Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mirëpresim krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do kenë projekte të përbashkëta

Të reja

Mirëpresim krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do kenë projekte të përbashkëta

19 Jul 2018    

Fjala e deputetit të PS-së, Ervin Bushati në seancë plenare:

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, duke folur për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor” gjatë seancës plenare, tha se ky mekanizëm i ri që propozohet sot do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin dhe projekte të përbashkëta të vendeve që nuk kanë patur ura komunikimi më parë. 


“Përpara tre javësh, me disa kolegë të nderuar të Parlamentit, në një sesion punimesh të FMN-së në Vjenë, ku kishte përfaqësues të parlamenteve të ndryshme nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria, vende të një rajoni që para pak kohësh nuk do t’i shikonim në një tryezë treditore, duke mbajtur punime të përbashkëta për të bashkëbiseduar, për të ngritur pyetje, por ama këto procese të cilat kanë ulur në tavolinë vende të cilat e kanë patur të vështirë të komunikonin dhe të flisnim më parë, janë mëse të mirëpritura. Në këtë kuadër, edhe ky mekanizëm i ri që propozohet sot, mendoj që do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin, bashkërendimin dhe pse jo projekte të përbashkëta të vendeve që më parë nuk kanë patur ura komunikimi siç ishte Kosova me Serbinë apo qoftë edhe Kroacia me Serbinë, etj”, - u shpreh deputeti socialist, duke shtuar se vendet e rajonit, që kanë patur problematika të mbartura ndër shekuj për arsye të përfitimeve sociale dhe ekonomike më në fund po në tryezë dhe po kapërcejnë ndasitë, duke punuar si një trup i vetëm. 


Për këtë arsye, deputeti Bushati theksoi se krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor është mëse i mirëpritur, sepse Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do të ulen dhe do të kenë projekte të përbashkëta. 


“Kam dy sygjerime: Së pari mendoj se formati që do të bashkëpunojnë të jetë i marketueshëm në mënyrë edhe më konkrete, më të thjeshtë, më të prekshme dhe me thithëse nga ana e marketimit, për të afruar sa më shumë të rinj, për të afruar sa më shumë shtresa apo grupe interesi, të cilat janë të interesuar siç mund të jetë turizmi, sepse e bëjnë më të thjeshtë dhe më bashkëpunues procesin. Sot shohim raste ku turizmi, sidomos ai alpin, po kombinon paketa të përbashkëta ndërmjet Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe pse jo dhe Serbisë. Ka shumë të huaj që vijnë nga Europa Qëndrore apo edhe Nordike që duan të shikojnë këto vende si një paketë e vetme. Duhet ta trajtojnë Ballkanin si një paketë e vetme turistike dhe kjo duhet menduar si diçka e tillë, pra të kemi një format të thjeshtë, të marketuar mirë që të funksionojë edhe përtej parametrave politik duke patur pse jo edhe një logo të saj”, - vijoi deputeti i Partisë Socialiste, duke nënvizuar faktin se krijimi i këtij fondi nuk ka kosto financiare. 


“Ndërkohë që ne i kemi dhënë 72 mijë euro për pesë vjet, që është kostoja e munguar ekonomike e zyrave, prapë është një kosto financiare e cila do të regjistrohet në bilancet e shtetit shqiptar. Unë do të doja që duke filluar nga viti i ardhshëm Ministri i Jashtëm dhe Ministri i Financave të flasin për të krijuar një fond të përbashkët, ndoshta fillimisht një fond modest, por këtij fondi bashkëpunimi i duhen dhënë edhe mjetet financiare që nesër të kemi disa projekte të përbashkëta. Të ftojmë disa të rinj nga të gjitha trevat e këtyre vendeve, të kemi disa projekte kulturore, turistike, kulinare, etnografike etj, ndaj do të doja që vitin e ardhshëm të shikohen edhe hapësirat financiare, mes ministrit të Financave dhe ministrit të Jashtëm për të patur projekte të sakta. Unë dhe komisioni kemi ardhur sot për të mbështetur këtë projektligj për të cilin mendojmë se është i nevojshëm”, - deklaroi ndër të tjera gjatë fjalës së tij deputeti i PS-së, Ervin Bushati.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm