Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Manjani: Qeveria ktheu ankthin e trafiqeve njerezore

Të reja

Manjani: Qeveria ktheu ankthin e trafiqeve njerezore

05 Jun 2008    
Është keqqeverisja e vendit shkaku kryesor i rikthimit të trafikut të qenieve njerëzore. Eficensa e institucioneve të shtetit të sulmuara apo të kapura nga Kryeministri është e ulët dhe për pasojë rezultatet janë këto që shohim përditë. Nuk ka sesi të luftohet me eficensë trafiku i qenieve njerëzore me deklarata elektorale, që megjithatë edhe ato janë të pambajtura.

Jam sot para jush për të shprehë shqetësimin për hapat mbrapsht që ka bërë qeverisja e sotme në drejtim të ndalimit të trafikut të qënieve njerëzore. Ky konstatim aspak i mirë është bërë zyrtarisht edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ne jemi të shqetësuar për hapat prapa që ka bërë shteti në lutë kundër trafikut të qënieve njerëzore.

Jemi të shqetësuar për gratë, vajzat dhe fëmijët që vazhdojnë të trafikohen nga krimi i pandëshkuar i qeverisë.

Jemi të shqetësuar për numrin ende të ulët të mosndëshkimit të trafikantëve.

Ashtu siç jemi të shqetësuar për mostrajtimin njerëzor të viktimave të trafikut që kërkojnë ndihmë nga shteti i tyre.

Prej gati tre vitesh PSSH, oponenca e kësaj qeverisje të keqe, të paaftë e të korruptuar ka paralajmëruar rrezikun e ringjalljes së trafikut të qenieve njerëzore si forma më e tmerrshme e krimit të organizuar që shqiptarët kanë hequr në kurrizin e tyre në këto vite të tranzicionit. Mirëpo shqetësimet tonë kjo qeveri e mbrapshtë i ka nënvleftësuar ose përgënjeshtruar me deklarata boshe dhe gënjeshtra pa fund.

Është keqqeverisja e vendit shkaku kryesor i rikthimit të trafikut të qënieve njerëzore. Eficensa e institucioneve të shtetit të sulmuara apo të kapura nga Kryeministri është e ulët dhe për pasojë rezultatet janë këto që shohim përditë. Nuk ka sesi të luftohet me eficensë trafiku i qenieve njerëzore me deklarata elektorale, që megjithatë edhe ato janë të pambajtura. Toleranca zero tashmë është provuar si demagogji elektorale, sepse realiteti është ky që po jetojmë vetë dhe po na e thonë çdo ditë e më fort miqtë e partnerët tanë.

Shqiptarët nuk ia kishin borxh Sali Berishës dhe qeverisë së tij kthimin e makthit të trafikimit dhe të shfrytëzimit të padrejtë të vajzave dhe fëmijëve të tyre në tregjet e Europës, bash si në kohën e tregtisë së skllevërve. Dua ti kujtoj zotit Kryeministër që të kursejë ca nga gënjeshtrat e tij, që ka hedhë me bollëk për konsum mediatik, të marrë përgjegjësitë që i jep detyra shtetërore për të luftuar cdo trafikant dhe për të garantuar paprekshmërinë e jetës, shëndetit e dinjitetit të grave, vajzave e fëmijëve tanë.

Shqiptarët duan garanci për të ecë përpara dhe jo makthin e krimit të organizuar. Fëmijët i kemi për ti edukuar dhe jo për ti trafikuar. Qeverisja e paaftë dhe e korruptuar e Sali Berishës, nuk po garanton dot zbatimin e asnjë pike të programit të saj politik të deklaruar e jo më të garantojë standardet ndërkombëtare për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore.

Është e pafytyrë sjellja e ministrave të Sali Berishës para publikut, ku në vend që të ulin kokën para shqiptarëve nga turpi i gënjeshtrave që kanë bërë, dalin dhe kritikojnë të gjitha raportet ndërkombëtare, që po i thonë të vërtetat e dhimbshme me korrektësi dhe profesionalizëm. (Sic bëri, bie fjala Ministri i Brendshëm para disa ditësh).

PSSH është e vendosur që të jetë e angazhuar seriozisht, sot në opozitë dhe vitin e ardhëm në qeverisje që ky fenomen të shuhet sa më parë. Për këtë qëllim ne kemi gati një projekt jo thjesht ndëshkimi për fajtorët, por edhe për rehabilitimin e viktimave. Për ne jeta dhe dinjiteti i çdo shqiptari është më e çmuar se çdo gjë tjetër.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm