PS Tirane

Në 25 qershor do të fitojë Partia Socialiste, sot ka fituar Shqipëria

Sot ishte dita, kur ne kishim çeljen e fushatës tonë elektorale dhe jemi mbledhur këtu për këtë ditë. Por besoj që më bukur sesa në vend se të çelim sot fushatën elektorale, të brohorasim për realizimin e objektivit tonë strategjik për një Shqipëri me shtet, me punë dhe me mirëqenie, për Vetting-un që do votohet përpara fillimit të fushatës elektorale, unë nuk  besoj se mund të kishte.

Të jeni të bindur se me të njëjtin vullnet, me të njëjtën këmbëngulje dhe me të njëjtën kokëfortësi që ne luftuam dhe fituam për Vetting-un, do luftojmë dhe do fitojmë për të rritur më shpejt ekonominë, punësimin dhe mirëqenien.

Ju jeni dëshmitarë të një periudhe jo të lehtë. Jeni dëshmitarë të një situate jo të zakonshme. Jeni dëshmitarë të një momenti që sot, pas një periudhe dhe situate jo të zakonshme, konfirmon edhe njëherë faktin se ne, kur themi duam dhe do bëjmë shtet, nuk e themi, por e bëjmë.

Ne thamë që zgjedhjet nuk janë një lojë e partive dhe në fakt, ne kemi pranuar të shtyjmë zgjedhjet një javë brenda Kushtetutës dhe ligjit, për të fituar betejën e një gjenerate për një Shqipëri ku gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, sot marrin mesazhin e  qartë se ditët e tyre në sistemin e  drejtësisë janë tanimë të numëruara.

Nga ana tjetër, ne nuk e  kemi fshehur që ne, Partinë Demokratike, pavarësisht se çfarë na thoshin, e donim në fushën e betejës. E kemi thënë dhe përsëritur që në të gjitha rastet, ne do të shkojmë qoftë dhe të vetëm në  zgjedhje, për të respektuar ditën që i takon popullit, jo partive, por ne dëshirojmë që Partia Demokratike të jetë në fushën e betejës dhe ne të fitojmë edhe më shumë sesa katër vjet më parë.

E për më tepër, jo vetëm do fitojmë, por si asnjëherë në histori, opozita do ketë mundësinë që të shikojë nga brenda gjithë ecurinë e këtyre 37 ditëve dhe në fund do të jetë e detyruar të pranojë fitoren pa “por”, pa “sikur”, pa “andej”, pa “këtej”.

Unë kam marrë shumë  mesazhe sot. Por në këtë rast besoj që një gjë duhet ta kemi shumë të qartë; Në 25 qershor do të fitojë Partia Socialiste, por sot ka fituar e gjithë Shqipëria.

Në 25 qershor, fitimtarët do të jenë ata që do të votojnë Partinë Socialiste, por sot kanë fituar socialistët e demokratët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që më në fund po shikojnë  dritë në fund të tunelit dhe po iu jepet mundësia që të dalin njëherë e mirë nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar.

Sot, po çelim një epokë të re!

Ne çelim një epokë të re me edhe më shumë bindje se ne dimë të udhëheqim, ne dimë të bëjmë kompromise, po ne as nuk dimë dhe as nuk duam që kompromiset t’i bëjmë në kurriz të Kushtetutës, të ligjit dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Sigurisht që fushata elektorale zyrtarisht do të fillojë me një javë vonesë. Edhe ata [simpatizantët e PD] janë të gëzuar, kanë të drejtën të jenë të gëzuar. Edhe për ata u hap një rrugë e re. Edhe për ata u hap rruga e betejës demokratike, të cilën ne  do ta bëjmë me pasion, do të bëjmë me vendosmëri dhe mbi të gjitha do ta bëjmë jo për t’i ndarë shqiptarët në “tanët” dhe në të “atyre”, por për t’u thënë gjithë shqiptarëve, se për ne, flamuri ishte kuq e zi dje, flamuri është kuq e zi sot, flamuri do të jetë kuq e zi nesër.

Për ne nuk ka një Shqipëri katolikësh, një Shqipëri myslimanesh, një Shqipëri ortodoksësh, një Shqipëri bektashinjsh dhe një Shqipëri besimesh të tjera dhe bindjesh të tjera. Për ne ka vetëm një Shqipëri: Shqipëria e Skënderbeut, Shqipëria e Ismail Qemalit, Shqipëria e patriotëve që i dhanë asaj jetën, apo e të gjithë atyre që iu bie bretku në emigracion dhe prapëseprapë, mendja iu rri vetëm në një vend, tek Shqipëria që duam.

Ne kurrë nuk kemi dashur, kurrë nuk duam, kurrë nuk do të duam që të shkelim asnjë fije floku të drejtash dhe lirish të opozitës, por, nga ana tjetër, ne as kemi pranuar dhe as pranojmë dhe as do pranojmë që kushdo qoftë të shkeli një fije floku besimin tonë se, nëse do bëjmë shtet, shtetin do e  bëjmë për të gjithë, jo për disa kundër disave, jo për të fortit kundër të dobëtëve, jo për të pushtetshmit kundër të papushtetshmëve.

Sot dua po ashtu t’ju them se ka shumë rëndësi për mua, për ju, për Partinë Socialiste që ne, edhe njëherë tjetër provuam se nuk jemi të gjithë njësoj. Edhe njëherë tjetër provuam se ne jemi ndryshe.

Sa herë më thoshin, sikur të ishin ata, as do na kishin kthyer sytë, jo më të na luteshin, aman të takohemi. Por kjo nuk është një arsye që ne të ndjehemi keq pse s’jemi si ata.  Kjo është një arsye që ne të jemi krenarë se jemi këta që jemi.

Më vjen sinqerisht shumë mirë që sot, ne shohim përpara dhe tanimë të gjithë shohin përpara. Gara nuk është më se kush pengon tjetrin. Gara është kush vrapon më shpejt se të tjerët. Gara nuk është më se kush merr peng tjetrin. Gara është kush çliron më shumë energji pozitive për këtë vend, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, sesa të gjithë të tjerët. Gara nuk është kush të shtiret si më i përvëluari për popullin, si më i djeguri për njerëzit, si më i shqetësuari për Shqipërinë. Gara është se kush është gati t’i japë këtij flamuri, këtij vendi, këtij pasioni për të ardhmen, gjithçka të mirë ka në zemër dhe në mendje, bashkë me të gjithë të tjerët.

Do kemi të gjithë kohën e nevojshme të bëjmë fushatën tonë.

Sot është një ditë ku e gjithë Shqipëria ka të drejtën të marrë frymë lirisht, sepse Vetting-u tanimë nuk ka ku shkon, sepse rruga e stërzgjatur e padrejtësisë nuk ka ku vazhdon.

Ka nga Kamza që vijnë këtu, ka nga Kamza që shkojnë atje [opozita]. Por ne e duam Kamzën edhe për ju këtu dhe për ata atje.

Rroftë Tirana!

Rroftë Vora!

Rroftë Kamza!

Rroftë Kavaja, ku në 25 qershor do bëjmë zgjedhjet dhe do kemi dy gëzime në një ditë.

Rroftë Durrësi!

Rroftë Vlora!

Rroftë Fieri!

Rroftë Lushnja!

Rroftë Shkodra!

Rroftë Lezha!

Rroftë Berati!

Rroftë Gjirokastra!

Rroftë Tropoja!

Rroftë Kukësi!

Rroftë Dibra!

Shqipëria i ka të gjitha, po Tirana i ka të gjithë. Kështu që, me falënderimin më të madh për mbështetjen, për durimin heroik.

Shumë faleminderit! Jam shumë i kënaqur sot, kur më në fund, pas shumë lutjesh, lutjesh e lutjesh, u takuam me opozitën. Na erdhën me një McAllister dhe u ndamë me një Big Mac Pro.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

 

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama me anëtarë e simpatizantë të PS-së në Tiranë