Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste e ka në ADN-në e vet parimin e mundësive dhe shanseve të barabarta për gratë dhe vajzat

Të reja

Partia Socialiste e ka në ADN-në e vet parimin e mundësive dhe shanseve të barabarta për gratë dhe vajzat

06 Nov 2019    

“Ti zgjedh”/ Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Elbasan:

Shumë faleminderit!

Padyshim, kjo është një sallë tejet e mbushur ndaj dua ta filloj fjalën time me një ndjesë ndaj atyre që janë jashtë kësaj salle, sepse ishte e pamundur të hynin brenda.

Të dashur motra e vëllezër, kandidatë e kandidate për delegatë të Kongresit, anëtarë të Partisë Socialiste, le të mbajmë një duartrokitje të fortë për anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste, por edhe për liderin tonë, Edi Rama.

Çdo proces demokratik i brendshëm i Partisë Socialiste, sikurse janë zgjedhjet “një anëtar, një votë” të delegatëve të Kongresit, procesi i riformatimit, Kongresi që do të pasojë, ka qenë gjithmonë një ngjarje e rëndësishme në këto 28 vite të demokracisë së re shqiptare.

Ne sot jemi mbledhur këtu në Elbasan për të prezantuar listën e kandidatëve për delegatë e delegate në Kongresin e ardhshëm të Partisë Socialiste. Në fillim të vitit që vjen, do të zgjedhim edhe organet e reja drejtuese të partisë.

Para se të mbërrijmë aty, më 16 nëntor do ti kërkoja të 100 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste të marrin pjesë në procesin e rëndësishëm të përzgjedhjes së delegatëve.

Në këto zgjedhje ne do të aplikojmë për herë të parë të katër format e votimit, votimin tradicional në më shumë se 362 qendra votimi në Shqipëri dhe të tjera për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, kryesisht në Itali dhe Greqi, por edhe në vende të tjera ku organizatat socialiste funksionojnë; votimin elektronik për një pjesë të caktuar të anëtarësisë së Partisë Socialiste në Tiranë; votimin on-line për një pjesë tjetër dhe votimin me postë për anëtarët e Partisë Socialiste në emigracion.

Janë këto katër risi që sjellim në votimin për zgjedhjen e delegatëve.

Ne dimë të gjithë se procesi i këtyre zgjedhjeve në parti ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kësaj gjysme të dytë të këtij mandati, por padyshim edhe për betejën për rinovimin e mandatit në shumicë të socialistëve në Qershor të 2021.

E dimë se në stadin aktual që e kemi partinë kemi ende nevojë për të vijuar energjizimin e saj për një organizim kapilar dhe një hapje më të madhe ndaj shoqërisë civile. Ne duam që jo vetëm të kryejmë zgjedhjet dhe të rinovojmë mandatin në çdo nivel të partisë, por të krijojmë një bazë të re përfaqësimi të grave, të motrave dhe nënave tona në vazhdën transformuese të Partisë Socialiste, e cila e ka udhëhequr në Shqipëri barazinë gjinore.

Partia Socialiste e ka në ADN-në e vet parimin e mundësive dhe shanseve të barabarta për gratë dhe vajzat dhe kjo është pasqyra më kuptimplotë e nivelit të jetuarit mbi këtë parim.

Siç e kemi të saksionuar në librin tonë të rregullave, barazia gjinore tashmë është shtrirë edhe në nivelin e parë, atë të bashkëdrejtimit të organizatave.

Sot më tepër se gjysma e ministrave të qeverisë sonë janë gra, ç’ka e ka futur qeverinë shqiptare në pesëshen  e parë në botë për nivelin e barazisë gjinore.

Gratë përbëjnë më shumë se 30% të Grupit tonë Parlamentar dhe 50% të kudo nëpër Shqipëri.

Këto fakte dëshmojnë se Partia Socialiste është realiteti pakrahasueshëm dhe i pakonkurueshëm me asnjë parti tjetër në vend. Modeli i ri i bashkëpunimit nuk është një shpikje e jona, por është një qasje që e kanë shumë parti të tjera në Europë.

Sondazhet dhe statistikat e terrenit jo vetëm gjatë ditëve të fushatës, por edhe tani tregojnë se Partia Socialiste është partia më e mbështetur në vend në të gjithë popullin shqiptar, por kur vjen puna te gratë jemi shumë më e mbështetur se sa tek përqindja në nivel kombëtar.

Fakti që ne kemi filluar tashmë të zgjedhim në çdo organizatë bashkëdrejtues, një burrë dhe një grua, ky është një fillim i mbarë për ta çuar barazinë gjinore në Partinë Socialiste në 50% burra dhe 50% gra.

Motra dhe vëllezër,

Ne duhet ti qëndrojmë besnikë angazhimeve të marra para shqiptarëve dhe duhet domosdoshmërisht të marrim besimin e shumicës për një mandat të tretë.

Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ne morëm përgjegjësinë e madhe të qeverisim kudo në pushtetin vendor. Edhe këtu në Elbasan ne u kthyem në qeverisje të bashkive në Peqin, Cërrik dhe Prrenjas.

Kjo është një përgjegjësi edhe më e madhe për t’u bërë të kuptojnë të gjithë atyre njerëzve që ne na votëbesuan që ne do ti qëndrojmë fjalës dhe angazhimeve të dhëna në të 60 bashkitë ku ne qeverisim.

Partia Socialiste është sot e vetmja forcë politike moderne në Shqipëri, pjesë e së majtës së re Europiane. Ne kemi ditur të zhvillojmë pse jo edhe ta ruajmë karakterin demokratik të sprovuar ndër vite të partisë sonë dhe natyrën reformiste të saj.

Nga ky proces i rëndësishëm që ne zhvillojmë më 16 nëntor, ku apeli im është për të gjithë anëtarët dhe strukturat organizative tonat, ne duhet të tregojmë vetëdijshmëri për të gjitha rëndësitë e këtij procesi, sepse sikurse e thashë më lartë, Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë politike reformiste në këtë vend.

Të dashur kandidatë për delegate e delegatë, ne nuk duhet të harrojmë asnjë herë se partia në territor është një urë lidhëse e qeverisë, grupit parlamentar dhe kryetarëve të bashkive me banorët e çdo komuniteti.

Nuk mund ta mbyllja fjalën time pa thënë faktin e rëndësishëm se Shqipëria është sot në një moment tepër të rëndësishëm në rrugën e vet të anëtarësimit drejt Bashkimit Europian. Nuk duhet të bëhemi pesimistë, por duhet të bëhemi optimistë për faktin se Shqipëria jonë i ka përmbushur të gjitha detyrat e vëna nga Bashkimi Europian.

Është në kredibilitetin e Bashkimit Europian që ti qëndrojë fjalës së dhënë, jo për Shqipërinë, as për Maqedoninë e Veriut, por në përgjithësi për Ballkanin Perëndimor për të garantuar që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Shqipërisë është Bashkimi Europian.

Misioni ynë historik është që të garantojmë vijimin e qeverisjes nën drejtimin e Edi Ramës me fitoren e zgjedhjeve të qershorit 2021.

Faleminderit të gjithëve!

Punë të mbarë në zgjedhjet e 16 nëntorit! Suksesi i këtij procesi na garanton suksesin e Qershorit 2021.

Faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm