Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 30 qershor populli do tregojë forcën me votë që të mund të vazhdojmë të ecim përpara!

Të reja

Në 30 qershor populli do tregojë forcën me votë që të mund të vazhdojmë të ecim përpara!

14 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, në Roskovec:

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për gjithë këtë pamje të jashtëzakonshme.

Kur po vinim këtu me Gramozin, po thonim se pavarësisht faktit që kjo është një fushatë e vështirë se nuk është e lehtë të bësh një fushatë kur kundërshtari ka ikur nga fusha kudo, në çdo takim, masa e njerëzve që vijnë, që dëgjojnë, që na japin entuziazëm, që na japin energji dhe mbështetje është vërtetë e jashtëzakonshme dhe nuk ka absolutisht asnjë ndryshim me masën e njerëzve që na mbështetën dhe na dhanë besimin për këtë mandat të dytë qeverisës.

Natyrisht, jam i bindur që përveç të tjerave, kjo është dhe rezultat i faktit se shumica dërrmuese e njerëzve, e kuptojnë dita ditës më shumë që këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë. E kuptojnë dita ditës më shumë që nuk janë thjesht zgjedhje vendore por janë një zgjedhje e qartë për Shqipërinë, mes hienave dhe fantazmave të të shkuarës dhe Shqipërisë që duam për fëmijët e këtij vendi. Nga ana tjetër, është një fushatë e lehtë për sa i takon asaj që ka të bëjë me kandidatët tanë kudo ku ne shkojmë, siç kam ardhur unë tani këtu, për të mbështetur dhe për të kërkuar mbështetjen e njerëzve për kryetarët tanë të bashkive, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk ka nevojë për shumë fjalë pasi puna e tyre, puna e Majlindës këtu flet më shumë se 1 milion fjalë.

Mjafton të kujtojmë se kemi qenë këtu 4 vite më parë, për të mbështetur Majlindën dhe se si ishte Roskoveci, si ishte situata në njësitë administrative të tij dhe të shohim se si është sot. Pa diskutim që ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë. Pa diskutim që ajo që mbetet për tu bërë është më shumë se ajo që është bërë por ama, ajo që është bërë është mjaftueshëm për të kuptuar, edhe ata që kanë qenë dyshues katër vite më parë se këtë vend, ose e bëjmë ne, ose nuk e bën dot askush tjetër. Se qytetet tona, bashkitë tona, në qendër dhe në zonën e fshatit, ose i ndryshojnë socialistët ose nuk i ndryshon dot askush tjetër.

Me vjen jashtëzakonisht mirë për këtë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot unë duhet të them këtu se të gjithë picirri që kam hequr me Majlindën ia kam bërë hallall. Më ka rokanisur kokën duke më kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbështetje për të bërë sa më shumë punë. Ka këmbëngulur edhe kur unë dukesha i vendosur që mjaft tani se nuk kemi mundësi dhe nëse do bënim një garë kokëfortësie, që koka ime nuk është dhe aq e lehtë për tu thyer, unë do dorëzohesha po të futesha në garë me Majlindën por është një kokëfortësi e shëndetshme sepse është një kokëfortësi për të çuar përpara gjërat që duhen bërë dhe për ti shkuar punëve deri në fund, prandaj edhe sot në këtë situatë, kokëfortësia jonë për të qëndruar të patundur në idenë se zgjedhjet duhen bërë në 30 qershor, është e lidhur me bindjen e argumentuar se d por është një kokëfortësi e shëndetshme sepse është një kokëfortësi për të çuar përpara gjërat që duhen bërë dhe për ti shkuar punëve deri në fund, prandaj edhe sot në këtë situatë, kokëfortësia jonë për të qëndruar të patundur në idenë se zgjedhjet duhen bërë në 30 qershor, është e lidhur me bindjen e argumentuar se duhet çuar deri në fund puna që kemi nisur. Duhet çuar deri në fund puna që kemi nisur për të ndërtuar një shtet ku të gjithë i respektojnë Kushtetutën, ligjet, rregullat. Duhet çuar deri në fund puna që kemi nisur për të kaluar nga reforma në drejtësi si proces i ndryshimit të Kushtetutës dhe i hartimit të ligjeve tek reforma në drejtësi si një sistem drejtësie që më në fund, pas kaq shumë vitesh e dekadash, do tu japë shqiptarëve mundësinë të shikojnë se këtu në këtë vend, të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe drejtësia i trajton të gjithë njësoj dhe koha e të paprekshmëve ka mbaruar. 

Kokëfortësi për të çuar deri në fund angazhimin tonë që ta ulim Shqipërinë në tryezën e bisedimeve në bashkimin Europian. Të fillojmë negociatat për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian dhe të gjitha këto janë të lidhur bashkë sepse ata që kanë ikur nga zgjedhjet, nuk është se ikën nga zgjedhjet dhe shkuan në shtëpi. Ata ikën nga zgjedhjet dhe janë rrugëve duke bërë çdo përpjekje për të marrë peng zgjedhjet dhe për ta bërë copash imazhin e Shqipërisë në Europë. Duke bërë çdo përpjekje për të trembur njerëzit këtu në raport me zgjedhjet dhe për të neveritur ata matanë kufijve në Europë në raport me Shqipërinë duke prodhuar pamje të krijuara përmes një organizimi të qëllimshëm me njerëz që sulmojnë parlamentin, sulmojnë godinën e qeverisë, hedhin molotov, përplasen me policinë dhe që natyrisht, kur kthehen ën fotografi dhe shpërndahen në Europë dhe dalin në faqet e gazetave krijojnë idenë se këtu po bëhet nami. Krijojnë idenë se këtu po lufton populli me një qeveri kriminelësh ndërkohë që ju e dini shumë mirë që ata që dalin për të bërë këtë punë, janë një popull imagjinar me turistë politikë, njerëz që punojnë nëpër bashkitë e drejtuara nga Partia Demokratike. Mblidhen nga ndërmarrjet e ujësjellësve, ndërmarrjet e pastrimi, ndërmarrjet e gjelbërimit apo të rinj rrugë humbur që paguhen për të vënë maskat dhe të gjithë sëbashku për të ardhur dhe për të shantazhuar popullin shqiptar e për të përçuar nëpër botë dhe nëpër europë, tamam tani kur shqiptarët duhet të ishin të njëzëshëm jo vetëm si popull, se janë të njëzëshëm, edhe ata që janë atje matanë, si ato cingijet e koncertit në vitin ’36. Edhe ata njësoj si ju, njësoj si ata që nuk janë këtu, njerëz të zakonshëm që duan që Shqipëria të shkojë në Europë por duhet të ishin të njëzëshëm si përfaqësues të të gjithë popullit, ne si përfaqësuesit tuaj, përfaqësuesit e atyre atje që sot të kërkonim një zëri që Shqipërisë ti hapej dera dhe vendi për tu ulur në tavolinë për të filluar bisedimet me Bashkimin Europian por katërshja që kërkon me patjetër ta marri peng procesin zgjedhor sepse do me patjetër ta ndalojë Shqipërinë të ulet në aty tryeze, Saliu, Iliri, Luli, fallxhorja, e kanë tmerr, nuk i zë gjumi sepse dinë shumë mirë që në momentin kur ulesh në atë tryezë, bisedimet për tu anëtarësuar në bashkimin Europian fillojnë me dy kapitujt e parë që janë kapitujt e drejtësisë dhe nuk është më faza kur Bashkimi Europian na mbështet për të bërë reformën, për të kaluar ndryshimin e Kushtetutës, për të vënë ligjin e vettingut në parlament, për ta miratuar apo nuk është më faza thjesht kur vettingu duhet të pastrojë sistemin por hyjmë në fazën kur Bashkimi Europian thotë, na jepni tani provën që në Shqipëri mund të hetohen, mund të gjykohen, mund të ndëshkohen, të gjithë ata që në 30 vjet nuk janë prekur me dorë. Na jepni provën që edhe në Shqipëri, njësoj si në vendet e tjera që sot janë anëtare të Bashkimi Europian, mund të shkojë në burg edhe president, edhe ish president edhe kryeministra, edhe ish kryeministra, që sistemi funksiono si sitëm drejtësie jo si Pazar ku drejtësia i shitet më të pasurit apo i falet më të fortit, i vidhet më të dobëtit apo i mohohet atij që nuk ka mundësi.

E pra, tani imagjinojini këta të katërt se çfarë problemi të madh kanë dhe ndërkohë, zgjedhjet i duan si peng për ti thënë Europës çfarë do hapni ju bisedime me këtë vend. Në këtë vend nuk bëhen dot zgjedhje. Në këtë vend nuk ka shtet. Nuk ka rregull. Tani, shumëkush, tani më pak, çdo ditë e më pak e deri në 30 qershor jam i bindur që do jenë shumë të rrallë ata që do mendojnë siç shumë mendonin në fillim. pse duhet ta pranojmë këtë tension, këtë sekëlldi, këtë siklet, pse të mos shtyhen zgjedhjet? Të tjerë që janë normalisht njerëz që duan të shohin punën e tyre, duan të dëgjojnë nga ne gjëra të tjera. Duan që politika të bëjë punë të tjera dhe jo të bëjë këtë betejën siç po ndodh. Thonë, po mirë merruni vesh tani se na çatë veshët. Boll, u pa kjo punë, kështu e ka Shqipëria, të paktën na lini rehat, merruni vesh. Në fakt, po ta mendosh, njeriu më i interesuar për ta lënë këtë punë dhe për të thënë ok nuk ka problem, nuk i bëjmë zgjedhjet, po të ishte ngushtësisht, jam unë. Çfarë arsyesh kam unë që të jem kokëforte? Unë nuk jam as Majlinda Bufi që foli sa të duash, insiston tek e vetja kur qeverinë e kemi siç na e dhanë mundësinë shqiptarët në 2017, të tjerë në prehër nuk kemi se na i hoqën shqiptarët nga prehri, shumicën në parlament e kemi, solide, nuk kemi problem. mbështetjen e grupit parlamentar e kemi të plotë, të palëkundur, 75% të territorit të vendit në nivelin e qeverisë vendore e kemi. Thuajse të gjitha bashkitë kryesore i kemi, atëherë për çfarë arsyeje unë kam këmbëngulur që në sekondën e parë që gjithçka mund të diskutohet, 30 qershori nuk diskutohet? Për një arsye shumë të thjeshtë, se nëse ne heqim 30 qershorin dhe me demek bëjmë një përjashtim nga rregulli, ky përjashtim kthehet në rregull dhe nesër, fillon nga e para, se ky nuk është një film që ne nuk e kemi parë, kjo është minimalisht seria e dytë e një filmi që e kemi parë në 2017. Ik nga parlamenti, futu në bunker plasmasi poshtë dritares së zyrës sime, këndo hymnin në mëngjes, kërko dorëheqjen në drekë, shko fli gjumë, kthehu në darkë, thuaj që nuk ka zgjedhja, jep dorëheqjen, zgjedhje nuk bëhen, mafia – mafia, futi dhe një të kundër himnit në dark dhe ik në shtëpi.

E bëmë atëherë dhe nuk e bëmë pse kishim ndonjë interes të ngushtë. Po të ishte për interesin e ngushtë, i linim atje ku ishim dhe sot e kishim parlamentin me 40 socialistë aq më tepër që gjithë komuniteti ndërkombëtar e pa që ata nuk hiqnin dorë, por e bëmë për ti dhënë një mundësi të re Shqipërisë. Për ti dhënë një mundësi të re politikës, për ti dhënë një mundësi të re njerëzve dhe morën jo gjysmën e qeverisë por morën gjysmën, pjesën e  luanit në qeveri. Me ministri të Brendshme, me Ministri Drejtësie, Arsimi, Shëndetësie, morën dhe gjithë ato agjenci, morën dhe Avokatin e Popullit, morën dhe Kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve dhe si i morën? Pse i morën? Vetëm  për tu kthyer në parlament që të votonin vettingun se dhe atëherë ikën se nuk donin të votonin vettingun dhe e lidhën me zgjedhja e për të pranuar kush fiton qeveris, kush humbet rri në opozite dhe nuk shahet më Shqipëria në gjuhë të huaj. Mirëpo i harruan të tëra dhe filloi avazi nga e para. Tani, nëse ne pranojmë sot që zgjedhjet nuk u bëkan se një pale që është dhe pala e pakicës, i teket që të vëri kujën, ose si them unë ose rrash e vdiqa, atëherë këtë gjë nesër e bën një palë tjetër e pasnesër një tjetër dhe zgjedhjet nuk janë më e drejta e popullit për të vendosur se kush i qeveris dhe detyra e kujtdo që do votën e popullit për të dalë para popullit por kthehen në e drejta e politikanëve për të vendosur se kur do ketë zgjedhje dhe detyra e popullit që të ulë kokën e të presë kur vendosin politikanët.

Pastaj, nëse ndodh kështu, nuk ka më mandate, që vazhdojnë sipas kushtetutës, se çohet njëri thotë do rri unë të pres katër vjet, po çohem, po marr molotovët, po çmendem e do më vijnë nga mbrapa. Me teorinë budallait hapi rrugë, por jo. Një vend nuk i hap dot rrugë budallait, një popull i tërë nuk i hap dot rrugë budallait. Një shtet nuk mundet të nënshtrohet e ti hapi rrugë budallait dhe për më tepër, imagjinoni, kur ne pranuam marrëveshje, bëmë marrëveshje dhe u shtynë zgjedhjet një javë, u shtynë brenda afateve të përcaktuara atëherë dhe gjithë ndërkombëtarët thonin nuk ka problem, shtyjini më tutje unë thoja jo, se për ata nuk ka problem, Shqipëri hesapi. Çoji në mes të korrikut. Jo, sepse po u shtynë sot nesër nuk do diskutohet më që do shtyhen gjithmonë dhe imagjinoni të ishin shtyrë në 2017 matanë afatit, sot nuk do diskutohej fare që do shtyheshin, se i keni shtyrë thotë dhe atëherë, bujar Nishani, që tani të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, presidentit më partiak dhe më mediokër që ka pasur Shqipëria, e kërkoi me shkrim letrën që jemi dakord të shtyhen zgjedhjet një javë, nga unë dhe nga shoku im që më ka dalë duarsh dhe që kur u nda nga unë, po shkon poshtë e më poshtë, Lulzimi. Dhe u shtynë zgjedhjet me firmë, të dy palëve. Tani, u desh të vinte Ilir Meta që të na duket dhe Bujar Nishani si burrë shteti, imagjino. Ilir Meta del dhe çfarë bën? Thotë firma ime nuk vlen dhe këtë e kam vendosur me firmën time. Do me thënë, populli thotë fjalët i merr era por letrat mbeten. Latinët thonë karta flet, shteti që humbet vlerën, firma dhe kush firmos mund ta tërheqi, jo po bëj një firmë tjetër se ajo firma e parë nuk vlen, nuk është shtet, është rrumpallë dhe Ilir Meta del, goxha burrë, i dha Shqipëria atë që nuk ia ka dhënë askujt në historinë e vetë, pa u bërë akoma 50 vjeç, Kryeministër, kryetar Kuvendi, President dhe thotë jo, unë do ndaloj ’97. Si do e ndalosh ’97? Ku është ’97 këtu? ai mund ta ketë ’97 në shtëpi me fallxhoren por ’97 rrugëve nuk ka. I thotë fallxhorja, shikoj filxhan, shikoj zjarr, shikoj flakë dhe shikoj një I që shuan zjarrin dhe ai del dhe ia fut me shkelm Kushtetutës dhe thotë kështu si them unë se unë jam komandat i përgjithshëm. Këtu nuk ka asnjë arsye në botë që të ketë jo ’97 por që të ketë konflikt nëse Iliri i thotë Monikës, Monika shiko, Shqipëria është në rrezik, ti deri në datë 30 qetësohu. Edhe Saliu ti thotë Lulit, Lulzim, mbrapa kthehu. Edhe ata të shkretët nuk ishin aty sot, edhe ata ca do vinin këtu mbrapa të dëgjonin, nuk do kishte më këtu. imagjinoni, i mbledhin, i nxjerrin dhe me ata atje do pengojnë popullin shqiptar që të votojë. Kjo nuk ndodh.

Ajo që është më e rëndësishmja është që ka ardhur momenti që zullumi i stërtrashur i tyre të këputet në 30 qershor nga populli dhe kush kërkon të na kthejë në të shkuarën, të mbetet përgjithmonë në të shkuarën dhe ne të vazhdojmë përpara drejt të ardhmes. Ne jemi këtu për të vazhduar dhe unë jam këtu për t’ju thënë që katër vite më parë, kur ju kam kërkuar të mbështesni Majlindën ju kam thënë, mbështeteni Majlindën, ta zgjedhim kryetare bashkie dhe në katër vite do bëjmë më shumë se sa është bërë në të gjitha vitet e tjera sëbashku për gjithë bashkinë e Roskovecit. Tani besoj që këtë fjalë e kemi mbajtur. Se çfarë është bërë në këtë bashki, në këto katër vite, nuk ishte bërë në të gjitha bashkë. Tani po ju them, në 30 qershor, unë e di që ju do ta mbështesni Majlindën por në 30 qershor, duhet të mbështesni Majlindën e duhet të tregoni dhe forcën e popullit shqiptar përballë këtyre hienave në mënyrë që më pas, ne të mund të ecim përpara në mënyrë shumë më të vendosur e të fokusohemi shumë më tepër tek problemet dhe tek çështjet e njerëzve e jo tek molotovët e tek balta e hienave dhe në katër vitet e ardhshme, të bëjmë për bashkinë e Roskovecit më shumë se në këto katër vite që po mbyllen.

E fundit, ata po bëjnë çmos që të mbjellin frikë në shpirtrat e njerëzve, të fusnin pasiguri në mendjet e njerëzve. Ti dekurajojnë njerëzit duke ju krijuar idenë se kushedi çfarë do ndodhë në datën 30 qershor. Tani, në datën 30 qershor është mirë që ata të cilët nuk na duan dhe janë në të drejtën e tyre të mos na duan, ata të cilët duan me çdo kusht të ndryshojë kjo shumicë dhe kjo qeveri por që e kanë për arsye bindjesh dhe për arsye të tyren, të mos u venë nga mbrapa këtyre. Të mos u venë nga mbrapa se është gjynah, mua më vjen sinqerisht keq që sot që flasim janë dhejtëra që nuk flenë më në shtëpitë e tyre por flenë nëpër burgje pasi këta që lanë mandate dhe thanë ne do bëhemi populli, në fakt, nuk u bë populli. U futën mes turmës dhe vunë përpara kë gjetën më budallain ose më të sinqertin dhe i hodhën në zjarr, i përplasën me ligjin dhe tani këta të shkretët duhet të paguajnë. Për kë duhet të paguajnë? Cili është ai shqiptar? Qoftë dhe njeriu më armiqësor ndaj meje e ndaj qeverisë sonë, por një njeri i zakonshëm ama, një njeri që jeton me punën e vetë, një njeri që do shumë më tepër, me të drejtë, që meriton të bëjë burg, për Monika Kryemadhin? Për Ilir Metën? Për Saliun? Se për Lulin, maksimumi që mund të bësh është të shkosh me pushime.

Sot pash që disa kryetarë bashkish, ata të shkretët i gënjeu Luli se i tha rrini të sigurt, zgjedhje nuk ka, për kokën e kalamajve zgjedhje nuk ka. Mos u fusni, prisni, ata pritën dhe kush pret Lulin ka halla vetëm gjumin dhe sot kishin filluar të bënin shkresa për KZAZ-të. unë i them atyre shiko, nuk jua ka fajin Partia Socialiste që të jeni në garë. Ne nuk përjashtuam njeri nga gara. Ne ndihemi keq që bëhet një garë e çuditshme ku jemi vetëm. Por mos u bëni mish për top se sëbashku me partinë tuaj, kemi kaluar dhe një ligj për dekriminalizimin dhe nëse ju shkelni ligjin, nuk bëheni dot më as kryepleq për të gjithë jetën, jo kryetarë bashkish dhe llogarinë kërkojani atyre që ju lanë rrugëve. Një parti të tërë që lindi për të ndërtuar rrugën e demokracisë, e morën, e nxorën rrugëve dhe e kthyen si një federatë grupesh të cingijeve të Albert Vërrisë.

Të jeni të sigurt, frika që ata mundohen të mbjellin tek njerëzit do ti tresi. Ata do treten nga ajo frikë. Kush mbjell frikën, tretet nga frika. Ndërsa ne, pavarësisht se kemi kusuret tona, nuk diskutohet, pavarësisht se kemi bërë gabime, nuk diskutohet, pavarësisht se nuk i kemi bërë gjërat aq mirë se do donim, jemi me të drejtën dhe nga e drejta do shpërblehemi.

Shumë faleminderit të gjithëve! Shumë faleminderit atyre nëpër ballkone, atyre nëpër dritare dhe po largohem me një amanet, mbajeni afër komshitë demokratë. E kam seriozisht, mbajini afër. Mbani afër miq demokratë, kolegë nëpër punë, fermerë në arrë që mund të jenë me PD-në, thuajini që e para njëherë, të sigurojnë veten që mos të shkojnë ti bien me kokë murit të ligjit. E dyta, asgjë nuk ka ndodhur në fakt e keqe për ta sepse nga një anë do fitojë më i miri, Majlinda në këtë rast ose kudo tjetër, ai që është socialist dhe që fiton për të drejtuar një bashki nuk diskutohet që e bën më mirë se ai që është demokrat dhe e merr bashkinë për ta drejtuar dhe e lë të rrënuar e do fitojnë sepse deri në 30 qershor mund të zgjohesh me ëndrrën Rama ik, me 1 korrik fillon Luli ik dhe do e fillojnë ata, kështu që në një farë mënyrë kjo është një lindje e vështirë nga pikëpamja e zgjedhjeve por është dhe vigjilja e një rilindje për vetë opozitën dhe partinë demokratike. Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm