Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha vazhdon të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e dekriminalizimit

Të reja

Lulzim Basha vazhdon të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e dekriminalizimit

10 Nov 2017    

Deklarata për media e deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali:

Prej më shumë se 8 ditësh, Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha nuk kanë nxjerrë qoftë edhe një fjalë të vetme për krybashkiakun e dënuar të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Si ka mundësi që ky njeri i dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet e drejtësisë italiane, vazhdon të mbajë i pashqetësuar detyrën e lartë të Kryetarit të Bashkisë?

Si ka mundësi që partia që e deshi aq shumë dekriminalizimin, vazhdon të mbrojë një njeri të dënuar për vjedhje?

Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gjykatësin, gazetarin dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e dekriminalizimit!

Është hera e dytë që Lulzim Basha, ky “Romeo” i dekriminalizimit, merr në mbrojtje njerëzit e tij të kapur me presh në duar; dhe është e hera e dytë që refuzon të marrë përgjegjësinë si kryetar në detyrë i PD. Me urdhër të Lulzim Bashës, 4 anëtarë të KQZ-së, e për turp edhe përfaqësuesi i LSI-së mbajtën në detyrë një kryetar të dënuar, duke provuar edhe njëherë se këta kalorës të frontit opozitar drejtësinë e kanë vetëm mish për topin e politikës së ditës. Këta drejtësinë nuk e patën, nuk e kanë dhe nuk do ta kenë kurrë seriozisht.

Shpifjet e tij për Policinë e Shtetit janë përpjekjet e dëshpëruara për të bërë politikë me krimin. Policia e Shtetit ka bërë detyrën deri në fund, duke dhënë një tjetër shembull të qartë se për ne e për qeverinë tonë nuk ka dy standarde: ligji dhe drejtësia janë njësoj për të gjithë, të majtë a të djathtë qofshin.

Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë kanë dhënë shembullin e përjashtimit dhe të nënshtrimit ndaj organeve të drejtësisë të të gjithë individëve të akuzuar për kundërligjshmëri.

Ju kujtoj këtu edhe njëherë rastin e ish kryebashkiakut të Kavajës, të cilin  kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra.

Ndërsa Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për  përjashtimin e Agron Kapllanajt nga forumet partiake, por nuk guxon të nxjerrë qoftë edhe një fjalë të vetme për këtë rast flagrant.

Lum si ky njeri! Nuk merr asnjë përgjegjësi si shqiptar, qytetar, politikan, kryetar. Por ngaqë s'ka çfarë të bëjë tjetër; ngaqë shqiptarët i besuan çelësat e kashtës, humbësit serial Lulzim Basha i ka mbetur vetëm të bëjë politikë me krimin!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm