Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 30 qershor zgjedhim për të zgjidhur një nyje që prej shumë vitesh pengon frymëmarrjen e lirë të Shqipërisë!

Të reja

Në 30 qershor zgjedhim për të zgjidhur një nyje që prej shumë vitesh pengon frymëmarrjen e lirë të Shqipërisë!

15 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me banorë të Devollit:

Mirë se ju gjeta!

Faleminderit shumë për këtë moment që ndajmë së bashku!

Më vjen shumë mirë që erdhëm për t’u përshëndetur edhe për t’i drejtuar një mesazh të gjithë asaj pjese shumë aktive dhe shumë jetike të aktivitetit të PS që jeni ju që jeni mbledhur këtu.

Padiskutim që ne jemi shumë të vetëdijshëm për situatat e vështira që ka kaluar Partia Socialiste në Devoll për 1001 arsye. Ju e dini 1001 herë më mirë se unë, por dhe unë me aq sa di bashkohem me ju që është momenti për t’u unifikuar, është momenti për t’u solidarizuar, është momenti për të punuar të gjithë për një qëllim dhe për të ecur të gjithë në të njëjtin drejtim për të mos u ndarë, për të mos u përçarë, për të mos u sherrosur me njëri-tjetrin sepse në historinë e kësaj partie këtu kemi kapituj të panumërt ndarjesh e sherresh dhe gjithmonë ka përfituar kundërshtari ynë për fat të keq dhe ka humbur Devolli sepse e vërteta është që ne nuk i kemi ndarë bashkitë në të majta në të djathta, jemi përpjekur që t’i mbështetim të gjithë edhe në Devoll kemi bërë një përpjekje kemi mbështetur disa projekte të rëndësishme, ka filluar një transformim tërësisht i pamjaftueshëm dhe unë t’ju siguroj që bashku me adashin tim këtu do i çojmë përpara punët dhe do bëjmë të mundura shumë gjëra që duhet të ishin bërë, por nuk janë bërë.

Nuk dua të zgjatem shumë me shumë fjalë. Dua të përsëris ato që tha deputetja në thelb, në 30 qershor është shumë e rëndësishme që zgjedhjet, jo vetëm të bëhen për të zgjedhur kryetarët e bashkive, por të bëhen për të zgjidhur një nyje që prej shumë vitesh pengon frymëmarrjen e lirë të Shqipërisë, nyjën e lëmshit të një politike që në vazhdimësi ka krijuar sëkëlldi, telashe, konflikte dhe që sot ka hyrë në një moment delikat për shkak të përpjekjes së 4 njerëzve që kanë marrë peng opozitën, duan të marrin peng zgjedhjet për të marrë peng Shqipërinë dhe për të mos lejuar çeljen e negociatave me BE, duke shpërndarë kudo nëpër Europë pamjet e shëmtuara të djegieve, të sulmeve ndaj policisë, të sulmeve ndaj institucioneve, për të krijuar idenë se këtu s’ka stabilitet, këtu s’ka shtet, këtu ka një popull që është në kryengritje kundër një regjimi kriminal, pra për të krijuar një panoramë dekurajuese për ata që duan të na mbështesin për çeljen e negociatave, miqtë e partnerët e Shqipërisë dhe një pamje goxha inkurajuese për ata që duan arsye, që duan justifikime, që duan alibi për të thënë jo.

Pse ndodh kjo?

Kjo ndodh për një arsye shumë të qartë. Këta 4 njerëz Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë monumenti i frikës nga drejtësia, janë monumenti i frikës nga hapja e negociatave që fillon me kapitujt e drejtësisë. Në momentin kur Shqipëria do të ulet në tavolinë për të filluar bisedime për anëtarësim, hapen dy kapitujt e parë, 23 dhe 24 që janë kapitujt e drejtësisë dhe në ato bisedime Shqipëria duhet të sjellë prova që sistemi i drejtësisë funksionon, është i barabartë për të gjithë dhe drejtësia i trajton të gjithë njësoj, nga më i gjati te më i shkurtri, nga më i madhi te më i vogli, nga më i forti te më i dobëti dhe jo ashtu siç i ka trajtuar gjithë këto vite me radhë.

Pra, zgjedhjet janë natyrisht një arsye e fortë për ta, për të refuzuar sepse e dinë që nuk fitojnë dot më zgjedhje, por janë dhe pengu që ata duan të marrin për ta futur vendin në një kaos institucional dhe për të dhënë mesazhin kuptimplotë dhe tërësisht të gabuar në Europë që ky vend nuk është gati për të hapur negociatat. Pra, në kohët e dikurshme, ky do quhej një sabotim, ndërsa në kohët e sotme, kjo e ka emrin një përpjekje kundër Shqipërisë. Tani, se çfarë është fjala që mund t’i vëri secili është në lirinë e secilit t’ia vëri, por unë di që kjo përpjekje kundër Shqipërisë do të dështojë me turp dhe turpi do t’i mbetet atyre që e kanë ndërmarrë, ndërkohë që rreth tyre, të gjithë qorrat që i ndjekin nga pas dhe ata të shkretët që kishin dalë dhe atje tek rruga nën udhëheqjen e disa prej qorrave, do të kuptojnë që e gjithë kjo është në fakt, aspak për interesin e tyre. Unë nuk kam asnjë dyshim, asnjë diskutim që ka plot njerëz që kanë të gjithë arsyet që të mendojnë komplet ndryshe nga ne, që të mos e duan fare qeverinë, asnjë ditë më shumë, që duan që parti të tjera të jenë në qeveri e kështu me radhë, që kanë halle, kanë probleme e të tjera, por këta njerëz përdoren si mish për top dhe nëse sot, këta të katërt dhe ata të tjerët rreth tyre që nxisin njerëzit për të bërë akte të paligjshme shkojnë e flenë nëpër shtëpia dhe disa nga këta të shkretët, më budallenjtë ose dhe më të sinqertët flenë në burg, është kulmi i një pabesie dhe i një manipulimi që duhet të marrë fund.

Ata ikën nga parlamenti dhe thanë që ne do ikim e do bëhemi popull dhe në fakt çfarë bënë? U futën në mes të turmës dhe nxorën përpara ata që ishin më gjaknxehtët, më kokë nxehtët, o budallenj ose shumë të sinqertë dhe i hodhën si mish në zjarr për të nxjerrë të tyren, duke marrë në qafë njerëz prandaj ajo që duhet bërë me të gjithë, me fqinjët tuaj, me të njohurit tuaj, me të afërmit që mund të jenë demokratë dhe është e drejta e tyre nuk ka asnjë problem, u duhet thënë që nuk duhet të shkojnë pas berihait, të mos shkelin ligjin, të informohen mirë se kush prek zgjedhjet, ndëshkohet rëndë dhe jo vetëm që do përfundojë prapa hekurave, por kur të dali prapa hekurave do mbeti brenda se nuk do shkojë dot jashtë shtetit sepse do hyjnë në listat e zeza.

E dëgjuat qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që foli drejtpërdrejtë për Lulzim Bashën dhe për Monika Kryemadhin, duke përmendur listat e zeza dhe kjo vlen për të gjithë ata që pengojnë zgjedhjet, kështu që nuk e di unë tani se a ka ndonjë shqiptar normal që të mendojë se duhet të sakrifikojë jetën e vetë për Monikën fallxhoren, për Ilirin, për Saliun apo për Lulzimin e shkretë. Një dembel, llafazan, gjumash që është mësuar t’i marri gjërat qyl dhe që tani i bie këmbës “o e dua o s’ka”. Nuk e kupton që aq sa mori e mori se ishte shoku im, tani u prish me mua kujton se do ta marri duke qëndruar në atë shoqëri të keqe. Jo.

Kështu që dhe një herë shumë faleminderit për gjithë kontributet tuaja, ju uroj çdo të mirë dhe ju e keni dhe kollaj se me një kapni dy, bërtisni Edi, Edi dhe keni dy.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm