Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Meksi: Vazhdon mungesa e ujit te pijshem ne Tiranen e Re

Të reja

Meksi: Vazhdon mungesa e ujit te pijshem ne Tiranen e Re

02 Jun 2008    
Banorët e Tiranës së Re po e ndjejnë në këto ditë të nxehta krizën e furnizimit me ujë të pijshëm. Është vera e tretë radhazi që ndodh kështu. Premtime ka patur çdo vit nga pushtetarët PD-ist, por situata është çdo vit më e rëndë. Ujësjellësi, me gjithë premtimet e kahershme të Kryeministrit nuk po kalon nën varësinë e Bashkisë së Tiranës. Demagogjia me decentralizimin e pushtetit lokal vazhdon. Papërgjegjshmëria dhe keqmenaxhimi nga administrata e ujësjellësit vazhdon. E për pasojë në çezmat e qytetarëve mungon uji. Konkretisht:

-Në rrugën “Gjik Kuqali në pallatin 4/1, në rrugën “Grigor Heba, pallati 11, 12, 45/3, 45 ka gati një muaj që uji vjen 1 orë në tre ditë.

-Janë reduktuar ndjeshëm oraret me furnizimin me ujë në pallatet 48, 50, 39 në rrugën “Irfan Tomini. Janë me dhjetra lidhje të paligjshme në këtë rrugë, me dhjetra lavazhe që punojnë me ujë të pijshëm. Uji derdhet rrugëve dhe askush nga Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk shkon për t'i dhënë fund keqadministrimit të ujit. Administrata shtetërore tallet me taksapaguesit e saj - qytetarët që po vuajnë mbi kurrizin e tyre papërgjegjshmërinë e saj.

-Problem mbetet përsëri “Komuna e Parisit dhe Selita, ku orari i furnizimit me ujë të pijshëm është kufizuar ndjeshëm krahasuar me periudhën para 1 muaji. Vjet Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Qeveria u përpoq të justifikohej se “ishte vit i thatë, thatësirë e jashtëzakonshme, më e madhja në shekullin e fundit, më e madhja në gjithë Ballkanin këtu në Shqipëri. Po këtë vit, një vit shyqyr Zotit i bereqetshëm, me rreshje plot gjatë gjithë kohës bile edhe në pranverë, përse nuk ka ujë në Tiranën e Re? Nuk mund të zgjidhet problemi me ujë të pijshëm në Komunën e Parisit kur vetë drejtori i Ujësjellësit thotë në TV se kjo zonë nuk mund të furnizohet me ujë se është rritur popullsia, janë shtuar pallatet shumëkatëshe dhe tubacioni nuk e përballon furnizimin me ujë të pijshëm. Po kjo zonë ka vite që është ngritur dhe po e vuan ujin e pijshëm. Edhe sa kohë do të presë për të bërë investime në këtë zonë? Përse zvarriten? Përse nuk bëhen? Përse premtohet çdo ditë dhe asgjë nuk bëhet?

Qytetarët duan ujë dhe jo justifikime, demagogji dhe fjalë… fjalë… fjalë pa fund. Ne do të zgjedhim të gjitha rrugët e ligjshme për t'iu siguruar banorëve ujë të pijshëm: interpelancë me Ministrin, sensibilizim të opinionit me mediat deri te protestat e ligjshme të banorëve. Këto ditë komunikimi me banorët për këtë problem, njëra prej tyre më kërkoi t'i kujtoj znj. Topalli si kryetare grua e parlamentit, që duhet të jetë më sensibile ndaj mungesës së ujit dhe pasojat e tij veçanërisht te gratë, se para nevojës për lëvizje të lirë që e mirëpresim, duam jetë dinjitoze në vendin tonë, ku kërkesa për furnizim me ujë në kryeqytetin e një vendi që aspiron europën është minimale.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm