FatmirXhafaj-701x502

Nëse Vettingu nuk kryhet në kohë, pasoja në KLGJ e KLP

Siç është bërë e njohur, Kuvendi në seancën e djeshme ka vendosur kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të  kandiduar për institucionet e rivlerësimit, përsëri tek Avokati i Popullit, me dy qëllime: për riplotësim të dokumentacionit për kandidatët që tashmë janë në listën e kandidatëve që do të vlerësohen për këto institucione dhe rihapjen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga aplikantë të rinj për pozicionet e tre niveleve të strukturave të Vettingut.

Cilat janë rrethanat dhe shkaqet që e çuan Kuvendin në këtë vendimmarrje?

Paraqitja e një dokumentacioni të shumtë nga një numër i madh aplikantësh, si edhe periudha 7-ditore brenda së cilës Avokati i Popullit duhej të përfundonte procesin, jo pak por për rreth 191 kandidatë, dhe të nxirrte listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale. Ne gjykojmë se ka krijuar disa vështirësi, ndoshta pamundësi për të përmbushur me shumë rigorozitet të gjitha rregullimet që parashikohen në kushtetutë, në ligjin kuadër që rregullon procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe në veçanti në Kodin e Procedurave Administrative.

ONM, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në rekomandimin që ka paraqitur lidhur me vlerësimin  që i ka bërë këtij procesi dhe listës së kandidatëve, ka pranuar se komisioni i ngritur pranë Avokatit të Popullit, thuhet, ishte i detyruar të kontrollonte aplikimet përkundrejt kritereve shumë të rrepta, duke ndjekur një qasje të natyrës thjesht formale. Kriteret shumë të rrepta ligjore mund të zbuteshin, thotë rekomandimi, nga një qasje e arsyeshme e ndjekur nga ky komision. ONM e mbështeti këtë qasje mbi arsyetimin se kriteret e vendosura përmes njohjes së vetëdeklarimeve, nëse ishte e përshtatshme, mund të ndiqeshin. Nga 164 aplikantë në listën “b”, 85, pra në listën që nuk plotësojnë kriteret formale të paraqitur nga Avokati i Popullit, sipas ONM-së 85 rezultojnë të vlerësuar me rekomandim negativ dhe 79 nuk vlerësohen me rekomandim nga ONM-ja, por që janë të mundshëm për të qenë në  listën e personave që plotësojnë kriteret formale. Duke theksuar rekomandimin, shprehimisht se një numër i madh i aplikantëve në grupin e fundit, pra në grupin e këtyre 79-ve që vlerësohen pozitivisht, duhet të kenë të paktën në dokumente përvojë të përshtatshme profesionale, por ata nuk paraqitën vetëm disa nga certifikatat e nevojshme, theksohet në rekomandimin e ONM-së. Komisioni kompetent at hoc parlamentar mund të dëshirojë të marrë në shqyrtim  këtë proces.

Procesi i zhvilluar nga Avokati i Popullit është një  procedurë e mirëfilltë administrative. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Dhe Kodi i Procedurave Administrative, si një  ligj i rëndësishëm për këtë proces, ka parashikuar rregulla të shumta të cilat për shkak të kohës së kufizuar por edhe numrit të madh të aplikantëve, rezultojnë jo të zbatuara plotësisht.

Pas shpalljes së listës nga Avokati i Popullit dhe deri më sot, pranë institucionit të Avokatit të Popullit, pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por edhe pranë Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, janë paraqitur ankesa të shumta nga kandidatët që nuk janë përfshirë në listën e personave  që plotësojnë  kriteret formale lidhur me procedurën  e ndjekur dhe kryesisht me pamundësinë objektive që aplikantët kanë pasur për paraqitjen në kohë të të gjithë dokumentacionit përkatës. Një fakt të tillë e pranon edhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në rekomandimin zyrtar të tij.

Kodi i Procedurave Administrative nuk e ka mbyllur mundësinë për një rihapje të një procesi të mbyllur administrativ, përkundrazi, ashtu si në rregullat procedurale të gjykimit civil dhe penal, edhe në procedurat administrative njihet rishikimi i një veprimi administrativ. Sipas nenit 144 të këtij  kodi, rishikimi  është mjeti ligjor administrativ me anë të së cilit kërkohet anulimi apo ndryshimi i një akti administrativ, kundër të cilit ankimi nuk është më i pranueshëm për shkak të kalimit të afatit të parashikuar nga ky kod.

Të gjitha rrethanat e reja të krijuara apo provat e reja me shkresë, të cilat evidentohen si në ankesa ose dokumentacionin që kanë paraqitur aplikantët pranë Avokatit të Popullit, ashtu edhe në vlerësimin e vëzhguesve ndërkombëtar, siç citova më sipër, të cilët nuk kanë dhënë rekomandim negativ për 79 kandidatë, përkundrazi, por kanë vlerësuar mundësinë e tyre potenciale për t’u përfshirë në listat e atyre që plotësojnë kriteret formale për vlerësim më pas në procesin për të përzgjedhur, imponuan aplikimin e rishikimit edhe në respektim të parashikimeve ligjore të Kodit të Procedurave Administrative.

Në një situatë të tillë, përderisa ONM, pra Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ekspertët, vëzhguesit ndërkombëtarë pranuan se numri i madh i aplikantëve dhe i dokumentacionit të paraqitur prej tyre e ka vënë në vështirësi institucionin e Avokatit të Popullit, që brenda një afati shumë të shkurtër të arrijë të evidentojë me objektivitetin e plotë të gjithë listën  e kandidatëve që plotësojnë  kriteret formale. Meqenëse është konfirmuar edhe nga ONM se nga verifikimi i plotë i dokumentacionit për 164 aplikantët e mbetur, 79 prej tyre vlerësohen si kandidatë potencialë për t’u përfshirë në listën për votim nga Kuvendi. Duke vlerësuar rolin e institucionit të Avokatit të Popullit në këtë proces administrativ të zhvilluar prej tij në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga Kodi i Procedurave Administrative, me synimin që po ky institucion të kryejë me rigorozitet, sipas rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të gjitha fazat që procesi administrativ të konsiderohet i përmbyllur ligjërisht dhe cilësisht, duke evituar kështu edhe implikimin politik të Kuvendit në këtë proces tërësisht të natyrës administrative dhe me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, për të përmbyllur me sukses procesin e ngritjes së komisioneve parlamentare për verifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për organet e Vettingut. Që të jenë në lartësinë e funksionit të tij për të garantuar një proces të drejtë, transparent, objektiv dhe të besueshëm para publikut, Kuvendi vendosi rihapjen e procesit të vlerësimit të kandidatëve që nuk ishin përfshirë në listën që plotësonte kriteret formale për institucionet e rivlerësimit për riplotësim të dokumentacionit prej tyre, si dhe rihapjen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga aplikantët e rinj për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit.

Ky vendim i Kuvendit të Shqipërisë i marrë në seancën e djeshme plenare synon t’i japë këtij procesi, së pari, ligjshmëri në çdo hap të këtij procesi të rëndësishëm; së dyti, transparencë maksimale në të gjitha fazat e tij; së treti, barazi, përfshirje të të gjithë aplikantëve potencialë për kandidatë në strukturat e Vettingut; së katërti, konkurencë reale të kandidatëve konkurues në këtë proces dhe, së pesti, mundësi përzgjedhjeje sa më të mirë për shprehjen reale të vullnetit politik dhe institucional nga ligjvënësit në fazat e mëtejshme që atyre u njeh detyrim kushtetuta dhe ligji. Kjo e gjitha me synimin për të pasur një përzgjedhje që garanton cilësi sa më të lartë në përbërjen e komisioneve të Vettingut, roli i të cilëve mbetet thelbësor për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Jam i hapur për pyetjet tuaja.

Zoti Xhafaj, në sajë të këtyre procedurave i bie që Vettingu do të nisë të zbatohet pas zgjedhjeve në qoftë se zbatohen të gjitha afatet ligjore?

Më falni, nëse zgjedhjet janë pas dy javësh, i bie pas zgjedhjeve. Unë nuk di që zgjedhjet të jenë pas dy javësh.

Për ta sqaruar pak, cilat do të jenë afatet që do të respektohen?

Afatet i ka bërë të qarta Kuvendi: shtatë ditë nga dita e paraqitjes së dosjeve pranë Avokatit të Popullit hapet procesi dhe të gjithë ata aplikantë që kanë disa, siç thuhet edhe në rekomandimin e ONM-së, certifikata ose disa dokumente të paplotësuara apo jo të sjella në formën e kërkuar nga ligji, pra në qoftë se është kërkuar një gjë e noterizuar dhe nuk është e noterizuar, ata kanë mundësi që në harkun e shtatë ditëve ta çojnë të noterizuar dhe të mbetet për t’u vlerësuar pastaj nga Avokati i Popullit në një afat të arsyeshëm dhe nga ONM-ja për t’ia kaluar pastaj Kuvendit. E gjitha kjo në vlerësimin tim mund të mbarojë në një afat dyjavor, nëse ecet me ritme normale.

A mund të bëj një pyetje, në qoftë se është e mundur?

Unë jam këtu vetëm për pyetje, por do të preferoja të kishit mundësi, se e shoh që keni të gjithë pyetje që t’ju respektoj, secilit. Por, meqenëse kolegët ju lënë të bëni dy pyetje…

Pyetja e parë: Çfarë do të ndodhë me institucionet aktuale të drejtësisë, organin e akuzës, Këshillin e Lartë i Drejtësisë që po u mbaron mandati dhe Reforma në Drejtësi ka mbetur në vend? A duhet t’i jepte këto argumentime apo justifikime Komisioni i Verifikimit, që duhet të ishte ngritur mbrëmë në bazë të agjendës së thirrur nga Kryetari i Kuvendit dhe kërkesës që ai u kishte adresuar kryetarëve të grupeve parlamentare për të propozuar tre kandidatë për komisionin e parë, atë të verifikimit?

Faleminderit! Po e filloj nga kjo e dyta, meqenëse lidhet edhe me arsyen për të cilën unë kam dalë para jush në këtë bashkëbisedim. Nëse do të ngrihej Komisioni i Verifikimit, do të konsideronim që kishte filluar procesi i shqyrtimit nga Kuvendi; dhe meqenëse ne e konsiderojmë që ka nevojë që faza e këtij procesi, që është procesi i natyrës administrative, të përmbyllej në këtë vlerësim, duke respektuar edhe rekomandimet e ONM-së, por duke respektuar edhe kërkesat që ka ligji dhe Kodi i Procedurave Administrative u çmua e arsyeshme që të mbyllej ky proces dhe pas këtij procesi të vazhdohet me hapat që i përkasin Kuvendit, sipas Kushtetutës dhe ligjit.  Në këtë moment nuk mund të ketë më kthim pas, por procesi do të vazhdojë në Kuvend sipas kërkesave që parashikon ligji. Lidhur me Reformën në Drejtësi unë ndaj të njëjtin shqetësim me ju, që buron nga pyetja juaj që nëse procesi i Vettingut nuk do të kryhet në kohë, do të krijonte pasoja të drejtpërdrejta për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja qeverisëse të sistemit të drejtësisë, e kam fjalën këtu për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për shkak se organet aktuale që i kryejnë këto funksione kanë një afat të limituar nga Kushtetuta. Kjo është arsyeja që konsiderohet tejet i rëndësishëm procesi i Vettingut, edhe për shkak të rëndësisë që ai ka në vetvete si një proces që do të bëjë skanimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të republikës lidhur me mundësinë e tyre për ushtrimin e mëtejshëm të këtij funksioni, të funksioneve të tyre në dhënien e drejtësisë, por edhe për shkak të rëndësisë që ka kjo fazë e procesit për fazat e mëtejshme të Reformës në Drejtësi. Unë shpresoj që procesi i Vettingut të ecë normalisht dhe t’u hapet rruga shumë shpejt strukturave të reja qeverisëse të gjyqësorit dhe të prokurorisë, procesi për ngritjen e të cilave, siç jeni në dijeni, ka filluar dhe është në fazën e vlerësimit të kandidaturave sipas parashikimeve të ligjit përkatës.

Vendimi i Kuvendit dje pati edhe disa argumente kundër. Ju folët për dhënien e mundësisë të barazisë të kandidatëve, por ndërkohë ka edhe një argument që është i pabarabartë, pasi disa kandidatë kanë më shumë kohë se disa të tjerë për të paraqitur dokumentet e tyre. Pra doja një përgjigje tuajën për këtë. A është ky kalim kompetencash nga komisioni ad hoc me 6 anëtarë tek Avokati i Popullit dhe vendimi i Kuvendit mbi cilën bazë ligjore i shtyn palët?

E para, kompetencat e komisionit ad hoc nuk janë kompetenca të natyrës administrative, janë kompetenca që i parasheh ligji, nuk janë kompetenca të verifikimit ose të plotësimit të dosjeve apo të plotësimit të kritereve formale në vetvete, pra të përgatitjes së aplikantëve, por janë kompetenca të vlerësimit të kandidatëve. Këtë kompetencë të vlerësimit komisioni ad hoc, i cili ende nuk është krijuar, nuk mundet t’ia kalojë një organi tjetër, aq më pak Avokatit të Popullit që nuk e parasheh ligji për një funksion të tillë.

Për sa i përket pyetjes tjetër: A janë në pabarazi? Përkundrazi, ne kërkojmë të vendosim barazi të të gjithë atyre që kanë dashur të aplikojnë, por për arsye të kohës së shkurtër, distancës, sepse ju e dini që një pjesë mund të jenë edhe jashtë shtetit dhe kanë aplikuar, një pjesë e mirë e kandidatëve është një shifër shumë e lartë, janë djem dhe vajza, burra dhe gra që janë jashtë shtetit, janë duke punuar, duke u shkolluar apo duke u kualifikuar jashtë shtetit dhe kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e këtyre proceseve. Koha e shkurtër, – një pjesë e tyre të paktën sa jam unë në dijeni nga ankesat ose më saktë nga pretendimet që ata kanë sjellë, – nuk i ka mundësuar ata për të plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme. Kjo rihapje u jep mundësinë edhe këtyre që t’i sjellin dokumentet, se i kanë pothuajse gati, dhe u jep mundësinë edhe atyre që kanë një dokument jo në formën e kërkuar nga ligji, e cila mund të ketë shkak për t’i eliminuar apo që u ka munguar një dokument i plotë, që gjithashtu mund të ketë qenë shkak për t’i eliminuar, t’i plotësojnë në harkun e 7 ditëve.  Pra është një mundësi e re, pikërisht për të garantuar barazueshmëri dhe konkurencë të të gjithëve në këtë proces.

Zoti Xhafaj, komisioni ad hoc. Pas të gjitha procedurave që mund të ndiqte Avokati i Popullit, vlerësimin, rivlerësimin tek ONM-ja të kandidatëve të rinj, gjithësesi ky komision nuk mund të ngrihet pa pjesëmarrjen dhe kandidaturat e opozitës, të cilat ia njeh ligji dhe kushtetuta. Përveçse kryetar i Komisionit të Ligjeve ju jeni edhe politikan, a mendoni se do të nisin…

Unë se jam politikan, jam kryetar i Komisionit të Ligjeve.

A mendoni se është e udhës të nisin negociatën me opozitën, në mënyrë që ajo t’i rikthehet procesit për ngritjen e këtyre komisioneve?

Së pari, më duhet të them që kushtetuta është vullnet i sovranit dhe vullneti i sovranit popull i mëshiruar në Kushtetutë dhe në interesin e lartë të popullit për Reformën në Drejtësi nuk diskutohet, ai vetëm zbatohet. Unë mendoj që nuk mund të negociohet zbatimi i kushtetutës as brenda mazhorancës, as brenda opozitës dhe as midis mazhorancës dhe opozitës. Për më tepër që edhe sikur të mos e kishin votuar, ata kanë detyrimin të respektojnë kushtetutën e vendit të tyre, sepse janë parti kushtetuese, por për më tepër që këto forca politike, të gjitha kanë votuar aneksin kushtetues që parashikon rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra Vettingun. Ligji përkatës është dërguar edhe në Kushtetuese për gjykim kushtetues, është dërguar edhe në Venecia për një opinion të ri të Komisionit të Venecias dhe e ka kaluar pozitivisht gjithë këtë test, që do të thotë se normat kushtetuese të mëshiruara në aneksin e Kushtetutës lidhur me procesin e vetingut dhe ligji i vetingut që ka kaluar provën dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese pas kësaj kanë vetëm një gjë: të zbatohen.

Xhafaj, ju përmendët Kodin e Procedurës Administrative, por nuk përmendët kushtetutën gjatë shpjegimit për vendimin e djeshëm. Doja t’ju pyesja, sa e respekton kushtetutën vendimi i djeshëm? Gjithashtu, ne kemi mësuar se gjatë bisedimeve brenda mazhorancës dje ka qarkulluar në tryezë edhe ideja për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një interpretim. Nuk e di nëse mund të na e shpjegoni se përse nuk u ndoq ky opsion? E dyta, brenda interpretimeve kushtetuese nëse Partia Demokratike, opozita nuk vjen në parlament, a mendoni se ka hapësira kushtetuta për të gjetur një rrugë, një zhbllokim nëse mund ta quajmë të tillë?

Po, përgjigjen e dhashë pak më lart. Mund të jetë jo shumë e qartë për ju, por besoj se kjo është përgjigjja ime: Kushtetuta është bërë për t’u zbatuar, sepse është vullnet i popullit.  Për sa i përket kushtetutshmërisë së aktit, më duhet të them se nuk ka asnjë cënim të pozitës kushtetuese të Avokatit të Popullit, të rolit që kushtetuta i ka dhënë këtij institucioni në këtë fazë.  Kushtetuta nuk është një dokument i cili përcakton në detaje mënyrën se si veprojnë organet në zbatimin e normave të saj. Edhe Kuvendi, kur t’i vijë radha, do të zbatojë Kushtetutë;  detyrimin që i ka dhënë Kushtetuta, për aq sa është e mundur sipas Rregullores së Kuvendit. Pra edhe te rasti i funksionimit të komisioneve ad hoc për ngritjen, formimin dhe funksionimin e tyre do të jemi të detyruar t’i referohemi Rregullores, sepse rregullat që ka Rregullorja nuk mund t’i ngrinim në nivel kushtetues. Edhe në këtë rast, ky është një proces administrativ dhe ky kthim është bërë për këtë aspekt të këtij procesi dhe jo për aspektin kushtetues. Nëse do t’ia hiqnim këtë rol Avokatit të Popullit dhe do t’ia jepnim një institucioni tjetër, në këtë fazë të procesit do të thoshim se kemi një devijim nga norma dhe nga detyrimi kushtetues, por po flasim për një proces administrativ për një procedurë administrative të një organi, që me këtë funksion, me këtë proces ka këtë funksion administrativ. Për sa i përket çështjes së burimeve tuaj të jashtme dhe të brendshme, është e drejta juaj si media dhe respektoj gjithmonë atë. Unë po flas për thelbin e pyetjes dhe jo për formën se nga ju ka ardhur juve burimi dhe cili është burimi juaj, por për faktin a mund të shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe sikur të duam, kjo do të ishte gjëja më antikushtetuese në këto momente, sepse nuk e pranon kushtetuta dhe ligji i Gjykatës Kushtetuese për të bërë një kërkesë të tillë. Një kërkesë e tillë do të ishte jokushtetuese dhe e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, sepse askush nuk legjitimohet për ta bërë një kërkesë të  tillë.

Xhafaj, para disa ditësh opozita iu përgjigj kushteve që kishte vendosur mazhoranca për të dialoguar në lidhje me kërkesat që opozita ka bërë edhe për të kapërcyer situatën e krijuar. Kushti i fundit në përgjigje të opozitës ishte respektimi i Reformës në Drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të datës 22 korrik. Kur opozita e thotë këtë gjë, do të thotë se gjatë kësaj kohe ka pasur devijime sipas gjykimit tuaj në zbatimin e  Kushtetutës për Reformën në Drejtësi, sepse lidhet edhe me procesin që kreu dje vetë Kuvendi?

Tani duhet të pyesni opozitën: a ka lexim tjetër të kushtetutës nga ai që duhet të kemi të gjithë bashkë, apo jo? Nëse bëhet fjalë për procesin e Vettingut, dhe po qëndroj te ky proces, atëherë procesi i Vettingut është i shprehur qartë me një sërë normash kushtetuese në aneksin kushtetues. Kjo është shumë e qartë për ju dhe për të gjithë, jo vetëm për profesionistët por edhe për publikun e gjerë, fakti që procesi i Vettingut është i shprehur në një sërë normash kushtetuese. Ky ka qenë qëllimi që u ndërtua një aneks i posaçëm në kushtetutë për Vettingun,  sepse, na ruajt Zoti, sikur të kishim vënë vetëm një nen në kushtetutë dhe sot, mot dhe për 20 vjet me këtë se çfarë po ndodh, nuk do të kishte proces Vettingu në Shqipëri. Fati deshi, vizioni ka qenë i qartë, por edhe mbështetja e Venecias ka qenë gjithashtu shumë e qartë në faktin se ishte e nevojshme, e justifikueshme vërtetimi i një aneksi të posaçëm në kushtetutë për këtë proces, për të pasur një proces më të qartë, për të pasur një proces sa më të besueshëm dhe sa më të qëndrueshëm në kohë. Është një përjashtim nga rregullat normale të shkrimit të një kushtetute fakti që është vënë një aneks, sepse është vënë pikërisht për të mbrojtur kushtetutshmërinë në këtë proces, i cili është i qartë në normat kushtetuese.

Ligji i Vettingut e sqaroi më tej në detaje mënyrën se si do të procedohet për këto norma kushtetuese. Ky ligj iu nënshtrua një gjykimi kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, e cila e gjeti edhe në mbështetje të opinionit të Komisionit të Venecias, në përputhje me normën kushtetuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për këtë rregullim të veçantë dhe tejet të rëndësishëm. Nga ky moment nuk mund të ketë gjë tjetër veçse zbatim të kushtetutës dhe të ligjit të dalë në bazë dhe për zbatim të kushtetutës, dhe të gjetur nga Gjykata Kushtetuese si i pajtueshëm me normat kushtetuese. Kështu, edhe nëse mazhoranca apo opozita do të donin ta ndryshonin këtë gjë, nuk do të mund ta bënin dot për sa kohë që ky ligj e ka kaluar një test të gjykimit kushtetues dhe nuk ka hall tjetër veçse të  zbatohet. Gjykimet pastaj dhe përdorimi që i bëhet kësaj, në funksion të nevojave dhe qasjeve të ndryshme që kemi në këtë proces ne dhe opozita, në funksion të qëllimeve elektorale – kjo është një gjë krejt tjetër dhe nuk ka lidhje as me Kushtetutën, as me ligjin e Vettingut dhe as me qëllimin dhe dëshirën e mirë të njerëzve për domosdoshmërinë e kryerjes së këtij procesi.

Natyrisht, secila palë do të bëjë zgjedhjen e vet, por në vlerësimin tim të flasësh, të mos votosh sot për ngritjen e komisioneve apo të pengosh procesin e Vettingut do të thotë të pengosh zbatimin e kushtetutës së vendit tënd, do të thotë t’i biesh ndesh vullnetit dhe interesit të lartë të shqiptarëve për Reformën në Drejtësi dhe posaçërisht për Vettingun.

Xhafaj, ju përsërisni vazhdimisht “zbatohet, zbatohet”. Çfarë ndodh nëse nuk do të zbatohet? Për këtë vazhdojmë të pyesim të gjithë.

Së pari, unë besoj se do të zbatohet dhe të presim kur të vijnë hapat e radhës që të japim gjykimin e radhës; jemi në këtë fazë të procesit. Unë besoj se do të zbatohet, por, e thashë, për forcat politike të cilat nuk do të përfshihen në këtë natyrisht do të ketë një gjykim popullor dhe gjykimi, ju e dini, që jepet më 18 qershor.

Një rishikim të mundshëm të ligjit në qoftë se opozita vazhdon të bojkotojë, për aq kohë sa nuk keni një mekanizëm zhbllokues?

Më fal, unë sapo fola dhe thashë se është kushtetuta; dhe ligji është në përputhje me kushtetutën. Ju thoni “ndrysho Kushtetutën, ndrysho ligjin”, një ligj që ka marrë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbështetjen e Komisionit të Venecias.

Xhafaj, pse nuk e rikthyet edhe një herë procesin te Presidenti, por e kaluat sërish tek Avokati i Popullit?

Ju këshilloj të hapni kushtetutën dhe ligjin për Vettingun! Kushtetuta ka parashikuar se kur funksionet nuk i ushtron Presidenti, dhe Presidenti nuk i ushtroi jo një herë por dy herë, procesi i kalon Avokatit të Popullit. Ky proces është në kryerje nga Avokati i Popullit, nuk është proces që nis nga e para. Pra është një proces për plotësim, jo një proces nga e para, që t’i kalonte Presidentit të Republikës.

Pra nuk e kemi Vettingun në pikën zero, le të themi në këto momente?

Vettingu ka filluar. Procesi ka filluar, është bërë hapi i parë. Ne sot kemi 191 aplikantë, kemi 29 kandidatë të mundshëm sipas Avokatit të Popullit, të cilët plotësojnë kriteret formale; kemi edhe 79 që e kanë kaluar testin e vlerësimit dhe presim që me plotësimin e dokumentacioneve të nevojshme, një pjesë apo të gjithë këta të jenë kandidatë të mundshëm për të kaluar në fazën tjetër, që është ngritja e komisioneve të Vettingut.

Zoti Xhafaj, opozita ka vendosur të mos i sjellë tre anëtarët e saj në Komisionin e Verifikimit, që është pika e parë e fillimit konkret të procesit të Vettingut nga institucioni ligjvënës, Parlamenti i Shqipërisë. Në seancën e radhës së jashtëzakonshme për ngritjen e Komisionit të Verifikimit, ju do ta kryeni këtë proces? Pra do ta krijoni Komisionin e Verifikimit për t’i hapur rrugë hapave të tjerë?Çfarë pasojash do të ketë kjo për institucionet, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë? Dua të di pasojat konkrete.

Gjithsesi, po ju them se ju e dini që dje në rendin e ditës ishte ngritja e komisionit, apo jo? Kjo, meqenëse kishte një ndryshim për rendin e ditës, nuk u zbatua sepse u vendos rihapja apo riplotësimi i dokumenteve nga aplikantët. Pa dyshim, ky rend dite nuk u përjashtua. Ky rend dite besoj se do të jetë në seancën e ardhshme të Kuvendit. Pra, një nga pikat e rendit të ditës të seancës së posaçme që do të ketë Kuvendi pas paraqitjes së dokumentacionit të ri të sjellë nga Avokati i Popullit, do të jenë pikërisht këto dy gjëra që ishin parashikuar për dje: miratimi i vendimit për rregulloren e funksionimit të komisioneve që ngre Kuvendi për përzgjedhjen e strukturave të Vettingut dhe, e dyta, paraqitja dhe miratimi i kandidaturave nga grupet parlamentare të shumicës së mazhorancës dhe të opozitës për ngritjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidaturave, si komisioni i parë ad hoc që ngrihet nga Kuvendi. Besoj se Kuvendi do ta ushtrojë detyrën e vet me përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore.

Konferenca e kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Famir Xhafaj