Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha të thirret në Prokurori

Të reja

Lulzim Basha të thirret në Prokurori

23 Mar 2018    

Deklaratë për media e Sekretarit të Asamblesë Kombëtare të PS, Ulsi Manja:

Koha e Lulzim Bashës për të bërë transparencë në lidhje me aferën e parave ruse të lobimit dhe mashtrimin në deklaratat e KQZ ka kaluar.

Tanimë është e qartë për të gjithë se Lulzim Basha asnjëherë nuk do të shkojë me dëshirën e tij në Prokurori për të qartësuar akuzat e rënda që peshojnë mbi të dhe mbi Partinë Demokratike.

Lideri i Partisë Demokratike shpreson se do ta kalojë edhe këtë skandal, ashtu siç kaloi aferën e Rrugës së Kombit, kur iu shmang drejtësisë me një raport mjekësor.

Megjithatë, shqiptarët nuk mund ta lejojnë këtë. Një shtet serioz, që synon të bëhet pjesë e familjes së kombeve europiane, nuk mund të ketë luksin që të heshtë.

Provat janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Ekzistojnë së paku pesë deklarata që provojnë se fushata e fundit zgjedhore e Partisë Demokratike u financua me para me prejardhje ruse.

Me vullnetin e tij, Basha nuk pranon të thotë asgjë në lidhje me origjinën e dyshimtë të këtyre parave dhe as me lidhjet e tij të errëta me Kremlinin.

Gjithashtu, deklaratat e rreme të depozituara në KQZ janë një fakt që nuk mund të ndryshohet, pavarësisht vullnetit të Bashës për të na hedhur hi syve.

Përderisa ai nuk ka ndërmend të bëjë transparencë, është Prokuroria ajo që duhet të kryejë detyrën e saj duke i shkuar këtij skandali deri në fund.

Me veprimet e tij të papërgjegjshme, Lulzim Basha ka kryer jo një, as dy, por plot gjashtë vepra penale.

Basha duhet të hetohet për fshehjen e të ardhurave, një vepër penale e parashikuar nga neni 180/3 e Kodit Penal, një vepër e dënueshme deri në tre vjet heqje lirie.

Basha duhet të hetohet për falsifikimin e dokumenteve zyrtare, një vepër penale e parashikuar nga neni 186/3 e Kodit Penal dhe e dënueshme deri në shtatë vjet heqje lirie.

Basha duhet të hetohet për akuzën e korrupsionin aktiv të nëpunësve të huaj publikë, një vepër penale e parashikuar nga neni 244/a e Kodit Penal dhe e dënueshme deri në tre vjet heqje lirie.

Basha duhet të ndiqet penalisht për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287, paragrafi i tretë i Kodit Penal, e dënueshme deri në dhjetë vjet heqje lirie.

Gjithashtu, ai duhet të ndiqet penalisht për akuzën e çeljes së llogarive anonime, parashikuar nga neni 287/a, dhe për përvetësimin e parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtari kriminale, parashikuar nga neni 287/b; edhe këto vepra të dënueshme me burgim.

Të gjitha këto akuza, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha i kanë marrë lehtë, të bindur se mund të mbrohen politikisht, pavarësisht se kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët.

Megjithatë, Prokuroria duhet të tregojë se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Në emër të interesave të ngushta politike, askush nuk duhet të lejohet që të vendosë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit duke bërë pazare me ata që dëshirojnë një Shqipëri të përçarë, të destabilizuar dhe larg Bashkimit Europian.

Një njeri që pretendon të jetë Kryeministri i ardhshëm i këtij vendi, nuk mund të lejohet që të falsifikojë dokumentet zyrtare e të shkelë ligjin sa herë që t’i leverdisë.

Lulzim Basha duhet të përgjigjet për të gjitha zullumet e tij. Ai nuk do ta bëjë kurrë këtë me dëshirë. Ndaj, është koha e drejtësisë që të bëjë detyrën e saj!

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm