Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzimi në krye të opozitës mori si zanat të ri atë të specialistit të audio-përgjimeve!

Të reja

Lulzimi në krye të opozitës mori si zanat të ri atë të specialistit të audio-përgjimeve!

29 Aug 2018    

Deklaratë për media e deputetit të Partisë Socialiste, njëherësh Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja:

Jam shumë i impresionuar nga dalja e parë publike e Lulzim Bashës, pas pushimeve të tij të gjata dhe të merituara. 

Ai doli për t'i bërë jehonë një kasete edhe më qesharake se sa ajo e Babales, ku kishte të paktën një skenar! Qesharak, po skenar ishte ama.

Ndërsa kjo e djeshmja, ishte prova më e sigurtë e asaj që thuhet prej kohësh në popull: Kur mendon se opozita e preku fundin, s'ke parë vërtetë gjë akoma! 

Dy miq, Denar Biba dhe Ledio Bianku, flasin me njëri-tjetrin në kafe në vitin 2014 dhe na del një përgjim me fjali të shkëputura e të lidhura për shtatë palë qejfe, prej x sekondash, ku u bëka fjalë për një shantazh të narko-shtetit ndaj Gjykatës së Strasburgut! Hajde shantazh hajde!

Dhe i shantazhuari, Ledio Bianku, miku i Denar Bibës, që s'ka asgjë në dorë në Strasburg për gjithë sa flitet, e kjo është lehtësisht e verifikueshme, paska heshtur katër vjet!

Denar Biba, shantazhuesi, miku i Ledio Biankut, u zbulua nga Lulzim Basha pas katër vitesh, si i dërguari i qeverisë për shantazh, ndërkohë që ai ka qenë i zbuluar që ditën e parë si anëtar i delegacionit shqiptar  në Strasburg ! Zbulime të tilla vetëm Lulzimi di të bëjë !

Po pse shkoi ky delegacion në Strasburg ? 

Në fakt opozita e sotme, dje në pushtet, e di shumë mirë çështjen e pronave dhe detyrimet që duhet të përmbushte Qeveria shqiptare nga viti 2012 deri në qershor të vitit 2014 sipas vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut!

Por deri në shtator të vitit 2013 kur dorëzoi pushtetin, qeveria e PD nuk bëri asnjë hap për të adresuar ligjërisht rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut duke i ngarkuar shtetit shqiptar një faturë financiare të papërballueshme. 

PD ende s'ka dhënë llogari për katrahurën që ka bërë me pronat në Shqipëri gjatë gjithë viteve të qeverisjeve të saj dhe gjen guximin e kërkon llogari për një bisedë kafeneje mes dy personave. Këtu s'bëhet fjalë për pronat e njërit apo të tjetrit, por për një problem shtetëror dhe për interesin publik, që është trajtuar në mënyrë institucionale nga Qeveria shqiptare me Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që në vitin 2014, për t'i vënë fre hemoragjisë së tmerrshme financiare të shkaktuar nga Partia Demokratike.  

Pra delegacioni shqiptar shkoi në 2014 në Strasburg për një ligj të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me trajtimin e çështjes së pronave dhe që më pas u miratua në vitin 2015! 

Atëherë ç'na qenka ky shantazh që do të bënte Denar Biba në Strasburg, kur tema e punës së atij delegacioni dhe e vetë bisedës mes dy miqve në kafe, ishte ligji i miratuar në Kuvend, që si çdo ligj mbi pronën merret në shqyrtim në një strukturë të caktuar brenda Gjykatës së Strasburgut! 

Realisht Lulzim Basha nuk ka faj. 

Ai vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të zhytet thellë e më thellë në ujin e ndenjur ku e ka mbytur opozitën.

Po si ka mundësi që ky njeri të merret akoma seriozisht me këto zbulimet e tij, që rrezikojnë të na bëjnë qesharake të gjithëve kur mundohemi t'i shpjegojmë opinionit publik?

Po s’ke çfarë bën, ky taksirat na ka zënë ne si mazhorancë qysh ditën kur Lulzim Basha në krye të opozitës mori si zanat të ri atë të specialistit të audio-përgjimeve!

Faleminderit !

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm