Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne do i qëndrojmë besnik votës së popullit shqiptar më 25 qershor 2017

Të reja

Ne do i qëndrojmë besnik votës së popullit shqiptar më 25 qershor 2017

26 Feb 2019    

Fjala në Parlament e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Nuk është e rastësishme që në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë voton dy vendime të rëndësishme, atë të strukturës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e të tjerë si këta nuk janë më në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne e kishim thënë prej ditës së parë, e kemi parashikuar që në korrik të vitit 2016, që sa më shumë do të afrohet dita e ngritjes së Prokurorisë Speciale Anti- korrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato që përmenda më lart e që sot janë bashkë me një grup huliganësh në hyrjen e Parlamentit nuk do të ishin në këtë sallë. Nuk është e rastësishme mungesa e tyre sot. Ne jemi sot këtu për ti qëndruar besnik votës së popullit shqiptar më 25 qershor 2017. 
Shqiptarët në shumicë na votuan në qershor të 2017-ës pikërisht sepse dinë mirë shqiptarët se kujt t’ja besojnë votën dhe ditën shumë mirë duke na e dhënë ne, sepse ne jemi të vetmit për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. 
Me këto dy vendime sot ne përmbyllim një fazë të rëndësishme të këtij procesi. Është pikërisht faza e ngritjes së institucioneve. Kush kishte dyshime për 16 shkurtin e famshëm, siç edhe ua thamë në seancën e fundit të tyre këtu se gjoja 16 shkurti do të ishte referendum, ishte një referendum për shkatërrimin përfundimtar të Partisë Demokratike. Qytetarëve shqiptarë iu rikujtua se me Partinë Demokratike ringjallën huliganët, rikthyen situata të 20 viteve më parë, kthim në kaos, paligjshmëri, tipike vetëm për qeverisjen e Lulit dhe të Saliut.

Në 28 vite me radhë Saliu dhe Partia Demokratike kanë qenë përgjegjës për skemat piramidale, luftën civile të 1997 –ës, grushtin e shtetit në 1998, shpërthimin e Gërdecit, vrasjen e 4 të pafajshmëve në 21 Janar, shitjen e detit, korrupsionin pafund që pasuroi fëmijët dhe familjen e Saliut dhe Lulit. 
Luli nga ana tjetër përveçse për shitjen e detit dhe raportet mjekësore që e shpëtuan nga gjyqi për vjedhjen e "Rrugës së Kombit", mbahet mend edhe për gjumin e gjatë, plot katër vjet, teksa ishte zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.

Sot kolegë deputetë Shqipëria është në drejtimin e duhur. Ne e kemi vendosur Shqipërinë në të njëjtin krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Dënimi me forcë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Bashkimi Europian, nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian me në krye Gjermaninë, i dhunës kundër institucioneve më 16 shkurt, apo edhe i dhunës që është ushtruar dhe sot ku me bidona të mbushur me benzinë në selinë e Partisë Demokratike qëllohen punonjësit e Policisë së Shtetit. 
Me këto veprime, sikurse edhe me veprimin për djegien e mandateve, Lulzim Basha krijoi një precedent të rrezikshëm që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që çdo opozitë që nuk kënaqet me rezultatin zgjedhor të kërcënojë me djegie mandatesh nëse nuk i jepet pushteti në tavolinë.
Harroje Lulzim! Pushteti fitohet veçse me votë. Nuk është faji i shqiptarëve që ti nuk votohesh prej tyre.
Për më shumë se një vit opozita refuzoi të merrte pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili u bashkë-kryesua në mënyrë shembullore nga mazhoranca dhe opozita për të marrë dhe implementuar tërësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR. Por opozita nuk e kishte hallin te Kodi, nuk e kishte hallin te rekomandimet e OSBE/ODIHR, por ka hallin e Saliut, Lulit dhe Monikës.
Kolegë deputetë,
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i Prokurorisë janë një konkludim i një procesi shumë të rëndësishëm, i cili po vijon përkrah procesit të rëndësishëm të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, i cili tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme përfshi dhe largimin e shumë funksionarëve, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar të sistemit të drejtësisë. E gjitha kjo me mbikëqyrjen e plotë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ndërsa këto arritje dëshmojnë qartë se Shqipëria ka përshpejtuar dhe thelluar këtë moment të rëndësishëm reformash, si dhe ka konsoliduar progresin me përmbushjen e pesë prioriteteve tona kyçe për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. 
Protesta e dhunshme e 16 shkurtit apo edhe kjo e sotmja në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë bashkë me vetëasgjesimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në prag të prezantimit të paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian dhe vetëm pak muaj nga mbledhja e Këshillit Evropian në qershor sigurisht e dëmtojnë, e minojnë e sabotojnë perspektivën europiane të Shqipërisë.
Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Jemi votuar për të realizuar ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve. Jemi mësuar me diversionin, por edhe me papërgjegjshmërinë e kësaj opozite në veçanti të tre personave, Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
Në vitin 2017 Partia Socialiste Shqipërisë ka marrë një mandat të qartë dhe të pastër për të qeverisur për katër vitet në vijim dhe deri në zgjedhjet e vitit 2021 patjetër që Partia Soicialiste e Shqipërisë do ta çoj këtë mandat në repekt të votës së qytetarëve. Ne do të fitojmë edhe zgjedhjet e qershorit për një mandat të tretë, sepse i kemi dëshmuar shqiptarëve se jemi besnik ndaj tyre. 
Siç i kemi dhënë dhe i dhamë një leksion shembullor në zgjedhjet e vitit 2017, njësoj shqiptarët do ti japin një leksion të ri në zgjedhjet lokale ato, të 30 Qershorit. Kush ka dyshime se në 30 Qershor nuk do të zhvillohen zgjedhje e ka shumë gabim. Në 30 Qershor shqiptarët do të zgjedhin 61 menaxherët e 61 bashkive. Ne jemi sot këtu për t’u thënë shqiptarëve se ne jemi alternativa më e mirë se ne jemi modeli më i mirë qoftë i qeverisjes qendrore, qoftë i asaj vendore. Të dalë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të thonë një model të vetëm të qeverisjes së tyre lokale. Ne kemi plot modele të suksesshme në çdo cep të Shqipërisë nga Tirana në veri të Shqipërisë dhe nga Tirana në jug të Shqipërisë.
Ne jemi këtu sot për të plotësuar këtë mandat të rëndësishëm. Askush nuk e kishte menduar se brenda vitit të parë të procesit të Vettingut më shumë se 100 gjyqtarë e prokurorë do ta kishin kaluar në këtë proces. Vetëm nga Janari deri në Dhjetor të 2018-ës janë 42 vendime për konfirmim në detyrë, 18 prokurorë, 4 ndihmës ligjor dhe 20 gjyqtarë. Ndërkohë që janë 35 vendime për shkarkim nga detyra të 22 gjyqtarëve, 12 prokurorëve dhe një ndihmësi ligjor në Gjykatën Administrative të shkallës së parë. 7 vendime për ndërprerjen e procesit, për 4 gjyqtarë, 2 prokurorë e një ish këshilltar. 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, një prokuror dhe katër ndihmës. Procesi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vijon të ushtrohet me përpikmëri nën monitorimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Kolegë e kolege deputetë,
Sot është dita për t’u konfirmuar shqiptarëve atë që ne thamë me bindje dy vite më parë, se kur të afrohet dita e ngritjes së Prokurorisë Speciale Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Saliu nuk do të jetë më këtu.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm