Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste gjithmonë ka treguar se është e vetmja fuqi ndryshimi në vend

Të reja

Partia Socialiste gjithmonë ka treguar se është e vetmja fuqi ndryshimi në vend

09 Nov 2019    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Shumë faleminderit Ervinit, Elisës dhe Erionit për ftesën për të marrë pjesë në këtë takim prezantues të kandidatëve për delegatë të Kongresit të radhës të Partisë Socialiste. Me të drejtë Elisa shpjegoi që prej këtij Kongresi do të zgjidhet Asambleja e re Kombëtare e Partisë Socialiste e më pas Kryesia e Sekretariati.

Të nderuar anëtarë e anëtare të Partisë Socialiste të Tiranës, kandidatë e kandidate për delegatë, kolegë të Grupit Parlamentar, kolegë ministra, ky është një moment shumë i rëndësishëm për Partinë Socialiste.
Në këto 28 vite gjithmonë zgjedhjet brenda Partisë Socialiste, qofshin këto procesi “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e delegatëve, qoftë Kongresi në vetvete, ka qenë dhe mbetet një moment i rëndësishëm në jetën politike të Shqipërisë, sepse Partia Socialiste ka treguar që është e vetmja fuqi ndryshimi në këtë vend dhe ka vendosur standarde tërësisht të tjera krahasuar me të gjithë përsa i përket strukturës së saj.
Ne sapo kemi filluar implementimin e një risie në politikën shqiptare, që sot janë me gishta partitë politike që e aplikojnë. Kryesisht në Gjermani partitë politike kanë marrë vendimin për të bashkë -kryesuar disa prej niveleve të tyre të organizimit. Ne e kemi filluar me nivelin bazë, atë të organizatave socialiste, për ti mundësuar 4758 organizatave tona të bashkëdrejtohen nga një burrë dhe një grua, me qëllimin që të garantojmë që një prej objektivave tonë kryesorë programor, ai i barazisë gjinore, të mos mbetet vetëm në letër, por të jetë i shtrirë në të gjithë strukturën.

Ne në fakt jemi e vetmja qeveri, në rajon po e po, por e pesta në botë që kemi numrin më të madh të grave në qeveri. Madje kemi më shumë gra sesa burra sot në qeveri dhe kjo është një risi, e cila ka reflektuar padyshim edhe në realizimin e objektivave tonë qeverisës.
Dua ti falenderoj të tetë shoqet, koleget tona që janë anëtare të qeverisë.
Shumë faleminderit për të gjithë punën që bëni në jetësimin e programit tonë. 

Jam këtu sot për t'u bërë një apel të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste kudo, në vend dhe jashtë territorit, që në 16 nëntor në orën tetë të mëngjesit duhet të drejtoheni drejt qendrave të votimit. Janë 362 qendra votimi në Shqipëri dhe disa jashtë territorit, për të votuar për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste.
Në këto zgjedhje ne do të aplikojmë për herë të parë katër format e mundshme të votimit që aplikohen kudo në botë. E para është ajo tradicionale, votim me fletëvotim; e dyta do të jetë ajo me një votim tërësisht elektronik në një prej njësive të Tiranës, do ta testojmë votimin elektronik për të parë mënyrën sesi implementohet dhe shpejtësinë me të cilën nxjerrë rezultatin, padyshim dhe fizibilitetin e një procesi të tillë nëse është i mundshëm për t'u testuar më pas në të gjithë territorin; e treta do të jetë një votim on-line për një pjesë të anëtarësisë së partisë, e cila ka shprehur interesimin për të votuar on-line; e katërta, do të kemi një votim me postë për anëtarët e Partisë Socialiste që jetojnë jashtë territorit.
Duhet ta dimë që suksesi i këtij procesi të mirë organizativ është dhe ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kësaj gjysme të dytë të mandatit tonë të dytë dhe padyshim është një ogur i mirë për fitoren tonë në qershor të vitit 2021.
Ashtu sikurse të gjithë e dimë në stadin aktual Partia Socialiste ka nevojë për një energjizim të ri, një riorganizim kapilar dhe një hapje edhe më të madhe ndaj shoqërisë.
Ne duam që jo vetëm ti kryejmë zgjedhjet për të qenë korrekt me kalendarin tonë politik, por duhet të rinovojmë mandatet atu ku duhet dhe të bëjmë ndryshime aty ku padyshim është e nevojshme.
Këto janë disa prej çështjeve që ne duhet ti ndjekim edhe pas 16 nëntorit. 
Nuk quhet e mbyllur puna jonë me organizimin e partisë me mbylljen e procesit në 16 nëntor. Menjëherë më pas, ne do të zgjedhim kryetarin e Partisë Socialiste për të 61 bashkitë dhe pas kësaj edhe të gjithë kryetarët e Këshillave Socialiste të njësive administrative të vendit.
Duhet ta thellojmë procesin e barazisë gjinore. Ne sot në statutin e Partisë Socialiste e kemi 30% raportin burra-gra, në familjet tona e kemi 50%, edhe në familjen e Partisë Socialiste ne duhet të shkojmë për 50% burra dhe 50% gra.
Parti me një rëndësi në nivelin europian, kristian-demokratët gjermanë kanë 53% gra dhe 47% burra, social-demokratët gjermanë e kanë edhe pak më të thellë se kaq diferencën në favor të grave, ndaj kjo nuk është sfidë e parealizueshme. Ne kemi hedhur bazën e shëndoshë me ndryshimin e ri që bëri Kryesia e partisë dhe gjej rastin ti falenderoj të gjithë kolegët e Kryesisë së Partisë Socialiste. 

Motra dhe vëllezër të Partisë Socialiste të Tiranës, është e vërtetë që në mes të tetorit të kaluar Këshilli Europian nuk arriti të merrte një vendim përsa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim, por ne nuk duhet të jemi pesimistë, përkundrazi duhet të jemi optimistë për shkakun se qeveria jonë e drejtuar nga Edi Rama i ka plotësuar tërësisht të gjitha detyrimet.
Ne përmbyllim ditën e hënë fazën e parë të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese për të mundësuar në fillim të janarit zgjedhjen e anëtarit të tretë të Gjykatës Kushtetuese që i takon Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë kontekst ky është një hap i rëndësishëm pasi mundëson që brenda pranverës, Gjykata Kushtetuese të jetë tërësisht funksionale.
Ne do të përmbyllim brenda Krishtlindjeve edhe paketën që ka të bëjë me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore. Do ti kalojmë në Kuvend për të qenë gati implementimi i tyre për zgjedhjet e qershorit 2021. 
Padyshim që duhet të ndryshojmë rregullat përsa i përket financimit të partive politike. Drejtësia shqiptare sapo ka vërtetuar që për fat të keq një parti politike ka falsifikuar deklarimet përsa i përket financimit. Ky është një akt i rëndë që na bën të kuptojmë që rregullat për financimin e partive politike në Shqipëri duhen ndryshuar tërësisht për të mos lejuar asnjë lloj financimi qoftë të paligjshëm të brendshëm, qoftë të paligjshëm të burimeve të huaja.

Motra dhe vëllezër të Partisë Socialiste ky është një takim për të prezantuar kandidatët për delegatë në Kongresin e ardhshëm të Partisë Socialiste dhe unë besoj që bashkë-ndaj me ju ndaj mendimin se kush më mirë se një prej anëtarëve të Kryesisë sonë mund ti prezantojë delegatët e Tiranës në Kongresin e Partisë Socialiste sesa një djalë shumë punëtor, një djalë që e ka justifikuar tërësisht besimin e Partisë Socialiste në detyrat që ka marrë, qoftë atë të ministrit, qoftë atë të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Faleminderit Erion për gjithçka ke bërë në përmbushje të besimit që të ka dhënë Partia Socialiste.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm