Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mbyllja e basteve, Rama: 700 milionë dollarë që qarkullojnë në këtë ekonomi do të jenë pjesë e konsumit të shëndetshëm familjar

Të reja

Mbyllja e basteve, Rama: 700 milionë dollarë që qarkullojnë në këtë ekonomi do të jenë pjesë e konsumit të shëndetshëm familjar

27 Oct 2018    

Vijon fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste., fjala e kryeministrit Edi Rama në Lushnje:

Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu në këtë ditë pushimi! Shpresoj që të mos pendoheni në fund, të mos dilni të mërzitur që humbët kohën kot dhe në fakt unë besoj që nuk është kohë e humbur kot, koha që një qytetar i kushton aktivitetit politik sepse të merresh me politikë nuk do të thotë të jesh domosdoshmërisht politikan, nuk do të thotë ta kesh politikën profesion, por do të thotë të jesh një qytetar i mirë, i interesuar përtej cakut të shtëpisë tënde.

Në momentin kur hapim derën dhe dalim nga shtëpia, në atë moment fillon territori ku jemi të pafuqishëm për të ndryshuar gjërat nëse jemi vetëm.  

Nëse dalim nga shtëpia dhe kemi një rrugë që nuk është siç e duam, nuk mund ta ndryshojmë dot vetëm situatën e rrugës.

Nëse shkojmë në shkollë dhe shkolla nuk është ajo që duam, nuk e ndryshojmë dot vetëm.

Nëse pas shkolle nuk kemi një kënd sportiv siç do dëshironim, nuk e bëjmë dot vetëm.

E kështu me radhë, mund të numëroni pafund gjëra që në realitetin e jetës së përditshme do donit të ishin ndryshe dhe nuk i ndryshoni dot vetëm e për këtë ka lindur politika, që njerëzit sëbashku, të bëjnë të mundura gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot.

Aktivizmi qytetar bën dallimin mes një njeriu të mirë dhe një qytetari të mirë. Një njeri i mirë nuk është domosdoshmërish një qytetar i mirë. Një njeri i mirë është një njeri që nuk i bën dëm askujt dhe që sillet mirë me të gjithë, por një qytetar i mirë është një njeri që nuk pajtohet me gjithçka sheh rreth e rrotull e që përpiqet të japë një kontribut. Por si mund ta japë nëse nuk ka të tjerë? Atëherë politika i ka dhënë njeriut mundësinë që të bëhet bashkë me të tjerë, duke u nisur nga ide të përbashkëta, duke u nisur nga kauza të përbashkëta, duke u nisur nga qëllime të përbashkëta dhe kështu është krijuar dhe spektri.

Se disa kanë ide, një këndvështrim të caktuar, disa kanë një këndvështrim tjetër e për t’u kthyer tek aktivizmi, është ajo që tha kryetarja, që shumë njerëz gabimisht fare thonë, “as mos më fol për politikë, se nuk dua të dëgjoj”, ok, por është iluzion të mendosh se po nuk u more ti me politikën, ke shpëtuar, se politika merret me ty, politika vendos për ty dhe në sa më pak duar të lihet e sa më larg t’i qëndrojnë njerëzit, aq më shumë politika mund të bëjë dëme. Ndërkohë që, sa më shumë njerëz të përfshihen, aq më shumë politika vendos në mënyrën e duhur. Është shumë e thjeshtë.

Natyrisht që në procesin e aktivizmit politik, ka brenda mundësi për diskutime, mundësi për debate, mundësi për të qenë pjesë e një komuniteti që merret me diçka që është edhe argëtuese. Është argëtuese të merresh me një aktivitet publik, është e shëndetshme, është stimuluese për trurin që të merresh me aktivizëm qytetar dhe politik, ku është brenda dhe gara, ku është brenda dhe nevoja që të imponosh idenë tënde ndaj dikujt tjetër ose ndaj të tjerëve që janë përballë dhe që kanë idenë e tyre. Nëse pastaj duam të shikojmë konkretisht se si ndikon pjesëmarrja jote, qoftë dhe vota jote, është shumë e thjeshtë. Përsëri, mjafton të bëjmë dallimet dhe krahasimet midis një situate dhe një situate tjetër. Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Ne mbyllëm, vendosëm të mbyllim kazinotë elektronike dhe bastet, gjithë lojërat e fatit, në mënyrë që ju mos të shkoni, - d.m.th. djemtë që janë këtu se vajzat janë në rregull, pra të mos shkoni nëpër lloto e të lini atje lekët, që prindërit mezi i nxjerrin. Por, a do të mbylleshin kazinotë dhe bastet nëse vota do kishte prodhuar një shumicë tjetër dhe do kishte nxjerrë një qeveri tjetër? Jo. Nuk do të mbylleshin sepse nuk u mbyllën dot kur vota kishte prodhuar një shumicë tjetër mandatin e shkuar dhe jo vetëm nuk u mbyllën kur vota kishte prodhuar një tjetër shumicë një mandat më parë, por ndodhi diçka shumë e rëndë. Çfarë ndodhi? Ndodhi që nga taksa që ishte 25% për kompanitë dhe 15% për çdo lojtar që fitonte skedinën - ose fitonte atë rezultatin se nuk i di ato mrrokllat elektronike, - u bë 10% për kompaninë dhe 0 taksë për lojtarin. Gjë që i nxiti të gjithë të shkonin dhe të shumëfishonin humbjet, duke hedhur para atje sepse ishte vota që nxori një qeveri që hoqi taksën dhe që stimuloi marrëzinë. Kështu mund të marrim shembuj plot se çfarë bën vota.

Ti thua “unë nuk shkoj të votoj se janë të gjithë njësoj”. Po të ishin të gjithë njësoj, atëherë sot do vazhdonte marrëzia e basteve dhe kazinove. Po të ishin të gjithë njësoj, sot nuk do bëhej ceku i bebes së parë në 400 dollarë nga 50 dollarë që ishte apo i bebes së dytë 800 dollarë nga 50 që ishte apo i bebes së tretë 1200 dollarë nga 50 që ishte.

Po të ishin të gjithë njësoj, sot nuk do kishte kontroll mjekësor bazë falas për të gjithë qytetarët e nuk do ishin bërë 1 milionë e 200 e ca mijë analiza, kontrolle falas për qytetarët. Do vazhdohej ti thuhej qytetarëve, “Do të bësh ti kontrollin bazë? Shko paguaj 81 dollarë”. E askush nuk bënte kontrolle dhe pastaj kur njerëzit zbulonin sëmundjet ishte tepër vonë. Po të ishin të gjithë njësoj, nuk do kishte këtë vit libra falas nga klasa e parë në të katërt, vitin tjetër deri në të pestën, e pastaj deri në të nëntën. Do rrinin të gjithë, do vazhdonin të paguanin librat. Po të ishin të gjithë njësoj, Lushnja do ishte njësoj siç ishte, kur ne morëm atë mandatin për ta qeverisur. Do ishte Divjaka njësoj siç ishte, kur ne morëm mandatin për ta qeverisur, por as Lushnja nuk është njësoj, as Divjaka nuk është njësoj. Unë sot erdha në hyrje se nuk kisha ardhur prej disa kohësh dhe pashë hyrjen e Lushnjës. 

Kur hyje në Lushnje para disa kohësh, ishte sikur hyje në një zonë lufte që nuk dihej si do dilje, nga pamja e tmerrshme e hyrjes së qytetit. Po pse? Se nuk jemi të gjithë njësoj se po të ishim të gjithë njësoj, do ishte dhe ajo njësoj. E kështu me radhë mund të merrni shembuj sa të doni sepse nuk janë të gjithë njësoj dhe çfarë e bën ndryshimin, nga njëri tek tjetri. Nga disa tek disa dhe pse aktivizmi nuk është absolutisht diçka e keqe, përkundrazi.

Politika ka aftësinë të bëjë gjëra të këqija, ka bërë shumë të këqija në historinë e njerëzimit, edhe në Shqipëri, por politika ka bërë mrekullira që përndryshe nuk do bëheshin. Bashkimi Europian nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte politika. Shtetet e Bashkuara nuk do ekzistonin po të mos ekzistonte politika. Po ju jap dy, por as demokracia nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte politika. As debati i lirë mes njerëzve, e drejta e çdo njeriu e garantuar nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte politika. Politika i ka bërë këto të gjitha. Politika e ka pjellë edhe nazizmin, edhe fashizmin dhe diktaturën komuniste. Politika i ka pjellë, por politika ka nxjerrë edhe gjëra që as nuk mund, mrekullia për njerëzimin. Barazinë para ligjit, barazinë mes grave dhe burrave, kush e ka bërë? Politika. Votën për gratë, gratë deri vonë ishin të diskriminuara edhe në vende të zhvilluara nuk votonin, votonin vetëm burrat. Politika avancon, është rruga e avancimit të interesave të njerëzve që bëhen bashkë. Të njerëzve që nuk rrinë dhe vetëm të qahen e të ankohen e të thonë, nuk bëhet kjo punë, por aktivizohen.

Nëse në shkollë ju mungon shumë vetave një bibliotekë, kurrë nuk bëhet bibliotekë nëse secili ikën në shtëpi duke u qarë e duke thënë nuk kemi bibliotekë. Por nëse ata bëhen bashkë, aty fillon politika. Fillon aktivizmi. Bëhen bashkë dhe thonë, ne çfarë na bashkon? Na bashkon fakti që ndjejmë këtë mungesë e duhet ta plotësojmë këtë mungesë. Si do ta plotësojmë? Fillon diskutimi. Do e plotësojmë duke shkuar të gjithë bashkë e duke i zënë derën drejtorit të shkollës apo mësuese apo duke bërë këtë apo atë? Dhe njerëzit bëhen bashkë dhe zgjedhin një rrugë për të realizuar qëllimin. Nuk diskutohet do ta realizojmë qëllimin, patjetër, thashë këtë, mund të thuhen plot të tjera.

Kjo është politika dhe kjo është arsyeja pse unë që po ju flas juve, jam këtu sot.

Nuk e kam menduar kurrë që do vinte dita e do bëhesha kryetar i Partisë Socialiste, Kryeministër, kjo hyn tek ato nderet e paimagjinueshme që i bëjnë njerëzit njeriut se nuk ka nder më të madh për një njeri se sa të kesh besimin që të drejtosh vendin tënd apo të kesh besimin të drejtosh partinë më të madhe në vendin tënd, por kur unë jam marrë me politikë, as më shkonte në mendje që do bëhesha ndonjëherë politikan, përkundrazi, por më mundonin gjërat që shikoja dhe thoja fjalën time. Pastaj e pashë që vjen një moment që nëse do t’i çosh gjërat më përpara, duhet të bashkohesh me të tjerët se vetëm mund të shkruash, mund të bësh analistin, intelektualin, është kontribut nuk diskutohet, por nuk mjafton dhe këtu pak a shumë zhvillohet e gjitha.

Fare mirë mund të mos isha sot, këtu, por sidoqoftë, për mua, pa gjykuar se secili ka të drejtën e vet, pa i gjykuar ata që thonë, ik more... Jam dakord me atë që thoshte presidenti Regan, ai ishte aktor filmash edhe hyri në politikë dhe thoshte isha një njeri i mirë, u bëra një qytetar i mirë, kur vendosa të hyj dhe të ndihmoj të tjerët, sepse nuk mjafton të jesh njeri i mirë për t’i thënë vetes që jam dhe një qytetar i mirë.

Faleminderit!  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm