Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzimi të përgjigjet, si ka mundësi që PD ka paguar 500 mijë dollarë dhe në çfarë rrugësh i ka paguar këto 500 mijë dollarë?

Të reja

Lulzimi të përgjigjet, si ka mundësi që PD ka paguar 500 mijë dollarë dhe në çfarë rrugësh i ka paguar këto 500 mijë dollarë?

03 Dec 2018    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së grupit: 

Sot kemi seancën e radhës së Kuvendit, ku pikë e rëndësishme e rendit të ditës do të jetë edhe një mocion me debat, i kërkuar nga opozita.

Por pa kaluar te pikat e rendit të ditës, si Kryetar i Grupit Parlamentar mendoj se është shumë e rëndësishme që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në fakt të njihet me një informacion më të detajuar lidhur me një çështje që tashmë është bërë publike e që ka në thelb të saj dyshimet – e që duhet ta them që në fillim, uroj mos qofshin të gjitha të vërteta – që Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kryetari i saj janë të përfshirë në një skemë financimi të dyshimtë. Janë dy investigime në fakt të pavarura: i pari, një shkrim gazetarësh investigativë të Ballkanit, që është bërë publik më 22 nëntor 2017, dhe i dyti nga revista investigative amerikane “Mother Jones”. E para ka qenë në 6 mars, “New York Times” në 7 mars dhe media të tjera amerikane të cilat kanë hedhur dritë pothuajse tërësisht mbi përfshirjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një skemë financimi jo transparente; së pari me burime të dyshimta, që përfshijnë edhe biznesmenë me shtetësi dhe rezidentë rusë; së dyti më transaksione të paligjshme që përfshijnë kompani guaska offshore në ishujt Belize, në Amerikën e Qendrore dhe në Edinburg, Skoci; dhe së treti, me mosdeklarime sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri dhe ligjit për financimin e partive politike. 

Që pas rezultatit të parë të investigimit publikuar nga “Birn”, ne si grup parlamentar dhe përfaqësuesit tanë në emrin tuaj i kanë kërkuar Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike të japin shpjegim menjëherë për këtë çështje, ndaj publikut. 

Së dyti, i kemi kërkuar Prokurorisë së Shqipërisë fillimin e një hetimi të plotë e të pavarur mbi dyshimet për disa vepra penale, të cilat, ekspertët e grupit tonë parlamentar i kanë identifikuar, dhe ne i kemi bërë publike. Por tashmë kanë dalë prova të reja. Në fakt kanë dalë detaje të reja, tejet të rënda e tejet shqetësuese.

Do doja shkurtimisht t’ju bëja një përmbledhje që secili prej jush, por edhe publiku që na ndjek të jetë i qartë se çfarë është zbuluar deri më tani për këtë çështje. Më 18 shkurt 2017, Partia Demokratike vendosi të bojkotojë Kuvendin, me qëllim bllokimin e miratimit të ligjeve dhe implementimit të Reformës në Drejtësi. 

Ka shumë dyshime edhe për mënyrën se si u financua protesta 3-mujore e opozitës kundër Reformës në Drejtësi  dhe përpjekja për ta futur vendin në një spirale dhe në një krizë të thellë përmes bojkotimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në pranverën e vitit të kaluar, në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha lidhën 2 kontrata me lobistin amerikan Nick Muzin në Uashington, me kompaninë “Stonington Strategies” në mënyrë që të siguronin takime të nivelit të lartë me administratën e presidentit amerikan, zotit Donald Trump.

Pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet 2 kontratave të lidhura në fund të marsit nga vetë Partia Demokratike,- ne kemi administruar të gjithë dokumentacionin,- dhe një kompani guaskë e regjistruar në Skoci, me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat në total shkojnë 675 mijë dollarë, ku përfshihen tarifat mujore të firmës, si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e Partisë Demokratike me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, që në muajin mars. Ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar më 14 nëntor 2017, pothuajse në ditën e fundit të detyrimit ligjor për ta deklaruar.

Nëpërmjet këtyre pagesave, të majme në fakt, “Stoningtone Strategies” ka kërkuar dhe ka realizuar takime me zyrtarë të stafit të presidentit amerikan Donald Trump, anëtarë të Kongresit, si dhe ka ndërmarrë kontakte me median amerikane.

Në emër të Partisë Demokratike, “Muzin Capitol Partners” ka bërë takime me disa anëtarë të kongresit; nuk po i citoj emrat e anëtarëve të kongresit, të cilët janë pjesë e pagesave për të realizuar takimet. Gjithashtu janë realizuar edhe intervista në disa media amerikane, ndër to “Breitbart News”.  

Pagesat e Partisë Demokratike për “Muzin Capitol Partners” nuk përfshihen fare në raportin e që Partia Demokratike ka depozituar në KQZ për shpenzimet elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit, pavarësisht se, siç e dini dhe të gjithë keni informacion për këtë çështje, është një detyrim ligjor.

Po në këtë raport, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm pagesat për kontrata lobimi me një kompani tjetër  që quhet “Barnes and Thornburg LLP” për një vlerë prej 12.585.000 lekë.

Një javë e gjysmë para zgjedhjeve të 25 qershorit, Lulzim Basha e ndërpreu fushatën dhe shkoi në SHBA, ku lobuesi Nick Muzin e futi Bashën në një takim për mbledhje fondesh të kandidatit për guvernator  në Milwaukee, Scott Walker; takim në të cilin merrte pjesë edhe presidenti Trump. Në këtë takim, ku përmes një pagese kontributi prej 20 mijë dollarësh për Walker mund të fitoje një vend VIP dhe një fotografi me presidentin Trump, Basha arriti ta kishte atë fotografi me presidentin Trump përmes kësaj skeme që sipërcitova.

 

Me dokumentet që kemi tashmë në dispozicion, që i ka edhe media amerikane dhe ajo në Shqipëri, më 14 nëntor 2017 “Stonington Strategies” ka raportuar në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë 2 pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale prej 525 mijë dollarë: një pagesë 25 mijë dollarë më 27 mars dhe një pagesë 500 mijë dollarë më 9 qershor nga Partia Demokratike, dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerë 150 mijë dollarë më datë 24 mars 2017. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton të jetë e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në KQZ.

 

Gjithashtu mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia midis Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në ishujt Belize, një shtet i vogël i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.

 

Misteri i parë për këtë çështje është: si ka mundësi që PD ka paguar 500 mijë dollarë dhe në çfarë rrugësh i ka paguar këto 500 mijë dollarë?

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe aktit për regjistrimin e agjentëve të huaj, FARA,  lobistët amerikanë që punojnë për qeveritë e huaja, partitë ose subjektet jashtë SHBA, duhet të identifikojnë raportet e tyre në Departamentin e Drejtësisë, klientët e tyre të huaj, tarifat që paguajnë; ata duhet të përshkruajnë të paktën minimalisht punën që kanë këta klientë. 
Por “Muzin Capitol Partners”, lobisti i PD dhe Lulzim Bashës, nuk i kishte raportuar të gjitha detajet kur ai u regjistrua për herë të parë si një agjent i huaj për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Në dosjen e tij, të plotësuar më 14 nëntor, Muzin vuri në dukje se ai ishte paguar në total 675 mijë dollarë për 3 muajt e tij të punës për PD. Kjo përfshinte një pagesë  25 mijë dollarë më 27 mars, 500 mijë dollarë më 9 qershor nga PD. Muzin e tërhoqi këtë shumë të madhe prej 500 mijë dollarësh vetëm disa ditë përpara se të organizonte mundësinë që Basha të kishte një foto me presidentin Trump në Milwaukee.

 

Po sipas dokumenteve të reja, Nick Muzin depozitoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, në 14 nëntor 2017, një burim tjetër i cili e kishte paguar Muzin për PD-në. Nga dokumentet e depozituara nga Muzin, ai vetëdeklaron se më 24 mars 2017 “Biniatta Trade LP”, një kompani me seli në Edinburg, e ka kompensuar Muzin për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me një pagesë  150 mijë dollarë; dhe kjo thuhet në kontratë, që “Biniatta Trade LP” ka kompensuar shpenzimet në kontratën që Muzin ka me PD.

Ky depozitim përfshin një kontratë të panënshkruar në fakt të datës 20 mars 2017, midis “Biniatta Trade LP” dhe një kompanie në pronësi të Muzin, të quajtur “Stoningtone Strategies”. Kontrata përfshin që Muzin të promovonte rolin e komunitetit të biznesit shqiptaro-amerikan në ekonominë amerikane, “muajin e historisë shqiptare në SHBA”. Kontrata nuk përmendte PD-në apo Bashën dhe deklaronte se ky konsultim nuk është në emër të asnjë qeverie apo partie politike; por sipas kësaj kontrate, Biniatta duhej t’i paguante Muzin 3 këste, prej 150 mijë dollarësh secili, dhe një pagesë njëherëshe prej 500 mijë dollarësh për ngritjen e një sërë eventesh e takimesh në Uashington në muajin e parë të projektit. Por Muzin nuk e ka përfshirë “Biniatta Trade LP” në regjistrimin fillestar.

 

Sipas “Mother Jones”, gazetës investigative amerikane, e cila ka pyetur zëdhënësin e Muzin, shpjegon më vonë se u bë e qartë për Muzin se nga puna e tij për kontratën me “Biniatta Trade LP” në të vërtetë përfitoi vetëm PD-ja.

 

Për ta qartësuar edhe për gjithë anëtarët e grupit tonë parlamentar, Muzin ka njoftuar se ka marrë 675 mijë dollarë për punën e tij ndaj PD-së, shumë më tepër se 75 mijë dollarë që janë në kontratën fillestare të PD-së.  Pra PD e ka pranuar që ka bërë kontratë, por thotë se ka paguar vetëm 75 mijë dollarë. Ndërkohë, ai që ka marrë paratë thotë që ka marrë 675 mijë dollarë.

Dokumentet e depozituara më 14 nëntor 2017 konfirmojnë se Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe jo “Biniatta Trade LP”, ishte entiteti që ka bërë pagesën prej 500 mijë dollarë për lobistin Muzin. Megjithatë ishte kontrata me “Biniatta Trade LP” dhe jo kontrata me PD-në, që përfshinte një tarifë prej 500 mijë dollarësh. E për t’i bërë të gjitha gjërat dhe çështjet të zymta, pak pasi Muzin paraqiti dosjen e tij të ndryshuar, PD deklaronte më 23 nëntor 2017 se nuk kishte marrëdhënie financiare me “Biniatta Trade LP”, ashtu siç bëri edhe Lulzim Basha para 4 ditësh; dhe kishte paguar Muzinin vetëm me 25 mijë dollarë, d.m.th që 500 mijë nuk kishin ardhur nga PD-ja.

Por lobisti amerikan e hedh poshtë deklaratën e PD-së, dhe kjo i vështirëson tërësisht gjërat për subjektin politik në fjalë, PD-në, sepse Muzin shprehet qartë se ai ka raportuar pagesën me saktësi dhe i ka marrë ato para nga Partia Demokratike. Zëdhënësi i Muzin thotë gjithashtu se ai besonte se “Biniatta Trade LP” ishte një kompani private në pronësi të disa njerëzve që mbështesnin Partinë Demokratike të Shqipërisë. Pra vetë lobistti amerikan beson se “Biniatta Trade LP” i përket mbështetësve të PD-së, ndërsa Lulzim Basha më 8 mars thotë se nuk e njeh fare këtë kompani , edhe pse kjo kompani paska paguar të paktën 150 mijë dollarë në interes të tij dhe të PD-së.

 

Misteri i dytë ka të bëjë me faktin se kush e zotëron këtë kompani; dhe kjo ka shkaktuar një shqetësim të madh jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm për publikun tonë shqiptar, jo vetëm për mbështetësit e PD-së, por për këdo; po të kemi parasysh se kush e zotëron kompaninë “Biniatta Trade LP”, e cila paska bërë pagesa në interes të Partisë Demokratike.

Nga çfarë ka dalë deri tani në dritë për publikun, kontratat mes kompanisë “Muzin Capitol Partners” dhe “Biniatta Trade LP” ekspozon faktin se kjo e fundit është regjistruar në Edinburg të Skocisë. Të dhënat e siguruara nga “Birn” dhe “Mother Jones”  në regjistrin britanik të biznesit, Company House, tregon se ka një kapital prej vetëm 100 paundësh, kjo kompania që ka bërë qindra mijëra dollarë pagesa, dhe është në pronësi të dy kompanive “Asverro Corporation” dhe “Liminez Commerce”, të dyja të regjistruara ë ishujt Belize.

Në të njëjtën adresë më “Biniatta Trade LP”, në Edinburg janë të regjistruara edhe të paktën edhe 727 kompani të tjera. E pra në një dhomë në Edinburg, nga ku janë bërë pagesat, janë edhe 727 kompani të tjera; ndërsa numri britanik i telefonit, i listuar në faqen e internetit, i cili është edhe në kontratën e “Biniatta Trade LP” me “Muzin Capitol Partners”, rezulton të jetë një numër i cili ka për faqe interneti  një shërbim takimesh online me gra që vijnë nga Ukraina, të paktën kështu është sipas investigimit të “Mother Jones”.

Investigimi i “Mother Jones” nxjerr edhe si zotërues të aksioneve të “Asverro Corporation”dhe linjës “Commerce”, dy kompani pronare të “Biniatta Trade LP” dhe 4 shtetas rusë: Evgjeni Shemitjev, Kostandin Ferulev, Lirjam Dvorkin dhe Juri Ivanov.

Ajo që vlen për t’u ditur është që këta 4 persona janë pronarët e kompanive që zotërojnë “Biniatta Trade LP’ dhe “Biniatta Trade LP” është kompania që ka paguar paratë për PD-në.

Në fund të këtij prezantimi dua të ndaj me ju konkluzionin që revista amerikane ka nxjerrë dhe që do ta lexoja fjalë për fjalë:
“Pagesa e “Biniatta Trade LP” për Muzin ngre një dyshim të dukshëm. Një burim i lidhur me Rusinë siguroi para përmes një kompanie skematike për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për të ushqyer mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike në Shqipëri.”

Të nderuar kolegë dhe kolege, ky është një rast tepër i rëndë, që nuk ka ndodhur asnjëherë në gjithë këto vite në Shqipëri. Uroj që të gjitha këto dyshime mos qofshin të vërteta. Por i takon organeve të drejtësisë, Prokurorisë që kësaj çështjeje t’i shkojë deri në fund e që kjo çështje të zbardhet për të gjithë opinionin publik.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm