18446949_10154756717926523_1045244516194975366_n

Një shtet i lirë dhe i drejtë është ai shtet i cili bën ligje të drejta

Pjesë nga fjalimi i drejtuesit politik për qarkun e Shkodrës, njëherësh Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati:

Së bashku me ju, së bashku me Edi Ramën, me Partinë Socialiste ne duam të hapim një kapitull të ri. Për më shumë punë, më shumë dinjitet, më shumë mirëqenie, për ju, familjet tuaja, për Shkodrën që duam, për Shqipërinë që duam!

Shkodra për fat të keq i ka provuar të gjitha llojet e eksperimenteve; ka provuar politikën e dasive; ka provuar ndarjet në blloqe betoni. Edhe sot për këtë shesh, për fat të keq, kishte tentativa të politikës së vjetër të dasive; të grave që qeverisin këtë qytet, që për fat të keq tolerancën tonë, qytetarinë tonë e marrin për dobësi. Por Shkodra ka një karakteristikë shumë të fortë: është qyteti që i respekton gratë, është qyteti që e respekton familjen. Ky bulevard ka qenë gjithmonë plot me gra në biçikleta, me gra që shkonin në stadium, me gra që shkonin në Pallat të Sportit. Prandaj është kënaqësia jonë që dhe sot të tregohemi tolerantë për gratë, për familjet e Shkodrës; dhe mos t’i japim shansin askujt që kërkon të qeverisë e të sundojë Shkodrën me metodat e politikës së vjetër, me dasitë e zakonshme që në fakt e kanë lënë mbrapa Shkodrën, mbas qyteteve që do duhet të renditej.

Motra dhe vëllezër, teksa po vija këtu m’u kujtua një nga shprehjet e famshme të një djali shkodran siç ishte Luigj Gurakuqi, i cili kur i fliste djalnisë shkodrane i thoshte: “Një shtet i lirë dhe i drejtë është ai shtet i cili bën ligje të drejta, ligje me dhembshuri për atdheun, ligje të cilat krijojnë simpati për shtresën e vuajtur dhe solidaritet për ata në nevojë”. E pra, sot ne po kërkojmë mbështetjen e Shkodrës për një fillim të ri, për të vazhduar rrugën tonë jo thjesht në procesin e Reformës në Drejtësi, por për të hapur një kapitull të ri të Shqipërisë evropiane, që ulet në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një kapitull të ri për të gjithë ata njerëz që, edhe sot e kësaj dite, ne nuk kemi pasur mundësi që me politikën tonë të ndjejnë ndryshimin; për të gjithë ata njerëz të cilët nuk e kanë luksin të shfaqen dita ditës në televizor si çadra bunker e Partisë Demokratike; por për të gjjthë ata të vuajtur nga sistemi në palcë i korruptuar i drejtësisë. Tek të gjithë ata njerëz që kërkojnë shërbime më të mira në shkolla, në spitale, hipoteka, legalizime, drejtësi; tek të gjithë ju e familjet tuaja që kërkoni një Shkodër më të drejtë, një Shkodër më solidare, një Shkodër më moderne, një Shkodër siç e projektuar rilindasit, një Shkodër siç e projektuan bijtë më të ndritur të kësaj toke, një Shkodër e cila duhet dhe do të jetë krenaria e shqiptarisë.

Prandaj besoj fuqishëm që ka ardhur momenti i artë që ne të shkojmë në çdo cep, në çdo lagje, në çdo sofër, në çdo oborr të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Fushë-Arrëzit, Vaut të Dejës. Jo thjesht për të kërkuar një votë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste; jo thjesht për të kërkuar një votë për Paulin Sterkajn; jo thjesht për të kërkuar një votë për Enidën, për Luan Arushën, për Paulin Lulin, për Teuta Gjenezën, për Vilson Masmalajn, për Fonc Babanin që sot më në fund hoqi kollaren. Por natyrisht edhe një votë të fortë për Majlindën, për Myzin, për Pjetrin dhe për Ledjanën. Falemindërit Velipoja!

Miqtë e mi, motra dhe vëllezër, fjala e fundit që dua të them këtu: Kush përpiqet të vazhdojë politikën e ndasive, në të majtë e në të djathtë, politikën e ndasive mbi baza fetare, mbi baza krahinore, mbi veri-jug siç ka bërë tradicionalisht Sali Berisha, e ka gabim.

Edi Rama ka një plan të qartë për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë që duam, për një shoqëri më të drejtë, më solidare, më të sigurt, sepse siç bëmë me vendosmëri Reformën në Drejtësi dhe të gjitha reformat e tjera, po me kaq vendosmëri, me Edi Ramën Kryeministër, me Partinë Socialiste në qeverisje do të hapim një perspektivë të re për Shkodrën.

Për Shkodrën që duam, për socialistë, demokratë dhe njerëz pa parti! Të gjithë në 18 Qershor!

 

Pjesë nga fjalimi i Sekretares për Rininë, Elisa Spiropali:

Është lumturi shumë e madhe të jesh në Shkodrën e bukurisë, në Shkodrën e qytetarisë! Përshëndetje dhe ju që jeni andej, se jeni shumë!

Zgjedhjet e 18 Qershorit nuk janë zgjedhje të çfarëdoshme; janë zgjedhje kundër atyre që duan të na përçajnë. Kanë 27 vite që i ndajnë njerëzit në komunistë, në anti-komunistë. I ndajnë njerëzit në tanët dhe të atyre, të veriut dhe të jugut. Për ne nuk ka ndarje: Shqipëria është një dhe shqiptarët janë një e të bashkuar. Edi Rama dhe Partia Socialiste e kanë treguar me fakte.

Ata flasin, denigrojnë, fyejnë, shkruajnë për këdo që u del përpara me gjuhën komuniste të asaj kohe, sepse ata nuk njohin metodë tjetër. Ne jo!
Ata flasin për spiunë, shantazhojnë njëri-tjetrin. Por ishte qeveria e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste që kaloi ligjin e dosjeve, për të pastruar vetëdijen shqiptare dhe për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë të drejtë drejt arsyes.
Ata vetëm flasin për shtet dhe për ligjshmëri, apo për Republikën e Re. Republikë e Re me themeluesin e Republikës së Vjetër, që e kanë në çadër dhe po e mbrojnë nga drejtësia, atë dhe ata si ai. Ne u themi: Nuk fshiheni dot! Na dilni përballë, do donim t’ju kishim përballë, se dhe përballë do ju mundnim. Edhe këtu në Shkodër! Edhe më fort!

Ne nuk i ndajmë njerëzit; nuk i ndajmë njerëzit as kur legalizojmë shtëpitë e atyre, që shtëpitë i kanë ndërtuar me mund, me djersë, me gjak për familjet e tyre. Nuk shohim a janë të majtë, a janë të djathtë, por themi janë shqiptarë, meritojnë të kenë shtëpinë e tyre, vendin e tyre. Ju keni dëgjuar: ata në 8 vite legalizuan vetëm prona, vetëm shtëpi, vetëm hotele sepse paguheshin në dorë. Në këto 3 vite e gjysmë janë bërë 130 mijë legalizime të të gjithë shqiptarëve, pronë e tyre më në fund.

Sigurisht kemi bërë shumë për shtetin, për ligjin, për arsimin, për trashëgiminë kulturore. Ju e keni parë këtu edhe Marubin, apo stadiumin dhe të tjera.  Por sigurisht mbetet ende shumë për t’u bërë, sepse ka edhe këtu në Shkodër arsye të plotë për të qenë të pakënaqur. Sigurisht ka papunësi të lartë – mund të ishte bërë më shumë. Ama, ju keni një arsye edhe më të madhe se qytetet e tjera: ju e dini shumë mirë se vota vlen, në 2013 dhe pastaj në 2015. Nëse shkodranët do kishin zgjedhur Partinë Socialiste dhe jo këtë zonjën që drejton bashkinë, Shkodra do ishte ndryshe, gjithçka do ishte ndryshe. Zhvillimi do kishte ardhur dhe këtu me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Po ata kanë zgjedhur ta lënë mënjanë flamurin shqiptar; kanë ngritur flamurin e tyre në çadër dhe thonë ‘kjo është republika jonë’. Le ta mbajnë republikën e tyre, ne kemi republikën e shqiptarëve. Kemi edhe një arsye tjetër madhore. Ata kanë një lider që është fshehur në çadër, një lider frikacak që i fshihet drejtësisë, që i fshihet zgjedhjeve, ne kemi Edi Ramën, i cili me guxim i ka hyrë transformimit të vendit dhe për këtë jemi krenarë.

Sigurisht do punojmë shumë më shumë, ashtu siç punuam për drejtësinë do punojmë më shumë për investime kudo, edhe këtu në Shkodër, për më shumë punësim. Në mënyrë që të kemi më shumë Shkodrën që duam, Malësinë e Madhe që duam, Vaun e Dejës që duam, Shqipërinë që duam. Për shtet, punë dhe mirëqenie!