Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ose të bëhemi skllevër të pushtetit tonë, ose të çlirojmë njerëzit nga skllavëria e klientelizmit dhe korrupsionit

Të reja

Ose të bëhemi skllevër të pushtetit tonë, ose të çlirojmë njerëzit nga skllavëria e klientelizmit dhe korrupsionit

07 Oct 2017    

*Fjala e Drejtuesit të Platformës së Bashkëqeverisjes me Qytetarët, Saimir Tahiri

2 rrugë janë: ose të bëhemi skllevër të pushtetit tonë, ose të çlirojmë njerëzit nga skllavëria e klientelizmit dhe korrupsionit.

Në qoftë se një ditë ne do e gjejmë veten mes njerëzve nga njëra anë dhe pritshmërisë së tyre nga ana tjetër, do jetë fiks dita kur, më shumë për mendje sesa për shqisa, do kemi kthyer mbrapsht kursin e besimit, e bashkë me të edhe orën. E kur shoku më i ngushtë i pritshmërisë është mosbesimi, e gjitha bëhet më e vështirë. Dhe për këtë njerëzit nuk kanë faj.

Nga një anë administrata, nga një anë drejtësia, e jo larg politika e pushteti kanë bërë punë me sukses herë për të shembur, e më shpesh për të mos ndërtuar dot besimin e njerëzve. Meqë u është bërë zakon të shohin sesa më e madhe bëhet karrigia, aq më shumë duken të vetëmjaftueshëm. E sa më e gjatë koha, aq më e madhe arroganca. Njerëzit vërtetë nuk kanë faj; e prapë presin zgjidhje.
Ne fituam para pak muajsh. Tani kemi qeveri, struktura, ligje; i kemi të gjitha. Fituam vetëm me njerëzit, kur ndoshta, siç thoshin disa, shumë më kollaj e kishim të fitonim me partitë e të qeverisnim korridoreve të pushtetit. Por fituam me njerëzit.
Miqtë e mi, kemi 2 rrugë: ose të mbyllim sytë për hir të njëri-tjetrit, të vrasim të ardhmen e fëmijëve tanë duke u bërë skllevër të pushtetit tonë, e kjo mund të ketë trofe karriere e përfitim vetëm për disa; ose të çlirohemi nga gjithçka është pengesë e djeshme dhe e sotme, për të shkuar deri te njerëzit dhe hallet e tyre, edhe atëherë kur çmimin për këtë na takon ta paguajmë po ne. Me detyrim kemi këtë të dytën, sot e çdo ditë tjetër, deri në fund.

Dje u hap një dritare e vogël, por që në qoftë se shfrytëzohet siç duhet, mund të jetë shumë e rëndësishme. Bashkëqeverisja me njerëzit mund të jetë rruga jonë më e mirë jo vetëm për të dëgjuar ata që janë mësuar të flasin e nuk dëgjohen, se kjo është më e pakta, por për të nxitur edhe ata që nga mosbesimi shumëvjeçar kanë humbur edhe shpresën se po folën do dëgjohen ndonjëherë. E për këtë nuk na duhet t’i presim, na duhet t’i nxisim.
Na duhet të përballemi edhe me gjithçka nuk jemi përballur dot, apo me ato gjëra që zakonisht na vijnë më kollaj të mos i përballim. Kjo është bashkëqeverisja jo me njerëzit që na duan, por me njerëzit pa dallim. E për të gjitha këto sigurisht na duhet një pasqyrë. Kush është parë në pasqyrën e paradhomës, nuk ia ka dalë dot. E kush më keq akoma ka dëgjuar vetëm ata që te paradhoma kanë një karrige të prenotuar gjithmonë, mund t’ia ketë dalë të mbajë pushtetin për ca kohë por jo fytyrën, as moralin e as ligjin.

Bashkëqeverisja në këtë formë, më së pari mund të jetë një pasqyrë e vërtetë për ne. Të shohim veten e të ulemi me këmbë në tokë.

Për fatin tonë të keq, rruga e korrupsionit është shumë më e shkurtër se rruga e ligjit, edhe sot. Shtegu i mikut, tarafit, i klientelizmit është ende sot akoma më i thjeshtë se meritokracia dhe transparenca. E deri kur të ndodhë e kundërta, na duhet të ndërtojmë bashkë me njerëzit një rrugë akoma më të shkurtër, më të shpejtë, e mbi të gjitha pa vese.

Si rregull pushteti është në konflikt me veten përpara qytetarëve, përpara qeverisjes së hapur, informacionit, transparencës, pjesëmarrjes. Si rregull pushteti mjaftohet me veten, ndaj duhet kurajë për të dalë jashtë zyrave, jashtë kornize, e për të bërë më të vështirën: të qeverisim me njerëzit. Sepse, e përsëris, dy rrugë kemi: ose të bëhemi skllevër të pushtetit tonë, ose të çlirojmë qytetarët nga skllavëria e burokracisë, e vonesave, klientelizmit dhe korrupsionit.
Dhe ne jemi të dënuar të bëjmë të dytën. Sot e çdo ditë. Me çdo kosto.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm