Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mbahet në Tiranë Konferenca Ballkanike e Partive Socialiste Europiane. Rama: “Shqipëria pret atë që meriton, rekomandimin për çeljen e negociatave”

Të reja

Mbahet në Tiranë Konferenca Ballkanike e Partive Socialiste Europiane. Rama: “Shqipëria pret atë që meriton, rekomandimin për çeljen e negociatave”

04 Apr 2018    
    

U zhvillua sot në Tiranë Konferenca Ballkanike e Partive Socialiste Europiane. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Michele Nicoletti etj.

Kryeministri Edi Rama, pasi përshëndeti të pranishmit në këtë takim, tha se fokusi i këtij takimi ishte tek dalja e raportit të KE-së, ku Shqipëria pret atë që meriton: rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Kryeministri Edi Rama:

Shumë faleminderit!

Së pari, një ndjesë e thellë për të gjithë përfaqësuesit e medias që presin prej një kohe të gjatë, një vonesë për shkak të ardhjes jo në kohë të të gjithë grupit nga Podgorica, pasi ky event i Partisë Socialiste Europiane, në bashkëpunim me miqtë tanë në Podgoricë dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, ishte programuar në mënyrë të tillë dhe ndodhi si rezultat i angazhimit të Presidentit të Partisë Socialiste Europiane, mikut tim, mikut tonë Sergei Stanishev, që e falenderoj për praninë e tij, siç falenderoj po ashtu përzemërsisht Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Aleksandrin, që sot ka ardhur si mëkëmbës i Presidentit të ardhshëm, pas pak ditësh, të Malit të Zi, Milo Gjukanovic, që rikthehet për kënaqësinë e të gjithëve ne në detyrë.

Ishte një takim në kuadrin e aktiviteteve të Partisë Socialiste Europiane dhe u fokusua te momenti kyç i pak ditëve më vonë, dalja e raportit të Komisionit Europian, ku Shqipëria pret atë që meriton, rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe në vigjiljen e Samitit të Sofjes, Samit që do i dedikohet Bashkimit Europian dhe Ballkanit, si dhe pastaj stacioni i tretë i kësaj periudhe entuziazmuese, përsa i përket vëmendjes së Europës ndaj Ballkanit Perëndimor, takimi i Këshillit Europian ku do të merret edhe vendimi lidhur me rekomandimin e Komisionit.

Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev:

Faleminderit shumë kryeministër!

Të nderuar miq, përfaqësues të medias, ju faleminderit për vëmendjen dhe që pritët. Arritëm të vijmë në kohë në Tiranë, por ndonjëherë realiteti nuk është e njëjta gjë me “Google map”-in, por ne jemi këtu dhe pikërisht kjo është gjëja më e rëndësishme.

Jemi këtu me mesazhet e mira politike për popullin e Shqipërisë. Kjo është konferenca jonë e dytë për këtë vit. E para ka qenë në Sarajevë. Dje organizuam një konferencë politike me liderët e Partive Socialiste në Podgoricë dhe sot, në Tiranë. Brenda një muaji, në datën 17 maj do të organizojmë Samitin e Sofjes, pra, të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse kjo konferencë është shumë e rëndësishme, sepse ne duam që parti të ndryshme nga komuniteti europian dhe gjithashtu partitë e rajonit të bashkohen dhe të diskutojnë sëbashku për këtë moment kaq të rëndësishëm, sepse, ashtu siç e tha edhe zoti Rama, ne po presim nga Komisioni Europian që gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm do kemi mundësi dhe ngjarje shumë të rëndësishme, të cilat nuk duhen humbur për Procesion e Zgjerimit dhe për Ballkanin Perëndimor. Por nuk kanë të bëjë vetëm me Samitin e Sofjes, por gjithashtu edhe me Samitin e Brukselit, me Këshillin Europian. Ajo që do doja të theksoja është që familja e Partive Socialiste do të mbështesë procesin e negocimit dhe procesin e bisedimeve me Shqipërinë, sepse vërtet që është i meritueshëm. Kjo paraqet të gjithë vullnetin e palëve në emër të Komisionit Europian dhe në emër të Brukselit.

Unë kam qenë kryeministër i vendit tim, kur ne ishim në procesin e bashkimit me Bashkimin Europian dhe vërtet mund të them që ka qenë një proces i vështirë. Do doja që t’i jepja kreditë dhe respektet e mia zotit Edi Rama si lider i Partisë Socialiste, i cili ka bërë një reformë shumë të vështirë dhe që po angazhohet me angazhimet më të mëdha, jo vetëm për qëllimet europiane, por gjithashtu edhe kundrejt qytetarëve të Shqipërisë, me të gjitha ndryshimet kushtetuese, me ligjin e vetting-ut dhe gjithashtu me zbatimin e procedurës së vetting-ut, sepse ndonjëherë është më e lehtë që të miratosh diçka në letër dhe është shumë e vështirë që kjo të bëhet realitet dhe të vendoset në zbatim.

Unë mendoj se është vërtet inkurajuese për Shqipërinë dhe për popullsinë e Shqipërisë që njerëzit të mund të kenë besim dhe të mendojnë që i gjithë sistemi i drejtësisë do të jetë transparent dhe kjo është një kredit vetëm e zotit Rama dhe vetëm e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gjithashtu janë edhe rezultate të tjera, të cilat duhen vlerësuar, si, p.sh., të gjitha rezultatet përgëzuese të fushatës kundër kanabisit. Ka qenë vërtetë një moment shumë i rëndësishëm edhe për të gjitha forcat e policisë që u angazhuan në këtë proces. Kjo ka qenë pjesë përbërëse e procesit të reformës së zotit Edi Rama dhe të Partisë Socialiste dhe angazhimit të tyre.

Unë e kam kaluar këtë gjë dhe unë e di që ky proces është vërtetë shumë i vështirë dhe ndonjëherë, njerëzit mund të mendojnë në një moment të caktuar që tani mund të bëj pak pushim, por nuk duhet të ndodhë kështu. Unë e di këtë gjë. Duhet që çdo gjë të vazhdojë siç duhet.

Duke qenë se jemi duke folur për zgjerimin është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i rajonit dhe i vendeve të tjera, përfshirë dhe Shqipërinë, në mënyrë që të kemi një botëkuptim dhe një mirëkuptim më të madh dhe në rritje mes nesh, në mënyrë që të jemi pjesë e historisë dhe që t’i bashkohemi historisë, madje edhe me ato faqe, të cilat janë të dhimbshme, jo vetëm me pjesët aktuale, por dhe me pjesët e shkuara. Sigurisht që do të kemi arsye për konflikte si në Europën Perëndimore, ashtu edhe në vendet e Ballkanit, por procesi i Bashkimit Europian është një proces, i cili është detyrues dhe unik. Të gjitha ndryshimet historike, të gjitha konfliktet, të gjitha luftërat ndër vite mes kombeve të ndryshme kanë filluar në shekullin 20 nga Europa dhe është më mirë që ne të jetojmë në paqe me njërin-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Unë mendoj se Shqipëria, nën lidershipin e zotit Edi Rama po kontribuon në mënyrë shumë thelbësore për të pasur marrëdhënie sa më të mira me vendet fqinje dhe me vendet e Europës. Ashtu siç e thashë edhe në konferencën e Malit të Zi, unë mendoj se edhe bashkëpunimi bilateral me Malin e Zi është zhvilluar shumë. Kemi pasur progres me Greqinë dhe duhet të vazhdojmë në të njëjtin drejtim edhe me vendet e tjera.

Do doja gjithashtu të thosha edhe dy fjalë të tjera për Strategjinë e re të Komisionit Europian, sepse, ashtu siç e thamë, gjatë viteve të fundit kemi pasur shumë pasiguri. Cila është politika e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Ka pasur një zgjerim shumë të madh me nga 10 vende, pastaj me një vend tjetër, pastaj me dy vende të tjera gjatë periudhave të mëparshme, por, ashtu siç e dimë, shumë vende kanë thënë që nuk do të kemi më zgjerim, nëse nuk funksionon siç duhet Komisioni. Por në fakt mund të vazhdojë, sepse ne e dimë që mjedisi politik nuk është gjithmonë më i miri i mundshëm dhe duhet të kemi sa më shumë besueshmëri për vendin tonë dhe për vendet tona.

Së fundmi, falë përpjekjeve të mëdha të zonjës Frederica Mogherini për familjen e madhe europiane, për grupin tonë, për të gjithë kryeministrat tanë, sigurisht që ne kemi një strategji të besueshme, e cila mund të mos jetë perfekte për çdo vend në çdo faqe të saj, por është një tregues shumë i qartë për mënyrën sesi ne duhet të ecim drejt Bashkimit Europian dhe sesi duhet të punojmë sëbashku, pra, është një partneritet i përbashkët që ne kemi mes nesh për të gjitha vendet, edhe për Bashkimin Europian.

Kemi pasur 6 iniciativa të mëdha, të cilat janë mbështetur te shteti i së drejtës, tek të drejtat e njeriut dhe zhvillimi ekonomik, të cilat duhet të ndihmojnë brezat e rinj nëpërmjet programeve Erasmus për zgjerimin e rajonit, nëpërmjet trajnimeve profesionale, duke mbështetur edhe zhvillimin digjital në rajon dhe duke dhënë sa më shumë mundësi për lidhshmërinë, konektivitetin dhe për infrastrukturën, sepse ne e dimë që pas gjithë kësaj, gjëja më e rëndësishme për qytetarët, për Shqipërinë, për Malin e Zi, për Bosnje Hercegovinën, për Serbinë, për Kosovën, për Maqedoninë është që të kemi standarde të mira të jetesës.

Njerëzit duhet të jetojnë në paqe, në siguri të plotë, të kenë punë të mira, të kenë rroga të mira, në mënyrë që të rrisin siç duhet fëmijët e tyre, të kujdesen për prindërit e tyre. Për këtë, unë do doja të theksoja që në strategjinë e Bashkimit Europian është shumë e rëndësishme që të kemi një dimension shumë të qartë social, drejtësi dhe gjithashtu mirëqenie, sigurime shoqërore, sepse kjo është pjesa e dukshme e filozofisë tonë dhe identitetit europian. Për këtë do doja të përgëzoja zotin Edi Rama për politikat e tij sociale dhe ekonomike. Unë e di që njerëzit e përgëzojnë shumë për këtë gjë. Për mua është ndër arritjet më të mëdha që janë bërë.

Do doja të përfundoja fjalën time me një falënderim personal për zotin Edi Rama dhe për zotin Taulant Balla. Gjithashtu, si shtetas i Bullgarisë, por edhe si përfaqësues i partisë që unë përfaqësoj, jam vërtetë shumë mirënjohës që ju keni njohur minoritetin bullgar. Unë e di që ky është event historik dhe do të jetë një urë tjetër lidhëse e miqësisë tonë dhe për këtë arsye përgëzoj punën e zotit Edi Rama, punën e zotit Balla. Ju falenderoj shumë për këtë gjë!

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Michele Nicoletti:

Faleminderit zoti Kryeministër!

Kjo kohë është shumë e rëndësishme për ne, për Procesin e Zgjerimit. Në Këshillin e Europës kemi ndjekur nga afër procesin e demokratizmit dhe përmirësimin e standardeve në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të ndërtimit të një shoqërie të re civile në të gjitha këto shtete. Më duhet të them se ky përmirësim, ky proces është vërtet serioz dhe tanimë shpresoj të kemi pjesëmarrjen e plotë në Bashkimin Europian.

Në një moment ku konstatojmë një vijë më të madhe ndarëse në kontinentin tonë dhe doja t’ju kujtoja që Këshilli i Europës është institucioni më i vjetër, i cili përfshin 47 shtete anëtare, shtete palë dhe kemi pasur mundësinë të vëzhgojmë vështirësitë, konfliktet në kontinentin tonë, prandaj është e rëndësishme që të kemi një bashkim sa më të fortë dhe procesi i zgjerimit është një prej ky instrumenteve. Kjo është koha për ta pasur të plotë.

Procesi i demokratizmit është i vështirë, ne këtë e dimë, për çdo shtet, jo vetëm për shtetet e reja demokrate, por edhe për shtetet e vjetra. Është një proces. Demokracia nuk është diçka që e kemi ndërtuar vetëm njëherë e përgjithmonë, por është diçka që duhet ta ndërtojmë vazhdimisht, dita-ditës, me bashkëpunimin e të gjithë shteteve anëtare.

Mendojmë vërtetë që ajo që keni bërë ju në Shqipëri në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, luftën ndaj korrupsionit janë të rëndësishme dhe duhet të fuqizohen më tej. Kjo është edhe arsyeja pse mendojmë se Procesi i Zgjerimit nuk është i rëndësishëm vetëm për shtetasit tuaj, por edhe për Europën. Ky është një koncept thelbësor. Na jep ne si kontinent më shumë stabilitet, na jep pasurinë e pluralizmit të shoqërisë europiane, sepse ne nuk duam Europë të një dimensioni të vetëm, por me shumë dimensione, me tradita të ndryshme, me kultura të ndryshme. Ballkani na jep pasurinë e traditave dhe historisë e kulturës së vet. Më pas na duhet kontributi i këtyre shteteve për të fuqizuar, siç tha edhe Presidenti Stanishev, një prej vlerave më të rëndësishme që është drejtësia sociale. Ne nuk duam Europën si një instrument që mbron vetëm interesat e kompanive të mëdha, por edhe shtetasve. Kjo është pikërisht edhe arsyeja pse na duhet një shoqëri më e fortë civile, një shoqëri me mirëqenie më të mirë dhe mendojmë që ky proces vërtetë do na ndihmojë jo vetëm të zgjerojmë tregjet, por të zgjerojmë edhe ngritjen e bashkëpunimit mes shkollave, universiteteve, opinioneve publike e partive politike. Kjo është arsyeja pse mendoj që rëndësia e kësaj konference dhe kontributi i Partisë Socialdemokrate në këtë fushë është me një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në këtë fushë, jo vetëm për shtetasit, por për të gjithë Europën.

Kryeministri Rama:

Ju thashë që ky është një aktivitet i organizuar nga Partia Socialiste Europiane, por Shqipëria dhe Mali i Zi janë bashkëmikpritës. Kështu që radhën tani për të folur e ka bashkëmikpritësi i aktivitetit, miku ynë Aleksandar Pejović.

Aleksandar Pejović:

Faleminderit! Mirëdita të gjithëve!

Edhe unë do të doja të shprehja mirënjohjen dhe falënderimin për mundësinë për të organizuar sëbashku këtë konferencë në emrin e PES dhe mendoj se vërtetë, kjo është një shenjë shumë e mirë për mënyrën sesi mund të kemi një bashkëpunim shumë të fortë midis partive tona në vendet tona. Kjo tregon se PES është e kombinuar sëbashku dhe na bashkon të gjithëve. Kemi vërtet një bashkëpunim shumë të fortë mes vendeve tona dhe partive tona, duke përcjellë idenë që të punojmë sëbashku, jo vetëm mes qeverive, por dhe partive politike dhe mes diplomacisë sonë në mënyrë që të arrimë qëllimet tona dhe pikërisht ky është dhe integrimi që ne duhet të arrijmë të realizojmë.

Ne jemi në procesin e një fushate në vendin tonë dhe ai ju dërgon të falat e tij, sepse nuk mundi të ishte në Shqipëri. Ai do të zgjidhet President i Malit të Zi dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Malin e Zi, por ka të bëjë dhe me mënyrën sesi mund të kemi një bashkëpunim sa më të fortë dhe integrim sa më të mirë, sepse ne e dimë shumë mirë që këto nuk janë zgjedhje të rregullta, por duhet të mbajmë qëndrueshmërinë në rajon në mënyrë që të kemi një familje sa më të shëndoshë europiane. Marrëdhënia midis Malit të zi dhe Shqipërisë duhet të jetë sa më e mirë në mënyrë që edhe marrëdhënia në rajon të stabilizohet sa më shumë në Europë.

Do doja të thoja gjithashtu se PES ka punuar shumë fort gjatë muajve të fundit. Kemi pasur një konferencë tjetër 5 muaj më parë, pas Sarajevës dhe këto takime të herëpashershme tregojnë që po ndodh diçka shumë e madhe. Ka shumë takime të tjera dhe evente të tjera që na presin, përveç Samitit të Sofjes. Në emër të Komisionit Europian, unë mendoj se ne po bëjmë përgatitje shumë të mira, si nga ana e Komisionit Europian, duke ngritur më shumë interes për partitë europiane dhe për palët e tjera, në mënyrë që të aksesojë dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit në BE.

Ne, nga ana e Malit të Zi, vërtetë shpresojmë që Shqipëria të hapi negociatat për anëtarësim në BE dhe vendet e tjera ta ndjekin ketë proces dhe negociata të tjera ta ndjekin këtë proces. Gjithashtu, mezi po presim që edhe Kosova ta ndajë këtë përvojë dhe vende të tjera të hapin negociatat e tyre. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe për t’ju përfshirë të gjithëve ju. Ne e dimë shumë mirë që asnjëri nuk është ishull dhe duhet të punojmë të gjithë sëbashku në mënyrë që të bashkohet rajoni, sepse vetëm nuk është opsion. I gjithë rajoni duhet të bashkohet për të marrë rezultate sa më të mira. Ndaj dhe janë shumë të rëndësishme këto takime dhe këto evente e duhet që të mblidhemi sëbashku sa më shpejt. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama:

Besoj që tani duhet t’u kalojmë mikrofonin gazetarëve të pranishëm që siç e thashë, u detyruan të presin edhe gjatë. Ia vlen nënvizimi se, sigurisht, në këtë proces, ne jemi shumë të fokusuar tek momenti i çeljes së negociatave, por për asnjë moment nuk harrojmë se ky proces i përafrimit të mëtejshëm me Bashkimin Europian ka dhe një anë tjetër të medaljes për ne shqiptarët, që është domosdoshmëria që tani Bashkimi Europian të mbajë fjalën dhe të liberalizojë një orë e më parë lëvizjen për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Jam i bindur se Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, që jo vetëm ndan me mua të njëjtin qëndrim, por që është edhe posaçërisht i fokusuar në të gjitha këto momente të proceseve, do të shtonte me qëndrimin e tij publik një element shumë të rëndësishëm të të gjithë kësaj periudhe dhe të këtij momenti për të gjitha vendet tona dhe përfitoj nga rasti të falënderoj dhe praninë e mikut tim të shtrenjtë, siç e kam thënë dhe nuk i heq presjen, se ia kam thënë një shqiptari të dalluar, Albin Kurtit, si edhe Fatmir Limajt, që përfaqësojnë këtu në këtë Konferencë partitë e tyre.

Sergei Stanishev:

Faleminderit zoti Kryeministër!

Unë në fakt ndaj pikëpamjet tuaja, sepse ne besojmë që pas Samitit të Sofjes, Këshilli Europian do të ketë përparim për të gjithë vendet e rajonit, që besojmë se do të jenë të gjitha konkrete për çdo shtet individual dhe besojmë që shtetasit e Kosovës duhet të udhëtojnë të lirë. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm.

Unë kam jetuar vetë këtë periudhë, si çdo bullgar e si çdo rumun dhe e mbaj mend shumë mirë sa poshtëruese ishte deri në 2004 kur rrinim në radhët e gjata, prisnim atë vizën, na e refuzonin dhe sesi shumë më parë, përpara anëtarësimit, liberalizimi i vizave ishte diçka konkrete që i ndihmoi qytetarët. Prandaj kjo është pikëpamja ime dhe e grupit social demokrat. Ne presim që kjo të ndodhë.

Zoti Rama, dje keni zhvilluar një takim informal me Presidentin Thaçi, ndërkohë që sot kanë qarkulluar në media disa foto të një tjetër takimi mes jush dhe disa përfaqësuesve të tjerë që janë këtu nga Kosova. A po ndërmerrni ju një lloj paqtimi brenda Prishtinës pas zhvillimeve të fundit dhe një tjetër paqtim mes Prishtinës dhe Ankarasë, kësaj radhe duke pasur parasysh miqësinë që keni me presidentin Erdogan?

Referuar gjithmonë kësaj miqësie, mediat greke kanë raportuar për një ngadalësim të negociatave me Greqinë dhe kanë marrë si shembull mungesën e zotit Tsipras, i cili ishte njoftuar se do të vinte në Shqipëri për Pashkë. A keni një koment për këtë? Pse nuk u zhvillua kjo vizitë?

Kryeministri Rama: Vetëm komentin që ka pasur të drejtë ai vizitori i shquar dikur që pati thënë, janë të mirë të tërë këta këtu në këtë vend, por prodhojnë më shumë histori sesa mund të tresin. Ky është një problem që e kam parë dhe e shoh dhe siç e shohin të gjithë, edhe e gjithë kjo rezyme ishte një histori e prodhuar që është më shumë se saç mund të tresim. Arsyeja se pse miqtë tanë nga Kosova janë këtu sot, është për të qenë pjesë e kësaj konference dhe kjo konferencë është e programuar me kohë. Ndërkohë që për të tjerat, ju e dini komentin tim kur vjen puna për teoritë e konspiracionit, apo për teoritë e teorive të teorive nëpër media, por nuk po e them atë fjalën turke se pastaj mërziteni.

Zoti Kryeministër, si i përgjigjeni akuzave që lideri demokrat Basha ka bërë gjatë ditës së sotme për ju, që keni uzurpuar shtetin, policinë, gjykatat dhe prokurorinë dhe si e patë seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës?

Kryeministri Rama: Thjesht nuk i përgjigjem. Problemi im sot dhe gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë dhe mbetet zgjidhja që duam dhe do t’i japim atyre që janë realisht subjekt i sistemit të pagesës dhe patjetër që në fund do të vlejë çfarë ne do të bëjmë për njerëzit që jetojnë në Kukës e jo çfarë thotë njëri apo tjetri. Plus që ju e dini shumë mirë që unë as kur flas anglisht, as kur jam me ata që kuptojnë vetëm anglisht, nuk flas për opozitën e vendit.

Një pyetje tjetër për mbledhjen e Komisionit Hetimor për zotin Tahiri, që është bërë nga anëtarët e PS. Në këtë moment, në Kuvend, zoti Paloka, kryetar i këtij Komisioni e ka quajtur të paligjshëm. A ishte për të shmangur vëmendjen nga situata që po ndodhte gjatë orëve të mëngjesit dhe këtyre ditëve me protestuesit për rrugën e Kombit?

Kryeministri Rama: Përgjigja e pyetjes së dytë është fundi i përgjigjes së pyetjes së parë. Kur unë flas anglisht dhe kur jam me miq që kuptojnë vetëm anglisht, unë nuk merrem me opozitën e vendit tim.

Si e shikoni qëndrimin e opozitës në kuadër të proceseve integruese të vendit?

Kryeministri Rama: Përgjigja e pyetjes së tretë është fundi i përgjigjes së pyetjes së parë dhe fundi i përgjigjes së pyetjes së dytë. Kur pyetem për opozitën dhe flas anglisht, ose në prezencë të njerëzve që kuptojnë vetëm anglisht, unë nuk flas.

Një pyetje për presidentin Stanishev, cili do të jetë roli i vendit tuaj, Bullgarisë që kryeson presidencën e radhës në Bashkimin Europian, në këtë proces, është vendimtar për vendin tonë, por dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Sergei Stanishev: Faleminderit për pyetjen, por pa dashur të ndërhyj në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe të marrëdhënies midis qeverisë dhe opozitës, dua të ndaj pikëpamjet e mia kur kjo lidhet më integrimin europian. Në Ballkan, zakonisht marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës janë gjithmonë shumë emocionale, ka shumë pasion, e kemi parë të gjithë. Kam qenë këtu kur ka qenë Edi në opozitë, kur partia e tij ka qenë në opozitë. Kam qenë kur zoti Berisha ishte kryeministër, i kam parë të gjitha. Kam parë dhe në shtetin tim, por ka një gjë që është shumë e rëndësishme në kontekst të anëtarësimit europian dhe këtë duhet të mbani mend. Kam qenë dhe në vendin tim në të dyja anët, në qeveri dhe në opozitë, por kur bëhet fjalë për përparësitë europiane të vendit, gjithmonë e gjejmë një rrugë për të mos e penguar vendin e për të përmbushur qëllimet e mëdha dhe të mos lejojmë çështjet e vogla të na pengojnë. Gjithmonë ka një arsye të fortë dhe këtë gjithmonë e bën opozita, lufton qeverinë për dobësitë, por duhet të ketë një kufi.

Dua të jap një shembull me presidentin bullgar. Partia ime që aktualisht është në opozitë miratoi një vendim të posaçëm të Kongresit për të ardhmen e Europës në kuadër të presidencës bullgare dhe përparësitë e presidencës kanë dhe një konsensus kombëtar. Unë jam në kontakt me kryeministrin bullgar, me autoritetet, si dhe me drejtuesit e partisë sonë, sepse ne duam që presidenca bullgare të jetë e suksesshme për unionin dhe për shtetin tim, për reputacionin dhe për qëllimet e shtetit tim.

Për të folur për interesin konkret në Ballkanin perëndimor. Thjesht fakti që po ndodh në presidencën bullgare, që është hera e parë pas kaq vitesh e do të kemi këtë samit kaq të madh, tregon rolin, vullnetin që kemi ne për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor për të filluar një proces më të përshpejtuar të anëtarësimit dhe nuk duhet të përfundojë me presidencën bullgare, apo me Samitin në Sofjes, apo me takimin në qershor, por duhet të vijojë më tej edhe me presidencën austriake dhe rumune, e cila do jetë vitin e ardhshëm, sepse është një proces që nuk duhet ndërprerë.

Ne jemi në kontakt si presidencë bullgare me dy presidencat pasardhëse, si Austria, por sidomos me Rumaninë, sepse jemi nga e njëjta familje dhe po mbajmë kontakt të ngushtë për të pasur vazhdimësi të procesit e për të mos pasur një vakum, pasi për ta bërë këtë proces të besueshëm duhet të bëjë një punë edhe BE, nuk duhet të punojnë vetëm shtetet kandidate, sepse dua të shoh në këtë iniciativë me 6 shtylla, gjëra konkrete nga ana e financimit, masa konkrete që njerëzit dhe shtetet të shohin që nuk është vetëm shtetet që po anëtarësohen, por që po ndodh diçka midis këtyre shteteve për t’i bërë më të mikpritura në Bashkimin Europian dhe shumë elemente të tjera. Puna duhet bërë bashkë, të zotërojmë bashkë në BE, bashkë me shtetet anëtare, me institucione edhe me shtetet e Ballkanit perëndimor.

Përse e ka bllokuar policia rrugën për tek gjykata e Tiranës? A keni pasur informacione për trazira?

Kryeministri Rama: Nëse i referoheni tre përgjigjeve dhe tre pyetjeve të mëparshme do të gjeni përgjigjen për pyetjen tuaj të katërt. Shumë faleminderit!

Duke qenë se pas pak ditësh është rekomandimi i Komisionit Europian, ju keni lajmëruar që jeni në kontakt dhe me vendet që janë skeptike apo që duan më shumë informacion për të dhënë një mendim për Shqipërinë, për të dhënë vendimin e tyre për hapjen e negociatave. Keni vizita të programuara në këto vende dhe cilat janë këto vende? Vizita në Gjermani, me Merkel? Në Francë?

Kryeministri Rama: Faleminderit për pyetjen. Së pari, të sqarojmë me ndihmën tuaj edhe njëherë. Fillimisht na intereson raporti i Komisionit. Raporti i Komisionit është një raport teknik, i cili evidenton progresin e bërë dhe nëse vendi i ka kryer apo jo detyrat e shtëpisë. Komisioni, urojmë, shpresojmë që t’i konsiderojë detyrat e shtëpisë të kryera për këtë fazë, sepse deri në anëtarësim, detyrat do të shtohen, nuk do të pakësohen dhe të japi rekomandimin e pastër pozitiv për çeljen e negociatave. Pastaj vjen vendimmarrja e vendeve anëtare që përtej aspektit teknik, është politike dhe natyrisht që në këto vendimmarrje politike, dinamika të ndryshme brenda vendeve kanë influencën e tyre. 

Në fillim të marrim raportin dhe uroj rekomandimin. Pastaj do të kemi një periudhë kohe për të intensifikuar punën tonë me të gjitha vendet anëtare që kanë nevojë për më shumë, si të thuash, përpjekje dhe për të marrë dhe konsensusin e vendeve anëtare, pasi ju e dini mirë që në fund, vendimi është me konsensus. Bashkimi Europian funksionon në këtë formë, kështu që sigurisht që kemi një axhendë intensive, sëbashku me ministrin e Jashtëm dhe besoj që jemi të mirëpërgatitur për fazën tjetër.

Në këtë aspekt edhe Partia Socialiste Europiane ka një rol të konsiderueshëm, jo vetëm për arsye të prezencës së rëndësishme në Parlamentin Europian, por edhe për prezencën në parlamentet e vendeve të tjera, sepse është një proces që në varësi nga vendet ka edhe parlamentin brenda. Kështu që është një vendimmarrje politike, por Raporti na bën më të fortë, ose më të dobët në rrugën drejt kësaj vendimmarrjeje. Nëse kemi një raport të qartë dhe solid, ne kemi dëftesën që i kemi bërë detyrat e shtëpisë. Pastaj, ka mësues të kategorive të ndryshme në Këshillin Europian, kështu që varet sesi e shikojnë dëftesën. Rëndësi ka që të marrim rekomandimin pozitiv tani. E në këtë aspekt do të ishte e udhës që deri në ditën e rekomandimit, të gjithë të fokusohen tek rekomandimi, por e thashë edhe më parë, që kjo është zgjedhje e secilit.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm