Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha të mos fshihet pas kësaj vepre korruptive, por të tregojë lidhjet me “Biniatta Trade LP”

Të reja

Lulzim Basha të mos fshihet pas kësaj vepre korruptive, por të tregojë lidhjet me “Biniatta Trade LP”

09 Mar 2018    

Deklaratë për media e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja:

Faktet e reja të nxjerra në dritë nga investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” për financim të lobimit të Partisë Demokratike nga biznesmenë rusë dhe të ripublikuara nga “New York Times” janë arsye për një shqetësim të madh, jo më thjesht politik apo me sfond kriminal financiar, por edhe kombëtar! Kjo histori nuk mund të kalojë me nga një deklaratë “fletë-rrufe” të ditës së Partisë Demokratike, pasi ne kërkojmë shpjegime publike nga Lulzim Basha.

Nuk mund të jenë përgjigje serioze të një partie politike ndaj këtij zullumi, që duket edhe më i zi dhe më i errët - çarçafët e akuzave të ulëta nominale të opozitës, që sulmon çdonjërin nga ne që kërkojmë llogari publike jo në emrin tonë personal, as për hesapet tona partiake, por në emër të çdo shqiptari që sot kërkon të dijë nga goja e Lulzim Bashës disa gjëra tejet skandaloze.

Dje, në mënyrë të pacipë, deklarata “fletë-rrufe” hidhte baltë mbi Elisa Spiropalin, madje në ditën e 8 marsit, pardje mbi Taulant Ballën; Edi Rama nuk diskutohet që s’ka si mungon në çarçafët e baltës së përditshme të Lulzim Bashës. Sot do jetë radha ime të dal në çarçaf, nesër e kujtdo që do rikërkojë llogari, sepse ne nuk i ndahemi kësaj historie pa marrë përgjigje! Po a ka shqiptar, qoftë edhe demokrati më i flaktë, që kënaqet me këto përgjigje qesharake, ku bëhet për budalla çdo shqiptar? Ne nuk e besojmë dhe këtu flasim në emër të interesit të çdo shqiptari e të vetë Shqipërisë, prandaj Lulzim mos i fshih, po duku, dil e jep përgjigje, sepse sot të takon të përgjigjesh para opinionit public; nesër, të siguroj, për këtë histori do të përgjigjesh para ligjit. Këtu dhe rrezik edhe në Amerikë, po këtu njëherë nuk ke ku shkon pa dhënë një për një përgjigje para ligjit!

E kanë bërë zakon, Lulzimi me shokë, të akuzojnë çdo kundërshtar e të justifikojnë çdo kundërshti, me avazin qesharak “droga, droga, droga” - droga që blen popullin dhe Perëndimin bashkë!  Kështu e akuzuan edhe median investigative amerikane dhe na turpëruan të gjithëve bashkë, a thua se jemi njerëz me bisht, dhe e detyruan median investigative të përgjigjej përmes një prej gazetarëve të saj. 

Dje, edhe një herë më shumë, Lulzim Basha gënjeu publikisht se gjoja ai nuk e njeh dhe nuk ka lidhje me “Biniatta-n”.

Po bëjmë një rikujtesë:

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, “Stonington Strategies”, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.

Të dhënat e depozituara në Departamentin Amerikan te Drejtësisë tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guaskë, e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Por cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”?

Biniatta është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Investigimi tregoi me fakte se pas kësaj “guaske” fshihen biznesmenë rusë.

Dy ditë para se të firmoste kontratën me Bashën, më 20 mars, “Muzin Capitol Partners” ka nënshkruar një kontratë me kompaninë guaskë “Biniatta Trade LP”, e cila angazhohet të paguajë 450 mijë USD për një periudhë tre mujore, si dhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesëmarrje në evente në Uashington D.C. Pothuajse një milion dollarë për një foto me Presidentin Trump e ndonjë takim më të rastit me kongresmenë.
Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies”, gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit, me vlerë 150 mijë USD.

Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për periudhën mars-qershor kapin vlerën e 825 mijë USD - më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ. Para këto, të paguara në një masë të madhe prej rusëve.
Sa i përket akuzave të Bashës, që edhe këtë skandal e konsideron “fake news” pavarësisht provave të pakundërshtueshme, zonja Hannah Levintova sqaroi dje se: “Artikulli është kryesisht i bazuar në dokumentet e plotësuara për Mbretërinë e Bashkuar dhe të formularëve zyrtarë të lobeve në Shtetet e Bashkuara për Departamentin e Drejtësisë dhe Kongresin.

Këto dokumente janë publikuar në shkrim. Akuzat se “Mother Jones” ka marrë para nga Edi Rama për ta publikuar këtë artikull janë absurde. Ne nuk pranojmë kurrë pagesa për një investigim, në çfarëdolloj forme qofshin ato, dhe sigurisht që nuk e kemi bërë edhe në këtë rast.

Gjithashtu, “Mother Jones” është një website investigativ që ka fituar çmime për investigimet e tij dhe ka një site me 10 milionë lexues çdo muaj. Vitin e kaluar, ne fituam çmimin “Revista e Vitit” dhe çmimin “Revista kombëtare për raportimin më të mirë” nga Shoqata Amerikane e Botueseve të Revistave në Shtetet e Bashkuara.”

Sa më shumë Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i shmangen detyrimit që t’u japin shqiptarëve një sqarim të plotë të gjithë këtij zullumi, aq më shumë pranojnë edhe vetë fajësinë e qartë në këtë avaz të ri korrupsioni, evazioni, e mos qoftë e vërtetë, tradhëtie kombëtare.

Në sqarimin që i detyrohet shqiptarëve, Partia Demokratike duhet të japë përgjigje:

·         A kishte pagesa të tjera përveç tyre, kontrata të tjera sponsorizimi që mbeten ende të fshehura?

·         Kush janë njerëzit që kontaktuan me biznesmenët rusë në emër të Partisë Demokratike?

·         A ishte vetë Basha, ai që negocioi me ta?

·         A ka persona të tjerë brenda Partisë Demokratike që ishin në dijeni të këtyre operacioneve, apo Basha është personi i vetëm?

·         Përveç parave të paguara nga këta rusë kaq bujarë tek lobistët që i morën ato para për të nxirë Shqipërinë, sa para të tjera me prejardhje ruse apo në rajonin lindor të Europës janë përdorur gjatë fushatës zgjedhore?

·         Por, a mos ka vallë edhe ndonjë xhep tjetër në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara, ku është futur dora për të financuar Lulzim Bashën dhe projektin e tij qesharak të Republikës së Re?

·         Çfarë i premtoi Basha këtyre rusëve në këmbim të parave të tyre?

Nuk e di nëse Lulzim Basha nuk flet se kujton që edhe kjo çudi do zgjasë vetëm tri ditë, apo se avokati që ka marrë për këtë siklet të madh e ka këshilluar të heshtë!

Por, flet s’flet Lulzim Basha, çfarë është fare e qartë për mua si profesionist i fushës së ligjit është se:

·         Lulzim Basha ka luajtur një lojë shumë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme, që ka vetëm një fund të mundshëm: bankën e të akuzuarit për disa krime të parashikuara nga Kodi ynë Penal. Se sa krime, këtë duhet ta provojë Prokuroria, po pastrim parash dhe financim i paligjshëm i partisë politike, padiskutim njëherë; pastaj bashkëpunimin kundër interesave të atdheut me faktorë të jashtëm antikombëtarë nuk kam dëshirë as ta nxjerr nga goja, po era e zullumit të çon deri aty për fat të keq!

·         Organet e drejtësisë duhet të veprojnë urgjentisht e të vihen në lëvizje kryesisht dhe në mënyrë të menjëhershme nëse ende nuk e kanë bërë këtë! Ka plot për të hetuar e zbuluar edhe me kaq sa dimë deri sot, po që me siguri nuk është e gjitha. Një hetim gjithëpërfshirës dhe në bashkëpunim me FBI-në dhe autoritetet britanike, është emergjent. Jo për të zbuluar atë që tanimë është zbuluar e vetëm duhet ndëshkuar, po për të kuptuar deri në fund nëse marrëzia korruptive e Lulzim Bashës, në rrugën e tij qorre drejt fitores së pamundur të pushtetit, ka shkuar deri në cënimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm