Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në këtë stacion zgjedhor të historisë sonë, vijmë për shtetin që duam të bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët pa dallim

Të reja

Në këtë stacion zgjedhor të historisë sonë, vijmë për shtetin që duam të bëjmë për Shqipërinë dhe shqiptarët pa dallim

24 Jun 2017    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin përmbyllës të fushatës në Vlorë:
 
Vlonjatë, lebër, himarjotë, myzeqarë, çamë, minoritarë e gjithë çfarë jeni nga kjo zonë që i ka falur lumenj gjaku këtij flamuri, nga kjo zonë që i ka dhënë frymëmarrje kësaj shqiponje, edhe në ditët më asfiksuese për të dyja mushkëritë e kombit tonë!
 
Sikur të më duhej të zgjidhja në tërë globin, vendin për ditën e fundit të jetës time, do të ishte Vlora!
Sikur të më duhet të zgjedh vendin për fjalimin tim të fundit në publik, do të jetë Vlora! Sikur të më duhet të them, ku është një vend mbi këtë tokën tonë, ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë në të njëjtin vend, unë them Vlora!
 
Unë e dua Shqipërinë në çdo pjesë të trupit të saj të mrekullueshëm!  
E dua Tropojën me Valbonën dhe me legjendat e saj!
E dua Malësinë e Madhe, me Vermoshin dhe me fisnikërinë e saj!
E dua Shkodrën me liqenin dhe me dritat e perëndimit në shpirtin e saj!
E dua Lezhën me Zadrimën e me besëlidhjen e saj shqiptare!
E dua Dibrën me peizazhet dhe mençurinë e saj!
E dua Durrësin me detin e me njerzillëkun e njerëzit e tij!
E dua Elbasanin me kodrat e buta mbi ujëra të rrjedhshëm dhe me urtësinë e njerëzve të tij!
E dua Korçën me dëborën e bardhë dhe me dëshirën e saj për jetën e bukur!
E dua Gjirokastrën me shtëpitë dhe me dhuntitë e saj!
E dua Beratin me 1001 dritaret e me plot pasqyrat e vjetra të kulturave të tij!
E dua Fierin me përthyerjen e natyrës dhe me forcën e banorëve të tij!
E dua, shumë e dua edhe Tiranën, me kurorën fantastike dhe me fuqinë për të qenë e të gjithëve!
 
Po Vlorën, Vlorën e dua me dyja detet dhe me flamurin kuqezi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, që këtu u ngrit, këtu rri dhe këtu do të jetë derisa të ketë jetë, si shëmbëlltyrë e asaj që është shqiptaria vetë!
 
Ja pse nuk e gjej dot se çfarë nderi më i madh mund të më behej në jetë mua, njërit nga ju prej gjakut të nënës, që me votat e këtij qyteti të bëhesha deputet dhe i dyti Kryeministër i Vlorës, pas Ismail Qemalit.
 
Përulja ime ndaj çdo shqiptari dhe shqiptareje që më ka besuar qoftë edhe njëherë votën në Tiranë, apo më ka besuar dhe do të më besojë votën për ta udhëhequr këtë vend si Kryeministër, është detyrim i pashlyeshëm, sado unë të punoj me mish e me shpirt për ta kryer këtë detyrë të lartë me nder.
 
Por përulja ime ndaj popullit të Vlorës, për autorizimin për ta përfaqësuar në kuvendin e burrave e grave të zgjedhura të Shqipërisë është përveçse një detyrim i pashlyeshëm dhe një emocion që nuk ua tregoj dot.
 
Në 44 muaj kam bërë për Vlorën, jo aq sa desha, por aq sa munda. Në 4 vitet që vijnë, po ma dhatë sërish besimin tuaj dhe sidomos po ma dhatë me të gjithë fuqinë tuaj të bashkuar si stërnipër e stërmbesa të Ismail Qemalit, pa u ndarë nëpër çetat e Lulit, Ilirit, Shpëtimit, Dashit apo Vangjelit, do të bëj për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, sëbashku me të gjithë skuadrën tonë, 4-fishin e atyre që janë bërë në këto 44 muaj.
 
Por dua tua them deri në fund. Dua t’ua them sot të gjitha, vlonjatçe, sado të bëj, unë kurrë nuk lahem dot me ju për nderin që më keni bërë. Nga ana tjetër dua t’i kërkoj falje çdo qytetari dhe qytetareje të Vlorës për çdo sjellje të keqe, apo abuzim me të drejtat tuaja në zyrat e shtetit këtu në Qarkun e Vlorës. Nëse ka një gjë që më bën të më vijë zor nga këta 44 muaj përpara jush dhe përpara çdo qytetari dhe qytetareje të këtij vendi, nga Vermoshi deri në Konispol, pa dallim bindjesh dhe pavarësisht për kë kanë votuar, është marrja me mend e rasteve të panumërta, çdo ditë, të sjelljeve të këqija dhe abuzimeve të neveritshme ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi në zyrat e administratës shtetërore.
 
Shqipëria që kemi në zyrat e shërbimeve për qytetarët nuk është Shqipëria që Duam, por është një Shqipëri e vjetër, e lodhshme, dëshpëruese për njeriun që kërkon një hipotekë, një patentë, një leje, një licencë, një dokument dhe merr mbrapsht një nëpërkëmbje që duhet të marrë fund në 25 qershor.
 
Prandaj, këtu në Vlorën e flamurit kuqezi të të gjithë shqiptarëve pa dallim, ta dëgjojmë sonte dhe ta përcjellim fort në të gjithë Shqipërinë, jehonën që na vjen për së largu nga kohërat me zërin e pararendësit të atit të pavarësisë, nga këtu e 189 vjet më parë, të mblidhemi e të bëhemi një për Shqipërinë, për Shqipërinë që duam, ta themi sot me plot gojë, si bij të denjë të këtij vendi. Të mblidhemi e të jemi një, një konak, një çati, një oxhak, për t’i thënë jo, një jo popullore, një jo me zemër dhe me mendje shqiptarie, çdo çifligu të partive të pushtetit në zyrat e shtetit dhe çdo ndasie që parti të tjera duan të nxisin me të gjitha mënyrat mes zgjedhësve të 25 qershorit, vetëm e vetëm për të mos i lëshuar ato çifligje të turpshme.
 
Partia Socialiste e kërkon votën këtë herë pa të tjerë në krah, sepse në këtë stacion zgjedhor të historisë sonë, ne nuk vijmë për pushtetin, por për shtetin që duam të bëjmë për Shqipërinë, për shqiptarët pa dallim, nga veriu në jug.
 
Të tjerët duan t’ju mbajnë juve të ndarë, për të ndarë tepsinë e pushtetin për vete. Unë dua t’ju bashkoj ju me njëri-tjetrin, për ta çuar atë tepsi të turpshme për skrap me fuqinë e pushtetit tuaj.
 
Ne jemi këtë herë, ballë për ballë me ju, me popullin e Shqipërisë, pa hije nga pas dhe pa perde në sy. Por nuk jemi vetëm. Kemi numrin Dy. Një jam unë, një je ti! Duam të bashkohemi siç thotë ajo kënga labe, “as për mua, as për ti, por për të gjitha, Shqipëri”!  
 
Në 28 nëntor, këtu u ngrit flamuri kombëtar i pavarësisë së Shqipërisë nga të tjerët. Në 25 qershor është ditë që çdo shqiptar ta bëjë fletën e vetë të votimit flamur kuqezi të pavarësisë së njeriut të zakonshëm nga çifligarët e mëdhenj e të vegjël, nga paritë që votat i kërkojnë edhe këtë herë, si gjithnjë, jo në emrin tuaj dhe shtetin e kërkojnë gjithnjë e më shumë për tepsi të pushteti të atyre kundër jush.
 
E di shumë mirë që ka plot njerëz të lënduar, të dyzuar, apo edhe më keq, të dëshpëruar deri në pikën që as duan ta dëgjojnë fjalën votim. Një shkrimtar i madh, i njohur botërisht, ka lënë këto rreshta përpara sesa plumbi t’ia merrte jetën në dënim me pushkatim, sepse luftoi për atdheun e tij. Rreshta që ne të gjithë këtu, në këtë shesh, duhet t’i shkruajmë deri të dielën në çdo zemër dhe në çdo mendje të pavendosur rreth nesh: “Të munguarit, gabohen gjithnjë”.
 
Po, kush fshihet pas mungesës, gabon gjithnjë. E kush mungon në zgjedhje, gabon sepse e lë të hapur shtegun e tij për të këqija që nuk do të donte kurrë të ndodhnin.
 
Ndërsa të mungosh në vendimmarrjen e 25 qershorit e lë shtegun hapur për të paktën dy të këqija të mëdha;
 
E para, është e keqja e ribllokimit, ripengimit, rizvarritjes së Reformës në Drejtësi dhe sabotimit të zbatimit të Vetting-ut nga partitë e tjera që përpiqen të flasin bukur për drejtësinë, por as e kanë fshehur e as e fshehin dot nga sytë e popullit, atë që të gjithë e dinë, nuk e duan suksesin e Reformës në Drejtësi. Nuk e duan pastrimin rrënjësor që Vetting-u do t-i bëjë pallatit të drejtësisë. Nuk e duan drejtësinë të rilindë e të hapë kapakët e mbyllur prej çerekshekulli, të zullumeve të politikanëve që strehohen nën flamujt e atyre partive të tjera.
 
E dyta, është e keqja e vazhdimit të avazit të shëmtuar të keqtrajtimit të njerëzve të zakonshëm në zyrat e shtetit, qoftë dhe për të marrë një copë letër, lëre më pastaj për të marrë një dokument pronësie, apo për të hequr një gjobë të marrë padrejtësisht. Si mundet, të jesh sot njeri i zakonshëm i këtij vendi, të të jepet mundësia që i jepet gjithë popullit në 25 qershor e të mos e bësh tënden, ndërkohë që ty, apo dikujt që ti e njeh rreth e rrotull teje i kanë bërë qindin në një zyrë hipoteke, për një subvencion bujqësor, për një pastrim kanali kullues, për një tekë të një polici gri, apo të një inspektori të gjelbër!
 
Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli në këto 44 muaj. Nuk kemi bërë çdo gjë aq mirë sa duhej. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duhet, sepse duhet shumë e shumë akoma në çdo sektor, për çdo grupmoshë e për çdo grup interesi në Shqipëri. Por ama, besoj unë, se ne ju kemi dhënë mjaftueshëm të gjithë shqiptarëve, një provë që askush përpara nesh nuk e dha dot kurrë. Provën e ambicies, aftësisë dhe vullnetin për ta bërë shtet këtë vend.
 
Kemi hedhur themelet e shtëpisë së një shteti modern shqiptar, duke bërë reforma të rënda dhe të dhimbshme në drejtësi, në ekonomi, në financë, në energji, në siguri, në arsim, në qeverisjen vendore me reformën e transformimit të organizimit territorial të Shqipërisë, në shëndetësi, në pensione, në mbështetje sociale. Tani ka ardhur momenti për ta vendosur ju, jo ne! Jo unë! A do vazhdojmë të ndërtojmë sëbashku nën flamurin kuqezi, mbi këto themele, shtëpinë e shteti që duam, për Shqipërinë që duam dhe Europën që duam për fëmijët tanë, apo do të vazhdojmë të ndahemi nën flamujt e partive  që shtetin e duan për vete dhe votat tuaja i duan për të mos hequr duart nga tepsia e pushtetit të tyre?
 
Ke bindje të djathtë? Shumë bukur! A është bindja jote e djathtë më e fortë brenda teje, se bindja që të duhet ty dhe familjes tënde një shtet që të mbron, të respekton dhe të ndihmon? A është bindja jote e djathtë më e fortë se dëshira jote që fëmija yt të marrë një arsim dinjitoze, me libra të njëjtë me fëmijët e Europës që duam dhe që në rrugën e universitetit të mos parakalohet nga fëmija i babait me pushtet, i familjes me para, apo i partive të tepsisë së pushtetit? A është bindja jote e djathë më e fortë sesa nevoja që ti të mos kërkosh mik, të mos marrësh teserë partie, të mos japësh ryshfet për të futur djalin apo vajzën në punë, apo për t’u punësuar vetë në shërbim të shtetit tënd? Je anëtar i PD-së? Çfarë problemi ka! Aty të rrish e të rrish me nder.
 
Por a është Luli gati të bëjë shtetin që ti do? A është skuadra e tij gati që të bëjë për Shqipërinë e për qytetin, fshatin, shtëpinë tënde, punën që mund të bëjë skuadra jonë? A është flamuri i PD-së apo mikrobuzi i republikës së re gati të të marrë ty nën vete e me vete?
 
Ndërkohë që flamuri kuqezi të thërret, e fuqia jote ka kuptim këtë herë, vetëm e bashkuar, me mua dhe me ty, me të gjithë ne, për të njëjtin qellim, që është Shqipëria që e duam njësoj e që njësoj e duam që të jetë e denjë.
Ndërsa për anëtarët e Partisë Demokratikë, në mënyrë të veçantë këtu në qarkun e Vlorës, kam akoma më shumë.

A mjafton bindja juaj e djathtë, a mjafton tesera juaj në PD për të shkuar mbrapa Dashit të Havasë dhe Vangjelit të bakllavasë?  Si ka mundësi që një vlonjat, një lab, një myzeqar, një çam, një minoritar të shtyjë mikrobuzin e republikës së re për të çuar Dashin e Havasë dhe Vangjelin e bakllavasë në parlament? Si mundet të tallet e të mashtrohet çështja çame nga Dashi i Havasë? Si mundet një parti e lindur për të mbrojtur minoritetin e të drejtat e minoriteteve, të parkohet në garazh që Vangjeli i bakllavasë të hipi me Dashin në mikrobuzin e Republikës së re e minoriteti të shkojë nga mbrapa?
Unë u them vlonjatëshe, çamëve të Vlorës e të qarkut të Vlorës: Nëse fletën e votimit, në vend që ta bëni flamur kuqezi për Shqipërinë që duam, e bëni biletë mikrobuzi për Dashin e Havasë, jazëk ju qoftë!

Je anëtar i LSI-së? Aq më keq e aq më mirë! Lëre sot atë parti, lëre në lajthitjen e saj, e mos lajthit bashke me ata që nëse të kanë dhënë një punë, të marrin kuotë mujore nga rroga jote. Nëse ta premtojnë një punë sot, të gënjejnë, sepse çiflig në shtet për ta nuk do të ketë më, të paktën për katër vjet edhe sikur deti i skelës të bëhet kos! Të ofrojnë hallvë në këmbim të votës, hallvën mos e refuzo ndërsa votën që ke për Shqipërinë, mos e bëj hallvë për tepsinë e tyre! Të miklon ndonjë parti tjetër? Kush është tjetër? Për çamët fola, flamurin ja ku e kam, forcën që e kanë ngritur dhe e mbron çështjen e tyre, çështjen tonë, çështjen shqiptare ja ku e kam. Po, është dhe partia e atij personazhit letrar. Personazhi i vetvetes që ju thotë më jepni një votë t’ju jap 1000 euro për çdo fëmijë që do lindni e do nxjerrë 400.000 njerëz nga varfëria, duke nxitur rritjen e shtatzënive. Harroje atë, harroni çdo sigël tjetër sepse pas çdo sigle tjetër fshihet një tepsixhi i vjetër!

Në çdo vend të Shqipërisë është e domosdoshme që unë të flas për program. Këtu në Vlorë, unë mund t’ju them që programi im është zemra ime që rreh për Vlorën me ju dhe bashkë me ju!
 
Miqtë e mi,
Vëllezër dhe motra,
 
Të tërë janë kapur pas timonit. Në fakt unë kur them votoni numrin 2, nuk është për të pasur unë, më shumë pushtet për vete, por për ta dyfishuar dhe për ta bërë turbo progresin për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.
 
Nga Vlora ju them të gjithëve, socialistë, demokratë, gegë toskë dhe çam, malsi, jallija sa shumë e sa thellë shqiptarë jemi dhe zgjedhja mund të jetë vetëm një, që të ecim bashkë të dy;
Sup më sup, c’janë shqiptarë/ Ndryshe lumi do na marrë,
Ndihni për të mirën nënë/ Për lumturinë që ka dhënë,
Ndihni për të mirën tënë/ bashkë zemrën e zënë,
moj shqipe, moj Shqipëri.
 
E deri në momentin kur duhet të shkoni të votoni të gjithë ju që na ndiqni, na dëgjoni, kini parasysh dhe një gjë të fundit. O një koalicion që e udhëheq PS dhe që rrënjët i ka tek ju, njerëzit e zakonshëm, ose një votë e shpërndarë andej, këtej dhe një koalicion që piqet me rrënjët në brumin e ri të tepsisë së vjetër!
Rroftë Vlora!
Rroftë dhe u lartësoftë flamuri kuqezi i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Rroftë Shqipëria kuqezi! 
 
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm