Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në koalicionin më të madh me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi për Shqipërinë që duam

Të reja

Në koalicionin më të madh me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi për Shqipërinë që duam

03 Jul 2017    

Përshëndetje të gjithëve! 

Që në fillim dua të përsëris, se kur them fitorja është e Shqipërisë dhe e njerëzve të zakonshëm, ndërsa e jona është vetëm barra e jashtëzakonshme e përgjegjësisë që kemi marrë, nuk e them se kështu mund t'u duket më bukur atyre që na dëgjojnë. E them sepse e ndjej çdo dite e më shumë, peshën e një përgjegjësie kaq të madhe. Dhe shpresoj shumë që secili e secila prej jush këtu ta ndjejë sa duhet e si duhet, këtë peshë për të përfaqësuar shumicën e shqiptarëve gjatë katër viteve të ardhshëm. Këtu dua të nënvizoj që kjo vlen padyshim, në radhë të parë për deputetët fitues, po me patjetër, edhe për të gjithë anëtarët e tjerë të skuadrës sonë kombëtare, në detyrat që kanë, apo do të marrin. 

Pas katër vitesh dhe një qeverisjeje jo pa probleme kemi marrë më shumë vota se katër vite më parë. Kjo është shumë e rrallë, për një parti që udhëheq vendin dhe po të kemi parasysh se në bazë të përllogaritjeve të fundit kanë votuar 73% e shqiptarëve që janë të pranishëm në atdhe. Por ta mbajmë mirë vath në vesh që të gjithë ne, unë i pari padiskutim, se një mbështetje e këtyre përmasave nuk është aq shumë vlerësim për atë që kemi bërë, sesa besim për atë që njerëzit mendojnë se mund të bëjmë - të zgjidhur nga zinxhiri i një koalicioni me jo pak probleme. Mosjustifikimi i këtij besimi do të ishte fatal për të ardhmen e Partisë Socialiste. 

Sidoqoftë, ju falenderoj edhe njëherë, sy më sy, që të gjithëve, - se edhe nuk jam parë me shumicën tuaj pas 25 qershorit, - për angazhimin e madh në organizimin e makinerisë më efikase që unë mbaj mend, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2007. Por thënë kjo, jam po ashtu i bindur se kemi ende rezerva të konsiderueshme rritjeje, të cilat janë në proporcion me të metat e boshllëqet jo të pakta politike dhe organizative që kemi në çdo qark. 

Faleminderit më së pari, të dymbëdhjetë udhëheqësve të qarqeve. Besoj se u vërtetua si plotësisht i nevojshëm edhe vendimi për largimin nga qeveria të disave prej tyre në fushëbeteja kyçe, ku morëm rezultate që, sipas meje, me shumë gjasë mund të mos ishin këto që janë, nëse ata që u larguan do të mbanin edhe barrën e drejtimit të ministrive. 

Faleminderit posaçërisht Gramozit, që vendosi një piketë të palëvizshme për të ardhmen, duke provuar se vendosja në vijën e kuqe të udhëheqësit të qarkut, është një stimul i fortë për të gjithë organizmin elektoral të partisë. Faleminderit një për një, gjithë të tjerëve që drejtuan me frymë skuadre, duke dhënë shembullin e mirë për të gjithë. Faleminderit po ashtu, një për një, të gjithë deputetëve të zgjedhur, që e mbuluan çdo Zone Administrative Zgjedhore me përkushtim e aftësi të konsiderueshme. Mund të shtoj këtu padyshim se këtë herë, edhe të gjithë deputetët e përtej vijës së kuqe dhanë një kontribut të vyer dhe meritojnë po njësoj falënderime, një për një.

Tani rezultati fantastik që arritëm është mbrapa, ndërsa përpara është një e përpjetë tejet sfiduese, të cilën ju kërkoj ta ngjisim të bashkuar, duke e forcuar frymën e kësaj skuadre fituese që kemi; duke mbështetur e ndihmuar njeri-tjetrin dhe përcjellë në çdo organizatë socialiste forcën e shembullit të mirë; duke përmbushur detyrat e reja që do të marrë gjithsecili në parlament, qeveri apo parti, me moton “një për të gjithë dhe të gjithë për një”; si edhe duke luftuar me këmbëngulje brenda vetes e skuadrës, kundër tarbiateve e sjelljeve të parespektueshme që janë shfaqur jo pak gjatë këtij mandati. 

Një falenderim i posaçëm për të gjithë kryetarët tanë të bashkive. Keni qenë të pakursyer në mbështetjen që i dhatë skuadrës sonë dhe kjo ju bën shumë nder. 

Lejomëni t'i falenderoj edhe në emrin tuaj sot, partnerët e mandatit që po mbyllet, në radhë të parë për votat që dhanë për reformat tona shtetbërëse. Të cilat do t'i thellojmë më tej, me kurajo politike, vendosmëri atdhetare dhe gatishmëri për dialog me opozitën dyngjyrëshe. 

Dua të falenderoj ish bashkëkryetarin e koalicionit, Ilir Metën. Natyrisht jo për gjerat që i çoi edhe njëherë për dreq, me arsyen kronike të mosarsyes së tij, duke e hedhur përsëri në erë projektin strategjik të së majtës së bashkuar, po për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. Po në emrin tuaj, por edhe të deputetëve socialistë që e votuan e s’janë sot këtu, dua t'i lutem sot, publikisht, të reflektojë një orë e më parë e të kthjellohet njëherë e mirë, si Presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual, jo konfliktual, për të qëndruar mbi palët e jo për të qenë palë kundër palëve të tjera. Dhe të përqendrohet sa nuk është vonë, tek riparimet e dëmeve të papara në këto 27 vjet, që i bëri figurës së kreut të ri të shtetit gjatë 40 ditëve të fundit.  

LSI-ja përpara Shqipërisë është një vrimë në ujë dhe përjetimi tragjik i daljes së partisë së tij personale nga roli i çelësit për shumicën qeverisëse, nuk duhet në asnjë mënyrë ta damkosë si komike, pa hyrë ende në zyre, figurën e Presidentit të zgjedhur të shtetit të shqiptarëve, pa dallim. 

Dua të falenderoj po ashtu, të gjithë ministrat e LSI-së, për bashkëpunimin përgjithësisht korrekt që patëm dhe për çdo kontribut pozitiv që dhanë në arritjet e qeverisë. U uroj të gjithëve shëndet e mbarësi në familjet e tyre dhe sa më shumë kontribute të reja pozitive, për të mirën e Shqipërisë, në detyrën aspak të lehtë të opozitarëve të qeverisë sonë të re. Dora jonë e bashkëpunimit për interesat e mëdha të vendit do të jetë e shtrirë për ta e për kolegët e tyre, njësoj si edhe për opozitën kryesore, Partinë Demokratike. 

Dua ta rikonfirmoj përsëri, që marrëveshja politike e 18 majit me Partinë Demokratike do të mbetet për ne, një busull orientuese në marrëdhëniet qeveri-opozitë. Por në ndërkohë që të dy konkurrentët tanë janë në proceset e tyre të brendshme pas humbjeve në zgjedhje, prioriteti ynë themelor i kësaj faze tranzicioni, deri në formimin e qeverisë së re, do të jetë nxjerrja e mësimeve të këtij mandati përmes një reflektimi shumë serioz. 

Skuadra e re qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit dhe askush përveç meje s'ka pse humbet kohë për t'u marrë me këtë punë. Gjithçka zien e do të ziejë me siguri më tutje, në kazanët e katundit mediatik, është thjesht pjesë e llogjeve të atij katundi e asgjë më tepër. Struktura dhe përbërja e qeverisë së re do të shpallen vetëm pas procesit të reflektimit ku po hyjmë sot dhe deri në fund të gushtit, kur do të mblidhet Asambleja jonë Kombëtare. 

Prandaj ju kërkoj të gjithëve të fokusohemi tek ky proces shumë i rëndësishëm përgatitor për mandatin e ri dhe të nisim menjëherë, në çdo qark e në çdo Zone Administrative Zgjedhore, një tur dëgjimor me partinë e me komunitetet zonë për zonë. Kemi bërë mirë që kemi organizuar takimet falenderuese me aktivistët e vijës së parë të betejës sonë elektorale, po është krejt e pamjaftueshme. Asnjë prej jush nuk duhet të largohet me pushime deri në 1 gusht. E di mirë sa shumë energji keni shpenzuar gjatë muajve të fundit, por askush këtu nuk është marrë me zor, për të bërë detyrën e rëndë të përfaqësuesit të popullit apo të Partisë Socialiste në nivelin e saj më të lartë. 

Falenderimi për anëtarësinë dhe zgjedhësit duhet të vazhdojë jo duke festuar, po duke dëgjuar prej tyre, sa më shumë nga ata. Të jemi shumë të qartë se edhe pse qeveria do të jetë politikisht njëngjyrëshe, ne nuk do të qeverisim vetëm, po në një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Këtë u kërkuam atyre në fushatë dhe pikërisht për këtë na e dhanë dakordësinë, me rezultatin me të lartë historik të Partisë Socialiste si numër votash. E ta fusin mirë në kokë të gjithë, po dështuam në përgatitjen e këtij koalicioni kaq të madh, i bie të përgatitemi për një dështim të madh të këtij mandati kaq domethënës. 

Nuk do të lodhem duke e përsëritur dhe mos u mërzisni as duke e dëgjuar dhe as duke e përsëritur me drejtuesit e partisë dhe me gjithë anëtarësinë në gjithë Shqipërinë: 

Askush mos kujtojë se kush na votoi, mendon se ne nuk kemi të share! Aspak. 

Kush na votoi, thjesht beson se ne meritojmë të provohemi, se sa më larg dhe më shpejt mund ta çojmë Shqipërinë përpara, duke pasur në dorë timonin e qeverisjes, pa të tjerë në prehër. Kjo është një sprovë historike për ne dhe kërkon një këmbëngulje heroike prej nesh. Në radhë të parë për të nxjerrë në dritë, një e nga një, të metat tona, dobësitë tona, gabimet tona në parlament, në qeveri, në parti, pastaj për të projektuar korrigjimin e tyre dhe më tej për t'u vetëkorrigjuar pa ndalim, me vullnet, me modesti, përmes zbatimit pikë për pikë, të çdo korrigjimi të projektuar. 

Besoj jemi të gjithë dakord, parlamenti i kaluar ishte në një nivel turpërues për të gjithë, pa përjashtim. E vërtetë është që reformat e votuara në atë parlament, janë i vetmi justifikim për ekzistencën e tij katërvjeçare.

Por është po ashtu e qartë fare, se kultura e shthurjes totale që u manifestua çdo të enjte në atë sallë, është tanimë armiku ynë publik numër një i jetës parlamentare të katër viteve të ardhshme. Ne duhet ta ndryshojmë radikalisht mënyrën e drejtimit të parlamentit, ku duhet të rikthehen dhe të respektohen normat e librit konsensual të bashkëjetesës parlamentare, Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë që duam nuk mund të jetë një kazan politik, ku vlon shamataja e tralalaja dhe ku vetëm për rend dite, seriozitet politik, dinjitet qytetar nuk bëhet fjalë. Për të tjerët nuk di ç’të them, por, për ne, që e duam Shqipërinë me shtet dhe që jemi votuar për këtë, e prandaj duhet të jemi forca e shembullit lidhur me respektin që pretendojmë nga njerëzit e zakonshëm për normat e ligjëruara të bashkëjetesës, mjerimi i seancave parlamentare s'ka më asnjë justifikim. Aq me tepër, në kushtet kur barrën e drejtimit të Kuvendit të ri do ta kemi vetë. Por as të mos mendojmë se jemi pa faj për atë mjerim, as të mos dyshojmë që duhet të korrigjojmë thellësisht funksionimin e grupit parlamentar dhe qasjen e deputetëve ndaj seancave plenare dhe punës në komisione. 

Duhet ngritur nga sot një grup pune, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe kryetarit aktual të grupit. Në përbërjen e tij mendoj të jene dhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Klodiana Spahiu, Ulsi Manja e çdokush tjetër që Gramozi mund të shohë të arsyeshme të përfshijë. Ky grup duhet të përgatisë një raport në formën e një dokumenti rekomandimesh për çdo aspekt të veprimtarisë parlamentare të partisë, si dhe të aktivitetit të deputetit, jo vetëm në parlament, po edhe në zonën e përfaqësimit. Zyrat kryesore elektorale në çdo bashki të Shqipërisë duhet të adaptohen dhe të funksionojnë në katër vjetet e ardhshme si zyra të grupit parlamentar të qarkut - për suksesin e koalicionit të madh me njerëzit e zakonshëm, rrjeti kombëtar i zyrave të deputeteve është tanimë një domosdoshmëri. 

Gjykimi i anëtarësisë dhe komuniteteve mbi rolin e deputetëve gjatë këtij mandati, si dhe kërkesat e sugjerimet për mandatin e ri, duhet të dokumentohen plotësisht gjatë dëgjesave që do të organizojmë në çdo qark e Zonë Administrative Zgjedhore. 

Të dymbëdhjetë udhëheqësit e qarqeve, do të organizojnë e drejtojnë punën për dëgjesat që duhet të nisin menjëherë dhe vazhdojnë deri në fund të muajit. Në këtë tur duhet angazhimi maksimal dhe e përsëris, jo vetëm i deputetëve të zgjedhur, por edhe i pjesës tjetër të skuadrës.

Raportet dhe rekomandimet e secilit prej udhëheqësve të qarqeve për Asamblenë Kombëtare të partisë, që do te mblidhet në fund të muajit gusht, duhet të përmbajnë një reflektim të plotë mbi qeverisjen e çdo sektori ne çdo qark. 

Të gjitha institucionet dhe zyrat e shtetit, në çdo qark, duhet të analizohen në bashkëpunim me anëtarësinë dhe me zgjedhësit që do të dëgjohen gjatë këtij turi 30-ditor. Bazuar mbi këto analiza, raporti duhet të pasqyrojë në një mënyrë sa më objektive cilësinë e punës, nivelin e shërbimit dhe reputacionin publik të çdo dege të administratës shtetërore, çdo drejtori, çdo shefi dhe çdo stafi nëpunësish. 

Ne platformën digjitale të bashkëqeverisjes me njerëzit, Shqipëria që duam, do të ketë ndër të tjera edhe një dritare për çdo qark, ku njerëzve të zakonshëm do t'u jepet akses i plotë për të komentuar, kritikuar, denoncuar, nxjerrë në pah të mirat e të këqijat në aktivitetin e administratës shtetërore. 

Nga ana tjetër, gjatë këtij turi duhet të analizohen dhe pastaj të renditen problematikat kryesore të natyrës politike, sociale dhe infrastrukturore që duhen adresuar në katër vitet e ardhshme, nga qeveria e re. Këto problematika dhe 3 prioritetet kryesore në çdo qark, të zbërthyera për çdo Zonë Administrative Zgjedhore, duhet të jenë pjese e raporteve që do të paraqesin udhëheqësit e qarqeve në Asamblenë Kombëtare të Partisë. 

Një grup pune, i përbërë nga Milva Ikonomi, Evis Kushi, Almira Xhembulla, Vilma Bello, Ardiana Jaku dhe Laert Duro duhet të përgatisë Dokumentin Kombëtar mbi sa më lart, në konsultim edhe me të gjithë kryetaret e bashkive, pa dallim ngjyrash partiake, pra një dokument sintezë të 12 raporteve të drejtuesve të qarqeve. 

Është po ashtu ky momenti, për të përgatitur në bazë qarku e bashkie thirrjen tonë publike për shprehjen e interesit të profesionistëve me diploma të besueshme, eksperiencë pune dhe integritet moral që dëshirojnë të kontribuojnë në shërimin e administratës shtetërore nga kanceri i sistemit të tepsisë së pushtetit. Regjistri i kapitalit njerëzor të çdo qarku është i domosdoshëm për të motivuar dhe për të përfshirë sa më shumë shqiptarë të mirë e të zotë në këtë copë rruge të vështirë drejt të ardhmes. 

Të jemi shumë të qartë: Në 25 qershor nuk kemi marrë të gjithë tepsinë për vete, por kemi marrë mandatin e shqiptarëve për ta çuar atë tepsi për skrap! Prandaj largqoftë çdo tundim, apo sjellje inerciale e të shkuarës me deputetët që bëjnë shefin e kuadrit dhe me administratën e shtetit që shikohet si plaçkë e pushtetit të partisë. 

Kemi kërkuar një mandat kuqezi dhe do të qeverisim kuqezi, jo si përçarës e sundues të shqiptarëve në çdo zonë dhe si shpërndarës favoresh me shkopin e flamurit të partisë tonë. Për të dalë faqebardhë në misionin shumë të vështirë që kemi marrë përsipër, për Shqipërinë që duam, me shtet, me punë, me mirëqenie duhet të shohim tek çdo shqiptar i aftë, pavarësisht bindjeve politike, një bashkëpunëtor të mundshëm për misionin tonë dhe tek çdo i paaftë, apo i korruptuar që ka teserën tonë një pengesë për t'u larguar nga rruga e përmbushjes se këtij misioni. 

Në fushatën që u mbyll janë bere publike raste ulëritëse nepotizmi, bashki të pushtuara nga familjarë e kushërinj të kryetareve. Por kjo, as ka dashur të thotë dhe as do të thotë se LSI-ja është vetë kanceri që e ka pervertuar sistemin e administratës shqiptare, pavarësisht faktit se është partia më e prekur nga ky kancer antishtet.  

Kjo do të thotë se epopeja e shëmtuar e familjareve dhe kushërinjve e krushqve pushtues në institucionet e shtetit duhet të mbyllet. Për këtë ne do të ndërhyjmë dhe në ligjin e konfliktit të interesave, por, në radhë të parë, duhet ta nisim operacionin e pastrimit moral nga vetja. Çdo kryetar bashkie, apo deputet që e do aq shume gjakun e tij sa është gati të prishe gjakun e organizmit të shtetit dhe të komunitetit ku ka nderin e jashtëzakonshëm të jetë i zgjedhur, duke i dhënë rroga shteti të pamerituara sojit e sorollopit të tij, le ta lërë detyrën që sot. Kësaj estrade prej province të humbur e të korruptuar të Perandorisë Otomane, ndërkohë që jemi zgjedhur për të bërë shtet serioz e demokratik në kuptimin e vërtetë të fjalës, duhet të fillojmë t'i japim fund me forcën e shembullit tone. Përndryshe, ma besoni këtë, pas katër vjetësh njerëzit e zakonshëm të këtij vendi do të na fishkëllejnë e do të na kthejnë kurrizin kur t'u drejtohemi me fjalët: motra dhe vëllezër!

Një grup pune i përbërë nga Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ogerta Manastirliu duhet të analizojë organizimin administrativ në çdo sektor dhe të përgatisë një Dokument Rekomandimesh për reformën e administratës shtetërore. Ky dokument duhet të përmbajë një analizë të gjendjes ekzistuese si edhe një draft-projekt ristrukturimi të rrjetit të agjencive, inspektoriateve, zyrave kombëtare, rajonale e lokale; me propozime për shkrirjen, bashkimin, apo zgjerimin, rast pas rasti, të institucioneve ekzistuese. Edhe ky dokument duhet të jete gati për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë, në fund të gushtit. 

Po njësoj, duhet të përgatitet edhe Dokumenti i Rekomandimeve për Derregullimin, mbi një analize tërësore të numrit të licencave e dokumenteve që kërkohen në këtë vend për të marrë të drejta, apo shërbime nga shteti. Qëllimi ynë do të jete që ta lehtësojmë në maksimum peshën e burokracisë mbi njerëzit dhe mbi sipërmarrjet, si dhe te garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit, apo sipërmarrjes nga zyrat e shtetit, vetë shteti ta siguroje për qytetarin, ose sipërmarrjen në një sportel të vetëm, pa e detyruar qytetarin të bredhë në 17 zyra për të plotësuar dosjen e një kërkese ndaj shtetit dhe të ndeshet me 17 hajdutë. Për këtë dokument duhet te angazhohet një grup pune i përbërë nga Arben Ahmetaj, Erion Braçe, Ilir Beqja, Ditmir Bushati, Elisa Spiropali, Klotilda Ferhati dhe Milena Harito.

Duhet të fillojmë një përpjekje këmbëngulëse për ta futur shtetin shërbëtor në xhepin e njerëzve përmes celularit dhe të përdorim të gjitha mjetet për ta hequr dorën e njerëzve të shtetit nga xhepi i qytetarit. 

Qeverisja e katër viteve të ardhshme do të jetë një e përpjetë shumë më e vështirë sesa kjo e 45 muajve që kaluan dhe duhet ta besojmë këtë siç po e them dhe mos kujtojë asnjëri se e them sa për të thënë. Sot jemi më të forte se asnjëherë, jo sepse kemi shumicën absolute në parlament, por sepse kemi mbështetjen e njerëzve të zakonshëm, më të madhe se asnjëherë. 

Por kjo mbështetje, jo vetëm nuk është e pakushtëzuar, por është me kushte të rënda, që po nuk i plotësuam, ta kemi çdo ditë parasysh, do të kemi në zgjedhjet e ardhshme të njëjtin fat që pati në këto zgjedhje Partia Demokratike, e cila nuk arriti kurrë të kuptojë se nuk ishte faji i njerëzve kur e ndëshkuan rëndë katër vjet më parë dhe nuk është faji i askujt tjetër, përveçse i vetë Partisë Demokratike, që u ndëshkua edhe me keq akoma një javë më parë. Nuk duhet të ishe profet, për ta parë qysh në seancën e parë të parlamentit të fundit dhe për ta kuptuar qartë e më qartë, vit pas viti, se çfarë e priste Partine Demokratike katër vjet pas disfatës së qershorit 2013. 

Këmbëngulja për të parë qimen në syrin e tjetrit dhe pafuqia për t'u marrë me traun në syrin e vet e katandisin një njeri, një grup, një qeveri a një parti keq e mos më keq. Të reflektosh kur humbet është nevojë për t'u ringritur! Të reflektosh kur fiton është domosdoshmëri për të mos u rrezuar. 

Prandaj, ju lutem, ta bëjmë sa më serioz e produktiv këtë proces të gjithanshëm reflektimi gjatë këtij muaji dhe të përpiqemi ta kuptojmë sa më thellë të vërteten se problemet më serioze që duhet të zgjidhim, për ta mbajtur me nder barrën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë që na është dhënë, janë probleme që nuk kanë të bëjnë me të tjerët, po drejtpërdrejtë dhe vetëm me ne. Nuk kemi fituar asgjë tjetër, përveçse mundësisë për të provuar se mund ta bëjmë atë që kemi thënë. Po e bëmë, do të jetë suksesi i Shqipërisë dhe i njerëzve të zakonshëm. Neve do të na mbetet nderi që i shërbyem me dinjitet këtij vendi në këtë fazë historike. Po s'e bëmë, do jetë dështimi im dhe i juaji që jeni këtu me mua, i askujt tjetër. 

Europa qe duam, nuk është as fjalë goje as diçka që do të ndodhë, pavarësisht se çfarë bëjmë ne. Është një rrugë e vështirë që kalon nga vetëkorrigjimi ynë si shtet, si shoqëri, si qytetarë të këtij vendi. Te kesh lidershipin në këtë rrugë, do të thotë, në radhë të parë dhe thelbësisht se ajo që u kërkon të tjerëve duhet të jetë e mishëruar tek vetja jote, prandaj vetja jonë është vetvetiu edhe objekti parësor i punës korrigjuese. 

Së fundi, një grup pune i përbërë nga Fatmir Xhafaj, Blerina Gjylameti, Ilir Pendavinji, Alket Hyseni, Ana Dhamo, Flamur Golemi dhe Arben Kamami duhet të analizojë dhe të përmbledhë në një raport sa më të plotë për Asamblenë kombëtare, gjendjen aktuale politike dhe organizative të partisë në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të 25 qershorit. 

Sa më mire t'i kuptojmë të metat, dobësitë, gabimet tona, duke i lexuar me ndershmëri vetëkritike faqet e shkruara së bashku në këto 45 muaj në qeveri, në parlament, në parti aq më të forte dhe të gatshëm do të jemi në përballimin e sfidës kolosale të katër viteve të ardhshme.

Shumë faleminderit për praninë dhe për vëmendjen tuaj!

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me skuadrën kombëtare të 25 qershorit

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm