Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mirënjohje qeverisë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe të sinqertë, që i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë

Të reja

Mirënjohje qeverisë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe të sinqertë, që i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë

17 Jul 2018    

Prononcimi i përbashkët për media i Sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla me Z. Frank Schwabe, Kryetar i Grupit Social-Demokrat të AP të KE-së dhe Zëdhënës i Bundestagut për të drejtat e njeriut:

Prononcimi i Z. Balla:

Falenderoj Bundestagun gjerman dhe Qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe të sinqertë, që i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Një falenderim i veçantë shkon për anëtarët e koalicionit qeverisës në Gjermani social-demokratët, të cilët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në vendimmarrjen e Këshillit Europian, për sa i përket përcaktimit të datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe sigurisht, për një proces parapërgatitor, me qëllim që procesi i negociatave të mbyllet ashtu siç duhej.

Për sa i përket pjesës tjetër, asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dua të theksoj se Shqipëria është një anëtar, i cili luan një rol të rëndësishëm në Asamblenë Parlamentare. Deputetët tanë, qofshin ata përfaqësues të Partisë Socialiste, por edhe të opozitës, luajnë një rol të rëndësishëm në drejtim të grupeve parlamentare ku ata bëjnë pjesë. 
Kemi diskutuar së bashku edhe për çështjet e rëndësishme në interes të Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës, sikurse është edhe ajo që u theksua në Raportin e Këshillit Europian, që ka të bëjë me implementimin e menjëhershëm dhe pa humbur kohë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat janë kuadri dhe shinat mbi të cilat ne duhet të përmbyllim brenda fillim vjeshtës së këtij viti miratimin në Kuvend të këtyre rekomandimeve në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Po ashtu, miku ynë Schwabe kishte interes edhe për sa i përket çështjeve që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut. Me fillimin e implementimit të Reformës në Drejtësi, ku bashkë-ndamë faktin që Reforma në Drejtësi po ecën me ritme të shkëlqyera, procesi i Vettingut po ecën me ritme shumë të mira dhe sigurisht në një kohë të shkurtër institucionet e reja të drejtësisë do të jenë funksionale.

Prononcimi i Z. Frank Schwabe:

Shumë faleminderit për këtë takim që zhvilluam këtu në Tiranë. Kjo është një vizitë që realizohet në një kohë shumë të rëndësishme. E di që sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë për arsye se edhe Komisioneri i BE-së, z. Hahn ndodhet sot për vizitë në Tiranë dhe mendoj që ky është një sinjal shumë i mirë për procesin. Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian kanë të njëjtat synime, sa i takon Evropës dhe Shqipërisë, dhe ato janë përmirësimi i demokracinë, situatës së të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Sot kam folur për këto tema në takimet shumë të rëndësishme që kam pasur me Kryeministrin, me Presidentin e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit.

Kolegët tanë nga Shqipëria janë një pjesë shumë e rëndësishme e grupit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe së bashku përpiqemi të përmirësojmë situatën në fushën e së drejtës të Këshillit të Evropës në të 47 vendet anëtare dhe sigurisht, në çdo vend në veçanti, ashtu si dhe në Shqipëri. Sa i takon muajve në vijim, do i kërkoja Shqipërisë të ecë përpara në rrugën e nisur. Mendoj se ecuria e deritanishme e Reformës në Drejtësi është një sinjal i mirë, por ka ende hapa të tjerë për t’u ndërmarrë për t’u dhënë më shumë argumente vendeve të tjera të BE-së për të votuar Pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kjo sepse është shumë e rëndësishme të vazhdohet me Reformën në Drejtësi dhe me luftën kundër korrupsionit dhe siç e thashë dhe më parë, është shumë e rëndësishme të flitet për Kodin Zgjedhor dhe të ndiqen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Kjo ishte një vizitë 24-orëshe dhe sigurisht nuk do të jetë vizita ime e fundit në Shqipëri. Mendoj se kjo është një kohë shumë interesante dhe e rëndësishme për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet tona në 12 muajt e ardhshëm.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm