Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne kemi marrë mbështetjen e njerëzve, të shumicës së shqiptarëve, pikërisht sepse e kemi merituar atë me punën që kemi bërë dhe po ashtu, me raportin që kemi ndërtuar me shumicën e shqiptarëve

Të reja

Ne kemi marrë mbështetjen e njerëzve, të shumicës së shqiptarëve, pikërisht sepse e kemi merituar atë me punën që kemi bërë dhe po ashtu, me raportin që kemi ndërtuar me shumicën e shqiptarëve

07 Jun 2019    

Fjala e kryeministrit e njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, me qytetarë të Urës Vajgurore:

Shumë faleminderit për mikpritjen!

Shumë faleminderit për mbështetjen!

Në të gjitha këto takime, në bashkitë ku ne kemi marrë besimin e njerëzve, katër vjet më parë, e kemi të lehtë, besoj, për të arsyetuar pse ne kërkojmë përsëri mbështetje. Sepse nuk ma ha mendja, konkretisht këtu, se është e vështirë për këdo nga ju që të kthejë kokën pas dhe të kujtohet për Urën Vajgurore vetëm 4 vjet më parë.

Nuk ma ha mendja se është e vështirë për këdo nga ju të ecë me mendje dhe të numërojë të gjitha hapat që ne kemi bërë në këto katër vite, ku pa asnjë diskutim nuk e kemi përfunduar rrugën tonë, por pa asnjë dyshim kemi bërë një progres që nuk ishte bërë në të gjitha vitet e tjera, të marra sëbashku. Ja ku jemi sot, në këtë mjedis, i cili, nëse do të shikohej si një fotografi, katër vite më parë do dukej thjesht dhe vetëm një ëndërr që nuk kishte lidhje fare me Urën Vajgurore. Ndërsa sot është një realitet, siç janë realitet dhe shumë punë të tjera të bëra këtu, për të cilat kryetarja e bashkisë ka meritën kryesore dhe falë të cilës meriton edhe një herë mbështetjen tuaj.

Natyrisht, ju e dini mirë tanimë se në këto zgjedhje, çështja nuk është thjesht kush do të jetë kryetarja apo kryetari i ri i bashkisë në të 61 bashkitë e vendit. Çështja është si ne të gjithë sëbashku do ta ndajmë të ardhmen nga e shkuara. Si ne të gjithë sëbashku do zgjedhim mes rrugës së ideve, të programeve, të punës në çdo drejtim dhe rrugës së baltës, të sherrit dhe të konfliktit në çdo ballafaqim. Si ne do zgjedhim mes vendit normal demokratik që duam për fëmijët tanë dhe llogarive të pushtetit të atyre që përmes dhunimit të demokracisë synojnë të kthejnë mbrapsht kohën, synojnë ta ndalin përsëri orën e zhvillimit, synojnë të marrin zvarrë jetën demokratike të vendit dhe të varrosin reformën në drejtësi.

Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Ata kanë frikë të dalin përpara popullit të të gjithë Shqipërisë dhe të kërkojnë të gjykohen për çfarë ofrojnë. Prandaj kërcënojnë rrugëve me popullin imagjinar të punonjësve të bashkive të tyre dhe të punonjësve të ndërmarrjeve të ujësjellësve, ku ka më shumë punëtorë, seç sa ka ujë nëpër çezmat e komuniteteve që qeverisin. Ata kanë frikë të ballafaqohen dhe prandaj përbetohen se nuk do të na lejojnë dhe nuk do të lejojnë popullin të zgjedhë.

Por një gjë është pak, por e sigurt. Ata mund të vendosin  lirisht të vrasin veten politikisht, por, përveçse të vrasin veten politikisht, ata nuk vendosin asgjë tjetër për ne dhe për Shqipërinë që ne duam.

Ju besoj e dëgjoni edhe nëpër ekrane, edhe nëpër kafene, zërin e disave që pa të keq thonë si mund të bëhen zgjedhjet pa opozitën kryesore, sepse i bie që të bëhemi prapë një vend me një parti. Në fakt, nëse opozita kryesore, sot mungon në zgjedhje dhe kjo si rezultat i pengesës që i është vënë nga ana jonë, atëherë zgjedhjet do të ishin absolutisht antidemokratike. Por, nëse opozita ka vendosur vetë të mos hyjë në zgjedhje, ka shpallur vetë kapitullimin përpara zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet nuk janë aspak jodemokratike.

Imagjinojeni se çfarë rrumpalle bëhet demokracia në këtë vend, nëse zgjedhjet kthehen nga e drejta e popullit për të gjykuar politikanët dhe partitë, në të drejtën e politikanëve dhe të partive për t’u paraqitur përpara popullit kur t’ju teket atyre.

Imagjinojeni se çfarë çorapi bëhet gjithë procesi i bashkëjetesës sonë demokratike, nëse me idenë që meqë opozita kryesore nuk është në zgjedhje, atëherë ne t’i shtyjmë zgjedhjet, duke i hapur rrugë politikës më të mbrapshtë, më të ulët, më qorre të djegies së mandateve të popullit, ikjes nga Parlamenti, marrjes së molotovëve dhe përmbysjes me dhunë të atyre që populli i ka zgjedhur me votë.

Imagjinoni sesi nesër, nëse sot ne do pranonim këtë logjikë, do mund të vinim prapë për zgjedhjet e ardhshme e t’ju thoshim, na jepni besimin për katër vite të tjera se do bëjmë këtë e do bëjmë atë, por me të drejtë, ju do thoni, çfarë katër vitesh, kjo nuk varet më nga vota jonë, kjo varet nga tekat e secilit prej jush. Dhe atë që sot do të dukej sikur është një moment çtensionimi, duke shtyrë zgjedhjet, do ta kishim për vite e vite të tëra përpara si momentin e talljes më të madhe të partive me njerëzit, një parti nuk do sot, një parti nuk do nesër, një parti nuk do pasnesër dhe kështu nuk jemi më në demokraci, jemi në tiraninë e partive politike.

Kjo nuk është parë askund dhe kjo nuk ka për t’u parë as në Shqipëri.

Ne kemi marrë mbështetjen e njerëzve, të shumicës së shqiptarëve, pikërisht sepse e kemi merituar atë me punën që kemi bërë dhe po ashtu, me raportin që kemi ndërtuar me shumicën e shqiptarëve.

Ne jemi shumë. Ata janë shumë pak e do të jenë gjithmonë e më pak. Përveçse janë pak, ata janë dembelë, janë edhe të paaftë për të drejtuar. Ndërsa ne, pavarësisht të metave që kemi, jemi punëtorë dhe jemi të përkushtuar në drejtim. Është Juli pa të meta? Nuk ka njeri pa të meta, por ama si Juli, si të gjithë ata, të cilët sot ne i kemi rikandiduar bazuar tek puna që kanë bërë, meritojnë besimin e njerëzve, pikërisht sepse janë treguar të përkushtuar dhe sot nuk flasin si katër vite më parë vetëm se çfarë do bëjnë, por flasin mbi bazën e punëve që flasin vetë, siç flet i gjithë ky qytet sot.

Kjo është diferenca.

Ata kanë frikë nga zgjedhjet, por kanë dhe panik nga reforma në drejtësi. Ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet dhe jemi të vendosur ta mbështesim deri në fund zbatimin e reformës në drejtësi. Ju e mbani mend shumë mirë, dy vjet më parë si në këtë kohë, në fillim të vitit 2017, ata ikën nga Parlamenti se nuk donin të votonin vettingun. Ngritën një çadër dhe filluan nga i njëjti avaz që po vazhdojnë sot, “nuk duam zgjedhje”, “s’e duam këtë qeveri”, “të iki ky kryeministër” e kështu me radhë.

Dy vjet më parë, ne i duruam pafund, deri në sekondën më të fundit, kur unë arrita ta shpëtoj Lulin. Mori dhe morën gjithçka që kërkuan. Morën gjysmën e qeverisë dhe gjysmën kryesore të qeverisë, nga Ministria e Brendshme deri tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë e me radhë. Po ashtu drejtimin e shumë institucioneve kryesore. Po ashtu edhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

I morën të gjitha këto, vetëm me dy kërkesa nga ana jonë; E para, kush fiton, fiton, kush humbet, humbet. Ai që fiton qeveris, ai që humbet bën opozitë. E dyta, nuk ka më sharje dhe baltë për Shqipërinë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe në gjuhë të huaj.

Ju e mbani mend shumë mirë sesi zgjedhjet ishin krejt të qeta, krejt normale, më të qetat dhe më normalet të bëra ndonjëherë, sesi në fund të procesit, të gjithë përfaqësuesit nëpër komisione firmosën, vulosën rezultatin, sesi nuk pati asnjë ankesë të vetme për rezultatin. Ju e mbani mend si kaloi edhe gjithë vera pas zgjedhjeve dhe as ata nuk folën asnjë fjalë. Erdhi vjeshta, filloi shiu, doli dhe gjumi i Lulit dhe filloi avazi nga e para. Sot është më keq se dy vjet më parë, pra, jo vetëm që ne me atë që bëmë nuk arritën dot t’i japim fund asaj historie që nuk ishte fillimi, por vazhdimi i të njëjtës histori që ajo parti politike ka bërë gjithmonë, por ja ku e kemi prapë këtu, para syve, më keq. Me mandate të djegura dhe me molotov në duar.

E pra, herën e kaluar, i shpëtuam, këtë herë nuk i ndaluam dot të vrasin veten politikisht. E në fund fare nuk është detyra jonë dhe as thjeshtë në mundësitë tona që t’i shpëtojmë përsëri. Detyra jonë është që të dalim përpara jush, siç po e bëjmë përditë e të paraqitemi në zgjedhje në 30 qershor.

Ne padiskutim që kemi bërë gabimet tona. Nuk i kemi bërë të gjitha punët për të merituar notën 10. Kemi të metat tona. E në këtë kuptim, ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.

E mos e harroni asnjë ditë, asnjë minutë kur mendoni për politikën dhe kur mendoni për jetën tuaj në këtë vend, apo për si do jetë ky vend për fëmijët e të gjithëve, jetojnë apo nuk jetojnë këtu. Ose e bëjmë ne këtë vend dhe e bëjmë tani, duke bërë nga një hap të vogël, ditë për ditë, me reforma të vështira, me durim të madh, duke vrapuar, duke ngecur në një moment, duke u rrëzuar në një moment, duke u ringritur, duke vazhduar të punojmë, të ecim, ose ky vend nuk bëhet për kushedi edhe sa vite e vite të tjera.

Ata e morën në qafë një gjeneratë, gjeneratën e atyre që lindën në momentin kur ra komunizmi dhe u krijua Partia Demokratike. E morën në qafë me shkatërrimin e shkollave, me shkatërrimin e universiteteve, me dhjetëra e mijëra diploma që nuk kanë asnjë vlerë. E morën në qafë me mijëra pikat e kumarit, e morën në qafë me vetë mënyrën sesi i mësuan vajzat dhe djemtë e këtij vendi t’i bien rrugës më të lehtë.

Ne, jo vetëm që nuk kemi për ta marrë në qafë, por, përkundrazi, ne do ta mbajmë në krahë dhe do ta ngremë në krahë gjeneratën tjetër.

Nuk është e mundur që të gjitha ato që na mungojnë t’i plotësojmë menjëherë. Nuk është e mundur që të gjitha ato plagë të mëdha dhe të thella që janë hapur dhe janë infektuar në thuajse 30 vite t’i kurojmë menjëherë.

Nuk është e mundur që të gjitha ato që duam t’i bëjmë. Ne nuk bëjmë sa duam, ne bëjmë sa mundemi dhe mundohemi ta bëjmë sa më mirë atë që mundemi. Por jemi shumë të vetëdijshëm se është misioni ynë që të vazhdojmë të udhëheqim Shqipërinë, ashtu sikundër të gjithë duhet të bëhen të vetëdijshëm se pavarësisht bindjeve, historia e Shqipërisë e gjithë këtyre viteve ia ka dhënë mësimin kujtdo që ka sy në ballë dhe do të shikojë, kujtdo që i ka veshët në vend dhe do të dëgjojë se, sa herë ata e kanë pasur në dorë drejtimin e vendit, apo drejtimin e një qyteti vetëm kanë prishur. Ndërkohë që sa herë ka qenë radha jonë, vetëm jemi përpjekur të rregullojmë.

A kemi rregulluar mjaftueshëm apo jo, në momente të caktuara të kësaj rruge, ky është një diskutim tjetër. Por, ama, asnjëherë Partia Socialiste nuk ka ngritur piramida dhe nuk i ka zhytur njerëzit në gërmadhat e piramidave.

Asnjëherë Partia Socialiste nuk e ka zhytur Shqipërinë në borxhet ku ne e gjetëm me lak në fyt, në buzë humnerës, përpara 5 viteve e gjysmë.

Asnjëherë Partia Socialiste nuk ka qenë shembulli i forcës, por ka qenë forca e shembullit.

Asnjëherë Partia Socialiste nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar dhe nuk i ka gjakosur duart e veta me gjakderdhjen e viktimave të pafajshme.

Është shumë e thjeshtë të hedhësh baltë gjithë ditën. Është shumë e thjeshtë të shash, të shpifësh dhe të akuzosh gjithë ditën. Është shumë e thjeshtë të përpiqesh që gjithçka ta kthesh në baltë. Por nuk është e vështirë për ta parë dallimin për të gjitha ato për të cilat ne akuzohemi.

Nuk është e vështirë për ta parë dallimin, edhe për sa kemi dëgjuar këto orët e fundit, lidhur me ato muhabetet e kazanit në ato përgjimet e neveritshme, sepse, nga njëra anë, askush nuk mund të çohet dhe të thotë se ne ndonjëherë kemi hapur gojën, lëre pasta të kemi ngritur dorën për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi me këdo dhe për këdo.

Askush ndonjëherë nuk na ka parë duke marrë në mbrojtje këdo qoftë, që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë dhe ia kemi lënë dhe do t’ia lëmë gjithmonë drejtësisë të vendosë se kush është i fajshëm, kush është i pafajshëm. Ndërkohë që ata që na flasin, ata që na akuzojë, ata që hedhin baltë, ata që helmojnë çdo ditë gjakun e këtij mileti dhe çdo ditë punojnë si ta çorodisin dhe si ta marrin për hunde zvarrë në baltë këtë milet janë ata, të cilët, - një shembull po ju jap, -Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve e kishin të dënuar me vendim gjyqi, në arrest shtëpie dhe e çonin përditë dhe e ulnin përditë si të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë dhe zotëria drejtonte tatimet me pranga në duar nga shtëpia.

Ndërkohë që ne gjithmonë e kemi bërë të qarë ndarjen, drejtësia ka punën e vet, duhet ta bëjë punën e vet dhe prandaj jemi e vetmja forcë që e kemi ndërmarrë dhe do e çojmë deri në fund atë Reformë në Drejtësi që ata nuk e duan.

Ata duan të bëjnë gjyqe publike, gjyqe popullore, gjyqe si në kohën e luftës pa avokat, pa prova, pa hetime, pa asgjë. Më e bukura është që ai që i udhëheq këto procese gjyqësore publike nuk është një person i dyshuar, është një person i akuzuar dikur, kur ishte ministër, nga prokuroria, jo me përgjime, po me 270 faqe akuzë për korrupsion dhe sot nuk është një person i dyshuar, është një person nën hetim, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në SHBA për thuajse 1 milionë dollarë që s’dihet nga erdhën, s’dihet nga dolën, s’dihet kujt i shërbyen. Del dhe kërkon revolucion moral, Luli!

Luli kërkon revolucion moral, se nuk flas për atë tjetrin, për atë plakun e marrë që Lulin e ka një nga kokrrat e tespiheve të veta. Por njësoj siç u shpërbënë tespihet e plakut Mere, do shpërbëhen edhe tespihet e plakut Sali pas 30 qershorit.

Këtu do jemi dhe do shohim.

Një udhëheqje e falimentuar, një udhëheqje dembelësh, një udhëheqje njerëzish që kurrë nuk kanë artikuluar dot një ide. Një udhëheqje njerëzish që vinin në parlament me xhupa dhe futeshin në sallë të fryrë si kozmonautë nga vezët që mbanin nëpër xhepa.

Po koka?

Koka bosh e xhepat plot. Ashtu janë ata.

Ne asnjëherë nuk e kemi bërë politikën baltë. Asnjëherë nuk kemi dashur dhe nuk duam kurrsesi që ta kthejmë jetën politike dhe debatin politik në bam e bum, kush është më hajdut, kush është më kriminel, kush është më i droguar. Këto janë turpe. Na akuzojnë gjithë ditën “vjedhje, vjedhje, vjedhje”. Nuk guxon ta thuash se do të bësh këtë punë dhe menjëherë je i akuzuar për vjedhje. Nuk guxon ta fillosh një punë dhe vazhdon akuzohesh për vjedhje. Nuk guxon ta mbarosh një punë dhe është prova që ti ke vjedhur.

E vërteta është që në Shqipëri ka krim, patjetër, por siç është luftuar krimi këto vite, nuk është luftuar kurrë më parë. Ka trafiqe, patjetër, por siç janë luftuar këto vite, s’janë luftuar kurrë më parë. Ka korrupsion, patjetër, por siç po luftohet në këto vite, s’është luftuar kurrë më parë.

Po dëgjoja rrugës kur po vija këtu, kryeprokuroren e krimeve të rënda. Me shumë vonesë, për fat të keq, por ka shpjeguar ekzaktësisht arsyen pse këto “zbulime të mëdha”, që nuk janë asgjë tjetër, përveçse një abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrje e një sekreti hetimor për t’u përdorur për politikë dhe për t’u përdorur kundër Shqipërisë, ndërkohë që duhet të ishte përfunduar hetimi me kohë. Dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtarë të gjitha këto “zbulime të mëdha” dhe të cilët, njëri nga ata, dy nga ata, apo të gjithë bashkë i kanë çuar te partia për t’i përdorur për politikë, për të shantazhuar këtë qeveri dhe këtë shumicë, sepse ata i bashkojnë shumë gjëra, por i bashkon edhe diçka shumë e madhe, lufta kundër reformës në drejtësi.

Prokurorë që tmerrohen nga vettingu dhe politikanë që tmerrohen nga gjyqet që i presin kur ata, të cilët do kenë kaluar vettingun, do t’i thërrasin përpara drejtësisë, sepse nuk harrohen të gjitha ato që kanë ndodhur.

Drejtësia vonon, por nuk harron!

Drejtësia këtu te ne ka vonuar shumë. Njerëzit, ju me plot të drejtë jeni të paduruar dhe thoni pse s’po bëhet?

Por mos harroni, ne nuk bëjmë drejtësi popullore. Ne nuk po bëjmë drejtësi partizançe. Ne nuk po bëjmë drejtësi në emër të qeverisë.

Ne po ndërtojmë një sistem drejtësie, sëbashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ku prokurorët dhe gjykatësit do të jenë të çliruar krejtësisht nga çdo lidhje me politikën dhe përpara të cilëve, çdo politikan nga më i gjati te më i shkurtri, nga më i madhi te më i vogli do trajtohet në mënyrë të barabartë, njësoj si çdo qytetar nga qendra deri në cepin më të humbur.

Prandaj ata janë të terruar. Prandaj ata do bëjnë çmos deri në fund për të na penguar, për të na bllokuar. Prandaj ata nuk përmbahen as edhe kur e bëjnë Shqipërinë copë-copë në gjuhë të huaj.

Ju edhe të gjithë shqiptarët e ndershëm, pavarësisht partive, pavarësisht do votojnë a s’do votojnë në 30 qershor, pavarësisht se a janë në mbështetje të qeverisë, apo duan që kjo qeveri të ikë një orë e më parë, por sigurisht nuk duan dhunë, nuk duan shkatërrime dhe nuk duan që Shqipëria të bëhet copë në sytë e të tjerëve nëpër botë, duhet vetëm këtë të mendoni, nëse fiton ajo rruga e tyre, Shqipëria futet në historinë e Europës si i pari dhe i fundit vend ku zgjedhjet kthehen në peng i një grushti politikanësh. Dhe provohet me pjesëmarrjen tonë, të kujtdo që do u shkojë pas atyre, teza shumë vjetër e armiqve të Shqipërisë, të cilët shkruanin se shqiptarët janë njerëz me bisht. Nuk bëjnë dot shtet se nuk respektojnë dot asnjë rregull që vënë vetë.

Këta kërkojnë të na imponojnë rregulla që ne nuk i kemi vënë sëbashku dhe kërkojnë të shkatërrojnë rregullat e vëna sëbashku dhe të votuara nga populli në Kushtetutën e Shqipërisë dhe pastaj përmes përfaqësuesve të popullit në Parlamentin e Shqipërisë.

Ta harrojnë! Nuk ka për të ndodhur.

Jam i bindur që çdo shqiptar i ndershëm, sado që mund të mos dojë ta shohë me sy qeverinë dhe mund të dojë që sot të mos më shohë mua në asnjë ekran, nuk do të shkojë pas berihait dhe nuk do të bëhet palë me ata që nuk e kanë në fund fare me askënd tjetër, por e kanë Shqipërinë.

A e dinë, a s’e dinë, a e bëjnë verbërisht, apo e bëjnë me vetëdije, as më intereson fare. Ata kanë marrë përsipër të përfaqësojnë një pjesë të shqiptarëve dhe po i përfaqësojnë në mënyrën më të shëmtuar, më të ulët, më të turpshme, duke u bërë shembulli më i keq për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi, duke u përpjekur të imponojnë të paimagjinueshmen, të imponojnë se çdo pakicë, çdo grusht njerëzish që merr përsipër të nënshtrojë shumicën mund t’ia dalë me dhunë.

Kjo nuk ka për të ndodhur.

Në fund fare, një gjë për çunat e Beratit dhe të zonës. Ka shumë çuna në këtë zonë që shkojnë e vijnë në Itali, në Greqi, nëpër botë dhe ka ndër ata që nuk e duan këtë qeveri, nuk janë me PS-në, madje shumë pak janë në fakt këtu në Berat, në të gjithë këtë Qark, por janë disa kokrra që arrijnë deri aty sa të duan plakun e marrë. S’ka problem. Vetëm një gjë duhet ta kenë parasysh, kush iu bashkohet atyre në 30 qershor, për të prekur zgjedhjet, jo vetëm që do paguajë një për një, siç është shkruar në ligj, - ligjin e ka bërë plaku, bashkë me ne të tjerët që e kemi votuar kur ishim në opozitë, - për çdo krim zgjedhor, por s’do mjaftojë vetëm futja brenda, por, kur të dalin jashtë, do mbeten brenda se nuk do dalin dot nga kufijtë e Shqipërisë, se në asnjë kufi të BE-së nuk do ua ngrejë njeri traun e vogël të check-in. Do kthehen mbrapsht.

Në momentin që hapet një proces penal këtu nuk del dot jashtë shtetit. Mos e harroni edhe këtë! Çunat e dinë mirë për atë që ju intereson, se me shtetin nuk bëhet shaka, se qeveria e kap lepurin me qerre. Kështu që më mirë në qerren e popullit, sesa lepur që kapet nga qerrja e qeverisë.

Faleminderit!           

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm