Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste ka një libër të rëndësishëm rregullash që e ka nxjerrë fituese të shumë proceseve zgjedhore në vend

Të reja

Partia Socialiste ka një libër të rëndësishëm rregullash që e ka nxjerrë fituese të shumë proceseve zgjedhore në vend

10 Feb 2020    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas mbledhjes së Kryesisë:

Kryesia e Partisë Socialiste është njohur sot me ecurinë e deri tanishme të procesit të ristrukturimit total të partisë pas disa muajsh procesi zgjedhor, që ka filluar me zgjedhjet e përgjithshme në qelizat bazë të organizimit, për të ardhur me zgjedhjen e delegatëve të Kongresit.
Kujtoj se ne jemi partia e parë në vend që kemi përqafuar idenë e bashkëdrejtimit mes grave dhe burrave, vajzave dhe djemve në drejtimin e organizatave socialiste në të gjithë territorin për të garantuar një përfaqësim të barabartë mes dy gjinive.
Jemi në fazën që paraprin Kongresin, po zhvillojmë një proces tejet transparent dhe demokratik në përzgjedhjen e kandidatëve për Asamblenë e re Kombëtare të Partisë, e cila do zgjidhet nga Kongresi. Edhe këtu do garantohen tërësisht ekuilibrat dhe barazia gjinore. Pas Asamblesë Kombëtare do të zgjidhet edhe struktura e re drejtuese e partisë që është Kryesia dhe Sekretariati.
Lidhur me Statutin e partisë dua t’ju them se Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti shumë demokratike dhe ka një libër të rëndësishëm rregullash që garantojnë funksionalitetin dhe një organizim që e ka bërë këtë parti të jetë fituese përgjatë shumë proceseve zgjedhore të zhvilluara në vend.
Synimi ynë ka qenë të bëjmë disa rregullime për t’i reflektuar ato në librin e rregullave dhe kodin zgjedhor të partisë, model që e kemi konsultuar me shumë parti fituese edhe në Europë.

Z.Balla, përse zbehet roli i Kongresit në këtë mënyrë dhe rritet roli i Asamblesë?

Ky është një perceptim i juaji. Kongresi është institucioni më i lartë i partisë, Kongresi përcakton të gjithë rregullat, funksionalitet dhe detyrat e çdo institucioni. Për asnjë institucion të partisë nuk ndryshon mënyra e zgjedhjes, por duke vlerësuar që statuti i partisë është si Kushtetuta për një vend, në këtë frymë kemi përshtatur edhe këto ndryshime të tjera që do i paraqiten përfaqësisë së Kongresit që është institucioni që ka të drejtën formale dhe institucionale.

A do të shpallë Partia Socialiste në Kongres ndonjë ndryshim lidhur me politikën e brendshme si p.sh, zgjedhje të parakohshme apo reformën administrativo-territoriale?

Në Kongres ne do të miratojmë edhe një agjendë të aktivitetit politik të Partisë Socialiste. Biem të gjithë dakord që gjithmonë në këto 29 vite Kongreset e Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë qenë momente të rëndësishme në jetën politike të vendit. Në agjendën politike që do të miratojmë këtë vit do ketë një lloj ndryshimi sepse agjenda politike nuk përmbyllet në 31.12.2020 por në 30 qershor të vitit 2021, afat brenda të cilit ne planifikojmë që të zhvillohen dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kështu që edhe kjo pyetja juaj e kahershme për zgjedhje të parakohshme merr një përgjigje përfundimtare dhe unë do të bie rehat për këtë lloj pyetje për të paktën 13 muaj.

Z. Balla, a do ushtrojë Partia Socialiste një presion pozitiv te Presidenti i Republikës përsa i përket zgjedhjeve lokale në ato Bashki ku nuk ka kryetarë?

Unë e kam dhënë përgjigjen për këtë çështje. Presidenti i Republikës ka qenë dhe mbetet në mos-zbatim të detyrave kushtetuese që ai ka.
Z.president është vënë në dijeni nga institucionet përkatëse vendore sikurse është prefekti i Qarkut në qarqet përkatëse lidhur me vakancat e krijuara. Është Presidenti i Republikës që duhet të zgjohet dhe të respektojë Kushtetutën.

Z.Balla, çfarë po ndodh me Shkodrën? Përveç kryetarit të Bashkisë që ju mungon, nuk keni zgjedhur as kryetarin e Partisë Socialiste? Keni probleme me strukturat?

E kundërta e asaj që thoni ju është e vërtetë. Edhe për këtë çështje kemi diskutuar. Nga strukturat e partisë kemi marrë një sërë kandidaturash shumë reputative dhe intelektuale që të përfaqësojnë denjësisht popullin e nderuar të Shkodrës dhe strukturat e partisë sonë.
Jemi duke diskutuar. Unë kam bërë një raprotim në Kryesi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste edhe për gjendjen e partisë në Shkodër. 
Shumë shpejt ne do të kemi edhe në Shkodër një drejtues partie që të përmbushë pritshmëritë e strukturës së Partisë Socialiste dhe të ketë vlerësimin e popullit të nderuar të Shkodrës.

Z.Balla, keni ndonjë propozim për drejtuesin politik të Qarkut të Shkodrës?

Ju jeni gazetarë me eksperiancë dhe besoj se biem dakord që pas datës 29 shkurt ne do të kemi Asamblenë e re Kombëtare dhe Kryesinë e re të Partisë. Në këtë kontekst, me ndryshimet dhe me fillimin e mandatit të ri të Kryesisë së partisë do të jetë edhe momenti kur edhe në Shkodër do kemi një drejtues të ri politik.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm