Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Opozita të rikthehet në Kuvend për të votuar bashkë me ne projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit

Të reja

Opozita të rikthehet në Kuvend për të votuar bashkë me ne projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit

18 Oct 2018    

Fjala në seancën e sotme parlamentare e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Në zbatim të nenit 83 pika 3 e Kushtetutës si dhe nenit  28 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju kemi parashtruar kërkesën tonë për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për një shtesë dhe ndryshim në ligjin për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë  dhe shqyrtimin e këtij projektligji në seancën e radhës së Kuvendit.

Z. Kryetar,

Të nderuar anëtarë të kabinetit, kolegë deputetë, 
Dua edhe një herë të ridenoncoj në këtë foltore të Kuvendit të Shqipërisë sulmet e patolerueshme me bacgraund të pastër politik, me mesazhe ndaj pothuajse të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, sapo qeveria ka njoftuar këtë masë tërësisht popullore, tërësisht të domosdoshme për të ç’rrënjosur një sëmundje të rëndë të këtyre 27 viteve tranzicion.

Ajo që tha sot kryeministri, që përfshin të gjitha pikat e basteve, pikat e kazinove online dhe sigurisht edhe gënjeshtrën dhe shpifjen e madhe të këtyre ditëve për gjoja monopolin e online-it, ne jemi të bindur që do ti shkulim pas 31 dhjetorit të gjitha këto çibane nga çdo lagje pranë çdo furre buke.

Po ashtu dua të denoncoj edhe faktin që ish kryeministri i vendit, një burrë pas të 74-tave, ka vënë në dispozicion gjithë gjithë komunikimin e tij publik përmes “Facebook-ut”, pjesë të këtij mekanizmi të turpshëm presioni publik ndaj deputetëve.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë te “Facebook-u” i Saliut që të prodhohen shpifje pafund madje edhe kërcënime, se tashmë Saliu revolucionin nuk do ta bëjë më për interesa të PD-së por revolucionin do ta bëjë në funksion të basteve, të kazinove online.

Në këtë kontekst, meqenëse unë kam besim se Kuvendi sot, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, do ta mbështesë projektvendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar, i bëj thirrje Partisë Demokratike që largimin për bojkot pa arsye, të shfrytëzojë seancën e ditës së enjte, sot një javë, për t’u rikthyer në Kuvendin e Shqipërisë dhe për të votuar bashkë me ne këtë projektligj shumë të rëndësishëm.

Nëse realisht dhe ata janë bashkë me ne në vëmendjen për njerëzit, nuk ka vëmendje më të madhe për njerëzit sesa ardhja në Kuvend e opozitës për të votuar së bashku këtë projektligj shumë të rëndësishëm.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm