institucion ligj zbatues ka pasur një rrjedhje informacioni te një person i papërgjegjshëm që quhet Lulzim Xhelal Basha.

Ky person i papërgjegjshëm në një moment vuri në rrezik vijimin normal të një aksioni policie, por shyqyr Zotit që këtë delinkuent si Lulzim Basha nuk e marrin seriozisht as personat me “background” kriminal apo personat e përfshirë në këtë akt kriminal.

Për fat të mirë aksioni shkoi deri në fund dhe sot kemi një duzinë të arrestuarish apo të tjerë në kërkim, të cilët plotësojnë të gjithë fabulën.

Që Taulant Balla nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjërin prej këtyre,ua garantoj me përgjegjësi penale. Jo mandatin e deputetit, por jam i gatshëm të më bëhet gjyqi në Sheshin “Skënderbej” nëse do të ketë qoftë edhe një lidhje të vogël timen me këtë rast.

Sapo kam dëgjuar akuzën e djeshme të Lulzim Bashës, kam filluar edhe unë të bëj disa verifikime dhe them se në fund të kësaj historie, Lulzim Basha i ka ca lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje. Nuk po i them sot, sepse do t’i ruaj për të enjten në seancë plenare, por ju garantoj që i kam gjetur disa lidhje të Lulzim Bashës me këtë grup kriminal.

Ju ka ndihmuar Policia apo Prokuroria në këtë hetim?

Unë do ti ruaj të enjten për në seancë plenare disa surpriza Lulzim Bashës.

Në fillim e kam marrë me shaka këtë çështje, kam qeshur në seancë plenare, kam qeshur edhe dje me këtë politikan budalla, i cili papërgjegjshmërinë e merr për avantazh.

Këput një budallallëk, hajde se nuk më merr njeri seriozisht dhe pastaj mbi budallallëkun e vet fillon krijon historira.

Pas konsultimit edhe me kolegë juristë, edhe me kolegë të grupit tim parlamentar, mendova që këtë “shenjtan budalla” mos ta lë me kaq. Por që këtë histori kësaj radhe t’ia kthej në një mësim ekzemplar këtij “shejtan budallai” për ti thënë njëherë e përgjithmonë që në politikë kemi bërë gjithmonë akuza ndaj njëri-tjetrit, por kurrë një gjë të tillë. Pa asnjë lloj lidhje dhe pa asnjë lloj provë, na del ky dhe na thotë se paska pasur shërbime partnere që ia komunikuakan këtij. Nuk është e vërtetë.Me përgjegjësi e deklaroj që nuk ka asnjë shërbim partner apo ndërkombëtar që ti raportojë këtij delinukenti, përkundrazi. Por që ende ka ndonjë militant, ndonjë shërbim inteligjence të brendshëm që transferon Sms informacioni konfidencial në kuadër të zhvillimit të një aksioni të rëndësishëm policor dhe që vë në rrezik aksionin, kjo është e vërtetë.

Do formulohet tërësisht edhe me detaje akuza, kallëzimi penal brenda kësaj jave, pasi të jetë kopsitur mirë do të depozitohet.

Apeli im sot ndaj institucionit të Prokurorisë së vendit, nuk di kush nga institucionet po e heton Prokuroria e Durrësit apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, por kushdo qoftë që ka dosjen, nuk duhet të vonojë në asnjë moment të thërrasë këdo. Të thërrasë të parin Lulzim Bashën që pretendon se ka informacion, të thërrasë çdo deputet, mua, këdo tjetër sepse para ligjit jemi të gjithë të barabartë.

Kësaj radhe, Lulzim Basha nuk do t’ia hedhë paq!

Keni dëgjuar gjë ju, ju ka lejuar më zyra e shtypit të PD-së të bëni ndonjë pyetje Partisë Demokratike për “Babalen” dhe “dëshmitarin X”?

Pse nuk flet më Partia Demokratike për “Babalen” dhe “dëshmitarin X”? Për heroin, të cilit kam dëgjuar se do i vendosin dhe fotografinë nëpër muret e Partisë Demokratike, “dëshmitarin X”.

Pse nuk flet më Partia Demokratike?

Sepse dhe ju edhe mediat tuaja kanë shkruar dhe botuar se tashmë është konfirmuar që gjithë ajo historia me Babalen ishte një inskenim i turpshëm ku dihet tashmë kush është dhe aktori që luan.

Ju e dini z.Balla, përse nuk e tregoni emrin e të inskenuarit, e aktorit të dytë?

E kam lexuar edhe unë informacionin që ka botuar media juaj dhe për hir të respektit ndaj një procesi hetimor jam i kujdesshëm.

Pyetja ime është pse nuk flet më Lulzim Basha për Babalen, për aktorin që ka luajtur personazhin e Agron Xhafës në video-përgjimin me skenarist Lulzim Bashën dhe një dorac që ka punuar për Lulzim Bashën?

Pyeteni Lulzimin kush është doraci që ka bërë dhe sekserin me Babalen dhe aktorin tjetër të përfshirë në këtë rast.

Përsëri kthehem te historia e akuzave të djeshme. Është turpshme, si mund të ketë qenë ministër i Brendshëm, ministër i Jashtëm, ministër Transportesh, ky shejtan budalla?

Në mënyrë të papërgjegjshme, pa asnjë informacioni, ai që qesh më fort tha, ai ka një hall.

S’kam asnjë hall Lulzim!

Kësaj radhe të garantoj publikisht që pas diskreditimit me Babalen, këtë diskreditimin tjetër, e ke të rezervuar ekskluzivisht për ty! Për një njëri që e dinte fare mirë që sot unë do të dilja para jush me një çështje të re, vijimin e një historie të vjetër, që ka të bëjë me financimin nga ana e Partisë Demokratike, me fonde të dyshimta, me letra jo me fjalë.

Të gjithë ju e keni transmetuar tashmë informacionin e bërë publik në web-sajtin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë se si Partia Demokratike vazhdon t'i paguajë para zyrave të lobingut për të nxirë imazhin e Shqipërisë, kur na ndajnë edhe tre ditë nga një vendimmarrje shumë e rëndësishme.

Ky që kishte lobuar fort. Ky që na i ka dalë shpirti vendit në përpjekjen heroike për ti garantuar Shqipërisë hapjen e negociatave. Ky që edhe dje u ka dërguar e-mail anëtarëve të Bundestagut gjerman se si Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani qenka i përfshirë në një rast trafiku të parave. Po a ka burrërinë ky, që në ditët në vijim kur kjo zallamahi dhe ky llum të pastrohet, të kërkojë falje?

Kësaj radhe të jeni të sigurt që faljen do t’ia kërkoj me vendim gjykate!

Ky person që nuk mban asnjë përgjegjësi edhe për katandisjen dhe degradimin kaq të ulët të Partisë Demokratike që dikur u themelua për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe sot është shndërruar në një parti që punon kundër interesave europiane të Shqipërisë.

Do mbani përgjegjësi z. Balla në rast se Franca dhe Holanda do të vendosin veton për rezultate të dobëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe jo për shkak të politikës së moszgjerimit?

Dua të them me plot bindje që e njoh strukturën vendimmarrëse të Bashkimit Europian dhe këtu do bëj një parantezë, nëse nuk e dini po jua them unë, Rumania dhe Bullgaria sot janë në një proces monitorimi nga Bashkimi Europian për disa çështje, ndër to dhe çështje të drejtësisë.

Edhe në Rumani, Komisioni Europian ka bërë një vlerësim negativ për diçka dhe një vlerësim pozitiv për disa gjëra të tjera dhe sigurisht ai që vlen është vlerësimi i Komisionit Europian.

Po ju them në rast se Komisioni Europian nuk do të kishte dhënë vlerësimin pozitiv për hapjen pa kushte të negociatave, sigurisht kjo do të kishte qenë një përgjegjësi e Shqipërisë, e Qeverisë, e Parlamentit dhe e institucioneve të vendit tonë.

Progres-raporti është dokument i gjithëpranuar, i cili ka marrë miratimin e Kolegjit të Komisionerëve, ku edhe Hollanda edhe Franca kanë përfaqësuesin e tyre. Ky është dokumenti i vetëm zyrtar.

Unë e them gjithmonë që brenda Bashkimit Europian ka edhe vende skeptike, të cilat ndikohen më shumë nga nevoja e debatit të brendshëm dhe interesi elektoral i brendshëm për zgjedhjet që pasojnë dhe kujtoj se viti i ardhshëm është një vit i rëndësishëm për të gjitha vendet e BE-së, sepse janë zgjedhje të rëndësishme po të kemi parasysh konfiguracionin e ri politik që do të krijohet brenda sallës së seancave plenare, qoftë në Bruksel apo në Strasburg.

Nuk do të jetë ky më konfigurimi ku një koalicion PPE-PSE, socialistët dhe demokratët në Parlamentin Europian, të ketë shumicën për të zgjedhur dhe Presidentin e Komisionit, të ketë edhe shumicën për të kontrolluar edhe drejtimin e Parlamentit Europian.

Ju them se nuk është aspak e vërtetë që këto interesa të vogla të nuancuara politikisht nga përbërja e elektoratit të brendshëm, nga rritja shqetësuese e ekstremit të djathtë nga të dyja vendet që u përmendën, të dëmtonte aspiratën për vijim të procesit të Integrimit Europian të dy vendeve shumë të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria si faktor stabiliteti, modeli më i mirë sipas Komisionit Europian përsa i përket politikës së saj të jashtme në Rajon dhe modeli më i mirë, sipas përsëri Komisionit Europian, për Reformën në Drejtësi.

Nëse nuk e dini më lejoni t’jua ri-përsëris, janë tre vende të Ballkanit Perëndimor, të cilëve partnerët tanë europianë dhe amerikane i sugjerojnë t’i referohen Shqipërisë kur bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi, çështjet e zbatimit të ligjit dhe çështjet e funksionimit të sistemit të drejtësisë janë kapituj ndër më të vështirët që presin Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët janë përpara nesh në këtë fazë, por këto kapituj nuk i kanë hapur ende.

Dua të sqaroj dhe diçka tjetër. ka pasur një keqinterpretim në shumë media që Shqipërisë gjermanët i propozojnë me kushte Maqedonisë. Gjermanët i thonë pa kushte.

Në historinë e këtij procesi nuk ka pasur një vend që “PO-ja” të mos jetë shoqëruar me punë konkrete delivery në sektorë jetikë të procesit.

Kështu që edhe në rastin në fjalë ashtu sikurse ndodhi me Malin e Zi që është i fundit para nesh në këtë proces, apo edhe në rastin e Serbisë ne kemi punë konkrete për të bërë.

Por që të bëjmë punë konkrete minimalisht duhet të jemi të gjithë bashkë për ta bërë këtë punë.

 

Z. Balla, nëse nuk hapen të enjten negociatat, të premten faji do të jetë i juaji, i Qeverisë, i z. Basha apo i vetë BE-së?

Po lëreni Bashën, ç’faj ka ai! Këtij djali, Saliu bëri gabim që i la partinë dhe e mbyll me këtë.

Këtu bëhet fjalë për një moment historik për të cilin sigurisht që unë shpresoj që pas të premtes sinjali i Këshillit të jetë fillimi i negociatave. Pra, ata që nuk e dinë ende, duhet ta dinë që edhe një “PO” pa asnjë lloj kushti nuk është një datë. Kjo do të thotë që edhe pas punës parapërgatitore ka edhe një moment tjetër që quhet momenti i para-uljes në tavolinë, për ata që nuk e dinë. Pra, ke filluar punën përgatitore ke dhe një para-ulje në tavolinë për të filluar qeveri shqiptare -  kolegj komisionerësh dhe pastaj vendosja e grupeve negociatore.

Kështu që procesi është i gjatë, unë bëj pjesë në ata shqiptarë që e duam Shqipërinë sa më shpejt në Bashkimin Europian, por një Shqipëri me dinjitet dhe një Shqipëri ku të gjithë  të vendosim nga  një gurë në rrugën tonë europiane dhe jo ta qëllojmë me vezë e me domate e me bidonë, pastaj të themi që duam dhe ne kreditet tona për punën e palodhur që kemi bërë në interes të Shqipërisë.

Unë sapo isha me një prej ambasadorëve të vendeve partnere këtu, një gjë e themi, ne nuk flasim kurrë keq në anglisht për Lulzim Bashën, këtë e kemi pjesë të rregullores së punës tonë pavarësisht se fati i keq na ka rënë duhet të punojmë me një person të papërgjegjshëm si puna e tij.

Në fund të fundit është kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, këtu nuk i hyjmë dot Partisë Demokratike në llogaridhënie, për ti kërkuar llogari e për ti thënë ç’e keni këtë kryetar në krye të partisë suaj.

Cili ishte tema e diskutimit me Ambasadorin britanik?

Çështje të punës së përditshme dhe të nevojës që ka për të kaluar në Kuvend edhe disa çështje të rëndësishme ende të pa miratuara që kanë të bëjnë me paketën e Reformës në Drejtësi, por që kërkojnë edhe votë të cilësuar. Sigurisht çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe një vlerësim të pritshmërive tona për ecurinë e procesit të integrimit.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm