Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ne kemi modele suksesi në qeverisjen vendore

Të reja

Ne kemi modele suksesi në qeverisjen vendore

30 Apr 2011    

Me një projekt në duar ka shkuar kreu i opozitës Edi Rama në qytetin e Librazhdit në takimin elektoral të zhvilluar në këtë qytet. Është një projekt për rindërtimin e sheshit të këtij qyteti. Ky projekt vjen në formën e  një ndihme që Bashkia e Tiranës jep për Bashkinë e Librazhdit me nxitjen e deputetit Taulant Balla, për të transformuar jo vetëm sheshin, por edhe godinat rreth tij.



Më poshtë gjeni pjesë nga fjala e Kreut të PS, Edi Rama në këtë takim elektoral:



Një pushtet i cili nuk i jep njerëzve as mundësinë për të marrë frymë lirisht, por kërkon me doemos t’i vërë në rresht si të ishin ushtarët e partisë në pushtet, është një pushtet që meriton një reagim mbarë popullor dhe këtë reagim qytetarët e këtij vendi kanë mundësinë ta bëjnë në 8 maj duke shkuar në kutinë e votimit si në një demonstratë popullore të vullnetit sovran, për të çliruar shoqërinë nga kthetrat e këtij pushteti, i cili ka cënuar demokracinë, ka gjunjëzuar drejtësinë dhe po rrënon ekonominë.
 
Ju e keni parë Saliun të vijë vërdallë nëpër Shqipëri dhe të flas për një mrekulli të madhe ekonomike, që ka tronditur Europën, ka hutuar Amerikën dhe madje ka lënë gojë hapur edhe Kinën sepse sipas Saliut ekonomia shqiptare po fluturoka përpara me një të atillë shpejtësi që askush, bota mbarë nuk e ndjekin dot. Po! Ka një mrekulli ekonomike në Shqipëri; Është mrekullia që ndodh brenda mureve të oborrit të pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë. Është mrekullia ekonomike që ndodh duke varfëruar shqiptarët, duke papunësuar shqiptarët, duke mbyllur rrugët e zhvillimit për shqiptarët, duke grabitur e batërdisur pasurinë e përbashkët të shqiptarëve, për të pasuruar një oborr të cilin shqiptarët duhet ta ndëshkojnë me votë në 8 maj.
 
Saliu thotë se ekonomia shqiptare qenka e vetmja në botë që nuk është prekur nga tsunami i krizës financiare globale. Por, në fakt tsunami i krizës ekonomike ka prekur xhepin e çdo familjeje të zakonshme,  çdo shqiptar që sot është i papunë, apo që dhe kur e ka një punë mezi e mbërrin fundin e muajit për shkak të çmimeve që rriten në mënyrë marramendëse çdo muaj, për shkak të faturave që futen nën derë dhe që janë çdo muaj më të shtrenjta, për shkak të ilaçeve që shtrenjtohen deri në pikën që tashmë njësoj si ushqimet njerëzit i marrin me lista nëpër farmaci.
 
Saliu vjen vërdallë nëpër Shqipëri dhe krenohet me metrat e asfaltit të hedhura në një komunë apo në një bashki,me çezmat e me punë të tjera komunale, që janë punët e komunave dhe të bashkive dhe të komunave për të cilat zotëria s’ka as meritën më të vogël, sepse janë të bëra me buxhetin e shtetit në bazë të Kushtetutës e të ligjit dhe falë taksapaguesve.
 
Asnjë kryeministër në botën normale nuk mund të imagjinohet se mund t’i flasë popullit të vet për punët komunale. Çdo kryeministër në botën normale ndjen dhe ka detyrimin që t’i tregojë popullit të vet çfarë ka bërë për të rritur mirëqenien e popullit. Çfarë ka bërë për të rritur fuqinë e parasë në xhepat e popullit. Çfarë ka bërë për të hapur vende të reja pune. Çfarë ka bërë për të përmirësuar shërbimet për popullin. Saliu nuk flet për këto sepse 1 milionë të papunë në Shqipërinë e vogël janë një akuzë  e cila do të bënte çdo qeveri dhe kryeministër të iknin me vrap dhe jo të dilte para popullit e të shiste mend duke folur dokrra si dokrrat e Saliut se do përmirësoj cilësinë e diellit, do e bëj Koplikun si Dubai, do zhvilloj alpinizmin aty ku s’ka male, apo do ju mësoj njerëzve notin aty ku s’ka ujë.
 
Të dashur miq Saliu, Iliri dhe i gjithë koalicioni i turpit i mbledhur në oborrin e kusarisë dhe të matrapazllëkut, i thonë tërë këto broçkulla sepse ata mendojnë që sa më i varfër, sa më i papunë, sa më i pa shpresë të jetë populli aq më shumë ka nevojë për gënjeshtra. E sa më të mëdha të jenë gënjeshtrat aq më shumë hutohet populli.
 
Ne të gjithë së bashku duhet të dalim nga kurthi i papunësisë, i padrejtësisë, i varfërisë. Nga ky kurth ku e ka futur Shqipërinë politika e vjetër dhe e pabesë e Saliut, Ilirit dhe të gjithëve me radhë që flasin e buzëqeshin, e premtojnë dhe përbetohen për qytetarin nëpër ekrane dhe pastaj kur fiken ekranet lëshohen për të shantazhuar dhe kërcënuar qytetarët, duke dashur t’u imponojnë vullnetin e mbrapshtë dhe t’u diktojnë votën e lirë.
 
Në 8 maj është dita që çdo qytetarë ta përdorë fuqinë që i jep demokracia.
 
Saliu vjen vërdallë dhe pretendon se këto janë zgjedhje vendore dhe se qytetarët duhet të zgjedhin për administratorët  e njësive të tyre pasi këto nuk qenkan zgjedhje politike. Por, ndërkohë nuk na tregon dot një qytet, nuk na tregon dot një fshat ku ka qeverisur Saliu dhe ku të mund të shohim një model të suksesshëm të administrimit të punëve të komunitetit. Ku të mund të shohim një rrugë zhvillimi të arsyeshëm për komunitetin. Ku të mund të shohim një komunitet që bashkëjeton në paqe dhe në qetësi dhe jo i ndarë nga hendeku i mllefit dhe i ndasisë me shantazhe dhe kërcënime.
Ne i kemi modelet e suksesit. Ne i kemi modelet e zhvillimit. Ne i kemi modelet e bashkëjetesës qytetare mes njerëzish që njësoj marrin shërbimet nga ne, në çdo bashki që ne qeverisim, në çdo komunë që ne qeverisim dhe kështu edhe këtu në Librazhd.
 
Ne do të çojmë përpara një punë të nisur me një kandidat që është një përfaqësues i denjë i qytetarisë së Librazhdit. Me një kandidat për të cilin duhet të investojë votën e tij jo vetëm çdo socialist, por edhe çdo demokrat i Librazhdit.
 
Në 8 maj ne do të fitojmë në Librazhd, ne do të fitojmë në Përrenjas, ne do të fitojmë në Rajcë, në Qukës, në Hotolisht, ne do të fitojmë në Orenjë, në Lunik, në Polis, ne do të fitojmë në Stravajë, në Steblevë.
 
Motra dhe vëllezër unë dëshiroj që këtu përpara jush t’i dorëzoj kryetarit të bashkisë që ju do të zgjidhni në 8 maj, një projekt, që ne e kemi bërë në Bashkinë e Tiranës, me nxitjen e deputetit Taulant Balla për Bashkinë e Librazhdit dhe si ndihmë për të rindërtuar sheshin e këtij qyteti dhe për të transformuar të gjitha godinat që e rrethojnë sheshin. Është një kontribut modest në bashkëpunimin mes bashkive tona, ne bashkëpunojmë me njëri tjetrin sepse ne kemi një model të suksesshëm zhvillimi. Ne kemi një model të sigurt zhvillimi. Ne kemi një model me një perspektiv të gjatë zhvillimi. Modelin që kemi ndërtuar në Tiranë dhe kudo ku qeverisim.
 
Kam dhe një merak tjetër që dëshirojë që t’jua them ju dhe ju t’jua thoni që të gjithëve.
 
Saliu, Iliri dhe të tërë me radhë kanë dalë derë më derë me thasët me miell e me para. Duhet t’i thoni çdo komshiu, çdo të afërmi, çdo bashkëqytetari dhe bashkëfshatari, që të mos lënë lekë pa ju marrë këtyre. Që të mos lënë thes me miell pa ju marrë këtyre. Tju marrin miellin, tju marrin lekët e pastaj tjua japin votën në lule të ballit duke ju thënë kurrë më. Ata e shohin varfërinë tuaj, e shohin papunësinë tuaj, e shohin pafuqinë tuaj ekonomike si mundësi literale për të vazhduar të qëndrojnë në pushtetin e votave të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë, duke jua blerë votën me një thes miell apo me disa lekë. Që nuk janë lekët e tyre por janë lekët tuaja, janë lekët që ju mungojnë në xhepin tuaj, janë lekët që ju mungojnë në xhepin e familjes suaj, janë lekët që i mungojnë ekonomisë së fshatit, komunës dhe bashkisë suaj. Merruani ato lekë dhe votën jepeni për tu çliruar nga ky pushtet që pasi u zhyt në varfëri, kërkon tju mbajë aty poshtë në humnerën e varfërisë, duke ju hedhur lëmosha nga lekët që ju grabit përditë. Besoni të dashur miq, që ne i kemi të gjitha mundësit, i kemi të gjitha talentet dhe dhuntitë si popull që ta kthejmë Shqipërinë në atdheun ku çdo familje e zakonshme të ndjehet mirë, të jetë në punë, të ketë mirëqenie, të shkollojë fëmijët dhe ta shoh të nesërmen pa u trembur nga çmimet, nga faturat, nga kusaritë dhe nga kërcënimet. Duke ju falënderuar nga zemra edhe njëherë për këtë mikpritje entuziaste, unë ju bëj thirrje që gjithë këto ditë të shkoni dhe të takoni që të gjithë dhe së bashku pastaj në 8 maj në kutinë e votimit për të hapur një faqe të re në historinë e komunës, bashkisë dhe vendit tonë.


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm