Niko Peleshi 2

Mblidhet Kryesia, PS ndez motorët për fitoren e 18 qershorit

Prononcimet për media pas mbledhjes së Kryesisë së PS

Niko Peleshi:

Ishte një mbledhje e zakonshme e kryesisë, jo e jashtëzakonshme; një mbledhje rutinë, që ashtu si mbledhjet e tjera i vlen organizimit të Partisë Socialiste për të përçuar përmes gjithë strukturës së vet, që është e shtirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e Shqipërisë, mesazhin dhe nevojën e mbështetjes popullore të reformave tona. Kemi një program shumë ambicioz, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë duke u përgatitur për sfidën e rradhës, për zgjedhjet që do e çojnë Partinë Socialiste në mandatin e vet të dytë. Natyrisht, krahas punës së hartimit të programit për mandatin e dytë, kemi shumë të nevojshme gjithnjë që përmes strukturës sonë të përçojmë në komunitet mesazhet dhe nevojën e një bashkëpunimi, mbështjetje të padeformuar të gjithë misionit tonë të qeverisjes në çdo familje, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo grup interesi.

Ky është misioni jonë, ky është fokusi jonë i pandryshuar; dhe kjo mbledhje Kryesie, siç e thashë, ishte një mbledhje e zakonshme që i shkon përshtat pikërisht kësaj filozofie.

A u fol në mbledhjen e qeverisë për çështjen më të fundit, shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë dhe akuzat që ai hodhi ndaj qeverisë?

Edhe në emër të qeverisë, në qoftë se dëshironi, mund t’ju rikonfirmoj që ne kemi një dhe vetëm një qasje në koalicion. Qasja jonë është strategjike, nuk është një qasje taktike. Natyrisht mirëkuptojmë, dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike të koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot, kështu do të jetë edhe nesër. Natyrisht që le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli, por edhe partitë tona aleate, se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave, – të cilat nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur,  të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, – nuk do të ndryshojë.

Ju po thoni që LSI po përdor taktika?

Unë thashë që ne mund të mirëkuptojmë që partitë në koalicion mund të kenë taktika elektorale, të cilat për sa kohë nuk dëmtojnë qasjen tonë strategjike, janë të mirëkuptuara.

Çfarë kishte të vërteta deklarata e zotit Manjani?

Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet, e kam thënë edhe një herë në një prononcim, sepse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë.

 

Erion Veliaj:

Partia Socialiste ka ndezur motorët për fitoren e 18 qershorit. Do të thotë që nga puna në Tiranë, por edhe në të gjitha bashkitë e tjera po punohet fort; është e garantuar kjo fitore, dhe jo vetëm që të dalim forca e parë, forca udhëheqëse qeverisëse, por unë besoj që ky fokus është ekzaktësisht ajo që na duhet.

Unë e kuptoj urinë mediatike, ka gjithmonë nevojë për telenovelë, çdo ditë duhet të ketë nga një episod, por unë besoj që një parti e matur është e fokusuar tek gjërat e rëndësishme. Ajo që po ndodh në qytetet e Shqipërisë dhe ato reforma që po ndodhin në Shqipëri janë gjërat e rëndësishme; janë ato që vënë ushqim në tryezën e çdo shqiptari; janë ato që tregojnë kujdesin për familjen e secilit që jeton në Shqipëri; janë këto përkujdesje për qytetet tona dhe për zhvillimin urban; dhe besoj se çdo harxhim kohe me telenovela dhe gjëra të së shkuarës nuk i bëjnë mirë Shqipërisë. Prandaj, unë besoj që qytetarët që ju ndjekin dhe të gjithë ata që votojnë dhe paguajnë taksa presin ta shohin qeverinë në punë, presin t’i shohin kryetarët e bashkive në punë.

Unë kam qenë anëtar i qeverisë, me nostalgji kujtoj që funksionon si ekip dhe unë di të them si drejtues i një ekipi tjetër në pushtet vendor, që ekipi është shumë më i rëndësishëm se secili prej individëve, përfshirë dhe mua. Prandaj besoj se kur kemi një ekip që është i fokusuar, çdo gjë mund të arrihet. Bashkimi bën fuqinë e sot jemi më të bashkuar se kurrë.

Ajo që meritojmë sot të gjithë, si media, si shoqëria, si politika: të jemi të fokusuar tek nevojat e vendit. Bisedat dhe telenovelat politike nuk çojnë gjërat përpara, nuk hapin asnjë vend pune, nuk i bëjnë qytetet më të pastra, nuk ndërtojnë më shumë shkolla. Këto janë temat që kanë rëndësi, kjo është arsyeja se pse u mblodhëm sot si Kryesi. Jemi të vendosur për të patur një fitore akoma më të thellë këtë vit, ku sigurisht dhe bashkitë do të kenë një rol, sepse unë besoj që fati i punëve të nisura që dëgjohen dhe në sfond në Tiranë, kanë të bëjnë patjetër dhe me suksesin e kësaj qeverie. Ne e kemi parë se si qytetet janë sabotuar, janë neglizhuar, janë degjeneruar, kur kemi patur qeveri që nuk kanë patur lidhje me civilizimin dhe me urbanizimin. Unë investohem në këtë ekip si një anëtar i këtij ekipi, duke pranuar gjithmonë që ekipi është më i rëndësishëm se gjithsecili prej nesh.

Çfarë mendoni për shkarkimin e z. Manjani?

Unë nuk jam anëtar i qeverisë, por di të them këtë, që në një qeveri dhe një ekip ku unë kam bërë pjesë, që është ekipi i Edi Ramës i cili është dhe kapiteni, sigurisht që është drejtimi i kapitenit, ashtu si në çdo lojë tjetër, ai që i jep vizionin qeverisë, që mbledh skuadrën dhe që vendos se kush rri dhe kush ikën nga skuadra. Në një moment u vendos që unë të lija skuadrën për të ndërtuar një ekip tjetër, ndaj dhe them që ka gjëra shumë më të rëndësishme dhe ka më shumë gjëra që na bashkojnë sot.

PS i ka ndezur motorët për të shkuar vetëm në 18 qershor?

I ka ndezur motorët e fitores për një partneritet strategjik, ku sigurisht forca kryesore është PS; është forca kryesore në pushtet vendor; është forca kryesore në parlament; është forca kryesore në qeveri. Aleanca që kemi me LSI është një projekt strategjik. Unë gjithmonë besoj, si dikush që ka investuar tek e majta, që ky është një projekt përtej një mandati. Për shumë të majtë është konceptuar si një projekt i bashkimit të së majtës përtej datave elektorale dhe kështu do jetë.

Brenda LSI ka zëra kundër koalicionit. Po brenda PS?

Nuk ka zëra kundër koalicionit.