Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Nëse ne lëmë 30 qershorin, ne kemi lënë reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj në mëshirë të fatit!

Të reja

Nëse ne lëmë 30 qershorin, ne kemi lënë reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj në mëshirë të fatit!

12 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Lushnje:

Shumë faleminderit për këtë prani kaq të jashtëzakonshme, në fakt në një ditë jo të zakonshme për ne, sepse është dita e lindjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe është edhe ditëlindja e Lulzim Bashës. Kështu që, duke dëgjuar atë grupin e çingijeve të Koncertit në vitin ’36-të i uroj shëndet, por jo fitore Lulzim Bashës, megjithëse kam përshtypjen, edhe sikur të vetëm ta linim të hynte në zgjedhje, përsëri nuk fitonte dot.

Katër vjet më parë, ne ishim po këtu dhe më vjen shumë mirë se kudo ku shkojmë në bashkitë që kemi qeverisur këto 4 vite nuk ka nevojë të themi shumë fjalë, sepse punët e bëra flasin shumë më mirë, sesa të gjitha fjalët tona. Edhe kjo hapësirë këtu, e transformuar rrënjësisht dhe përreth kësaj hapësire, Lushnja në transformim janë prova e padiskutueshme se vota e 4 viteve më parë ka qenë investimi i duhur dhe se sot, me plot gojën, ne mund t’iu kërkojmë të gjithë lushnjarëve ta ripërtërijnë besimin, duke ripërtërirë mandatin e Fatosit dhe duke mos pasur asnjë dyshim se nëse 4 vjet më parë ju kam thënë që bashkimi i vizonit dhe i forcave, do të bënte që të bënim më shumë se në të gjitha vitet e tjera, të marra sëbashku, sot mund t’ju them me plot gojën se në këto 4 vjet që vijnë do të bëjmë shumë më tepër se në këto 4 vite që mbyllen sot.

Më vjen shumë mirë që sot ndodhi të isha në Divjakë dhe të jem këtu në Lushnjë, në këtë ditë të shënuar për Partinë Socialiste, me dy simbole të Partisë Socialiste, me dy njerëz që gjithmonë kanë menduar çfarë mund të japin dhe asnjëherë nuk kanë treguar se mendojnë se çfarë mund të marrin. Me dy miq, me dy bashkudhëtarë, me dy bashkëluftëtarë dhe jam shumë krenar që nuk më kanë kursyer asnjëherë mbështetjen dhe kanë qenë gjithmonë në krye të detyrës, Erjon Braçen dhe Bashim Finon.

Dua po ashtu të them se në Divjakë dhe do më falë Bashkimi që vura Divjakën të parën dhe në Lushnje kemi modele organizative të Partisë Socialiste që janë shembull për të gjithë Shqipërinë. Prandaj dua njëkohësisht të falënderoj me shumë respekt dhe mirënjohje për të gjithë mundimin, për të gjitha sakrificat, edhe Linditën, kryetaren e partisë, edhe një deputete vërtetë shembull, një grua zonjë nga ky qytet, Tanën, edhe të paepurin, mikun tim, Bujarin.

Është një rastësi fatlume, që, duke pasur këtu Bashkimin, kryeministrin e pajtimit kombëtar, mund të them disa gjëra lidhur me çfarë po dëgjojmë, lidhur me çfarë po thuhet, lidhur me çfarë po kërkohet të ngulitet në mendjet e shqiptarëve për t’i çoroditur dhe për t’i trembur, që rrezikojnë një ’97-të të re. Pse?

Sepse ata që sot duhet të ishin në garë dhe ata që sot duhet të vinin këtu, për t’u gjykuar nga ju, janë në “Koncertin në vitin 36”, kanë kapitulluar pa fituar beteja, kanë pranuar me fakte, jo me fjalë, se kanë frikë nga zgjedhjet dhe tani kanë ndërmend të rikthejnë Shqipërinë në të një shkuar, ku u desh Bashkimi dhe u desh edhe pajtimi për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë, pasi populli u hodh në kryengritje si pasojë e njërit prej mashtrimeve më të mëdha të shekullit të kaluar në Europë dhe në botë, autorët e të cilit, sot janë ata që me fantazmën e 97-ës kërkojnë të pengojnë të papengueshmen, 30 qershorin, zgjedhjen e lirë të shqiptarëve dhe patjetër vijimin e mëtejshëm drejt të ardhmes.

Në fakt, ata nuk e kanë me zgjedhjet. Zgjedhjet janë arsyeja që thonë dhe natyrisht, zgjedhjet janë frika që kanë, por qëllimi i tyre është se duan të pengojnë çeljen e negociatave për shkak se çelja e negociatave do të thotë çelja e dy kapitujve të parë, 23 dhe 24, që janë kapitujt e drejtësisë dhe Shqipëria ka bërë pothuajse të gjitha detyrat përsa i takon reformës në letër. Me çeljen e kapitujve, Shqipërisë do t’i kërkohet që drejtësia të bëjë drejtësi, në radhë të parë ndaj atyre që pushtetin e kanë përdorur për padrejtësi. E gjithë kjo u shfaq plotësisht falë Ilir Metës.

Akti i Ilir Metës nuk është thjesht shkelje flagrante e Kushtetutës, nuk është thjesht një akt papërgjegjshmërie, njësoj sikur të kishte filluar ndeshja midis dy skuadrave, zgjidhini vetë se kush janë dhe në minutën e ’30-të të merrte në telefon presidenti FIFA-s të thoshte “anuloni ndeshjen, se kam disa informacione”.

Është më shumë se kaq, fatkeqësisht. Është tentativa për të çuar deri në fund një plan që ka nisur me ikjen nga Parlamenti, ka vazhduar me djegien e mandateve, është thelluar me dhunën dhe me molotovët dhe me kapsollat, për të krijuar klimën e një Shqipërie në konflikt, e një Shqipërie që rrezikon të destabilizohet dhe për t’i dhënë zotit President mundësinë që të dalë si shpëtimtar i kombit, por jo për të shpëtuar kombin, jo për të shpëtuar popullin, por për të shpëtuar veten dhe një grusht të vogël njerëzisht nga thellimi i mëtejshëm dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, duke bllokuar negociatat, duke e mbajtur Shqipërinë jashtë tryezës së bisedimeve me BE, duke penguar hapjen e kapitujve të drejtësisë, patjetër që futet e gjithë vija e zhvillimeve politike në një situatë të re, ku, ndryshe nga ’97-ta ku u kërkua dhe u arrit pajtimi i popullit për rivendosjen e rendin dhe të qetësisë, tani kërkohet pajtimi mes politikanëve për rivarrosjen e drejtësisë.

Tek drejtësia, te Reforma në Drejtësi, unë, ne, PS kemi qenë, qysh në sekondën e parë, të vetmit që e kemi mbështetur pa kushte dhe jemi sot pengesa e pakapërcyeshme për të bërë të mundur që Shqipëria e 30 viteve të ardhshme të mos jetë si Shqipëria e këtyre 30 viteve që shkuan, për të bërë të mundur që më në fund, fjala drejtësi ta marrë kuptimin, kur nga më i gjati tek më i shkurtri, nga më i madhi në autoritet, te më i parëndësishmi të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të trajtohen si të tillë përpara prokurorit dhe përpara gjykatësve.

Ky që shohim nuk është një film i ri, është një seri e re e një filmi që e kemi parë 2 vjet më parë. 2 vjet më parë ikën nga Parlamenti dhe ngritën çadrën poshtë në Bulevard, ikën se nuk donin të votonin vettingun dhe me të njëjtën muzikë, “s’duam zgjedhje”, “s’duam këtë Kryeministër”, “s’do bëhen zgjedhjet”, “nuk negociojmë” dhe dy vjet më parë, në momentin e fundit u arrit një marrëveshje, një marrëveshje që tregoi qartësisht se për ne dhe për mua, shteti vjen përpara pushtetit, beteja për të bërë shtet vjen përpara betejës për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

Ama u mësuan keq, por edhe frika erdhi duke u rritur, sepse tani vettingu po pastron pallatin e drejtësisë. Reforma në drejtësi po ecën dhe dera e negociatave është gati të hapet. Ata duan që ta mbyllin me çdo kusht atë derë. Duan ta mbyllin me çdo kusht atë derë dhe me këto veprime dhe falë në radhë të parë, atij që është në zyrën e presidentit sot, mund edhe t’ia arrijnë përkohësisht, por kurrë nuk do të arrijnë ta zmbrapsin drejtësinë për një kohë më të gjatë se sa një kohë shumë e shkurtër. Kjo është arsyeja pse secili duhet të pyesi veten, ore çfarë halli ka ky Edi Rama që insiston ose në 30 qershor ose s’ka? Dhe në fund të fundit, çfarë problemi kam unë personalisht. Çfarë problemi ka qeveria jonë? Çfarë problemi ka partia jonë në parlament? Ne kemi një shumicë qeverisëse shumë solide. Çfarë problemi kemi ne me bashkitë, me pushtetin vendor? Ne kemi sot që flasim, drejtimin e 75% të territorit të vendit. Drejtimin e pothuajse të gjitha bashkive kryesore të vendit dhe po të ishte për mua personalisht, po të ishte thjeshtë për një zgjidhje politike të aty për atyshme do ishte gjëja më e thjeshtë të thonim, çfarë doni ju? Nuk doni zgjedhje? Nuk ka problem, kur të doni ju. Pse? Këtë pyetje duhet t’ia bëjnë të gjithë vetes? Pse insistoj unë kaq shumë? Pse këmbëngul kaq shumë? Për çfarë? Për të marrë të gjitha bashkitë? Po ne, dy vite përpara mund të hynim në zgjedhje e të merrnin të gjithë parlamentin dhe kishim mbështetjen publike të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara dhe kur ata u dorëzuan, nxorën dhe deklarata, unë insistova deri në fund. Po të ishte se do doja një pushtet me një ngjyrë dhe një parlament me një ngjyrë, ne kishim hyrë në zgjedhje. Jo. Insistimi lidhet me një gjë tjetër. Lidhet me faktin që 30 qershori është vija ku ndahen rrugët. Rruga e të shkuarës dhe rruga e të ardhmes. Nëse ne lëmë 30 qershorin, ne kemi lënë të ardhmen. Nëse ne lëmë 30 qershorin, ne kemi pranuar se e para, zgjedhjet nuk janë më çështje e popullit, por janë lojë e politikanëve, e dyta, se çdo parti nesër mund të thotë, nuk i dua zgjedhjet. Edhe ne mund të themi nesër, pse të shkojmë në zgjedhje në 2021? Ne nuk duam zgjedhje se ashtu është puna. Se Ilir Meta thotë e mora nga agjencitë ligj zbatuese. Nga shërbimi sekret i fallxhores që i tregon filxhan dhe i thotë, shiko se po shoh një si gjarpër që po kthehet në formë 8 që do të thotë në 8 qershor do bëhet nami dhe ky del dhe bllokon, anulon zgjedhjet që të shpëtojë Shqipërinë nga viktimat.

E fundit por më e rëndësishmja është që, nëse ne lëmë 30 qershorin, ne kemi lënë reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj në mëshirë të fatit. Pastaj ka dhe një gjë tjetër. Ilir Meta thotë se ka frikë nga konflikti civil. E para e punës një herë se edhe ai përmend ’97, këta të gjithë përmendin ’97. Kush i ka humbur këtu paratë e kursimeve, e gjakut dhe djersës? Askush. Në ’97 i gjithë populli i humbi. Sot janë disa që kanë frikë nga çfarë do të humbin nesër prandaj nuk duan dhe prandaj i fryjnë konfliktit, por nëse vërtetë Ilir Meta do të ndalojë konfliktin e ka shumë të thjeshtë. I thotë Monikës, deri në 30 qershor mos u hakërre rrugëve. I thotë atij plakut me tespihe, mbaje Lulin, mos e ndërse rrugëve dhe nuk ka më jo konflikt, por dhe këta ikin nëpër shtëpia, këta të koncertit. I kanë sjellë të shkretët nga Fieri, njësoj si ai plaku i ndjeri Albert Vërria, njësoj si ai, i ka sjellë nga Fieri për të bërë atë skapamenton. Edhe ata të shkojnë nëpër shtëpia dhe nuk ka këtu asnjë problem. Këtu nuk është populli në protestë. Këtu janë 4 veta, katër njerëz, me emër dhe me mbiemër. Dy i patë, me emër dhe me mbiemër në deklaratën publike të Shteteve të Bashkuara, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Dy të tjerë, nuk ka nevojë t’jua thonë Shtetet e Bashkuara, njërin e dini, plakun, se ka 30 vjet që këtë punë ka bërë, dhe pas 30 vjetësh kërkon të vazhdojë ta bëjë këtë punë dhe i gënjen mendja se dikur i ka marrë socialistët përpara dhe mund ta bëjë prapë, por ajo kohë ka vdekur dhe socialistët, progresistët, popullin shqiptar, jo që nuk e merr dot përpara, por të jeni të sigurt se më gjumë në sy nuk vë dot që kur morëm në dorë me vendosmëri të çojmë përpara atë, të cilët ai i trembet si djalli temjanit, reformën në drejtësi dhe tjetri, i katërti, doli vetë, siç del zakonisht në këto raste, me zë dhe me figurë dhe bëri gjithë atë shfaqje për të ardhur keq. A mund të ma thoni, çfarë borxhi ka populli shqiptar? Çfarë borxhi i kanë socialistët dhe progresistët një njeriu që pa mbushur 50 vjeç është bërë kryeministër, është bërë Kryetar i Parlamentit, është bërë dhe President i Republikës dhe prapë nuk e zë vendi pa futur shkopinj në rrota e pa hedhur gurin dhe fshehur dorën dhe më në fund doli vetë edhe gur, edhe dorë.

E fundit që kam, është për këta të koncertit të vitit ’36 dhe për të gjithë ata që nuk e njohin ligjin. Këtyre jua falim, kanë ardhur nga Fieri, do mbarojnë punë, do marrin në telefon, do thonë ne e bëmë tonën dhe do shkojnë nëpër shtëpia por në 30 qershor, ligji thotë, se kush guxon të preki zgjedhjet, paguan shtrenjtë, ashtu sikundër kush del kështu, edhe drejt 30 qershorit për të penguar aktivitetin e subjekteve zgjedhore, paguan shtrenjtë.

Natyrisht, deri tani janë dhjetëra e dhjetëra që po paguajnë, se vajtën pas berihait, morën molotovët, i ranë me kokë derës së kryeministrisë, sot nuk flenë më nëpër shtëpia ndërkohë që këta të katërt dhe të tjerët rreth tyre vazhdojnë flenë nëpër shtëpia. Bravo u qoftë që gjejnë budallenj, që sakrifikohen për hallin e këtyre, por një gjë është mirë ta dëgjojnë të gjithë. Këtë herë, në këto zgjedhje, kush do shkojë ti bjeri murit me kokë, jo vetëm që do paguajë me heqje lirie, por kur të dali nga brenda, nuk do dali dot më jashtë, nuk do shkeli dot më në Itali, nuk do shkeli dot më në Greqi, nuk do shkeli më dot askund në Europë për gjithë jetën. Tani a ia vlen kjo? Dhe për çfarë? Se këta të shkretët janë në të drejtën e tyre. Nuk e duan Partinë Socialiste, nuk e shohin dot me sy qeverinë, duan që unë të iki një orë e më parë, nuk jua plotësoj dot dëshirën, jo sepse e kam personale, por sepse ne jemi krijuar dhe jetojmë për të ikur përpara, jo për t’u kthyer mbrapa.

Tani, këshilla ime për të gjithë çunat e Lushnjës, këtu pak ka, por të Fierit ka ca, andej nga Laçi, nga Shkodra, është “mos, mos, mos”. Mos se do jetë vonë pastaj.

Nuk keni ju llogari të hapura me drejtësinë. Këta që duan t’ju përdorin kanë dhe në fund të fundit ka dhe një gjë tjetër. Nëse doni që të keni një Parti Demokratike më të fortë, ne po ju ndihmojmë. Po ju ndihmojmë që të hiqni këta se me këta, jo kaq sa bëjmë, por edhe sikur shumë më pak të bënim, do ishim këtu prapë.

Miqtë e mi, nuk dua të kujtoj më të tjera gjëra nga koha e shkuar. Lushnja ka dhënë shembuj dhe ka shumë për t’ju kujtuar të gjithë atyre që mund të mendojnë se mund të bëjnë këtu çfarë të duan. Kini besim dhe jini të vendosur, 30 qershori është i popullit. 30 qershori është i juaji. 30 qershori është një e drejtë e fituar që as nuk negociohet, as nuk mohohet dhe as nuk pengohet.

Ata bërtasin nga frika dhe këta që i sjellin aty tek cepi i sjellin nga frika. I bërtasin frikës së tyre. E kanë shumë të madhe frikën dhe nuk kanë faj sepse kanë bërë shumë për të pasur frikë, ama nga frika e tyre do treten. Do të shikoni tespihet e plakut se si do shpërndahen pas 30 qershorit. Ato koka boshe që morën përsipër ta çojnë Partinë Demokratike pas berihait si udhëheqje e që ky i ka si kokrrat e tespiheve që kërkon t’i bëjë lak në fytin e Shqipërisë do shpërndahen pas 30 qershorit dhe do hanë njëra-tjetrën. Do shikoni se si pas 30 qershorit do jetë një Shqipëri tjetër ku, kush do guxojë ta çojë nëpërmend se do vazhdojë të tallet me popullin, me Kushtetutën, me ligjin e do mund të vazhdojë të përdori mandatet e popullit, jo i dogja, jo i poqa, jo dola, jo hyra, jo vetëm që nuk do fitojë më kurrë asgjë, por as ka për t’i hyrë më atij muhabeti se në 30 qershor do ndahet përfundimisht që kush bën këtë është non grata.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm