Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në vend në një proces të vazhdueshëm ristrukturimi!

Të reja

Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në vend në një proces të vazhdueshëm ristrukturimi!

28 Aug 2019    

Fjala për media e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas mbledhje së Kryesisë:

Kishim një mbledhje Kryesie të Partisë e cila ishte tërësisht e fokusurar tek prezantimi i bërë nga unë si Sekretar i Përgjithshëm lidhur me një agjendë pune intensive për një ripërtëritje të regjistrit të anëtarësisë së partisë. Që paraprin procesin zgjedhor në Partinë Socialiste që fillon në mes të shtatorit dhe përfundon rreth muajit shkurt kur do të jetë edhe Kongresi që do të zgjedhë edhe strukturat e reja drejtuese të Partisë Socialiste.

Siç e dini Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në vend që është në një proces të vazhdueshëm ristrukturimi.

Për këtë qëllim në pjesën e dytë të mbledhjes, edhe për shkak të përkimit të parashikimeve statutore, ne kemi argumentuar nevojën që në strukturën e Partisë Socialiste të Bashkisë Shkodër të ndërmarrim një hap të rëndësishëm rigjenerimi.

Në fakt rigjenerimi dhe ringritja e strukturave është një proces që për shkak të zgjedhjeve do të zhvillohet në të gjitha bashkitë, por me një fokus të veçantë në Shkodër.

Në vlerësimin tonë në disa palë zgjedhjesh rezultatet në Shkodër nuk kanë qenë ato të dëshiruarat për partinë më të madhe në Shqipëri. Për këtë qëllim kemi marrë një vendim për të pasur një vëmendje të veçantë, qoftë unë si Sekretar i Përgjithshëm, qoftë gjithë Sekretariati do të jemi shumë të angazhuar për ta ndjekur me një vëmendje tërësisht të veçantë procesin e riformatimit të Partisë Socialiste Shkodër.

Jam shpresëplotë se në Partinë Socailiste të Shkodrës do të ndërtojmë një model konkurues dhe ofertë ashtu siç i ka hije Shkodrës loce.

Letra e z. Bushati është lexuar në Kryesi dhe a ka një përgjigje?

Unë nuk e di se çfarë ka thënë z. Bushati.

Brenda Partisë Socialiste gjithmonë kemi diskutime, kemi këndvështrime të ndryshme për çështje të caktuara.

Nisur për rastin që ju i referoheni, rasti i z. Valdrin Pjetri i cili u votua nga populli i nderuar i Shkodrës për të qenë kryetar i Bashkisë, për shkak të një përgjegjësie personale nuk u betua për të qenë kryetar i Bashkisë Shkodër për shkak se hynte nën juridiksionin e ligjit të dekriminalizimit.

Kryeministri ka rishprehur në Kryesi domosdoshmërinë që përgjegjshmërinë personale të personave të cilët nuk deklarojnë të shkuarën e tyre ne ta ashpërsojmë përmes mekanizmave ligjorë.

Ligji i dekriminalizimit është një ligj i rëndësishëm. Ne sapo kemi kaluar në Kuvend në muajin qershor ashpërsime të tjera në Kodin Penal. Sa më i fortë ligji aq më i fortë është zbatimi nga kushdo.

Z. Balla, z. Ditmir Bushati ka kërkuar proces reflektimi që raste si ky i Valdrin Pjetrit të mos përsëriten.

Ajo që po ju them është se këto nuk bëhen me fjalë por bëhen përmes mekanizmave për të cilat kryeministri ka qenë shumë i qartë.

Partia Socialiste do të jetë forca motor e reformimit jo vetëm të brendshëm të saj.

Sot diskutimi më i gjatë në mbledhjen e Kryesisë ka qenë raportimi nga ana ime lidhur me krijimin e një platforme të komunikimit të menjëhershëm me të gjitha strukturat e partisë, krijimin e një databaze të plotë të të gjithë anëtarëve të partisë.

Z. Balla, z. Bushati e filloi duke thënë se i duhet kërkuar falje popullit të Shkodrës?

E para, më lejoni të them se qoftë unë si Sekretar i Përgjithshëm, qoftë kryetari i partisë, që ditën e parë që është vërtetuar mospërputhshmëria e kandidaturës së z. Valdrin Pjetri me pritshmëritë e popullit të nderuar të Shkodrës, ne i kemi kërkuar popullit të Shkodrës ndjesë menjëherë.

Megjithatë ju kujtoj këtu se përgjegjësia është vetëm personale.

Po për rastin e Vorës, a druheni se do përsëritet i njëjti rast si ai me z. Pjetri?

Ajo që po ju them është se në çdo rast Partia Socialiste e Shqipërisë ka vënë një standard në politikën shqiptare: Kurrë nuk jemi bërë mburojë për askënd.

Kanë qenë forca të tjera politike që shkonin ushqenin Xhelal Mziun në derë të burgut. Partia Socialiste këtë nuk e ka bërë kurrë dhe nuk ka për ta bërë një gjë të tillë.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm