Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Opozita të lërë takimet nëpër hotele dhe të rikthehet në Parlament për buxhetin e vitit 2019!

Të reja

Opozita të lërë takimet nëpër hotele dhe të rikthehet në Parlament për buxhetin e vitit 2019!

15 Nov 2018    

Fjala në Parlament e Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:  

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar kolege e kolegë deputetë,

Shumë shkurt dy fjalë për marrëveshjen e radhës me Republikën Federale të Gjermanisë, vend i cili në këto 27 vite mban vendin e parë në sasi të mbështetjes financiare dhënë Shqipërisë.

Janë mbi 1 miliard euro kredi dhe mbështetje financiare në kuadër të grandeve, që shteti gjerman i ka dhënë Shqipërisë me projekte nga më të ndryshmet, ndër to do të doja të veçoja, mbi 380 milionë euro të dhëna në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve.

Besoj nuk ka një ujësjellës në Shqipëri që s’ka përfituar, sepse në këtë Kuvend kemi kaluar para pak javësh edhe disa marrëveshje për disa ujësjellës, nga asistenca e vyer e KFV dhe qeverisë gjermane.

Po ashtu i gjithë rrjeti i transmetimit të energjisë, që lidh Shqipërinë me vendet fqinje, qoftë ai me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë apo Greqinë janë pjesë e investimeve ndër vite të shtetit gjerman për interkonjeksionin energjetik të Shqipërisë me vendet fqinje.

Po ashtu edhe ky fond që kalojmë sot, që bën fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi për promovimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, përmes fondit të garancisë së kredive rurale, synon të japë një kontribut të rëndësishëm; pikë së pari, në promovim e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nëpërmjet fondit të garancisë duke garantuar të gjitha kreditë ndërkombëtare të institucioneve mikro-financiare, të cilat do t’u ofrojnë kredi kredi-marrësve në segmentin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Pra, ja edhe një fond tjetër në mbështetje të gjithë atyre vëllezërve dhe motrave shqiptarë, që jetojnë në zonat rurale të Shqipërisë. Të gjithë e dimë që paketa e buxhetit të këtij viti është tërësisht e fokusuar në një mbështetje si rrallë herë për sektorin e bujqësisë, po të kemi parasysh edhe faktin që për herë të parë një qeveri shqiptare do të zgjerojë edhe TVSh-në të imputeve bujqësore.

Është një sipërmarrje e vështirë në aspektin financiar, por është një detyrim që Partia Socialiste dhe qeveria e drejtuar nga Edi Rama, ja kishte çdo familje që jeton në fshat në Shqipëri.

Duke u rikthyer tek marrëveshja me Gjermaninë, besoj se nuk ka asnjë arsye që deputetët e PD dhe LSI të mungonin në një marrëveshje si kjo. Në çdo seancë plenare ne miratojmë marrëveshje të kësaj rëndësie, sikurse janë sot edhe marrëveshjet me Bashkimin Evropian.

Është e pakuptimtë që opozita mungon për të dhënë votën në marrëveshje, të cilat i shërbejnë Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Për të mos lënë jashtë vëmendjes betejën e radhës me “mullinjtë e erës”, të asaj çfarë ka mbetur nga opozita në Shqipëri është e turpshme që pas historive pafund, pas dështimit te Parku i Lojërave, pas dështimeve te “Sheshi Skënderbej”, pas historisë së pakuptimtë te Teatrit Kombëtar, tani kemi dhe një betejë idioteske tjetër, sikurse është pengimi i vijimit të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Aq i pakuptimtë është, sa kryetari në detyrë i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë pjesë e përcaktimit të gjurmës se ku kalon Unaza me firmë dhe me vulë, qoftë si ministër i Transporteve deri në vitin 2007, por qoftë edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2011 deri më 2015-ën. Gjurma se ku kalon Unaza është miratuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2012.

Pra, banorët që sot ankohen te Lulzim Basha për këtë çështje, duhet në radhë të parë të informohen nga vetë Lulzim Basha për gjurmën e përcaktuar.

Unaza do të vijojë!

Është jetësore për Tiranën që ky standard i ri zhvillimor, që po vendos qeveria në bashkëpunim me Bashkinë të shkojë deri në fund.

Është e turpshme se sa herë që kemi një projekt të rëndësishëm zhvillimi, jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, Partia Demokratike me LSI-në nga mbrapa, synojnë që të pengojnë këto projekte të rëndësishme zhvillimi, të cilat i japin më shumë interkonektivititet kryeqytetit dhe pjesëve të tjera të territorit, duke i shërbyer të gjithë qytetarëve.

Sot nuk kanë ndonjë takim nëpër hotele ata, se e kanë pushim sikurse bëjnë prej disa javësh.

Detyra jonë është të miratojmë këto marrëveshje të rëndësishme.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, javën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë diskutohet në parim Buxheti i Shtetit dhe Paketa Fiskale për vitin 2019 dhe apeli im si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës në Kuvend është që të enjten e ardhshme opozita e ka detyrim të paraqitet në seancë plenare.

Nuk ndodh në asnjë vend të botës së qytetëruar dhe demokratike që opozita të mos marrë pjesë në diskutimin e Buxhetit të Shtetit.

Nuk ka diskutim më të rëndësishëm politik për një deputet sesa të marrë pjesë në diskutimin për Buxhetin dhe Paketën Fiskale.

Në pamundësi për të paraqitur një buxhet alternativ, apo një Paketë Fiskale alternative sikurse do ta bënte çdo opozitë në çdo vend europian, të paktën opozita është e detyruar të përfaqësojë atë përqindje të votuesve shqiptarë që u kanë dhënë besimin.

Të vinë të sjellin këtu kërkesat e tyre për investime në zonat përkatëse për rritje të pagave apo për ulje të taksave, sepse kjo është detyra e një deputeti.

Unë dua të them që buxheti i vitit 2019 jo vetëm që është buxheti më i madh për sa i përket investimeve, por për herë të parë ne sjellim një Paketë Fiskale, e cila për sektorë të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, ul taksat dhe tatimet.

Ky është një zhvillim pozitiv jo vetëm për imputet bujqësore, por edhe për sektorin e turizimit. Do të konsolidojmë zhvillimin e turizmit përmes një mbështetje në uljen e taksave dhe tatimeve.

Faleminderit!

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm