Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Organizatorët e kësaj loje të neveritshme përmes një mashtrimi të tillë publik për të goditur Shqipërinë, frontalisht, në sytë e botës në këtë moment historik, duhet të paguajnë

Të reja

Organizatorët e kësaj loje të neveritshme përmes një mashtrimi të tillë publik për të goditur Shqipërinë, frontalisht, në sytë e botës në këtë moment historik, duhet të paguajnë

16 May 2018    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, mbi ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave dhe qëndrimi mbi çështjen publike të Ministrit të Brendshëm:

Mirdita të gjithëve!

Dje isha në Paris, për të vijuar përpjekjen e vështirë, por jo të pamundur, diplomatike, të bindjes së çdo vendi anëtar të Bashkimit Europian për t’i dhënë vendit tonë, në fund të qershorit, atë që përmes reformash dhe rezultatesh të arritura me shumë mund, Shqipëria ka merituar: çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Takova Presidentin Macron, i cili, pas kërkesës time përmes një letre personale për një takim sy më sy, bujarisht gjeti kohë për të më rezervuar një pritje zyrtare në pallatin e Elysee-s. Në takimin që zgjati jashtë parashikimit, për shkak të një bisede shteruese mbi disa tema të rëndësishme, unë mund t’ju them me plot gojën se dëgjova nga Presidenti fjalë tejet inkurajuese për Shqipërinë.

Roli i Shqipërisë në rajon, linjëzimi koherent i politikës tonë të jashtme me atë të Bashkimit Europian; reforma në drejtësi, Procesi i Vetting-ut të gjykatësve e prokurorëve; reformimi i Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimi i shkëlqyer, rezultativ, me policinë franceze; arritjet serioze në luftën kundër krimit e korrupsionit; përkatësia e fortë europianiste e shqiptarëve; u përmendën me radhë dhe me konsiderata të larta nga Presidenti i Francës.

Ai më tha se vendimmarrja e Francës është në studim e sipër, pasi, sipas tij, nuk është thjesht çështja e Shqipërisë, apo edhe e Maqedonisë, të cilat, - citoj, - meritojnë vlerësimin më të lartë për çka kanë arritur në këtë fazë të procesit, por është tema e gjerë e reformimit të Europës dhe si pjesë e kësaj teme, çështja e kontrollit të kufijve të zonës Shengen, si dhe të flukseve migratore në përgjithësi, që diktojnë një reflektim të thelluar të Francës përpara marrje së vendimit përfundimtar në qershor.

Por, çka unë besoj mund t’ju them pa hezitim, është se jam më optimist pas takimit, sesa përpara takimit me Presidentin Macron.

Ka akoma javë dhe punë për të bërë në drejtim të realizimit të këtij objektivi madhor, por gjë mangët nuk do t’i lë dhe nuk do t’i lëmë kësaj përpjekjeje, aspak të lehtë dhe të gjithanshme për një interes kaq madhor kombëtar, ku për fatin shumë të keq të Shqipërisë duhet të përballemi jo vetëm me një sfidë të jashtëzakonshme diplomatike, në kushtet kur erërat kundër zgjerimit në disa vende të Europës janë në disfavorin tonë, por edhe duhet të ndeshemi përditë, pa pushim, me murin qorr dhe shurdh të baltës që opozita e këtushme i ngre Shqipërisë në këtë rrugë, duke mos lënë gur pa lëvizur dhe pabesi pa bërë që ta sabotojë këtë përpjekje të krejt shoqërisë sonë.

Ata thonë se po pengojnë, bllokojnë, rrëzojnë “qeverinë e krimit dhe të drogës”. Por, në fakt, ata po pengojnë dhe tentojnë të bllokojnë dhe rrëzojnë vetë Shqipërinë në këto metra të fundit të një rrugëtimi të gjatë drejt një stacioni historik. Vulëhumbur pa atdhe, të çoroditur nga frika e drejtësisë, që hap pas hapi ka nisur të çlirohet nga kthetrat e tyre dhe të pastrohet nga llumi i mbledhur prej tyre në prokurori dhe në gjykata për 20 e kusur vite me radhë, ata janë vërsulur me tërbim në një ofensivë balte, që synon ta asfiksojë shpresën europiane të shqiptarëve.

Jo vetëm që këtyre të paudhëve pa din e pa iman iu gënjen mendja se, duke minuar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat, do t’i kthejnë njerëzit kundër nesh dhe do rikthehen në pushtet me rrëmujë, për të rimarrë peng drejtësinë, por edhe e dinë më mirë se të gjithë ne, se me çeljen e negociatave, drejtësia shqiptare bëhet një problem i madh për ta, pasi ajo hyn në fazën e çeljes deri në fund të kapakëve të zullumeve të mëdha të krimit dhe të korrupsionit shtetëror në vite, si edhe të lidhjeve reale të politikës me aktivitetet kriminale, që nga pastrimi i parave me vulën e partisë, deri te kuintalët e kokainës të fshehur në banane me ndihmën e prokurorisë.

Por, ndërkohë që e ardhmja e drejtësisë afrohet dhe haraçin për çka po i punojnë Shqipërisë në këtë moment kaq delikat dhe vendimtar për të ardhmen e saj, ata do ta paguajnë një më një, edhe balta e tyre e bën punën e saj në mjegullën e mungesës së drejtësisë.

Ne luftuam si asnjëherë më parë në këtë vend, kanabisin e mbjellë dhe të trafikuar për 20 e ca vjet dhe e çrrënjosëm atë, përfundimisht, si fenomen të shtrirë nga veriu në jug. Por po ne qenkemi kanabizuesit e Shqipërisë, ku paska pasur thjesht një Lazarat përpara ardhjes sonë në qeveri!

Ne e rilindëm Policinë e Shtetit dhe hapëm betejën e pazhvilluar kurrë më parë për ligjshmërinë, që nga semafori për deputetët dhe për të gjithë me radhë e deri tek lufta me krimin e rrugës në të katër anët, duke e përgjysmuar numrin e vrasjeve në vit, nga mesatarisht 115 në mesatarisht 55. Por, po ne qenkemi ata që e kriminalizuam Policinë dhe mbollëm pasiguri e krim anembanë Shqipërisë!

Ne sekuestruam në 4 vjet pesëfishin e aseteve kriminale, krahasuar me 8 vitet e qeverisjes së tyre. Por, po ne qenkemi ata që e bëmë vendin maternitet të krimit të organizuar!

Ne kapëm sasi rekord të kokainës dhe kemi organizuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ofensivën më të madhe të shtetit kundër rrjeteve kriminale dhe trafikut të drogës të ndërmarrë ndonjëherë. Por, po ne qenkemi, as më shumë dhe as më pak, por vetë kupola e krimit të organizuar ndërkombëtar!

Ne udhëhoqëm dhe garantuam, duke mos pyetur në asnjë moment për stabilitetin e koalicionit tonë, reformën në drejtësi, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Por, po ne qenkemi varrmihësit e drejtësisë që paska qenë funksionale dhe e pavarur, sa pa ardhur ne t’i bëjmë varrin!

Dhe ja, sot na del edhe që drejtuesi i Reformës në Drejtësi, ministri ynë i Brendshëm, na qenka kryetari i familjes së dytë mafioze në Ballkan, madje në Europë, pëllet Saliu, natyrisht pas meje dhe familjes time!

Ministri i Brendshëm paska fshehur prej 6 vitesh dënimin me burg të të vëllait në Itali, për një vepër të kryer më shumë se 15 vjet më parë! Dhe ky “sekret mafioz” u zbulua nga opozita jonë dhe u shpërnda jo vetëm në median tonë, e cila pati një shok amnezik dhe nuk u kujtua dot se sa shumë herë të tjera e kishte publikuar këtë fakt në vite, por dhe në të gjitha faqet e Facebook-ut të kryeministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Ministri i Brendshëm, dora vetë, paska qenë dhe një diversant i krimit të organizuar në krye të Reformës në Drejtësi, ku qenka infiltruar për të desantuar në fshehtësi një nen klandestin, me qëllim mosekstradimin në Itali të vëllait të tij! Po, lavdi Zotit të madh, që shqiptarët kanë opozitën syfajkua dhe hundëçakall, e cila e zbuloi edhe këtë “akt mafioz legjislativ” kaq tronditës për mediat tona, të cilat nuk e mblodhën dot veten për të bërë një verifikim të thjeshtë fare, duke u bërë një pyetje te vetme partnerëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it.

Madje, ministri i Brendshëm nuk qenka vetëm fshehësi i dënimit të të vëllait, një dokument që gjendet online prej 6 vitesh dhe as vetëm injektuesi i fshehtë i një neni kriminal të Konventës Europiane në ligjin e vendit për të mbrojtur vëllanë nga ekzekutimi i dënimit, hataja që ka gjetur punët e brendshme të vendit është ku e ku më e madhe, sepse ministri i Brendshëm qenka vetë kreu i një organizate kriminale trafiku të drogës, ku vëllai i tij, si pjesëtar aktiv i saj, u kap nga opozita në veprim e sipër gjatë një bashkëbisedimi kriminal me një bashkëpunëtor të quajtur “X”!

Dhe kjo “provë ulëritëse e vërtetësisë” së parullave të aksionit opozitar brenda dhe jashtë vendit mori dhenë në mediat tona dhe në tërë kanalet ndërkombëtare të lobimit opozitar për të çelur negociatat për anëtarësim.

E gjitha do të ishte një parodi për të qeshur, nëse nuk do kishte ndodhur me të vërtetë që e tërë kjo shfaqje politike me disa akte, ditë pas dite, nuk do të kishte helmuar realisht gjakun e shumë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, nuk do të kishte baltosur sërish Shqipërinë në sytë e disave jashtë vendit, të cilët mezi presin të reja nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për të ngritur zërin me pseudoargumente të rinj në parlamentet e tyre kundër çeljes së negociatave dhe mbi të gjitha nuk do kishte synuar qëllimisht, nxitjen e një reaksioni destabilizues për qeverinë legjitime të këtij vendi.

Kjo, në fakt është një maskaradë e mirëfilltë destabilizuese, e vënë në skenë për t’i thënë Europës se ky është një vend ku Ministria e Brendshme është vetë organizata mëmë e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Natyrisht edhe për t’iu thënë shqiptarëve se, sa të jetë Edi Rama në qeveri, ministrat e Brendshëm nuk mund të jenë asgjë tjetër, përveçse eksponentë të lartë të botës së krimit global.

Dhe si e tillë, maskarada e kësaj here meriton në përgjigje të qartë në rrafshin politik, por edhe një përgjigje shembullore në rrafshin e hetimit dhe të ndëshkimit penal. Paralelisht me kërkesën e menjëhershme publike të kryetarit të Grupit Parlamentar për një hetim imediat nga prokuroria të materialit audio të shfaqur nga opozita, e cila e ka marrë përgjegjësinë e autenticitetit të incizimit, unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiali dhe po ashtu kam vënë në lëvizje burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnere mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm.

Por ndërkohë kam ndjekur me vëmendje edhe reagimet e njerëzve përmes informacioneve nga rrjetet sociale dhe nga kontaktet në terren, edhe përmes jush.

Më ka bërë përshtypje ndër të tjera, një reagim i shprehur në mënyra të ndryshme në drejtimin tim, që në thelb përmblidhet me fjalitë: Mos e lësho dhe Fatmirin, siç e lëshove Saimirin; Saliu nuk ka lëshuar vrasës e kriminelë me damkë, ndërsa ti je gati të lëshosh kë të dojë Saliu; E lëshove një ministër të Brendshëm me incizime, mos lësho dhe këtë tjetrin, për të mbajtur karrigen tënde; e të tjera me radhë, po në këtë regjistër, që besoj se e meritojnë sot, prej meje, një përgjigje.

U them të gjithë atyre që e mendojnë kështu, se unë mendoj shumë më ndryshe nga ata, edhe pse padyshim e respektoj plotësisht shqetësimin e tyre, i cili lidhet, besoj, me bindjen legjitime tek shumë qytetarë të këtij vendi, se drejtësia nuk mund të bëhet duke shkuar pas gjurmëve të njerëzve tanë, ndërkohë që ujqërve të pyllit të padrejtësive monumentale të bëra në këtë vend, jo vetëm që nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, por duhet t’u dëgjojmë përditë ulërimën, duke kërkuar koka ndër ne.

Por ja si e mendoj unë vetë.

Së pari, ne nuk jemi ata. As nuk jemi si ata dhe as nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bëhemi si ata. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, engjëj jo e jo. Nuk jemi as të pagabueshëm, as të pakritikueshëm s’bëhet fjalë dhe as të paprekshëm assesi nga të këqijat që prekin njerëzit kur ulen në një karrige, që nga karrigia e një drejtuesi të vockël zyre në provincë, deri te karrigia e një shefi të madh ministrie.

Por ne kemi një dallim themelor me ta.

Ne socialistët e mandatuar nga populli, historikisht, jo sot, por edhe sot, marrim përgjegjësi për vendin dhe mbajmë përgjegjësi për veten. Ndërsa ata janë të papërgjegjshëm në raport me vendin dhe sa për veten e kanë lënë peng qysh prej viti 1991 tek po një njeri. Parimi i atij pengmarrësi të partisë së tij, në krye të atyre, pra, për thuajse 30 vjet me radhë është “unë të ngre dhe unë të mbaj. Mjafton të bësh atë që them unë dhe ti mund të vrasësh, të djegësh, të vjedhësh apo të godasësh dhe unë s’të lëshoj gjallë”.

Dhe kjo kulturë prej bajraku stalinist është kultivuar si një mortje, jo vetëm në oborrin e Partisë Demokratike, por në një pjesë të vetë shoqërisë sonë, të përçarë prej atij pengmarrësi me zjarrin e urrejtjes prej stalinisti dhe me hekurin e babëzisë për pushtet e lavdi prej bajraktari.

Ndërsa tek ne s’ka qenë kurrë kështu dhe s’ka për të qenë asnjëherë dot kështu, sepse ne nuk jemi njësoj si ta. Jemi ndryshe. Shumë ndryshe.

Nuk është rastësi që po të kthesh kokën prapa, sa herë atyre iu është dhënë mundësia të ndërtojnë Shqipërinë e tërë, apo qoftë dhe një komunë, kanë shkatërruar dhe kanë prishur më shumë sesa kanë ndërtuar.

Ndërsa ne, në tërë historinë tonë, qysh prej lindjes së Partisë Socialiste, mirë apo keq, gjithnjë kemi ndërtuar dhe ndrequr më shumë sesa kemi dëmtuar.

Dhe kjo është historia e shtetit shqiptar pas vendosjes së pluralizmit.

E për t’u kthyer tek unë, ju që jeni këtu, apo kush ka punuar e punon me mua e di fare mirë, sepse unë e përsëris vazhdimisht, në këtë familje politike, gjithsecilit i është dhënë një mundësi për të bërë një punë, por vendin e punës, secili duhet ta mbajë vetë me dinjitet dhe me rezultat.

Unë jam i gatshëm të bëhem copë dhe e kam bërë, për të mbrojtur punën e një ministri, një kryetari bashkie, një deputeti apo kujtdo bashkëpunëtori, që ia di dhe ia vlerësoj punën që bën, edhe kur të gjithë mund ta kenë rrethuar me kundërshtitë e tyre. Por kurrë nuk kam qenë e as mos e prisni ndonjëherë të jem i gatshëm të mbroj askënd dhe as të angazhoj Partinë Socialiste për të bërë avokatin e kujtdo qoftë, kur është fjala për t’u përballur me akuzat e organeve të drejtësisë, cilado qoftë drejtësia!

Kur Saimir Tahiri u dënua me arrest shtëpie, sipas atyre që shkojnë pas berihait, unë kisha faj se e mbrojta nga arresti me burg e nga ana tjetër po unë kisha faj, sipas shumëkujt ndër tanët, pse e lëshova dhe nuk e mbrojta nga arresti i shtëpisë.  

Por më falni dhe këtë e kam jo për ju, por edhe për të gjithë ata që na ndjekin dhe natyrisht e kam me këta të dytët, me këta tanët, ose me qytetarët e zakonshëm dhe të pa verbuar të këtij vendi. Ku hyj unë këtu në këtë mes dhe pse duhet të hyj unë këtu në këtë mes?

Unë nuk di të tallem me nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë ata që më kanë zgjedhur, duke më dhënë pasurinë më të madhe që mund t’i jepet një njeriu, mundësinë e rrallë fare për një individ që të udhëheqë vendin e tij për një periudhë kohe. Po të mos besoja në ato që them, unë nuk do gjeja dot fuqi të zgjohesha në mëngjes e të bëja gjithçka mundem, çdo ditë, prej kaq vitesh në mes të zjarrit, në mes të baltës.

