Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne jemi votuar për të bërë punën që na ka ngarkuar populli në 25 qershor

Të reja

Ne jemi votuar për të bërë punën që na ka ngarkuar populli në 25 qershor

11 Jan 2018    

Deklarata për media e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Opozita ka shumë pretendime; ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit për shkeljen e procedurave kushtetuese gjatë seancës së fundit të 18 dhjetorit?!

Dua të komunikoj me ju faktin që sot Konferenca e Kryetarëve, institucioni që parapërgatit punën e seancës plenare të ditës së hënë, vendosi hapjen e sesionit parlamentar të dytë të kësaj legjislature me një agjendë pune mjaft intensive në disa plane. Së pari ka të bëjë me vijimin e punës shumë të rëndësishme, implementimin e Reformës në Drejtësi dhe me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit i kërkoi institucioneve përgjegjëse brenda Kuvendit, sikurse është edhe Komisioni për Çështjet Ligjore, që menjëherë prej ditës së hënë të fillojë puna dhe procedurat për ngritjen e dy institucioneve shumë të rëndësishme të sistemit të ri gjyqësor që Reforma në Drejtësi po prodhon, që është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë; po të kemi parasysh që faza e parë, ajo e mbledhjes dhe administrimit të propozimeve ka konkluduar me sukses. Në mënyrë të çuditshme, në integritetin politik të çdo force politike, konsekuenca dhe vijueshmëria e qëndrimeve duhet të jetë ajo për të cilën duhet të na vlerësojë publiku dhe qytetarët që na vlerësojnë një herë në katër vjet në çdo palë zgjedhje; ata që kanë bërtitur gjithë këto kohë që pse nuk po ngrihet KLP-ja, po pse po e vononi KLGJ-në, apo të tjera me radhë, as nuk morën pjesë fare në diskutimin për këtë çështje.

Megjithatë është momenti për t’i bërë thirrje Partisë Demokratike, nuk e di përse Lëvizja Socialiste për Integrim e ka bojkotuar në tërësi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve sot, por dhe 4 deputetët e Partisë Demokratike që ishin prezentë, si të ishte njëri, si të ishin të katërt, lexuan të katërt nga tre minuta një deklaratë nga a-ja te zh-ja njësoj. Deklaratë që ka të bëjë me seancën e datës 18 dhjetor dhe me një çështje që tashmë është ezauruar si një ndër hapat e implementimit të Reformës në Drejtësi, që është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në fakt kjo ishte shprehja që thanë deputetët e PD-së; unë ua lehtësova botëkuptimin edhe të kësaj çështjeje, sepse i thashë që Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar sipas ligjit një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm në datë 18 dhjetor sipas çdo përcaktimi ligjor.

Apeli, në pamundësi për t’ua bërë në sallë sepse pas katër fjalëve robotike treminutëshe të katër deputetëve të Partisë Demokratike nuk kishim mundësinë kujt t’ia drejtonim: publikisht dua t’i them dhe t’i ripërsëris Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe opozitës, përfshirë këtu edhe atë pjesë të opozitës të bashkangjitur pas zgjedhjeve të 25 Qershorit, që Shqipëria nis me sesionin parlamentar të datës 15, Kuvendi i Shqipërisë në veçanti, një agjendë shumë intensive që ka të bëjë me fillimverën e këtij viti, që është qershori, me një vendimmarrje pozitive lidhur me hapjen e negociatave. Në këtë proces jemi të gjithë të domosdoshëm e të nevojshëm për të mos i prishur punë Shqipërisë. Sjellja e sotme, bojkoti i sotëm i Konferencës së Kryetarëve, - që me shumë gjasa mund të përkthehet edhe në një largim edhe nga seanca plenare e datës 15, të paktën nga sjellja që kuptuam sot, - nuk i bën mirë as Partisë Demokratike, nuk i bën mirë opozitës dhe i prish punë Shqipërisë. Thirrja jonë është që të gjithë duhet të jemi bashkë për të kontribuar. Ribëj apelin e bërë publik nga ana e Kryetarit të Partisë Socialiste, kryeministrit Edi Rama, që ne jemi të gatshëm që triumfin e Shqipërisë me hapjen e negociatave ta bashkëndajmë me opozitën, sepse në fund të fundit nuk është një triumf i mazhorancës, i Partisë Socialiste, por është një triumf i gjithë shqiptarëve.

Në aspiratën tonë për integrimin europian, në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian stacioni i radhës është një stacion që nëse e marrim këtë vit, është një fitore e madhe; dhe kursejmë shumë kohë po të kemi parasysh agjendën europiane të institucioneve europiane vitin e ardhshëm. Vitin e ardhshëm Bashkimi Europian ka zgjedhje të Parlamentit Europian, të gjitha institucionet e tij ribëhen nga fillimi; po kështu Këshilli, po kështu Komisioni, që do të thotë se një vendimmarrje brenda këtij viti do të përshpejtonte dhe do të mbante Shqipërinë në vagonin e radhës të vendeve që anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Që Komisioni i Ligjeve të kërkojë të dhëna, duhet që të ketë ardhur përgjigja nga ONM-ja; dhe Sekretari i Përgjithshëm ka vënë në dijeni Komisionin e Ligjeve që ka ardhur vlerësimi edhe për të kandidaturat e shoqërisë civile. A jeni dakord me këtë?

Këto janë çështje të karakterit teknik, sepse në fund të fundit është seanca plenare ajo që përcakton kalendarin dhe më pas fillon puna e komisioneve përgjegjëse. Prej të martës, unë mendoj që komisioni përgjegjës është gati për të filluar punën për procedurën e ngritjes së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë.

Mos ma bëni mua pyetjen “Me opozitën, pa opozitën?”; bëjani Lulzim Bashës ose Edmond Spahos; bëjani Monika Kryemadhit dhe zotit Vasili. Nuk kam informacion. 
Habia jonë nuk është më e rastit, është e përhershme nga mënyra se si sillet Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, dy partitë parlamentare të opozitës në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë që një çështje tjetër e rëndësishme që dua të komunikoj është se, përveç kësaj pjese, duhet të kemi parasysh që në kalendar dhe në program janë edhe nëntë ligje të tjera të vijimit të paketës së Reformës në Drejtësi. Serioziteti i forcave të tjera politike, PD, LSI e kështu me radhë, lidhur me këtë proces është për të ardhur keq.
Puna për implementimin e Reformës në Drejtësi, ashtu siç kemi miratuar me 140 vota ndryshimet kushtetuese, duhet të vijojë edhe për miratimin e këtyre 9 ligjeve.
Përbetimet jashtë sallave të Kuvendit në publik, nëpër mitingje se Partia Socialiste, mazhoranca aktuale i vuri kazmën Reformës në Drejtësi, e gjëra të tjera si këto janë të kota. Ndërkohë që nuk marrin pjesë në punën normale të Kuvendit të Shqipërisë për ligje ku nga 9, për pesë prej tyre ka një dakordësi të plotë sepse janë drafte të hartuara nga ekspertët më të mirë të EURALIUS-it, të OPDAT-it, për të cilët më jepet sërish rasti t’i falenderoj për punën angazhuese në funksion të çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi.


Z. Balla, çfarë qëndrimi do mbani ju në rast se opozita bllokon Kuvendin siç bëri në 18 dhjetor?

Do vazhdojmë punën! Ne jemi votuar për të bërë punën që na ka ngarkuar populli në 25 qershor. Ta harrojë kushdo, qoftë lideri i radhës i Partisë Demokratike apo Lëvizjes Socialiste për Integrim që mund të pengojnë Shqipërinë në ecjen përpara të Reformës në Drejtësi. Është për të ardhur keq që sot kemi opozitën e vetme, ndoshta në botë, të bërë bashkë nga frika e Reformës në Drejtësi.

Opozita ka kërkuar largimin nga Parlamenti. Një pjesë e ligjeve të kthyera nga Gjykata Kushtetuese ende nuk janë reflektuar nga Parlamenti. Është ky një argument i opozitës, për faktin se ju nuk jeni të besueshëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi? Në fakt, kur nis Parlamenti përputhjen e legjislacionit sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me disa prej këtyre ligjeve?

Së pari dua t’ju them se vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese mban datën 27 dhjetor, ndërkohë Kuvendi i fillon punimet në datën 15 janar.

Për këtë çështje dua t’ju informoj që Konferenca e Kryetarëve dhe kryetari i Kuvendit ka autorizuar institucionet përgjegjëse që janë në mënyrë bashkëvepruese, Këshillin e Legjislacionit, Komisionin e Çështjeve Ligjore, vijimin e punës për transpozimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në ndryshimet e neneve përkatëse, ku Gjykata Kushtetuese ka rekomanduar ndryshimin e tyre dhe ka vlerësuar që këto nene duhen ndryshuar sipas vendimit të saj.
Kujtoj për pjesën më të madhe të ligjeve që bëhet fjalë: këto janë ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, që do të thotë që këta që qahen duhet të vijnë të bëjnë detyrën. Duhet të vijnë në Konferencën e Kryetarëve, në Komision, në seancë për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, për pjesën më të madhe të tyre kemi të bëjmë me ndryshime të cilat kërkojnë 3/5. Përsëri këtu është rasti për t’i ribërë thirrje opozitës që, nëse duan t’i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve: detyra e tyre është t’i shërbejnë institucioneve kushtetuese të vendit. Të vijnë në Kuvend për të votuar. Në fund të fundit, rreth 600 mijë shqiptarë që kanë votuar për dy partitë e opozitës, që sot janë bërë bashkë për arsye që tashmë dihen, kanë votuar sepse duan t’u shërbejnë interesave të tyre. Fakti që po i shërbejnë vetëm agjendës dhe nevojës së tyre të brendshme politike, dhe ju i dini nevojat e brendshme politike të të dyjave, kjo nuk i bën mirë atyre të dyjave; por për to pak rëndësi ka, për mua dhe për ju e rëndësishme është që përpjekja e tyre i prish punë Shqipërisë.


Z. Balla, a ka frikë mazhoranca se 27 janari mund të kthehet në një 21 janar të dytë?

Ju thashë që çdo përpjekje e tillë, për t’i hapur një gropë Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave, i bën keq Shqipërisë. Çdo gjë që i bën keq Shqipërisë është për të ardhur keq, për këdo prej nesh, për këdo shqiptar e shqiptare që sheh sesi një deputet për të cilin ka votuar që të jetë në Kuvendin e Shqipërisë me punën e vet, me sjelljen e vet për një parti politike që ka marrë kaq shumë vota, i bën keq Shqipërisë; sigurisht që kjo është për të ardhur keq.

Një sqarim tjetër lidhur me një pjesë tjetër të detyrës time si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste: ndryshimet që kemi bërë në delegimin politik të disa prej drejtuesve të qarqeve kanë të bëjnë me agjendën politike që Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste miratoi në mbledhjen e datës 6 janar, që ka të bëjë me fillimin e punës për përgatitjen e strukturave të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë në qershor të vitit 2019.


Z. Balla, si iu përgjigjët kërkesës së opozitës për dorëheqjen e Gramoz Ruçit?

Ju thashë që katër deputetë të Partisë Demokratike mbajtën një fjalë të njëjtë, ndër to ishte dhe kjo çështje. Më vjen keq, por asnjëri prej nesh nuk ia vuri veshin.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm