Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Nuk ka asnjë vonesë në implementimin e Reformës në Drejtësi, afati për kandidaturat është 300 ditë

Të reja

Nuk ka asnjë vonesë në implementimin e Reformës në Drejtësi, afati për kandidaturat është 300 ditë

09 Mar 2017    

U bënë kaq vite këtu në Parlament, nuk mësove që nuk mund të propozohet një projektvendim apo projektligj pa e bazuar në rregulloren e Kuvendit. Je i detyruar ta bazosh në të drejtën që kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka dhënë Kuvendit për të iniciuar vendime apo ligje dhe për ta detyruar që në pikën e parë t’i referohemi Kushtetutës.


Ke 16 vjet në Parlament dhe nuk e mësove minimalisht këtë gjë.


Sa për pjesën tjetër, nuk ka asnjë shkelje kushtetuese. Nuk ka asnjë vonesë në implementimin e reformës. Unë jam i sigurt, dhe ja ku po e them, nëse ne do të kishim miratuar dy vendimet që kishim në agjendën e seancës së jashtëzakonshme, ti sot do ishe çuar këtu e do thoje: kush janë këta që fillojnë një procedurë për përzgjedhjen e kandidatëve kur kandidojnë 21 kandidatë për 28 vende.


Ti vjen i papërgatitur në këtë sallë. Nëse ne bëjmë një gjë, ti sjell një gjë tjetër dhe nëse ne bëjmë një gjë tjetër, ti sjell këtë pjesën tjetër. As që bëhet fjalë, ti do kishe ardhur sot në këtë sallë e do kishe thënë përse këta e bënë vendimin që të zgjidhej.


Është shumë e thjeshtë, nuk mund të ketë zgjidhje. Afatin ti s'e ke kuptuar akoma dhe s'e ke lexuar. I dashur koleg, nuk e ke kuptuar fare: ne kemi një afat që është 300 ditë nga dita e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Po ti s'e ke kuptuar këtë gjë. Ç’të të them unë ty, sepse nuk e ke lexuar fare Reformën në Drejtësi.


Ti maksimumi pi kafe me Shkullakun dhe Bushatin dhe të sjellin ato këtu në sallë duke të thënë paraprakisht se çfarë duhet të thuash. Edhe kur ishe pjesë e jona, përsëri nuk i lexoje.


Përsa i përket këtyre vendimeve që ne kemi marrë, bëj me dije se ne thirrëm seancën e jashtëzakonshme pikërisht për të iniciuar procesin. Nuk bëhej në një seancë të jashtëzakonshme përzgjedhja e kandidatëve që do jenë te procesi i Vettingut, o Blush.


Që ta dish, së pari, kur ngrihet një strukturë gjëja e parë që bëhet është ngritja e një rregulloreje se si do funksionojë kjo strukturë.


Në projektvendimin e parë ne kishim procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve AD-HOC dhe realizimin e procesit të votimit, sipas ligjit 84/2016 për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.


Sot, në Byronë e Kuvendit kemi ngritur dhe kemi vazhduar procesin e mënyrës së votimit. Që ta dish ti, ka një proces votimi tërësisht të ndryshëm. Financojmë 300 000 euro nga buxheti i Kuvendit të Shqipërisë, - le të ta thotë znj. Hafizi, e cila është anëtare e Byrosë, - për një votim të fshehtë shumë diskret dhe që garanton fshehtësi të plotë.


Së dyti, ti duhet të dish që ajo që ka ndodhur përmes këtij vendimi që ne morëm është që, - bazuar edhe në konstatimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë me shkresë datë 3 mars 2017 të avokatit të popullit, - një numër i lartë mes aplikantëve duhej të paktën që në dosjet përkatëse që kanë sjellë, të kenë përvojën përkatëse profesionale.


E di kush janë kriteret, se ti ndoshta nuk di as kriteret?! I ka për shembull 15 vite profesion juristi, por i ka në institucione të ndryshme. Por në përllogaritjen që kanë bërë ekspertët e avokatit të popullit, nuk i kanë përllogaritur vitet e punës në 15 vjet dhe sigurisht që mund të kenë bërë gabim.


Duhet të kuptosh një gjë: Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti primar në të gjithë këtë procedurë.


Dhe kur Kuvendi i Shqipërisë vëren që një institucion, sikurse është avokati i popullit, nuk ka bërë procesin e verifikimit siç duhet, ruan të drejtën dhe nuk ka shkelur asnjë afat që t’ia kthejë avokatit të popullit dhe ky i fundit ta riplotësojë vlerësimin dhe kandidatët të riplotësojnë dokumentacionin që kanë çuar atje.


Dhe ajo që është më e mira, është që ne ua kemi dhënë mundësinë të gjithë atyre kandidatëve, - të cilët i nxis, i falenderoj, të cilët plotësojnë kriteret formale, - të plotësojnë gjithë dokumentacionin shtesë që u është kërkuar dhe sigurisht për një javë rivazhdojnë procesin.


Askush nuk do besonte që do vije në parlament dhe minimalisht nuk do thoje një fjalë të vetme për bojkotin e këtyre këtu. Duhet të thoje qoftë një fjalë të vetme. Duhet ta dish, që ky proces të ecë përpara duhet që komisionet AD-HOC të jenë funksionale; dhe asnjë komision nuk mund të ecë përpara për aq kohë sa ato që propozon opozita nuk  janë pjesë e Komisionit.


Nuk mundet kurrsesi që nga inati që ke me Partinë Socialiste, me statutin e kësaj partie, të fillosh e të gënjesh që gjoja në 2005-ën Edi Rama të paska kërkuar ty mendim ta fusim Mimi Kodhelin në Kryesi apo jo. Këto janë abuzime, nuk kanë lidhje aspak me Vettingun. Kur humb fillin dhe kalon në histori të vjetra të Partisë Socialiste, kjo nuk të nderon aspak.


Merru me Vettingun. Minimalisht duhet t'i thoje opozitës që ti i je bashkuar në përballjen me mazhorancën që të ishte pjesë e parlamentit. Kjo sepse ecja përpara e procesit të Vettingut, është ecje përpara e Reformës në Drejtësi. Bojkoti e ndalon këtë proces. Ky bojkot nga opozita nuk bëhet për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, as për hir të votimit apo numërimit elektronik, por me qëllim për të bojkotuar komisionet AD-HOC.


As bëhet fjalë që dikush në këtë vend të tërheqë vija barazimi mes nesh si mazhorancë dhe opozitës, për bindjen që ne kemi për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. Nuk ndodh kjo gjë. Ne e kemi marrë këtë përgjegjësi. Besoj se 97% e qytetarëve që janë për implementimin e Reformës në Drejtësi, kanë të drejtë t'u kërkojnë deputetëve të votojnë këtë reformë.


Nuk mund të kemi një proces përzgjedhjeje të ndershëm kur kandidojnë 21 kandidatë për 28 vende.


Dhe ja ku po ta them prapë: nëse ne do e kishim bërë përzgjedhjen, ti do vije e do thoje përse e keni bërë kështu.


Ti mjafton të mbash krahun tjetër, pavarësisht se ne kemi pasur një proces tërësisht logjik.


Më vjen keq që m'u desh të harxhoj kaq shumë minuta me një argument që ti e di fare mirë.


Por është shumë e rëndësishme që për të vijuar me zbatimin e frymës kushtetuese dhe ligjore të përzgjedhjes së kandidatëve në një proces real dhe efektiv, projektvendimi që ne kemi kaluar ditën e hënë i ka kërkuar avokatit të popullit që të ribëjë menjëherë kërkesën për riparaqitjen dhe shprehjen e interesit për aplikantë të rinj, për pozicionet e të gjithë anëtarëve të komisioneve të rivlerësimit sipas kritereve të përcaktuara nga nenet 6 dhe 7 të ligjit; është fjalë për fjalë në ligj.


Merre ligjin, printoje dhe lexoje. Aty do shohësh se i është dhënë kjo kompetencë Kuvendit të Shqipërisë.


S’ka asnjë dyshim që procesi dhe Reforma në Drejtësi do ecë përpara.


Që ta kuptosh, Vettingu përcakton dhe pastron sistemin e drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk justifikojnë dot pasuritë marramendëse që kanë bërë; dhe sigurisht nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të lidhur me krimin.


Sa kohë që çdo ditë shqiptarët do të shohin që gjyqtarët japin vendime tërësisht në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me interesat e gjyqtarëve, ne do të vazhdojmë të ngulmojmë për ecjen para të kësaj reforme.


Kjo reformë do garantojë një sistem drejtësie i cili do hetojë dhe ndëshkojë edhe ish zyrtarë të lartë, ish ministra etj.


Kjo bëhet me punë konkrete dhe jo me broçkulla dhe kafe nëpër Rogner.


Të votosh kundër një projektvendimi tërësisht funksional për të vazhduar Reformën në Drejtësi dhe të thuash që ky vendim është antikushtetues, ky minimalisht është diletantizëm!


Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm