PS te rinjte Durres

Partia Socialiste, fuqia që po udhëheq një transformim historik

Shumë faleminderit të gjithëve!

Kur kemi ardhur disa vite më parë, këtu në këtë Pallat Sporti, ky pallat ishte mbushur, por ishte mbushur me të gjithë. Ndërsa sot, ky Pallat Sporti është mbushur në radhë të parë, me votues për herë të herë të parë. Është mbushur me vajza dhe me djem që janë këtu, sepse e ndjejnë, e kuptojnë dhe e besojnë që është momenti që të luftojnë me votën e tyre, për veten dhe për prindërit e tyre.

Dua që t’i falënderoj të gjithë ata që janë këtu nga Kruja, nga Fushë Kruja, nga Shijaku dhe natyrisht nga Durrësi fitimtar i Vangjush Dakos.

Sinqerisht nuk e kuptoj, po me Durrësin çfarë kanë?! Ua them unë pse-në. Me Durrësin, ashtu si me Tiranën, ashtu si me të gjitha bashkitë ku ne po transformojmë hapësirën e përbashkët dhe po i bëjmë komunitetet tona të ndihen në qytete europiane, ata kanë problemin e madh se ua vret sytë pastërtia, ua vret sytë bukuria. Ua vret sytë çdo rreze drite dhe shprese që ne sjellim në komunitetet e në qytetet tona dhe që të jeni të bindur, do të çojmë në çdo fshat të Shqipërisë, në katër vitet e ardhshme.

E keni parë, sa herë Vangjushi fillon ndonjë projekt, nga ato projekte që janë pjesë e një vizioni për Durrësin e të ardhmes, mblidhen menjëherë dhe fillojnë protestojnë aty ku fillon ndërtimi i diçkaje të re. Si ka mundësi!

Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku kishte plehra dhe të protestonin pse ka plehra?!

Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku kishte gropa dhe të protestonim pse ka gropa?!

Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku po binin fasadat e godinave dhe të thoshin pse po i bie “lëkura” në tokë godinave ku jetojnë njerëzit?!

Sepse midis plehrave dhe shesheve publike, ata zgjedhin plehrat.

Midis gropave dhe rrugëve të shtruara e të ndriçuara, ata janë me gropat.

Midis pamjes së bukur që sjell transformimi urban dhe pamjes së tmerrshme që na lanë në Shqipërinë që e qeverisën si mos më keq, ata zgjedhin pamjen e tmerrshme. Sepse ata mendojnë se shqiptarët nuk meritojnë më shumë.

Ata mendojnë se, sa më të varfër dhe sa më shumë halle të kenë njerëzit, aq më shumë mund t’i tërheqin për hunde. Ata mendojnë se ishte më mirë Durrësi i ri apo Këneta, kur nuk bënë asnjë legalizim, sesa sot që gjithmonë e më shumë qytetarë po bëhen pronarë të shtëpive të tyre.

Është e pakrahasueshme shifra e shtëpive që u kthyen në prona në 8 vjetët e sundimit të tyre dhe shifra e shtëpive që po kthehen në prona, dita-ditës, në këto 3 vjet e gjysmë. Asnjë krahasim!

Por nuk ka mbaruar, sepse ne nuk do të reshtim deri kur shtëpia e fundit të jetë bërë pronë e patundshme e prindërve që erdhën në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, në Shkodër, rreth qyteteve, për një jetë më të mirë.

Kam një fjalë për tifozët e Barcelonës, mos u mërzisni fare, sepse ju keni Messi-n, ata kanë Saliun. Ju keni Naymar-in, ata kanë Lulin. As tifozët e Bayern-it nuk duhet të mërziten. Realin shohim e bëjmë më vonë. Po flasim për këto që i kanë mërzit pak shokët tanë. Në fund të fundit, miqtë e mi, futbolli është shfaqje. Ne të gjithë jemi spektatorë të shfaqjes. Nuk ka asnjë rëndësi, kur mbaron shfaqja, se kush fitoi e kush humbi. Ka rëndësi gëzimi i shfaqjes.

Ndërkohë që beteja për 18 qershorin nuk është shfaqje dhe ne nuk jemi spektatorë. Ne jemi të gjithë lojtarë në një fushë ku beteja bëhet për Shqipërinë që duam; për Shqipërinë që e duam me shtet; për Shqipërinë që e duam me punë; për Shqipërinë që e duam me mirëqenie; Për Shqipërinë ku prindërit tuaj, që punojnë në shtet, duhet të marrin dhe më shumë se saç marrin me pagat e rritura nga qeveria jonë dhe ku prindërit tuaj që punojnë në privat duhet të paguhen dhe më mirë se saç paguhen sot, apo ku prindër të tjerë që janë ende të papunë duhet të kenë mundësinë e një punë të ndershme për të mbajtur familjen tuaj.

Kjo është beteja e 18 qershorit.

Beteja e 18 qershorit është beteja e të gjithë vajzave dhe e të gjithë djemve, që duan të shkojnë në universitet dhe që nuk kanë një mbiemër të njohur, nuk kanë kushëri me pushtet, nuk kanë as para për të dhënë ryshfet. E pra, ne, me reformën tonë në arsim ua kemi hapur rrugën këtyre vajzave dhe djemve e nuk ka më kthim mbrapa. Por, nga ana tjetër, ne duam që vajzat dhe djemtë, që nuk shkojnë në universitet, të mos punojnë në bilardo, por të kenë mundësinë e arsimit profesional, që të marrin një zanat dhe me zanatin e tyre të punësohen në një biznes të vogël. Me zanatin e tyre të fitojnë para. Me zanatin e tyre ta shikojnë të ardhmen me optimizëm dhe me besim.

Por, miqtë e mi, duhet ta dini mirë që midis jush dhe të ardhmes ka një mur që pengoi vendosjen në vend të shumë të drejtave dhe lirive në këto 20 e kusur vite. Këtë mur ne duhet ta shembim sëbashku në 18 qershor. Ky është muri i padrejtësisë që është ngritur nga gjykatës e prokurorë të korruptuar, të lidhur si mishi me thoin me ata që janë futur në çadër nga frika e drejtësisë.

Ne do të luftojmë sëbashku që çdokujt t’i jepet mundësia ta ndërtojë mirëqenien e vet me dijet e veta, me mundin e vet, me punën e vet. Ne sëbashku do bëjmë të mundur që të pushojmë nga puna të gjithë gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Për të mbajtur ata në punë, Saliu, Luli dhe gjithë shokët e çadrës janë gati ta lënë Shqipërinë pa punë. Për të mbajtur ata në punë, Saliu, Luli dhe shokët e çadrës janë gati ta lënë Shqipërinë pa investime, janë gati ta lënë Shqipërinë pa perspektivë, madje janë gati ta ndajnë edhe njëherë Shqipërinë nga Europa që duam.

Europa që duam nuk është një udhëtim që Shqipëria do ta bëjë për të ikur nga këtu. Europa që duam është të ndërtojmë këtu, një shtet si në çdo vend të Europës, të ndërtojmë këtu një Shqipëri që punon për të gjithë dhe ku kushdo përmes punës mund ta sigurojë mirëqenien. Një Shqipëri ku mundësia për mirëqenie nuk është privilegj, por është e drejtë e secilit. përmes dijeve, talentit dhe mundit të tij.

Miqtë e mi!

Ju dëgjoni shumë njerëz që thonë mos u merr me politikë, apo ç’merresh me këta, se këta janë gjithë njësoj dhe s’ia vlen, se votove, s’votove, s’ka asgjë që ndryshon.

Në fakt, sikur ne të ishim të gjithë njësoj, a do ishte Durrësi që kemi sot, Durrësi që kishim përpara se Vangjushi të bëhej kryetar bashkie?

Sikur ne të ishim të gjithë njësoj, a do ishte Kruja sot, ajo që ishte përpara sesa ne të merrnim drejtimin e Bashkisë së re të Krujës?

Sikur ne të ishim të gjithë njësoj, a do ishte Shijaku, një zonë që po transformohet dita-ditës, qysh se ne kemi marrë drejtimin e Bashkisë së Shijakut?

Nuk do ishin. Do ishin ashtu siç ishin.

Sikur të ishin të gjithë njësoj, atëherë, prindërit tuaj që e kanë paguar rregullisht energjinë elektrike do vazhdonin të trajtoheshin si budallenj, ndërsa ata që e vidhnin energjinë elektrike do vazhdonin të shikoheshin me respekt si sot. Ndërkohë që sot, të gjithë e paguajnë energjinë elektrike dhe ne, me të ardhurat nga kontributi i të gjithëve, sipas konsumit, po rindërtojmë gjithë rrjetin energjetik të Shqipërisë.

E këto i bëri vota.

Ata që sot janë pronarë të afro 130 mijë shtëpive, sepse morën legalizimin, ata, shtëpinë e tyre e ndërtuan me mund dhe e fituan me votë. Ata që sot janë në universitet pas reformës në arsim, rrugën e universitetit e bënë me mund, universitetin e fituan me votë, sepse pa votën e atyre që na dhanë neve mundësinë të bëjmë reformën, do ishim akoma me piramidat e “kristalit”, të “xhamave”, të “vitrinave”, të “pasqyrave” e kështu me radhë.

Prandaj, vota vlen shumë.

Deri në 18 qershor, të gjithë sëbashku duhet të luftojmë derë më derë, lagje më lagje, fshat më fshat për çdo votë. Ju duhet të bindni shokët, shoqet, komshinjtë, të njohurit, kushërinjtë që keni rreth e rrotull që të votojnë në 18 qershor Partinë Socialiste, sepse Partia Socialiste është fuqia që udhëheq një transformim historik.

Vota e 18 qershorit nuk vendos se kush do jetë në qeveri për 4 vjet, por si do jetë Shqipëria që duam. Si do jetë Shqipëria, kur ju të keni dalë nga universiteti, kur ju të jeni në punë, kur ju të keni një familje. Si do jetë Shqipëria, kur të gjithë ne sëbashku të kemi çuar deri në fund, rrugën e reformave tona pa kthim.

I keni dëgjuar shpesh, kur ju thoshin “nuk bohet ky vend mor lale”; “Kot o kjo punë, mor shoko”’ “O miko, hajde t’i fusim bilardo, edhe varja kësaj pune”.

E pra, në 3 vjet e gjysmë, ne nuk kemi bërë mrekulli, por ne kemi treguar se po, Shqipëria bëhet! Po, Durrësi Bëhet! Kruja bëhet! Shijaku bëhet!

Po, shqiptarët mund të bëjnë shtet! Shqiptarët mund të kenë një shtet që punon për ta dhe ku secili me punën e vet është një qytetar me dinjitet në qytet apo në fshat. Kështu që mos dëgjoni fare ç’thonë e ç’ bërtasin e ç’ kërcënojnë.

Shqipëria mbrapa nuk kthehet, sepse mes nesh dhe të shkuarës jemi ne që nuk lejojmë kthim mbrapa. Mes nesh dhe të ardhmes është muri i padrejtësisë që ne do ta shembim sëbashku në 18 qershor.

Në 4 vitet e ardhshme do ta rrisim edhe më shumë ekonominë; Do ta rrisim edhe më shumë cilësinë e jetës në komunitet; Do ta çojmë Rilindjen Urbane thellë e më thellë në çdo fshat; Do prekim çdo rrugë që lidh fshatrat me qendrat e bashkive të reja.

Do t’i japim çdokujt shembullin se ne e duam Shqipërinë, prandaj luftojmë për Shqipërinë që duam.

Ne e duam Shqipërinë, prandaj s’kemi frikë nga drejtësia e Shqipërisë që duam.

Ne e duam Shqipërinë, prandaj nuk i trembemi sfidës së madhe për ta rilindur Shqipërinë, ne, sot, këtu, me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Faleminderit shumë!

Faleminderit gocave dhe çunave të Durrësit!

Faleminderit gocave dhe çunave të Krujës!

Faleminderit gocave dhe çunave të Shijakut!

Ata le të rrinë sa të duan në çadër. Ne do vazhdojmë rrugën tonë, duke ndjekur yjet e qiellit të Shqipërisë!

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me votuesit për herë të parë dhe të rinj të qarkut Durrës