Po të mos e shikoja sa hap sytë, njësoj si dritën e diellit, se çfarë akoma mund të jap për këtë vend e për njerëzit e këtij vendi, sëbashku me të gjithë ju, unë nuk do rrija duke parë se si hanë baltë njerëzit e familjes sime, por do shkoja t’u falja atyre kohën dhe vëmendjen e munguar prej kaq shumë vitesh, në vend të baltës së përditshme që ua çoj unë në shtëpi, përditë, përmes gojëve të shqyera të politikës së fekaleve dhe të fekaleve të kanaleve mediatike.

Natyrisht që në këtë gërdi llafesh kazan më kazan e kafene më kafene është thuajse e kotë të rrish e të humbësh kohë e energji, për të thënë e rithënë se politika nuk është një ushtrim maskarallëku kolektiv; Që në politikë nuk janë absolutisht të gjithë “derra të kënaqun” migjenianë, që tjetër thonë e tjetër bëjnë; Që politika nuk përbën një biznes të paligjshëm fitimprurës për të gjithë ne që merremi me të e me radhë; Që, siç asnjë pemë e asnjë kafshë nuk janë njësoj me njëra-tjetrën edhe brenda të të njëjtit lloj, edhe më shumë dallojnë njerëzit nga njëri-tjetri, por edhe vetë politikanët nuk janë njësoj. E më tej akoma, deri tek kredoja ime që politika bëhet për njerëzit dhe për historinë e vendit apo të fshatit, ku të është dhënë mundësia ta bësh jo për të gënjyer e për të grabitur plaçkën e popullit, duke folur tërë ditën për popullin e duke u çjerrë tërë ditën kundër armiqve të popullit, që janë të tjerët.

Në fund të fundit, që të rri në temë, në politikë dallimin e bën çfarë bëhet e jo çfarë thuhet.

Të gjithë flasin, të gjithë thonë, por jo të gjithë bëjnë të njëjtën gjë, prandaj një udhëheqës, një parti apo një qeveri nuk matet me një apo disa individë brenda llojit, që mund të gabojnë, apo që mund të bëjnë edhe krime, por matet me se si reagon ndaj gabimeve dhe veprimeve të tyre të papranueshme. Ashtu sikundër integriteti moral i një shumice qeverisëse, ashtu siç është dhe kjo e jona sot, nuk mund të matet me një apo disa individë që vendosen nën akuzë nga organet e drejtësisë, por me se si pozicionohet në raport me ta.

100 herë po të ktheheshim në atë shfaqjen famëkeqe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku u kërkua arrestimi i Saimir Tahirit, në Parlament, 100 herë, ne do të mbanim të njëjtin qëndrim e unë do të mbaja të njëjtin fjalim. Jo për të mos lëshuar njeriun tonë, por në mbrojtje të pikërisht të drejtës sonë kushtetuese për të refuzuar një padrejtësi, të cilën Kushtetuta na e njeh mundësinë ta gjykojmë, kur prokuroria vjen këtu në Parlament.

Kështu që për ta mbyllur këtë pjesë, dua ta nënvizoj qartë se ne nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve, por nuk jemi njerëz që i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë, kur cilido prej nesh vihet nën akuzë prej tyre. Akuza apo akuzat sot, ndaj ministrit të Brendshëm, nuk vinë nga organet e drejtësisë e nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën si vlerë, por ato as nuk mund të neglizhohen si shumë e për lumë akuza që na bëhen e do të na bëhen përditë e as nuk mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës, sepse tanimë, në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret, për të cilin dikush duhet të përgjigjet jo me fjalë, por me burg dhe do ta shpjegoj pse, por më parë do të shpjegoj pse sipas meje, sot që flasim, ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet. Ligjërisht jo e jo, por as moralisht.

Le ta marrim me radhë, nga rizbulimi i një dënimi të formës së prerë në Itali të vëllait të ministrit të Brendshëm, për të cilin nuk ka pasur asnjë kërkesë nga autoritetet italianë për ekstradimin nga Italia. Që do të thotë se pavarësisht logjeve të kazanit politik dhe mediatik të opozitës, por jo vetëm, pavarësisht teorive të revolucionarëve që kërkojnë drejtësi, por që nuk kanë lexuar në jetën e tyre një ligj të vetëm, në mungesë të kësaj kërkese, ligjërisht, Shqipëria nuk ka vepruar dot se nuk ka pasur si të veprojë, as në kohën kur qeveriste ujqëria e sotme opozitare, - se atëherë është marrë vendimi, - e cila nuk ndërron jo zakon, por nuk ndërron as qime, 30 vjet po ajo qime, lëre pastaj po ai zakon dhe as deri sot që ne qeverisim.

Për ne dhe për mua, askush nuk është mbi ligjin dhe kjo vlen për vëllain e ministrit të Brendshëm, që ka një dënim për të kryer në Itali e që sot ka marrë vendimin e tij për të shkuar me këmbët e veta në burg për ta kryer, se nuk jemi të gjithë njësoj, meqë ra fjala. Por kjo, pra, parimi që askush nuk është mbi ligjin vlen edhe për qeverinë, e cila nuk mund ta ndalonte e ta çonte në Itali, duke shkelur ligjet që përcaktojnë kornizën e veprimtarisë së saj, se po të ishte kjo e mundur, do e kishte bërë qimja që nuk ndërron zakon e që mbetet i njëjti ujk.

Ky ka qenë qëndrimi i asaj qeverie, ky ishte e nuk kishte si të ishte tjetër, edhe qëndrimi i qeverisë sonë dhe qëndrimi im personal si Kryeministër.

Për mua nuk ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori. E dua të bëj një parantezë këtu, se i takon një opinioni, se bëhet fjalë për një vëlla jo dosido, por për vëllain e ministrit të Brendshëm e prandaj ky i fundit nuk duhet të ishte ministër i Brendshëm. Asnjëherë, unë personalisht nuk i kam parë të lidhura këto dy gjëra, jo vetëm sepse ne jetojmë në një sistem ku çdokush mbi 18 vjeç varet nga këmbët e veta, në raport me rrugën e ligjshmërisë, por edhe pse, deri kur doli ky materiali i prezantuar si audio komprometuese i një lidhjeje fatale mes dy vëllezërve, nuk ka pasur as edhe një lloj fije dyshimi apo supozimi që lidhte veprën e kahershme penale të njërit vëlla me veprimtarinë kurrë të kontestuar ligjërisht të vëllait tjetër. Kjo është për pikën e parë.

Lidhur me marrëzinë e nenit që inkriminon ministrin e Brendshëm, për, medemek, shpëtuar tinëzisht të vëllanë nga ekstradimi i mundshëm, unë nuk kam çfarë shtoj sot, pasi është shprehur vetë Komisioni Europian që ka sqaruar gjithçka. Por, ama, çdokush që e ka ngrënë këtë llokum, këtë qofte të skarës së SHQUP-it, duhet të zërë mend, kudo qoftë, në çdo rrjet social e në çdo mjedis social, që herë tjetër të mos e marrin më kaq lehtë për budalla. As qoftja e Saliut, Luli, as llokumi i Monës, Titi.

Ndërsa përsa i përket materialit audio komprometues, për të cilin Saliu deklaroi se është një përgjim i realizuar me kujdes dhe shtoi se “dëshmitarin nuk e nxjerrim, se kemi frikë mos na e vrasin”, unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore, të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës. Mua, ajo përgjigje më mjafton.

Po bëj një parantezë, jo për të vënë ulërimën kundër hetimit, apo për të influencuar hetimin, apo për të bërtitur “montazh, montazh”, por më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi absolutisht përpara as edhe një lloj prove komprometuese për ministrin e Brendshëm, por përpara një akti mashtrimi të opinionit publik dhe të atij ndërkombëtar me një material jo autentik, përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës për të çelur negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Dje pasdite, radio SHQUP-i e ka shpërndarë përmes e-mailit materialin si “Breaking News”, me titullin sharlatanesk, “New audio recording reveals Albanian Interior Minister’s brother is involved in drug traffic”, në çdo adresë e-maili në Europë, parlamentarësh, ministrish të Jashtme, qeveritarësh. Një tjetër overdozë balte për të rekrutuar mundësisht, por sigurisht për të mbajtur të motivuar deputetë nëpër Europë, që t’i bien ndesh çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe sot të vënë kujën nëpër korridoret e parlamenteve dhe kafeneve të tyre, duke u treguar të tjerëve se çfarë hataje ka ndodhur në Shqipëri; “Breaking News” nga Shqipëria.

A mund të më thoni se kush në imagjinatën tuaj mund t’ia bëjë këtë vendit të vet!?

Askush nuk ia ka bërë, e dimë historinë, në asnjë vend ku ka pasur 1001 probleme, edhe me krim, edhe me korrupsion, edhe me të korruptuar, edhe me ministra, që ka qenë në proces negociatash me Bashkimin Europian.

E kundërta ka qenë e vërtetë. Nëse ka një skenë politike të ngjashme me tonën, është skena e Bullgarisë. Bullgaria që kur mori Presidencën, bëri paktin mes forcave politike për të mos ngatërruar Bullgarinë në raport me Europën. Dhe kjo është historia e të gjitha vendeve që kanë shkuar në këtë proces dhe janë përpjekur të çelin negociatat. Është rast unikal, është opozita e vetme në gjithë botën, e dalë nga komunizmi, që ka shkuar drejt Bashkimit Europian, që bën këtë që asnjë armik nuk do t’ia bënte dot Shqipërisë me këtë zell e me këtë pasion dhe që çdo armik do të shikonte tek kjo opozitë kanakarin e vet.

Por, natyrisht, qoftë nga përgjigja që unë kam marrë nga analiza shkencore e materialit audio, qoftë informacionet e grumbulluara nga burimet e referuara më lart, prej të cilave nuk ka asnjë indicie të asnjë veprimtarie të paligjshme të vëllait të ministrit të Brendshëm, nuk kanë asnjë vlerë ligjore konkluzive, sepse ne nuk jemi njësoj, nuk jemi si ata dhe kjo është e vërteta që ne respektojmë. Që do të thotë se më mjaftojnë mua si Kryeministër për të krijuar bindjen që ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të kryejë detyrën, por nuk e bëjnë asnjë çikë më pak urgjente, nevojën urgjente për një hetim shterues të prokurorisë. Sepse mua në këtë rast më takon gjykimi politik, por jo ai ligjor e ai penal. Në asnjë rast.

Prandaj e përsëris me forcë edhe sot, kërkesën e bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar në adresë të prokurorisë dhe dua të ndaj me publikun bindjen time se kjo është një sfidë e madhe e drejtësisë që të gjithë kërkojmë.

Në këtë sfidë, prokuroria më parë e gjykata më pas duhet t’u japin shqiptarëve provën e të vërtetës dhe ose duhet të provojnë shkencërisht autenticitetin e audio-përgjimit, ose pastaj, askush e kushdoqoftë, me çfarëdo imuniteti politik nuk mund të luajë qensh me këtë vend, me dinjitetin e njerëzve të këtij vendi, me gjakun e tyre, që trajtohet si ujë për t’u helmuar çdo ditë.

Në rast se del se të akuzuarit, ministri e vëllai i tij nuk kanë asgjë për të paguar, - se në rast se del e kundërta, kjo nuk do diskutim, se ne nuk jemi njësoj si ata, - kush e organizoi këtë lojë të neveritshme për të çoroditur dynjanë përmes një mashtrimi të tillë publik dhe për të goditur Shqipërinë, frontalisht, në sytë e botës në këtë moment historik, duhet të paguajë. E duhet të paguajë sipas ligjeve të kësaj republike për këtë lloj mashtrimi, që përcaktojnë dënimin me burg.

Ky nuk mund të jetë një vend ku për një deputet kërkohet burg në Parlament, 24 orë pasi të dalin në gazetë muhabetet e dy trafikantëve, ndërsa për një dorë politikanësh, po ashtu deputetë, që kërkojnë të çmendin dynjanë me një aktor e me një bashkëpunëtor “X”, të mos zhvillohet një ndjekje penale shembullore dhe të mos jepet një ndëshkim penal shembullor.

Ky vend nuk mund të jetë kështu, se vërtetë ne nuk jemi të gjithë njësoj, por drejtësinë e duam njësoj për të gjithë!

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm