Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Nis formalisht sezoni i ri politik me mbledhjen e grupit parlamentar

Të reja

Nis formalisht sezoni i ri politik me mbledhjen e grupit parlamentar

08 Sep 2017    

Mirëdita të gjithëve!

Urime edhe njëherë dhe faqebardhë në punën që rinis zyrtarisht nesër për disa këtu, apo që nis rishtas për disa të tjerë në këtë grup të ri parlamentar që i ka të gjitha çka duhen për t’ia dalë me sukses. Unë personalisht ndihem shumë mirë me kapacitetet, me eksperiencën dhe me energjitë e reja të këtij grupi dhe jam shpresëplotë se pjesa me përvojë e grupit do të jetë një mbështetje e sigurtë për ata që kanë ardhur rishtazi dhe që nesër do të shkelin për herë të parë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Jam i bindur po ashtu se në atë sallë do të nisë një kapitull i ri i jetës parlamentare me zgjedhjen e Gramozit në krye të Kuvendit. Dua që ta nënvizoj shumë qartë për të gjithë ata që na dëgjojnë, se Gramozi nuk është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë se është shoku ynë, por është shoku ynë sepse është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë.

Lejomëni që edhe në emrin e të gjithëve ju dhe të të gjithë atyre që na votuan në 25 qershor t’iu them konkurrentëve tanë demokratë se, nëse nuk e votojnë Gramozin nesër gabojnë një herë, sepse refuzojnë deputetin me eksperiencën më të gjatë parlamentare, por duke e shënjestruar me topat e politikës së baltës gabojnë 100 herë, sepse refuzojnë të kuptojnë që Shqipërisë as nuk i duhet dhe shqiptarët e shpërfillin lojën me topa balte mes politikanëve, sepse duan shtetin, punën dhe mirëqenien e tyre, që natyrisht nuk vijnë si rezultat i kësaj loje.

Sidoqoftë, nesër ne do ta konfirmojmë me votën e shumicës së 25 qershorit kandidaturën e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe jemi besimplotë se në katër vitet që vijnë drejtimi i Kuvendit do të jetë shembullor në respekt të çdo deputeti, të çdo grupi parlamentar dhe të çdo pike të Rregullores të miratuar me konsensus mes palëve.  

Fillimjavën e ardhshme do të paraqesim në Kuvend qeverinë e re dhe programin e saj. Më pas do të zgjedhim edhe ekipin drejtues të këtij grupi parlamentar, si dhe kryetarët e komisioneve parlamentare. Ndërkohë, së bashku me kryetarin e ri të grupit si dhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare kemi hartuar tekstin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes qeverisë, grupit parlamentar dhe partisë, që do të nënshkruhet pas zgjedhjes së drejtuesve të grupit dhe të komisioneve parlamentare në prani të të gjithë grupit parlamentar nga përfaqësuesit e grupit, anëtarët e qeverisë dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, në emër të Partisë Socialiste.

Natyrisht që puna e grupit fillon zyrtarisht nesër me seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë, por do të vazhdojë intensivisht, jo vetëm në Kuvend, por edhe në terren ku skuadrat e deputetëve do të jenë të pranishme, siç e kemi folur edhe më parë, për të vijuar komunikimin dhe ndërveprimin me zgjedhësit.

Është me shumë rëndësi të nënvizohet se disiplina e grupit dhe e qeverisë janë faktorë kyç në këtë legjislaturë, ashtu sikundër janë edhe një shprehi elementare dhe e domosdoshme e vullnetit për të qenë deri në fund seriozë, jo vetëm në raport me detyrimet ndaj zgjedhësve, por edhe në funksion të ndërtimit të të gjithë procesit të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.

Nuk dua të zgjatem më tutje, natyrisht që ka plot gjëra të tjera për të thënë dhe për të vendosur së bashku në të gjithë planin e punës së përbashkët të grupit, të qeverisë dhe të partisë në vijim dhe duke filluar, siç e kam thënë edhe në Asamble, me paraqitjen para grupit të planeve të të gjitha ministrive, të cilat do të jenë në të njëjtën kohë edhe baza e kontratës së çdo ministri dhe baza mbi të cilën deputetët do të monitorojnë punën e qeverisë në çdo sektor.

Uroj t'ia dalim në këtë përpjekje të re që siç e thashë nis zyrtarisht nesër në seancën inauguruese të Kuvendit të ri.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm