Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzimi e ka kthyer PD-në në makineri të klaneve të pastrimit të parave

Të reja

Lulzimi e ka kthyer PD-në në makineri të klaneve të pastrimit të parave

30 Nov 2017    

Fjala e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në seancën e sotme parlamentare:

Nuk e kuptova duartrokitjen e deputetëve të Partisë Demokratike, se të paktën qoftë për ligjin 7501 apo ligje të tjera, si Partia Socialiste si Partia Demokratike kemi të njëjtin qëndrim. Më vjen keq që është i njëjti fjalim, 27 vite me radhë, për çështjen e pronave. Ke 13 vite në pushtet e nuk ke bërë asgjë për çështjen e pronave. 

Të jeni të sigurt që kjo iniciativë e qeverisë sonë do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë edhe vrasjeve për pronat, kryesisht në fshat, për një gardh apo për një vijë ujë. 

Unë, në emër të grupit parlamentar e mbështes tërësisht gjithë platformën e ndërmarrë nga Ministri Peleshi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe ministritë e tjera, me qëllim që çështja e tapive të tokave të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në fshat të marrë fund njëherë e përgjithmonë. 27 vite punon tokën dhe nuk ka tapinë e tokës – kjo është! Të votosh kundër këtij projektligji është të votosh kundër 600 mijë familjeve që jetojnë sot në fshat. 


Megjithatë, kolegë,
Zoti Kryetar i Kuvendi, 
Të nderuar shqiptarë që na ndiqni, 

Sot është një ditë ku Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndalet në një çështje shumë të rëndësishme. 
Për herë të parë në 27 vite, një parti politike është përfshirë në një aferë të pisët transaksioni parash që nuk dihet nga vijnë. Ti, Lulzim Basha, duhet të dalësh këtu dhe të sqarosh shqiptarët se ku i ke gjetur 1 milion dollarë, të përdorura nga Partia Demokratike për të paguar artikuj që nxijnë Shqipërinë dhe tërheqin vëmendjen e administratës amerikane, në përpjekjen tënde për ta kthyer në një gogol qeverinë socialiste. 

Burime tërësisht të konfirmuara bëjnë me dije se këto para i përkasin një fondi të zi afere korruptive, të administruara nga një person i lidhur drejtpërsëdrejti me Lulzim Xhelal Bashën. Ky fond është krijuar në një ishull offshore për të fshehur gjurmët që të çojnë tek një njeri, tek Lulzim Xhelal Basha, i cili po i shmanget pyetjeve direkte për përdorimin e këtyre parave në favor të Partisë Demokratike. 
Ndërkohë që ke ngritur një furtunë në kazanin e akuzave për përgjimin e dy kriminelëve dhe arrestimin e një biznesmeni me 865 mijë euro cash makinë, duke bërë sa herë të intereson ty prokurorin, hetuesin, gjykatësin, gazetarin. Ti ende nuk ke gjetur asnjë moment, e sot është dita të dalësh këtu para shqiptarëve dhe të sqarosh se ku i ke gjetur ti, Lulzim Basha, 1 milion dollarë për të nxirë Shqipërinë. Përmes kujt i ke çuar ti këto para në një ishull offshore për t’i ikur radarëve të ligjit? Cilët janë shtetasit e huaj, me të cilët ti Lulzim ke bashkëpunuar me këtë aferë tërësisht të paligjshme?

Zonja dhe zotërinj deputetë, në bazë të legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë, praktikisht ligjit nr. 888580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike” dhe ligjit nr. 10019 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, financimi i partive politike udhëhiqet nga parimi i transparencës. Të dhënat për burimet financiare të partive si dhe shpenzimet e tyre publikohen kurdoherë. Burimet financiare, materialet e partive përbëhen nga kuota e anëtarësisë, fondet publike, fondet jo publike. Partitë politike dorëzojnë raportet financiare një herë në vit pranë KQZ, të cilat duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për burimet e financimit dhe shpenzimet. Partia politike dorëzon në KQZ kopje të plotë të dokumentacionit. Në gjithë dokumentacionin që keni depozituar, nuk keni deklaruar asgjë për 1 milion dollarë. 

