Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen e dhënë në procesin e miratimit të Reformës në Drejtësi!

Të reja

Mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen e dhënë në procesin e miratimit të Reformës në Drejtësi!

07 Dec 2017    

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi janë duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të kongresmenit Robert Pittinger, zëvendëskryetar i Nënkomisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm.


Duke i uruar për mirëseardhjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kongresmeni Pittinger shprehu gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai u shpreh se të dyja vendet, Shqipëria dhe SHBA, ndajnë të njëjtat angazhime, të njëjtat vlera dhe pikëpamje, si dhe të njëjtat shqetësime. 


Z. Balla  njofton se do zhvillohet një mbledhje me udhëheqësit e më shumë se 50 vendeve për të diskutuar probleme të ndryshme si çështja e luftës kundër terrorizmit, financimit të terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe shkëmbimit të informacionit.
“Ne do të mblidhemi bashkë me udhëheqësit e më shumë se 50 vendeve për të diskutuar për problemet që ne kemi: si çështja e luftës kundër terrorizmit, financimit të terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe shkëmbimit të informacionit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt dhe një vend që gëzon paqe e begati. SHBA-të kanë një lidhje të fuqishme me ju, dhe ne ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për miqësinë që kemi, e cila do të forcohet në vite”, bën me dije Balla.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ruçi u shpreh se vizioni për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne i jemi gjithmonë mirënjohës SHBA-ve, dhe dua të kujtoj këtu 3 momente historike: së pari, presidentin e madh Woodrow Wilson, i cili në vitin 1920 vuri veton në mbështetje të Shqipërisë si shtet i pavarur; së dyti, ne shqiptarët nuk e harrojmë kurrë faktin se ishte ndërhyrja dhe mbështetja e SHBA-ve për një Kosovë të lirë dhe të pavarur; dhe së treti, Shqipëria është sot një vend anëtar aktiv i NATO-s dhe partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit falë mbështetjes së SHBA-ve.”

Gjithashtu, z. Ruçi falenderoi kongresmenin Pittenger për mikpritjen dhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të ambasadës së saj në Shqipëri, për mbështetjen e dhënë në procesin e miratimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. “Falë kësaj reforme, që u përgatit dhe u miratua me mbështetjen tuaj, ne do të kemi një sistem të besueshëm drejtësie”, - nënvizoi gjatë takimit Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, duke shtuar se miratimi i kësaj reforme është një garanci e domosdoshme për sipërmarrjet e huaja, përfshirë edhe ato amerikane, për të investuar në Shqipëri.

Pjesë e këtij takimi të rëndësishëm ishin dhe kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, zonja Mimi Kodheli dhe deputeti Anastas Angjeli.

Gjatë ditës së sotme, z. Ruçi pati takime me senatorët Mike Inzi, Mark Begich, Chris Coons, John Barroso, Orrin Hatch, Roy Blunt, Mike Rounds, James Lankford.

Ruçi dhe Balla falenderuan kongresmenin Pittenger për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të ambasadës së saj në Shqipëri, për mbështetjen e dhënë në procesin e miratimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm