WhatsApp Image 2017-02-28 at 13.54.09

Nuk ka çadër e as protestë që mund të pengojë procesin e Vettingut

Sot kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, znj. Olta Xhaçka, firmosi peticionin për Reformën në Drejtësi. Ajo u shoqërua nga anëtare të këtij forumi, të cilat besojnë se kjo reformë kaq e rëndësishme për ecurinë e vendit tonë ka nevojë për mbështetjen e çdo qytetari, shoqate, forumi, shoqërisë civile etj. 

Në prononcimin e saj për media znj. Xhaçka, njëherësh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, theksoi rëndësinë e hyrjes në fuqi të kësaj reforme dhe pjesëmarrjen sa më masive në mbështetje të saj. 

Xhaçka: Dua ta përshëndes këtë peticion të shoqërisë civile. Kemi ardhur sot një përfaqësi e Forumit të Gruas të Partisë Socialiste edhe si pasojë e ftesës që na është bërë jo vetëm si politikanë, por edhe si qytetarë të Tiranës. Jam shumë e lumtur që, për sa kohë ndenjëm këtu, pamë që dhjetëra e dhjetëra qytetarë firmosnin në mënyrë krejt të pavarur; dhe marr shkas që t’u bëj thirrje jo vetëm si politikane, jo vetëm si deputete por si qytetare e Tiranës, që të gjithë bashkëkryeqytetasit të vijnë e ta firmosim këtë peticion, sepse unë mendoj se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për Partinë Socialiste që unë përfaqësoj, por për të gjithë vendin. Partia Socialiste sigurisht e mbështet fuqimisht Reformën në Drejtësi, ashtu siç e mbështesin shumica e qytetarëve në masën 98%.

Mbështesim gjithashtu edhe ligjin e Vettingut si lokomotiva që e çon përpara këtë proces të gjatë, këtë rrugë të gjatë të reformimit të një sistemi të degraduar dhe të korruptuar për t’i hapur vend shtetit të së drejtës.

Unë mendoj, ky është mesazhi im, që nuk ka çadër, nuk ka protestë dhe nuk ka agjendë politike të ditës që mund ta pengojë këtë aspiratë të madhe të shqiptarëve, këtë të drejtë të tyren për të qenë të barabartë përpara ligjit dhe për të jetuar në një vend ku sundon drejtësia dhe jo ryshfeti.

Faleminderit!