Brenda 60 ditëve, nga dita e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, çdo parti duhet të kishte regjistruar dhe bërë publik të gjithë dokumentacionin, të ardhura-shpenzime.

Mosdeklarimi i burimit të të ardhurave për një shumë prej afro 1 milion dollarë dhe shpenzimi i kësaj shume nga ana e subjektit zgjedhor, Partia Demokratike, në kundërshtim të qartë me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, përveçse përbën një kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë dhe ndalimin e financimit të Partisë Demokratike deri në 5 vjet, ka dyshime të forta e të arsyeshme se jemi në kushtet e disa veprave të rënda penale që bien drejtëpërsëdrejti mbi drejtorin aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.


Bazuar në nenin 180 të Kodit Penal, sipas të cilit fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve, dhe nenit 287 të Kodit Penal, sipas të cilit pastrimi i produkteve të veprave penale: jemi në kushtet e dy veprave të rënda penale që dënohen me burg.

Skema e përdorur nga Partia Demokratike është tërësisht skema më e pastër e pastrimit të parave. Hera e parë në 27 vite, që një parti bëhet makineri për klane të pastrimit të parave. Këtu e degjenerove ti Lulzim, Partinë Demokratike. Ta falën, e përdore si mall të falur dhe tashmë e ke kthyer në një makineri pastrimi parash.

Sigurisht, lidhja e kontratës direkte me vlerë 25 mijë dollarë, e firmosur nga Lulzimi, është shoqëruar me disa kontrata indirekte me vlerë të lartë përmes një kompanie guackë me kapital vetëm 100 paund. Një kompani e regjistruar në Edinburg, pronarë të së cilës janë dy kompani të tjera, “Azvero-Comporation” dhe “Liminal Comerce”, bën pagesa në emër të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës: 525 mijë dollarë brenda një ditë.

Dhe Lulzim Basha nuk flet!

Njeriu që flet për çdo gjë, bën hetuesin, prokurorin, gjykatësin, analistin, gazetarin investigativ, kur vjen fjala për një çështje kaq të rëndë që ka përfshirë me vulë Partinë Demokratike, me emër Partinë Demokratike, me firmë të Lulzim Bashës, Lulzim Basha nuk flet. Kjo është forma më e përdorur e pastrimit të parave, e shmangies nga taksat dhe tatimet. Është një nga rastet më tipike të shkeljes së rekomandimeve të Financial Action Taxs Force, si institucioni më serioz kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Është në shkelje të hapur me ligjin 9917, i vitit 2008 i ndryshuar “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”. Deri këtu e ke telendisur Partinë Demokratike; e ke lidhur me kompani që akuzohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financim të terrorizmit.

Sipas nenit 287 të cituar më sipër, pagesat e Partisë Demokratike janë bërë me para të cilat janë haptazi të paligjshme dhe burojnë nga burime të paligjshme - kjo vepër dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.

Sipas nenit 287/b, përvetësimi i parave dhe mallrave që vijnë nga veprimtari kriminale janë para të pista, Lulzim, dhe Kodi Penal i dënon nga 6 muaj deri në 3 vite burg këdo që ke përfshirë ti, familjarë të tu dhe njerëz të lidhur me ty në këtë aferë të pisët ku e ke telendisur Partinë Demokratike.

Sipas nenit 180, përsëri të Kodit Penal, fshehja e të ardhurave dënohet nga 4 deri në 8 vite burgim.

Në rast se i ke nxjerrë cash nga Shqipëria ato para, ti apo njerëz të lidhur me ty, sipas nenit 179 paragrafi a të Kodit Penal, mosdeklarimi në kufi i të hollave apo sendeve me vlerë dënohet me gjobë deri në 2 vite burgim Lulëzim.

Bëji llogaritë se sa të shkon fatura.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i bën thirrje Prokurorisë, se nëse heshtja e saj e pashpjegueshme do të vazhdojë edhe nesër, ne do të jemi të detyruar të paraqesim ditën e hënë kallëzim penal për shtetasin Lulzim Xhelal Basha si i akuzuar direkt për këtë skemë mashtrimi financiar me vulën e Partisë Demokratike.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm