Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Opozita ka frikë nga zgjedhjet prandaj bërtet kundër zgjedhjeve!

Të reja

Opozita ka frikë nga zgjedhjet prandaj bërtet kundër zgjedhjeve!

08 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe njekohesisht Kryetarit te Partise Socialiste Edi Rama, ne Berat:

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen që të gjithë ju që jeni këtu i jepni Ervin Demos, i cili, jam i bindur do të jetë për Beratin një kryetar bashkie siç Berati e meriton, siç e meritojnë të gjithë qytetarët e Beratit, qofshin në qytet, qofshin në zonën e fshatit, pa dallim dhe mbi të gjitha siç e meritojnë të gjithë fëmijët e kësaj bashkie që nesër patjetër duhet të jetojnë në një berat shumë më të mirë, shumë më të zhvilluar dhe me një perspektivë shumë më të qartë.

Nuk dua të zgjatem në elementë konkretë të të gjithë programit të Ervinit dhe të Partisë Socialiste për Beratin. Dua të falënderoj kryebashkiakun legjendar të Beratit, Fadil Nasufin, sepse përshkroi më së miri situatën, si dhe njëkohësisht sqaroi më së miri se pse Ervin Demo është njeriu i duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Dua vetëm të theksoj se ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme për Beratin në këto 4 vite dhe besoj që, sidoqoftë, nëse kthejmë kokën pas, në vitin 2013, kur ne morëm një mbështetje të madhe dhe këtu në Berat, por dhe në të gjithë Shqipërinë dhe bëjmë një krahasim mes Beratit që kishim dhe Beratit që kemi është e qartë që Berati që kemi është shumë më i mirë se ai që kishim, por patjetër nëse e krahasojmë Beratin që kemi me Beratin që duam, çka kemi bërë është shumë pak krahasuar me sa shumë akoma mund të bëjmë dhe të jeni të bindur që do të bëjmë së bashku.

Ndërkohë do më vinte shumë më mirë që të isha këtu sot, jo vetëm për të mbështetur Ervin Demon, por edhe për të pasur përballë kundërshtarët që nuk patën kurajon të paraqiten përpara popullit për të kërkuar votën e tij dhe me këtë rast dua t’iu adresoj të gjithë atyre kundërshtarët iu adresohen, por në radhë të parë të gjithë atyre që i përkasin familjes sonë të madhe socialiste, progresiste dhe që për 1001 arsye kanë qëndruar jashtë shtëpisë tonë që është një moment fantastik për tu bashkuar të gjithë së bashku dhe për të mbështetur, jo thjesht një person, por një vizion, një program dhe rrugën e duhur për Beratin që duam të gjithë së bashku.

Është e qartë që zgjedhjet e 30 qershorit në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë kanë një rëndësi të veçantë dhe pavarësisht se në pamje të parë duket sikur janë zgjedhje pa kundërshtarë, janë zgjedhje me kundërshtarin më të rrezikshëm që mund të gjendet, sepse, ndërkohë që ne kemi dalë për tu gjykuar për çka është bërë dhe për të kërkuar besimin për çka duam të bëjmë kundërshtarët kanë dalë për të mos lejuar zgjedhjet.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 30 qershorit patjetër që janë të rëndësishme sepse do të përcaktohen kush do jenë kryetarët e bashkive për 4 vitet e ardhshme, por janë edhe më të rëndësishme, sepse do të vendoset një vijë e qartë ndarëse mes të ardhmes, për të cilën ne punojmë çdo ditë dhe të shkuarës që ata e mishërojnë sa herë që hapin gojën dhe sa herë që hedhin një hap, duke na kthyer shumë mbrapa në kohë dhe duke na krijuar një situatë tërësisht të papranueshme për popullin dhe për vendin tonë.

Ata kanë frikë nga zgjedhjet, kjo është shumë e qartë, këtë e kanë marrë vesh të gjithë dhe prandaj bërtasin kundër zgjedhjeve. Ata i tremben gjykimit të njerëzve dhe prandaj kërcënojnë rrugësve se nuk do t’i lënë njerëzit që të votojnë. Ata kanë frikë nga ballafaqimi me ne, sepse ata janë pak, ne jemi shumë. Ata janë të destinuar të humbin, ndërsa ne, jo vetëm jemi të vendosur, por jemi në mision për të fituar, jo për vete, por për Shqipërinë që duam, për Beratin që duam, për të ardhmen e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

Drejtimi i Shqipërisë dihet, drejtimi ynë dihet edhe drejtimi i tyre dihet dhe për fat të keq drejtimi i tyre nuk është thjesht kundër drejtimit tonë, por është kundër drejtimit të Shqipërisë.

Besoj të gjithë e keni dëgjuar sot prononcimin e qeverisë amerikane, qartë dhe troç: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ka asgjë që i tund dhe kush do guxojë t’i prekë do të shkundet nga rrënjët.

Unë nuk besoj që do të gjenden shumë budallenj që do të shkojnë pas atyre që kërkojnë njerëz për të sulmuar zgjedhjet, por sidoqoftë unë jam i bindur që në fund do të fitojë arsyeja, do të fitojë demokracia, do të fitojë Partia Socialiste, do të fitojë Ervin Demo do të fitojnë kandidatët tanë.

Ju dëgjoni rreth e rrotull, edhe në televizion, por edhe nëpër takime, biseda në lagje, në kafe, në punë kur flisni për këtë situatë, njerëz që, pa të keq, thonë “po si mund të bëhen zgjedhjet me një parti pa opozitën kryesore?”

Do ishte e tmerrshme që kjo të ndodhte për shkak se opozitës i ishte bërë e pamundur të hynte në zgjedhje, për shkak se opozitës i ishte vënë një pengesë për ta ndaluar të futet në zgjedhje dhe vërtet nëse do të ishte kështu, zgjedhjet do të ishin antidemokratike. Por s’është kështu. E kundërta është e vërtetë. Opozita ka zgjedhur vetë që të mos hyjë në zgjedhje dhe në këto kushte zgjedhjet pa ata nuk janë aspak jodemokratike.

Ata thjesht kanë kapitulluar dhe kanë pranuar humbjen pa hyrë në fushë fare.

Ndërsa ne thjesht po bëjmë detyrën tonë në respekt të kushtetutës dhe të popullit sovran për të dalë përpara njerëzve dhe për të kërkuar mbështetje, duke u dhënë atyre mundësinë që të zgjedhin dhe duke marrë prej tyre atë që duam, të zgjidhemi.  

Ka njerëz që thonë, “po mirë, në këtë situatë, pse të jetojmë me tension, me sekëlldi. Vërtet ata e kanë tepruar. Vërtet ata kanë dalë mendsh fare, por mbase është më mirë t’i shtyjmë zgjedhjet që të shtensionohet situata dhe pastaj këtu jemi, i bëjmë zgjedhjet”.

Duket në pamje të parë si një mendim shumë i arsyeshëm, por në fakt është gjëja më e gabuar që mund të thuhet dhe është gjëja më e rëndë që mund të bëhet, sepse nëse sot ne pranojmë që për shkak të një pakice të dëshpëruar e cila kërcënon, e cila shantazhon, e cila dhunon dhe e cila kërkon t’i imponohet shumicës dhe vetë popullit sovran shtyjmë zgjedhjet, atëherë kemi hapur rrugën që nesër një parti tjetër të bëjë të njëjtën gjë, pasnesër një tjetër të bëjë të njëjtën gjë dhe kështu me radhë zgjedhjet të kthehen nga një institucion themelor i demokracisë dhe nga një e drejtë e njerëzve për të zgjedhur dhe detyrim i politikanëve për tu zgjedhur në një institucion, rëndësia e të cilit bie dhe mbi të gjitha në një institucion që nuk është më në duart e popullit por është në duart e politikanëve.

Me çfarë kurajoje dhe me çfarë bindjeje do riktheheshin partitë dhe ata që duan të zgjidhen tek ju, për t’iu thënë nesër, na jepni votën që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë këtë e të bëjmë atë, kur ju do kishit parë dhe kuptuar se jo, nuk mundet që të ndodhë kështu, se vërtet mandati është 4 vjet, por ne votojmë për 4 vitet e ardhshme dhe del atje në parlament një pakicë që nuk ka durim të presë 4 vjet, që ka 1001 arsye që mund të gjenden për të dalë nga Parlamenti, djeg mandatet, merr kapsollat dhe molotovët fillon kërcënon dhe përsëri nga e para gjërat rikthehen aty ku ishin.

Mbi të gjitha ku është parë kjo?

Ku është parë në historinë e vendeve demokratike një gjë e tillë?

Është parë, po që parti të caktuara, në vende të caktuara kanë bojkotuar zgjedhjet dhe është parë po ashtu që zgjedhjet janë bërë dhe pa ato dhe pas zgjedhjeve ato vetëm kanë paguar një kosto marramendëse të këtij gabimi fatal dhe asgjë tjetër.

Por që 1 parti, 2 parti, 5 parti të mblidhen bashkë dhe të thonë, o kështu si themi ne, o ne ramë e vdiqëm s’është parë asgjëkundi dhe nuk do të shikohet as këtu në Shqipëri.

Ata e kanë vendosur vetë të vrasin veten politikisht dhe ne kemi vendosur të ecim përpara.

Tani, sapo më solli një letër vajza, më thotë që zoti President paska shfuqizuar datën e zgjedhjeve.

Përsëri gabim dhe përsëri unë po ju them zgjedhjet do bëhen në 30 qershor!

Nuk jam i befasuar. E prisja edhe këtë dhe nuk është asgjë tjetër veçse mbyllja e një rrethi të në plani të bërë me kohë për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve në fakt, kërkohet marrja zvarrë e kësaj qeverie dhe kërkohet varrimi i reformës në drejtësi. Ky është thelbi. Nuk ka asgjë tjetër.

Por as qeverinë nuk e marrin dot zvarrë, as reformën në drejtësi nuk e varrosin dot dhe ne në 30 qershor do të bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk janë të partive, nuk janë as të presidentit, zgjedhjet janë të popullit shqiptar.

E kuptoni se çfarë çorapi duan ta bëjnë këta Shqipërinë dhe jetën demokratike?

E kuptoni se si këta duan tu thonë shqiptarëve që ky vend nuk bëhet dhe në këtë vend ne që jemi mësuar që në çdo sheh të bëjmë një përshesh do vazhdojmë të bëjmë përsheshin tonë dhe juve nuk do t’ju lëmë.

Por në fakt kjo nuk është asgjë tjetër, e gjitha kjo, përveçse një përpjekje e dëshpëruar e një grushti njerëzish të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe janë të destinuar të humbin në mënyrë të dëshpëruar.

Kjo që sapo ndodhi është vazhdimi i asaj që ka ndodhur edhe me atë dosjen e famshme me të cilën iu rrokanisën kokën juve dhe të gjithë shqiptarëve 999, 999, sikur flisnin për ato numrat e telefonatave rozë, duke u përpjekur të krijojnë një mjegull, një paqartësi, një sekëlldi dhe të hedhin të gjithë baltën e mundshme për të shkuar sigurisht drejt realizimit të këtij plani të shkatërrimit të zgjedhjeve dhe pastaj të marrjes peng të të gjithë procesit demokratik për të vënë kushte për reformën në drejtësi, në radhë të parë.

E dëgjuat prokuroren e krimeve të rënda i patë dhe disa nga faktet që ajo nxori dhe e patë se si një grusht prokurorësh të cilët dihen botërisht se kush janë, kush i ka vënë, kujt i kanë shërbyer gjithë jetën, në vend që ato përgjime t’i merrnin, t’i zbardhnin menjëherë dhe mbi to të fillonin menjëherë hetimet, i mbyllën, i futën në një kazan dhe i çuan tek partia dhe nga partia, u hap kapaku për të krijuar gjithë atë konfuzion dhe jo vetëm për të hedhur gjithë baltën e mundshme mbi qeverinë dhe mbi mua personalisht, por duke mos kursyer as Shqipërinë.

Ato nuk janë zbulime të një gazete gjermane.

Ato janë nxjerrje e një sekreti hetimor dhe çuarja tek një gazetë gjermane, duke i marrë shqiptarët si budallenj që mund t’i tërheqin për hunde zvarrë me idenë që “obobo, Gjermania e zbuloi këtë poshtërsi të madhe”, ndërkohë që çdo poshtërsi dhe sado e madhe që mund të jetë aty ose që mund të lidhë ata njerëz me gjëra që thonë duhet të ishte hetuar dhe kushdo që në ato muhabete do të provohej se ishte i lidhur me akte të paligjshme, do duhej të ishte ndëshkuar, por këta nuk e duan drejtësinë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

Këta e duan drejtësinë, siç e kanë pasur gjithmonë, një mjet në duart e tyre dhe kur thonë pse nuk ka sot politikanë të dënuar, nuk ka si të ketë sot politikanë të dënuar, sepse për 30 vite me radhë ai sistem drejtësie është ngritur e mbajtur në këmbë dhe ushqyer me favoret reciproke mes politikanëve që i kanë vënë ata atje dhe atyre që nga një anë kanë rrjepur popullin, pronat, të drejtat, liritë dhe nga ana tjetër, kanë mbyllur të gjitha dosjet e politikanëve. E mjafton kjo për të bërë dallimin e madh dhe për të kuptuar që ne nuk jemi si ata. Partia Socialiste mund të ketë 1001 të meta. Në 30 vjet të historisë së saj mund të ketë bërë 1001 gabime. Partia Socialiste mund të ketë edhe dështime që mund t’i numërohen në qeverisjen e vetë të shkuar e të sotme, por Partia Socialiste ka meritën e madhe që qëndron në anën e duhur të historisë, që nga dita e parë e lindjes së saj. Partia Socialiste ka meritën e madhe që që nga dita e parë e lindjes së saj nuk ka bërë kurrë pazar me interesin kombëtar dhe sot Partia Socialiste ka meritën e vetme që është e vetmja forcë politike e shqiptarëve që e ka dashur që në sekondën e parë dhe që vazhdon, jo vetëm ta dojë, por dhe ta mbështesë deri në fund reformën në drejtësi për t’u dhënë të gjithë shqiptarëve mundësinë të jetojnë në një vend, ku pavarësisht sa i gjatë je apo sa i shkurtër je, as nuk mund t’i fshihesh drejtësisë kur je i shkurtër - çfarëdo që të bësh - dhe as nuk mund t’i ikësh asaj ngaqë je shumë i gjatë. Të gjithë njësoj përpara ligjit dhe pastaj të shikojmë, jemi njësoj apo jemi ndryshe.

Ata janë një tufë të mbaruarish, një tufë të mbaruarish që e kanë nxjerrë Shqipërinë rrugëve të botës, duke ushqyer me baltë për Shqipërinë të gjithë ata që duan të bëjnë sensacione e të shesin gazeta dhe emisione dhe të gjithë ata që duan arsye për të thënë jo, Shqipërinë ne nuk e pranojmë dot në Bashkimin Europian, këta janë ata. Ata e duan Shqipërinë pa drejtësinë që duam dhe që mbështetet fuqimisht nga partnerët e miqtë tanë amerikanë dhe europianë. Ata e duan Shqipërinë, jo në rrugën e Europës sepse e dinë mirë, e kanë parë se çfarë ka ndodhur në vendet e tjera, kur kanë filluar negociatat. Hapen dyert për negociatat, fillojnë hapen dhe dyert e burgjeve, dyert që ata i shohin dhe në ëndërr se me thënë të drejtën, faj nuk kanë. Kanë bërë çfarë nuk kanë bërë. Kanë bërë më shumë seç dimë ne, por dhe me aq sa dimë ne, ata sot nuk duhet të ishin duke bërë moral, nuk duhet të ishin duke tundur gishtin, nuk duhet të ishin duke kërcënuar popullin. Ata duhet të ishin duke pritur të mbaronin dënimet, se flasin për përgjime, për dyshime. Kush flet? Lulzim Basha që është nën hetim sot nga dritësia amerikane dhe nga drejtësia shqiptare?

Lulzim Basha që ka qenë i akuzuar, jo me përgjime, por me 270 faqe dosje të prokurorisë në kohën kur ishte dhe në qeveri apo Lulzim Basha bashkë me të atin e tij, plakun e marrë që i ka mbledhur të gjithë këta, që nga Ilir Meta e të gjithë me radhë, tek Lulzimi, tek Monika, si kokrrat e tespiheve të Meres dhe i tund duke dashur t’i kthejë lak në fytin e Shqipërisë.

Po ju them, dhe mbajeni mend çfarë po ju them. Zgjedhjet do bëhen në 30 qershor dhe ato tespihe, mbajeni mend, ato tespihe do shpërbëhen, do shpërbëhen nga duart e plakut dhe kokrrat do shpërndahen, sa andej këtej, pastaj me kokrrat që janë rrumbullake, do vazhdojë ripërtëritja e opozitës, me kokrrat me gunga, do merret drejtësia.

Të gjithë, ju lutem, të gjithë, pashë këtu sot kur po vinim, një pasqyrë të gjërave që kemi bërë për Beratin dhe nuk mora përsipër as t’i numëroj për një arsye shumë të thjeshte; janë shumë, por janë shumë pak në krahasim me çfarë do të bëjmë. Më erdhi shumë mirë që mund t’ju them sot, më vjen shumë mirë që që kur kam ardhur si kryetar i Partisë Socialiste, i sapo zgjedhur, në fillim të vitit 2006 me legjendarin Fadil Nasufi, gjëja e parë që kam dëgjuar ka qenë, një maternitet për Beratin. E sot po ju them që ka mbaruar gjithë procedura dhe ndërtimi i maternitetit është çështje ditësh, fillimi i ndërtimit. Por sigurisht që e thashë këtë, mund të them dhe shumë të tjera, por nuk dua asnjë këtu e asnjë që na ndjek që të mendojë se unë po them shikoni sa të mirë që jemi. Shikoni sa punë të mëdha që kemi bërë. Shikoni sa shumë ju duhet të jeni të kënaqur me ne, jo fare. Por, nga ana tjetër duhet ta them, më të mirët nuk jemi, por më të mirë se ne as ka pasur, as ka dhe as nuk ka për të pasur për kushedi sa kohë akoma.

Bëjeni krahasimin, ne këtu me vajza, gra, nëna, burra, të moshuar, ulur si njerëz, flasim, qeshim, dëgjojmë, komunikojmë. Ata nuk i kemi këtu përpara, por të gjithë e dimë tani se ku janë dhe çfarë po bëjnë e çfarë mendojnë e çfarë presin. Do me thënë, një parti, një forcë që i thotë vetes opozitë dhe pret që të errësohet që të komunikojë me popullin, pret natën. Keni parë ju që të mblidhesh natën për të komunikuar politikën tënde? Për çfarë mblidhesh natën? Se më erdhi në gojë të them ujku mjegull do, por ata nuk janë as ujqër. Tani, se çfarë janë, secili le ta zgjedhe krahasimin, por janë larg së qeni ata, që demokratët meritojnë të kenë në krye. Janë lag së qeni ata, që Shqipëria meriton të ketë në opozitë, janë larg së qeni ata që meritojnë votat që kanë marrë dhe këtu ne Berat dhe në gjithë Shqipërinë në 2017, kur pasi morën gjysmën e qeverisë, morën dhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, morën dhe drejtimin e shumë agjencive, i morën të tëra, vetëm që të pranonin rezultatin e të mos shanin më Shqipërinë në gjuhë të huaj, kaluan verën në gjumë dhe në vjeshtë filluan prapë me avazin. Ata nuk bëhen, Shqipëria do bëhet me se s’bën, me ata apo pa ata.

Më vjen keq shumë, por duhet ta rikujtoj atë që ka për t’ju ndodhur atyre që do shkojnë pas atyre e që do t’i bien me kokë murit të ligjit, duke tentuar të prekin zgjedhjet. Sot e dëgjuan dhe drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane që më, në Shtetet e Bashkuara, që nga ata që ju kishte dalë emri sot edhe të tjerë, edhe më të mëdhenj se ata, edhe kushdo tjetër që do shkojë pas tyre për të prishur zgjedhjet, nuk kanë për të shkelur më, jo personalisht, por familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por përpara se sa të vijë dita të tentojnë të shkelin atje, do kapërcejnë një herë pragun këtu për të paguar një për një siç e ka ligji për krimet zgjedhore.

Kështu që Berati ka çuna të shkathët që shkojnë e vijnë në Itali, në Angli, në Greqi që kanë të gjitha të drejtat që mos të na duan ne, që duan që Partia Socialiste të iki nga pushteti, që duan që parlamenti të ketë shumicë blu, që duan që qoftë dhe vetë plaku Mere të vijë në vendin tim, por nuk besoj se janë aq budallenj sa të falin për gjithë jetën Italinë, Greqinë dhe Europën se Amerikën po e po, për çfarë? Për një kauzë të dëshpëruar në një përpjekje të dëshpëruar që është e destinuar të jetë e dështuar njësoj siç është e dëshpëruar. Nuk besoj.

Sidoqoftë ne jemi gati dhe i kemi marrë të gjitha masat dhe jua kam thënë, jua thashë para ca ditësh dhe po jua them para atyre që duhet ta dëgjojnë këtë, gabojnë shumë me këto lëvizje që bëjnë se unë jam gjithmonë tre lëvizje përpara. Asnjëherë deri më sot nuk më kanë surprizuar dhe nuk më kanë kapur në befasi. Përkundrazi, siç janë çuditur përpara se si ju ndodhi, do çuditen edhe më shumë kësaj here se si ka për t’ju ndodhur.

Edhe një gjë të fundit, kur i shikoni që bërtasin, se unë i njoh mirë, për fat të keq. Kur i shikoni që bërtasin, mos e harroni asnjëherë që bërtasin nga frika e tyre, kanë shumë frikë. Kujtoni gjithmonë Benin e vogël në pyll tek filmi “Beni ecën vetë”, tregojani dhe këtyre më të rinjve dhe vajzave të vogla që nuk e kanë parë filmin që ta kuptojnë për çfarë bëhet fjalë, kur Beni ecte nëpër pyll, në errësirë dhe këndonte me zë të lartë që të trembte frikën e vetë. Ata janë fiks në përpjekjen e dëshpëruar për të trembur frikën e tyre. Kanë frikë të madhe dhe nuk kanë faj. Frikë të madhe nga zgjedhjet se nuk i fitojnë dot se janë të paaftë, janë dembelë dhe janë të pabesueshëm. Ne jemi pa diskutim të aftë, jemi pa diskutim punëtorë dhe edhe ata që kanë pakënaqësitë ndaj nesh me të dejtë, e thonë dhe e dinë që sidoqoftë, ose e bëjmë ne, ose kjo nuk bëhet.

Ju kujtohet shumë mirë protesta e studentëve. Dolën studentët në protestë, kishin të gjitha të drejtat të kërkonin të gjitha ato që kërkonin, jo se ne nuk i dinim, por për këtë janë protestat në demokraci, protestat e njerëzve të zakonshëm, jo protestat e këtyre, - këto nuk janë protesta, këto janë ecje në pyll për të trembur frikën e tyre - dhe i vumë në rendin e ditës e po i bëjmë. Ama ajo që ishte historike dhe e paharrueshme dhe kuptimplotë dhe për sot, kuptimplotë për plakun, kuptimplotë për të birin, kuptimplotë për kunatën, kuptimplotë për krushkun ishte në protestat tona, këta, domethënë opozita e këtyre, nuk duhet të guxojë të afrohet se nuk ia shikojmë dot bojën, nuk ia dëgjojmë dot erën. E ndërkohë edhe pse gjithçka kërkonin ishte përgjegjësi e universiteteve apo e qeverisë, nuk thanë kurrë që të iki qeveria dhe të iki Edi Rama, por thanë të kundërtën, po u bënë këto, i bëjmë vetëm këta e ma kanë thënë kudo, “po i bëre, i bën vetëm ti” dhe nuk diskutohet që kanë pasur të drejtë dhe po bëhen e do bëhen deri në fund se nuk ka kush i bën tjetër dhe Shqipërinë nuk ka kush e bën tjetër.

Të qeverisësh nuk është të shëtisësh. Të qeverisësh është të ngjitesh, të rrëshqasësh, të biesh, të plagosesh, të goditesh, të baltosesh, të ringjitesh prapë, të ngatërrosh shtegun, të kthehesh prapë, të hipësh prapë, është një betejë e përditshme. Ama e rëndësishme është që sa herë të kthesh kokën të jesh pak më lartë se sa në pikën ku kishe kthyer kokën më parë. Ndërkohë që, sa më shumë shkon drejt majës, aq më shumë maja largohet, duket më afër këtu ajo maja se sa po të ngjitemi, të shkojmë drejt majës. Është një përpjekje e përditshme. Ata duan të mbjellin frikë. Mbajeni mend, nga frika e tyre do të treten e do habiteni kur një ditë do thoni “ore ku janë këta, ku bëhen, ku shkuan, çfarë po ndodh me këta”. Ndërsa ne, me të gjitha kusuret jemi me të drejtën dhe si çdokush që është me të drejtën, nga e drejta shpërblehet, e drejta do të na shpërblejë sepse ky popull ka shumë halle, ka shumë probleme, ka 1001 qen që i lehin nga mëngjesi deri në darkë dhe që përpiqen ta çorodisin, por ky popull ka një gjë, që të gjithë ata politikanë që e kanë nënvlerësuar, e kanë ngrënë. Ky popull, për politike, është i pari në botë dhe këtë popull për budalla nuk e bën dot askush.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm