Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Opozita nuk e ka dashur vettingun dhe reformën në drejtësi qysh ditën e parë përkundër zërit dhe vullnetit të qytetarëve shqiptar

Të reja

Opozita nuk e ka dashur vettingun dhe reformën në drejtësi qysh ditën e parë përkundër zërit dhe vullnetit të qytetarëve shqiptar

28 Mar 2018    

Deklarata për media e Kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut z. Ulsi Manja:

23 Mars 2018, Vettingu ngriti siparin!

Vendimi i parë provoi se sita e Vettingut qenka aq e hollë sa të nxjerrë bashkë me krundet e zahiresë 27 vjeçare të Gjyqësorit edhe pluhurin e pasurisë së pajustifikuar, e jo më pasuritë marramendëse të justifikuara jo rrallë herë me argumente telenovelash.

Gjatë këtyre ditëve opinioni publik ka pritur që opozita të thotë dy fjalë  në raport me këtë zhvillim të qënësishëm të procesit të zbatimit të reformës në drejtësi, por më kot!

Heshtja filloi të hënën në Këshillin Kombëtar të Integrimit ku opozita jo vetëm nuk e përshëndeti fillimin e punës dhe vendimin e parë të KPK,  por më shumë mllef politik e anatemoi zbatimin e reformës në drejtësi, në përpjekjen e dështuar të radhës duke ngjallur panik për bllokimin e institucioneve të drejtësisë;

Por në drejtësi faktet e ditura botërisht nuk mund të hidhen dot poshtë nga askush dhe ishte po kjo opozitë që e bllokoi reformën në drejtësi  për gati 1 vit me ankimin e ligjit të vettingut në GJK dhe me çadrën e Republikës së Re !

Por vreri i opozitës ndaj vettingut dhe reformës në drejtësi mbeti në  gojën e mbyllur të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës të cilët në vend që të përshëndesnin fillimin e mbarë të punës së KPK,  zgjodhën heshtjen prej vari apo  më keq akoma  Sali Berisha lideri historik i PD nxitoi  të bëjë avokatinë e palës që humbi në përballjen me KPK, në një process të rregullt kushtetues dhe ligjor,  në praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM.

Në botën demokratike nuk besoj se do të kishte opozitë që nuk do ta përshëndeste fillimin e zbatimit të një reforme kaq jetike dhe historike për vendin dhe qytetarët e saj, siç është reforma në drejtësi;

Por opozita jonë nuk e bëri dhe nuk e bën dot, sepse nuk e ka dashur vettingun dhe reformën në drejtësi qysh ditën e parë përkundër zërit dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë;

Por asnjë baltosje e mëtejshme e Vetingut nuk ka shans ta frenojë pastrimin e Pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Sot gojët e liga kundër Vettingut duhet të heshtin përgjithmonë dhe të lënë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Komisionerin Publik, Vëzhguesit Ndërkombëtar të ONM dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të bëjnë detyrën që u ka ngarkuar Kushtetuta dhe Ligji.

Për hir të të vërtetës, në gjykimin  dhe vendimin e parë të Vettingut unë nuk pashë ndonjë linçim apo denigrim publik dhe as gjyq popullor të tipit punist ndaj askujt.

Përkundrazi, duke e stigmatizuar në gjuhën  popullore  unë pashë një gjykim të tipit  modern “ja sheshi - ja mejdani “, me rregulla loje të përcaktuara qartë në kushtetutë dhe në ligj dhe të ditura paraprakisht nga palët.

Pala që doli në mejdanin e Vettingut me duar në xhepa humbi; 

Pala që mbrojti me seriozitet interesin publik, me dokumenta dhe shkresa me vulë fitoi!

Por mbi të gjitha fitoi drejtësia, fitoi e vërteta. 

Nga sot politika në Shqipëri është e dënuar ta shohë vettingun me pozitivitet, ta mbështesë me vullnetin e duhur politik dhe ti japë procesit besimin e duhur; ndërkohë që garanti ndërkombëtar po e bën detyrën si duhet, siç ia ka paraparë Kushtetuta e ligji.

Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të uroj  zbatimin konkret dhe korrekt të Reformës në Drejtësi dhe të Vettingut si zembreku i kësaj reforme por zërin opozitës nuk ja rregulloj dot se ka kohë që i ka ikur në drejtim të pa ditur sa herë përmendet fjala vetting dhe reformë në drejtësi.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm