Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 30 qershor do të ketë zgjedhje sepse zgjedhjet nuk i ndalon dot asnjë kryetar i opozitës nga sheshi me molotov, as kryetari tjetër i opozitës nga Presidenca me molotov

Të reja

Në 30 qershor do të ketë zgjedhje sepse zgjedhjet nuk i ndalon dot asnjë kryetar i opozitës nga sheshi me molotov, as kryetari tjetër i opozitës nga Presidenca me molotov

09 Jun 2019    

Fjala e drejtueses politike të Qarkut, Olta Xhaçka në Dibër:

Përshëndetje Dibra,

Në fakt as lulet e Peshkopisë nuk e kanë zbukuruar më shumë këtë shesh se sa entuziazmi juaj dhe gjithë këto flamuj kuq e zi.

Përshëndetje të gjithë miqve që kanë ardhur sot nga Bulqiza. Përshëndetje të gjitha grave dhe vajzave që i pashë sot këtu në një numër të jashtëzakonshëm dhe që këtu në Dibër kanë qenë gjithmonë forca jonë.

Jam shumë e lumtur që jam këtu mes jush për të ndarë zivionin tonë dhe idetë tona për Peshkopinë dhe Bulqizën.

Këto takime nuk janë vetëm për të prezantuar kandidatët për Bashkinë e Dibrës dhe Bashkinë e Bulqizës sepse ata ju tashmë i njihni, janë ndër djemtë më të mirë të Peshkopisë dhe Bulqizës, Dionisi dhe Lefteri.

Këto takime janë një mundësi shumë e mirë që kandidatët të angazhohen publikisht përpara komunitetit për punët që do të bëjnë për të transformuar jetën e komuniteteve tona dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për çdo qytetar këtu.

Të jeni të bindur se pas 30 qershorit të gjithë bashkë do t’u kërkojmë llogari një nga një për të gjithë ato angazhime që do të ndërmarrim sot dhe përgjatë gjithë fushatës zgjedhore.

Jam veçanërisht e lumtur që sot mes nesh është edhe kryeministri Edi Rama. Edi Rama është garancia më e fortë që Peshkopia, Bulqiza dhe i gjithë qarku i Dibrës do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të marrë investime dhe zhvillimin që meritojnë e që u takon.

Fakti që sot këtu jemi kaq të shumtë në numër tregon qartë se cilat janë prioritetet e komunitetit. Patjetër që duam më shumë punë, më shumë shërbime, më shumë vëmendje prandaj jemi të gjithë këtu.

Jemi të gjithë këtu sepse duam dhe do të jemi pranë çdo qytetari.

Është vështirë të gjesh në Shqipëri njerëz më punëtorë se dibranët. Është vështirë të gjesh një zonë më të pasur në Shqipëri se Bulqiza por edhe një Bashki më të harruar se Bulqiza me aq shumë varfëri dhe me aq shumë plagë sociale.

Dibra që i ka dhënë aq shumë historisë edhe sot e kësaj dite  vazhdon të mbetet e izoluar sepse i ka munguar ajo e shkreta rrugë që ja kanë premtuar të gjithë përgjatë 30 viteve sa për t’i marrë votat.

Përveç Edi Ramës, që jo vetëm pati vizionin, jo vetëm bëri projektin, por pati këmbënguljen për ta realizuar këtë projekt, askush tjetër nuk e ka bërë në 30 vjet.

Bulqiza vazhdon të lëngojë ende sot sepse ka një Bashki që për fat të keq nuk punon për interesin e qytetarëve.

Sot jemi në prag të një ndryshimi shumë të madh Rruga e Arbërit po bëhet realitet që do të thotë se Dibra do të ketë një akses më të madh në tregun e Tiranës që është edhe tregu kryesor ekonomik. Fermerët do të mund të shesin prodhimet e tyre më shpejt dhe me çmim shumë më të mirë.

Industria e agro-përpunimit do mund të zhvillohet dhe me mbështetjen e qeverisë kjo zonë që ka një potencial të jashtëzakonshëm për agro-turizëm dhe kjo do të realizohet shumë shpejt dhe puna e dibranëve do të shpërblehet shumë shpejt.

Nga ana tjetër Bulqiza do të marrë të gjithë vëmendjen që meriton me më shumë investime për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve.

Ne e kemi mbajtur fjalën për pensionin e minatorëve, kemi mbajtur fjalën për Rrugën e Arbërit, do të bëjmë realitet edhe transformimin e Peshkopisë dhe Bulqizës me punën e kryetarëve të rinj të Bashkisë dhe mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës.

Në 30 qershor do të ketë zgjedhje sepse zgjedhjet nuk i ndalon dot asnjë kryetar i opozitës nga sheshi me molotov, as kryetari tjetër i opozitës nga Presidenca me molotov.

Zgjedhjet i ka përcaktuar Kushtetuta, afati i fundit është 30 qershori.

Në 30 qershor ne do të kemi zgjedhje për të transformuar edhe Dibrën edhe Bulqizën dhe të gjitha bashkitë në të gjithë vendin.

Unë kam shumë besim se dibranët do të dinë ti tregojnë vendin asaj politikës së mbrapshtë të opozitës rrugë humbur që vë ambiciet dhe agjendat personale përpara interesit kombëtar.

Fakti që Saliu, Monika dhe Luli kanë rënë nga fiku, fakti që kanë frikë nga drejtësia është problem i tyre, jo problemi i qytetarëve. Problemi i qytetarëve është zhvillimi, punësimi, shërbimet.

Sot më shumë se kurrë dallimi mes të dyja këtyre qasjeve është shumë i qartë: më shumë shkolla, më shumë infrastrukturë, më shumë investime, më shumë shërbime  në njërën anë, molotov, shashka e bojë nga krahu tjetër.

Në 30 qershor fillon transformimi për Dibrën, Bulqizën dhe të gjitha bashkitë e vendit. Fillon transformimi dhe për ata që sot ende besojnë te Luli dhe Monika.

30 qershori është shumë më tepër se data e zgjedhjeve lokale. 30 qershori është edhe një referendum ku përballen dy modele ai i punës dhe ai i frikës e shkatërrimit.

Unë kam fatin dhe privilegjin të punoj me njerëz të mrekullueshëm si ju në këtë qark që në fakt i ka dhënë shumë vendit tonë.

E di sa punëtorë jeni, e di se çfarë traditash të mrekullueshme keni dhe e di se për asnjë moment dibranët nuk do të zgjedhin modelin e shkatërrimit por në 30 qershor do të trokasin derë më derë dhe do të ftojnë në qendrën e votimit çdo qytetar për të votuar për djemtë tanë që me ndihmën tuaj dhe tonën do të transformojnë komunitetet tona.

Fitore dhe suksese të gjithëve.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm