Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 30 qershor do të vendoset se cila do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme!

Të reja

Në 30 qershor do të vendoset se cila do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme!

16 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Maliq:

Shumë faleminderit!

Më vjen shumë mirë që sot i erdhi radha të ndalojmë këtu në Maliq. Siç e tha Niko, plani ishte ndryshe, por ishte kërkesa e shumë prej jush që, sidoqoftë, ne ta zhvillonim një takim të madh, edhe pse kishim planifikuar thjesht një vizitë në kantierin kryesor që, siç e keni parë, është ngritur dhe ku po punohet me intensitet dhe me cilësi.

E kam thënë dhe herë të tjera, kudo ku kemi ndaluar në bashkitë që kemi drejtuar së paku për katër vitet e fundit, se kjo është një fushatë shumë e lehtë në këtë aspekt, sepse janë punët që flasin më shumë se fjalët dhe mjafton që secili, pavarësisht bindjeve politike të kujtojë se ku ishim 4 vjet më parë, për të pasur bindjen se duhet të vazhdojmë në katër vitet e ardhshme, me besim të madh tek ata që në këto 4 vite drejtuan dhe ndër ta, një ndër më shembullorët, një ndër më këmbëngulësit, një ndër më të afërtit me njerëzit dhe njohës më të thellë të problemeve të zonës është miku im, Gëzim Topçiu.

Gëzimi e tha që në katër vite, në gjithë këtë hapësirë, sepse bashkia e re ka një hapësirë shumë më të madhe sesa bashkia e Maliqit më parë, janë vënë në jetë 143 projekte dhe janë prekur të gjitha pjesët e trupit të bashkisë, edhe pse pa diskutim ka ende shumë për të bërë.

Ka ende shumë për të bërë, por ama është e sigurt që çka është bërë, mjafton për të krijuar bindjen se Gëzimi është njeriu i duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe për mua ka qenë, është dhe do të jetë kënaqësi dhe nder që të punoj me Gëzimin, të mbështes projektet që ai ka, të ndihmoj sa mundem për nevojat që ai ka. Kështu, nëse katër vite më parë, po këtu ju kam thënë që ta mbështesim Gëzimin dhe të bëjmë në katër vite më shumë, sesa është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku, sot ky është fakt dhe sot ju them ta mbështesim Gëzimin dhe në katër vitet që vijnë të bëjmë më shumë se në këto 4 vite që po mbyllen.

Siç e dini ju të gjithë që jeni këtu, siç e dinë të gjithë shqiptarët, në këto zgjedhje, punët u ngatërruan pak, sepse këto janë zgjedhje vendore, por për shkak të kundërshtarëve tanë janë kthyer në të njëjtën kohë në zgjedhje që janë njëkohësisht edhe politike, edhe qytetare, edhe atdhetare, sepse në 30 qershor nuk do të vendoset thjesht se kush do të drejtojë bashkitë për katër vitet e ardhshme, por po ashtu do të vendoset se cila do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme.

A do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme, ajo e këtyre 30 viteve të shkuara, kur politikanët, sa herë kanë dashur, kanë bërë çfarë kanë dashur me Kushtetutën dhe me ligjin, kur politikanë kanë qëndruar gjithmonë mbi ligjin, kur politikanët i kanë dhënë vetes të drejta, të cilat nuk u njihen qytetarëve, sepse ligji nuk ua jep, ama përsëri edhe një herë, ata kanë synuar dhe synojnë që të ngrihen mbi ligjin. Dhe jo vetëm kaq, por duke sharë, duke kërcënuar, duke turfulluar, duke mallkuar, të marrin peng një popull të tërë, të marrin peng procesin demokratik në Shqipëri, të marrin peng zgjedhjet, për të marrë peng vetë Shqipërinë.

Këto duket sikur janë fjalë të përgjithshme në një fushatë, por në fakt jo, këto janë fjalë që burojnë nga e vërteta e kësaj situate. Juve ju kujtohet shumë mirë se si dy vjet më parë, ata bënë pothuajse të njëjtën gjë. Ikën nga Parlamenti dhe thanë që nuk do të pranonin të hynin në zgjedhje dhe nuk do lejonin të bëheshin zgjedhje, pa ikur unë nga zyra. Ndërkohë qëllimi ishte të merrnin peng vettingun. Ikën nga Parlamenti për të mos votuar ligjin e vettingut dhe për të penguar drejtësinë. Sot kanë ikur nga Parlamenti, kanë ikur nga zgjedhjet, për të penguar Shqipërinë, sepse vettingun nuk e penguan dot. Vettingu ka filluar, po vazhdon përditë, - ju e ndiqni, - duke pastruar dita-ditës pallatin e drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë, që falë lidhjeve të tyre me politikanët dhe marrëveshjes në mëkat me politikanët kanë mbajtur peng drejtësinë 30 vjet.

Vettingu do të shkojë deri në fund, por tani çështja është si ne do të arrijmë që një sistem i pastruar drejtësie të jetë njëkohësisht një sistem drejtësie ku nuk ka më të paprekshëm dhe këtë ne do ta arrijmë. Shqipëria mund ta arrijë duke çelur negociatat për Bashkimin Europian dhe arsyeja, pse ata sot janë rrugëve dhe kërcënojnë përditë, thuajse kanë dalë nga çdo kontroll i vetvetes, është se ata e dinë shumë mirë që, nëse çelen negociatat, Shqipëria ulet në tryezën e bisedimeve për t’u bërë anëtare e BE dhe bisedimet fillojnë me dy kapitujt e drejtësisë, ku Bashkimi Europian nuk do kërkojë më përputhjen e legjislacionit me Kushtetutën e ligjet tona, pra, nuk do kërkojë më çfarë është shkruar në letër, se ne në letër i kemi shkruar të gjitha në këto 2 vite e gjysmë, nuk do mjaftohet më duke parë rezultatet e vettingut, por do fillojë të kërkojë prova që ky sistem drejtësie i reformuar funksionon dhe që në Shqipëri ka një drejtësi ku askush nuk mund të shpëtojë në rast se duhet të përballet me ligjin.

Bashkimi Europian do kërkojë prova, siç ka kërkuar për vendet e tjera që sot janë anëtare, që sistemi ynë i drejtësisë është një sistem ku nuk ka të gjatë e të shkurtër, të fortë e të dobët, por ku ka qytetarë të barabartë përpara ligjit dhe ku drejtësia mund të ndëshkojë president, ish president, kryeministra, ish kryeministra, ministra, ish ministra, njësoj si këdo tjetër që ka shkelur ligjin.

E pra, në këto kushte e kuptoni shumë mirë se pse Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha janë vendosmërisht kundër, janë vendosmërisht në kundërshtim me interesin e këtij vendi dhe këtij populli dhe se duan të marrin peng zgjedhjet, për të marrë peng Shqipërinë. Duan të krijojnë idenë në Europë se Shqipëria është një vend ku nuk bën dot as zgjedhje e jo më të bëjë negociata me Bashkimin Europian. Se Shqipëria është një vend ku ka rrëmuje, ku ka kaos, ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe jo më të jetë një vend që mund të bëhet pjesë e familjes europiane. Duan të krijojnë idenë në Europë se Shqipëria është një vend kriminelësh, një vend i të gjitha të këqijave, që kurrë nuk mund të ulet në tryezë me Bashkimin Europian. Kjo është baza, kjo është shtysa, ky është motivi i gjithë kësaj që po ndodh qëkur ata kanë ikur nga Parlamenti, kanë djegur mandatet, kanë marrë molotovët për të djegur institucionet dhe kërkojnë me çdo kusht të djegin zgjedhjet.

Nga ana tjetër jemi ne që jemi shumica dërrmuese. Jemi ne që jemi në krye të detyrës dhe që kemi detyrë të mos lejojmë që gjithçka kemi ndërtuar me kaq mund, duke hedhur bazat e shtetit, të shkatërrohet siç është shkatërruar në të shkuarën.

Jemi ne që duhet të pranojmë sfidën. Nuk e kemi zgjedhur vetë këtë sfidë, janë ata që kanë ikur nga zgjedhjet, nuk i kemi nxjerrë ne nga zgjedhjet dhe pavarësisht faktit që këto zgjedhje nuk janë më të mirat e mundshme, përderisa nuk ka kundërshtarë, ne do t’i bëjmë këtë zgjedhje, sepse do të zmbrapsim një herë e mirë kundërshtarët e zgjedhjeve, kundërshtarët e drejtësisë.

Ka pasur njerëz dhe njerëz të mirë e të urtë, që ne na mbështesin, edhe njerëz që janë pjesë e familjes sonë, që kanë pasur mëdyshjet e tyre, që kanë pasur idenë që përderisa këtu, këta rrugëdalë duan të bëjnë një dëm të madh, atëherë pse të mos i shtyjmë zgjedhjet, pse mos e shtensionojmë këtë situatë, ne i fitojmë që i fitojmë, çfarë problemi kemi, ndaj t’i shtyjmë. Ashtu sikundër ka dhe njerëz plot që i ka ardhur në majë të hundës nga politika, nga sherret, nga sharjet, nga llafet, nga konfliktet, nga përplasjet dhe thonë aman merruni vesh, boll, shtyni zgjedhjet, bëni një zgjidhje që të na bien veshët rehat, se kështu e paska kjo punë, ky vend nuk bëhet, por të paktën të na bien veshët rehat.

Duket në pamje të parë sikur kjo do ishte rruga më e thjeshtë dhe rruga më e mençur. Po ta mendosh, unë do isha njeriu më i interesuar që të bëja këtë gjë, nëse do nisesha thjesht nga interesi personal për të mos pasur një dhimbje koke, për të mos lënë punët e qeverisë dhe për të dalë në mes të vapës dhe për t’i dhënë një frymëmarrje të përkohshme vendit, duke thënë nuk ka problem, hajde se po i shtyjmë zgjedhjet. Në fund të fundit, nëse futeni në lëkurën time, mund të thonit kryeministër jam, qeverinë e kemi, shumicën në Parlament e kemi shumë solide, mbështetjen nga Parlamenti e kemi të plotë. Në gjithë territorin e Shqipërisë qeverisim pothuajse 75% të territorit. Bashkitë kryesore i kemi. Çfarë problemi ka t’i shtyjmë zgjedhjet?

Mirëpo, kjo do të ishte ta shikosh këtë situatë sot për sot. Kjo do të ishte të mbyllësh sot sytë, të mbyllësh sot veshët, të mbyllësh sot rrugën e arsyes, për t’i rënë shkurt dhe për të fituar një frymëmarrje të përkohshme, duke e futur Shqipërinë pastaj në një asfiksi të gjatë, sepse jo vetëm që do të krijohej precedenti që çdo palë në pakicë, nesër mund të hidhet prapë përpjetë e mund të thotë, ika nga Parlamenti, mora molotovët, nuk dua zgjedhje, ose si them unë, ose rashë e vdiqa. Por, nga ana tjetër, qëllimi tyre nuk është thjesht të shtyjnë zgjedhjet, madje ata nuk e kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Ata kanë thënë vazhdimisht zgjedhje nuk do ketë se duhet të iki qeveria, se duhet të bëhet kështu e duhet të bëhet ashtu e duhet riparë reforma në drejtësi.

Qëllimi i tyre është të marrin peng zgjedhjet, që të marrin peng Shqipërinë e ta fusin vendin në një situatë ku Bashkimi Europian të mos pranojë për kushedi sa kohë, që të ulet dhe të hapi negociatat dhe ku duke mos hapur negociatat, drejtësia të vazhdojë të mbetet e pafuqishme për të ndëshkuar ata, të cilët 30 vjet kanë bërë çfarë kanë dashur dhe asnjëherë nuk e kanë marrë ndëshkimin që meritojnë. Prandaj zgjedhjet e 30 qershorit janë të domosdoshme jo vetëm për faktin se janë sipas Kushtetutës, sipas ligjit dhe zakonit, në kohën e duhur, në afatin e duhur dhe populli ka të drejtën të zgjedhë dhe politikanët kanë detyrën të shkojnë tek populli për t’u zgjedhur dhe jo politikanët të drejtën të vendosin se kur bëhen zgjedhjet dhe populli detyrën që të shkojë pas tekave të politikanëve, ju tek njërit sot, apo ju tek tjetrit nesër. Ky është rasti për të vendosur përfundimisht një rregull elementar, që është shkelur nga ata që politikën e kanë pasur artin  e të mësuarit të hileve përpara rregullave. Rregulli është politikanët duhet të jenë jo vetëm njësoj si të tjerët, kur kanë të bëjnë me ligjin dhe me Kushtetutën, por duhet të jenë shembull për të tjerët se si kurrë nuk duhet të vihet në diskutim Kushtetuta dhe ligji.  

Tani ata bëjnë çdo përpjekje që të fusin frikën, të fusin sëkëlldinë, të fusin pasigurinë në çdo familje, t’u krijojnë njerëzve të zakonshëm dhe të urtë idenë që këtu do bëhet nami, që këtu do bëhet një përplasje e madhe, që këtu po vjen lufta, që këtu do përsëritet ’97-ta, sepse nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të shpresojnë se populli i trembur do të tërhiqet nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nuk ka rrugë tjetër, përveçse të shpresojnë se këtë blof të madh, njerëzit do ta marrin si një kërcënim të vërtetë. Se çfarë ’97-te do bëhet këtu? Ku janë këtu, kursimet e të gjithë shqiptarëve, të gjakut dhe të djersës së tyre, që janë djegur? Ku janë këtu, qytetet e ngritura në revoltë? Pse ato çingijet e koncertit në vitin ’36-të, që i drejton sipas zonave nga një pallavesh deputet që ka lënë mandatin dhe ka marrë molotovët në dorë do bëjë ’97-ën? Ku janë këtu, kushtet për të bërë ’97-ën? Zero.

Ku janë këtu, kushtet për konflikt? Ku është këtu, populli që do çohet të mbrojë Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe fallxhoren e për çfarë arsye në botë?

Këto janë të gjitha kërcënime dhe blofe njerëzish që i besojnë më shumë filxhanit të fallxhores, sesa i besojnë Kushtetutës dhe ligjit, njerëzish që flasin sikur lexojnë filxhan gjithë ditën, që nga Ilir Meta që del në mes të zgjedhjeve dhe anulon zgjedhjet, njësoj si të anulojë Gëzimi me telefon nga Maliqi ndonjë ndeshje të Skënderbeut në Korçë, kur ka filluar ndeshja dhe thotë kam informacione nga agjenci shumë të besueshme, domethënë, nga filxhani. Agjencia e informacionit është filxhani i fallxhores, që i paska thënë, shiko se të del një gjarpër këtu, në formë tete dhe ky duhet të jetë me siguri 8 qershori, protesta, kështu që ky gjarpri do hajë ndonjë kokë njeriu, kështu që dil dhe shpëto njeriun nga gjarpri dhe del dhe thotë, shpëtova një gjakderdhje. Gjakderdhjen e kujt? Për çfarë? Për kë arsye?

Nuk ka asnjë arsye të ketë jo gjakderdhje, por nuk ka asnjë arsye të ketë asnjë konflikt, ka vetëm llumderdhje nga filxhani i fallxhores dhe ka vetëm rrëshqitje të vazhdueshme të një grupi që nuk ka asnjë alternativë, nuk ka asnjë ide, nuk del dot përpara popullit që të thotë na jepni ne votën se ne dimë të bëjmë këtë dhe atë, sepse populli e di shumë mirë se çfarë dinë të bëjnë ata. Kanë 30 vjet që sa herë kanë marrë në dorë Shqipërinë, ose kanë marrë në dorë ndonjë bashki apo komunë, kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë, e kanë lënë më keq, seç e kanë gjetur.

Kështu që asnjë merak nga konfliktet, asnjë frikë nga zgjedhjet. Të gjithë ata, të cilët e ndjejnë, e kuptojnë dhe duan ta bëjnë detyrën e tyre ndaj Shqipërisë, të marrin pjesë në zgjedhje. Ata të tjerët që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje se nuk janë të motivuar, se nuk ka kundërshtar, nuk ka problem, por e rëndësishme është që askush, asnjë njeri i zakonshëm, as demokrati më ekstremist, por ama që punon në arë, ose punon në dyqanin e tij, ose ka taksinë e tij, ose ka një tjetër burim të ardhurash nga puna, të mos përzihet e të mos përfshihet me ta, të mos bëhet mish për top për ata që dolën nga Parlamenti dhe thanë ne po i lëmë mandatet se ne do jemi populli dhe çfarë bënë? U futën në mes të turmës, gjetën më budallenjtë dhe më të sinqertët dhe i hodhën si mish për top dhe sot, dhjetëra njerëz qorra, që nuk kuptuan lojën e ulët në gjithë këtë histori, nuk flenë më në shtëpitë e tyre, por flenë nëpër burgje. Ndërkohë që këta flenë në shtëpitë e tyre, domethënë, e kalojnë natën në shtëpitë e tyre se gjumë nuk vënë më në sy, se shohin vetëm makthin se si populli mund ta kapërcejë me sukses 30 qershorin dhe pastaj nuk e ndal Shqipërinë më asgjë. E nëse këta mund t’i pengojnë dhe mund t’i bllokojnë përkohësisht negociatat me Bashkimin Europian, sepse kanë bërë dëme të mëdha me ato fotografitë e kazanëve të plehrave që nxjerrin flakë dhe me njerëzit që i gjuajnë policisë dhe që dalin nëpër faqet e portaleve, të gazetave nëpër botë e nëpër kronika televizioni, këtë e kanë bërë, ama është vetëm përkohësisht dhe historia e tyre mbyllet në 30 qershor. Dhe historia e një opozite dhe forcave politike që bëjnë si t’ju dojë qejfi dhe që i japin vetes të drejta që një qytetari të zakonshëm as nuk i shkon mendja se mund t’i imagjinojë e jo më ti bëjë, duke u hedhur përpjetë e duke funksionuar me teorinë unë do çmendem, kështu që ose më hapni rrugë, ose unë do t’ju hedh në erë.

Më kujtojnë, kemi pasur në lagje kur isha i vogël, një person, i cili dilte në katin e katërt me pizhama dhe thoshte në orën 3 të vapës, hapni vendin se do hidhem dhe mblidhej gjithë lagja që ta prisnin poshtë, se kishin frikë se mos hidhej dhe një ditë të bukur u hodh një tjetër. Ai i shkreti nuk tha gjë fare, por u hodh dhe engjëlli tha nuk e prisnim nga ai. Kështu u bë kjo punë. Lulzimi, hapni vendin se do hidhem, u hodh Ilir Meta dhe fakti që u hodh Ilir Meta zbuloi të gjithë këtë plan destruktiv, ideatorët dhe frymëzuesit e të cilit janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ndërkohë që Lulëzimi është një kukull, që është mësuar t’i marri gjërat qyl dhe nuk di çfarë thotë e nuk di ç’kërkon sepse është dembel. Tani unë e njoh, e kam shok, është dembel, është llafazan dhe është edhe gjumash.

Nga ana tjetër, fallxhorja që i çmend të tre këta dhe çmend kë i del përpara, kishte çmendur edhe Neritan Cekën, e patë apo jo? Goxha burrë, arkeolog, profesor, doktor, 75 a 80 vjeç dhe kishte dalë në televizor dhe mallkonte sikur e kishte pickuar gjarpri, jazëk këtu e jazëk aty, sikur ishte ndonjë i përjashtuar nga ndonjë sekt fetar. Pse? E zuri hirra. Ka dhe të tjerë. Keni parë ju atë dajë Tit Vasilin kur del? Ai kur del atje, është i sapo pickuar nga gjarpri dhe fillon dhe vë kujën atje. Çfarë janë këta, çfarë është kjo politikë? Parti politike janë këta? Forcë e alternativë janë këta? Çfarë janë, skuadra me programe që do ndërtojnë Shqipërinë? Po kur del fallxhorja dhe thotë Zot shpëtojë Shqipërinë nga ata që blejnë vota. Shyqyr që Zoti nuk përzihet në zgjedhje, se e kishte shumë të thjeshtë ta shpëtonte Shqipërinë nga ata që blejnë vota, e mbyllte fallxhoren në shtëpi dhe nuk blinte më njeri vota këtu, se dihet kush i blen votat këtu. Në këtë pikë nuk ka rëndësi se çfarë them unë. Këtë e ka thënë edhe vetë Lulzimi, SHPK-ja e sheikut të Skraparit, por tani edhe Lulzimin e pickoi gjarpri.

Kështu që ne t’i lëmë ata në filxhanin e tyre dhe të vazhdojmë rrugën tonë. Do ta kapërcejmë këtë moment që nuk është i thjeshtë, por ju lutem shumë një gjë para se ta mbyll, fqinjëve tuaj demokratë, të njohurve tuaj , demokratëve në arën pranë, në shkallën tjetër të pallatit, demokratëve prindër të fëmijëve që çoni bashkë në kopsht, demokratëve që shesin nëpër dyqane thuajini që asgjë nuk do ndodhë dhe është më e mira që ata mund të bëjnë, të marrin pjesë në 30 qershor në zgjedhje, por, nëse nuk marrin pjesë, t’i rrinë larg pickimit të gjarprit. Sepse në fund fare do të ndodhë për të gjithë ata që do guxojnë të prekin zgjedhjet, ajo që paralajmëroi qeveria e Shteteve të Bashkuara, jo unë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara paralajmëroi dhe për turpin e të gjithëve ne çohet qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe bën një deklaratë, i drejton gishtin me emër dhe me mbiemër, Lulizm Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe jua bën shumë të qartë që, nëse prekin zgjedhjet, nuk do shkelin më kurrë në Shtetet e Bashkuara, me fis e me farë, por jo vetëm ata, por kushdo që bën këtë gjë.

Mirëpo nuk është problemi vetëm i Shteteve të Bashkuara. Kush do prekë zgjedhjet, kush do pengojë qoftë dhe një votues të vetëm, kush do hedhë qoftë dhe një kapsollë të vetme, kush do bëjë budallain qoftë dhe për një sekondë të vetme, do të dënohet nga ligji këtu e do shkojë brenda sipas ligjit këtu, kur të dali nga brenda atje, nuk do dali dot jashtë nga këtu. Jo në Shtetet e Bashkuara, por as në Kastorja nuk do shkojë dot më, gjithë jetën. Unë nuk besoj se ka në Shqipëri budallenj që të heqin dorë për gjithë jetën nga Kastorjaja për fallxhoren, se nga Selaniku, nga Roma, nga Athina, nga Firence e nga Parisi as nuk diskutohet por as nga Kastorjaja nuk hiqet dorë për hesapin e filxhanit.

Kështu që miqtë e mi, shumë faleminderit për durimin në këtë saç dhe jam i bindur që ditët që vijnë do të jenë më të mira se ditë që shkuan dhe më e mira është e gjitha përpara nesh. Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm