image1

Rruga e vështirë e reformave, e vetmja rrugë e duhur për Shqipërinë

Për fat të keq jemi në një situatë të përgjithshme politike që nuk është e lehtë, sepse nuk kemi opozitë. Kemi një kundërshtar që është thjesht dhe vetëm qeveria e vjetër, e cila vazhdon të mendojë se në vitin 2013 ka ndodhur një  padrejtësi e madhe dhe vazhdon të flasë sikur në 2013, kjo padrejtësi solli një përmbysje absolutisht të pafavorshme për vendin tonë dhe ata ndjehen të detyruar të vazhdojnë t’i tregojnë popullit të njëjtat broçkulla e mundohen ta bindin se ishim më mirë, kur ishim më keq.

Mungesa e një opozite sfiduese, me vizion, me program, me alternativa, e bën më të vështirën qeverisjen. Ndërsa prania e përditshme e një qeverie të vjetër në jetën dhe në debatin publik të vendit, me kaq shumë baltë dhe kaq shumë shpifje, natyrisht që e bën shumë më të vështirë për njerëzit që ta ndjekin politikën me kënaqësi dhe me dëshirë.

Por ka edhe një arsye më shumë që sot, makineria e blatës është vënë në një lëvizje intensive, që çdo ide, çdo vendim, çdo nisëm, çdo punë e qeverisë sonë goditet dhe kriminalizohet si pjesë e një procesi të inkriminuar korrupsioni dhe kusarie. E kjo arsye është sepse ne po bëjmë reforma që kudo krijojnë rezistencë, krijojnë pakënaqësi, krijojnë kundërshtarë. Por në rastin tonë prekin edhe shumë interesa.

Unë po sjell një shembull, ministrin e Brendshëm. Pse është ministri më i sulmuar nga ana e qeverisë së vjetër dhe si ka mundësi që një parti që i thotë vetes opozitë, në  dy vjet e gjysmë të organizojë mbi 1000 konferenca dhe prononcime kundër një personi? Si mund të ndodhi që mbi 1000 herë, një parti që i thotë vetes opozitë të sulmojë me shpifje dhe me fyerje nga më të ulëtat një person, ministrin e Brendshëm të vendit!

Ndodh sepse nuk kemi opozitë, por kemi përballë një kundërshtar që alternativë të vetme ka baltën, shpifjet, fyerjen, në përpjekjen për t’jua neveritur sa më shumë njerëzve, politikën dhe për t’ia arritur qëllimit me moton shpif-shpif se diçka do të mbetet. Por ndodh edhe sepse ministri i Brendshëm është një nga drejtuesit kurajozë, në një betejë ku preken interesa. E interesat e prekura reagojnë.

U përmend këtu Lazarati. Goditja e Lazaratit nuk është thjesht ajo që duket. Vënia e flakës mbi plantacionet e drogës dhe një luftë prej disa ditësh me një grup kriminal personash ordinerë. Kjo është vetëm ajo që duket, por në fakt, goditja e Lazaratit është shembja e një banke të parasë së zezë. Një banke të parasë së zezë që duke u shembur, nuk prodhon më para, jo thjesht për ata kriminelët ordinerë që sot  janë prapa hekurave, por për të tjerë që për vite të tëra e shfrytëzuan Lazaratin si një bankë parash të zeza dhe për vite të tëra triumfuan mbi shtetin, jo se shteti nuk kishte fuqi, por sepse këto interesa që lidhnin krimin me politikën, kishin garantuar që Lazarati të lulëzonte në sytë e të gjithëve e të ishte një territor i paprekshëm. E pra, ata që kanë humbur paranë kanë ndjerë dhe ndjejnë një dhimbje të madhe për atë humbje dhe kjo dhimbje e madhe reflektohet në luftën që i bëhet ministrit të Brendshëm.

Sulmohet ministri i Shëndetësisë. Po si mos sulmohet ministri i Shëndetësisë, kur ka prekur interesa të mëdha! Të ulësh 30% çmimin e ilaçeve, që deri përpara sesa ne të merrnim drejtimin e vendit kushtonin në Shqipëri më shumë se në vendin e origjinës, është një gjë shumë e mirë për popullin, sepse ka kursyer 70 milionë dollarë nga xhepat e shqiptarëve nevojtarë për arsye shëndetësore. Por këto 70 milion dollarë të kursyera, që deri dje, shqiptarët i paguanin mesatarisht çdo vit për të blerë ilaçe, janë hequr nga xhepat e disave dhe këta disa janë një fuqi e prekur seriozisht në interesin e vet, për shkak të një reforme dhe për shkak të një vendosmërie të qeverisë, që në rastin konkret e mishëron ministri i Shëndetësisë.

Kjo fuqi kërkon ta zmbrapsë këtë proces, kërkon të rikthejë prapë çmimet e kripura të ilaçeve, kërkon të nxjerrë përsëri nga xhepat e shqiptarëve 70 milionë dollarë, për t’i marrë për vete. Nuk ka sesi të mos investohet dhe të mos investojë dhe natyrisht, përsëri, përmes fytyrës publike të kundërshtarëve të reformave të qeverisë së vjetër, por jo vetëm, ta godasë nëpërmjet zëdhënësish, mediash e gojëtarësh, ministrin e Shëndetësisë. Ta godasë për çfarë!? Ta godasë për të njëjtën gjë që goditen kudo e kurdoherë, historikisht, jo vetëm në Shqipëri, për shekuj të tërë, reformatorët. Ta godasë si të korruptuar, ta godasë si kriminel. Është historia e përsëritur e reformave dhe e reformatorëve. Të cilët në fillim përqeshen, pastaj sulmohen egërsisht dhe natyrisht, nëse janë në rrugën e duhur dhe nëse janë të vendosur në atë rrugë, triumfojnë. Dhe ne do të triumfojmë, sepse reformat tona do të triumfojnë.

Është kurajo e madhe të tallesh me një popull të tërë dhe të kërkosh llogari në dy vjet e pak, për angazhime të marra shumë seriozisht, që kërkojnë kohën e tyre, kërkojnë punën dhe sakrificat e nevojshme. Më kujtohet që ditën që ne paraqitëm programin e qeverisë në parlament, qeveria e vjetër mori fjalën dhe tha “ku e keni shëndetësinë falas”. Ishte dita  parë e qeverisë në parlament, ne sapo paraqitëm programin dhe donim të merrnim votëbesimin në parlament, dhe filloj kërkesa e llogarisë, ku e keni shëndetësinë falas. Çdo mendjeje normale, kjo i duket një marrëzi, por në fakt është një tallje me popullin, me njerëzit dhe është vënia në lëvizje e një makinerie; shpifje, shpifje, akuza, akuza. Me idenë që, në ndërkohë që njerëzit do ndiejnë barrën e reformave, që nuk është e lehtë, do ndiejnë dhimbje nga reformat që nuk janë festa, nuk janë as koncerte, por janë operacione të vështira, ne hedhim sa më shumë baltë në mënyrë që njerëzit, pakënaqësinë e natyrshme për atë që duhet të vuajnë në një moment të caktuar, ta kthejnë në një pakënaqësi politike. Por ta harrojnë! Ashtu sikundër pas 2 vitesh shumë të vështira, kur ne ishim në procesin e një reforme jashtëzakonisht të vështirë në energji, shqiptarët na dhanë përsëri mbi 1 milionë vota në zgjedhjet e 2015-s, vitin e ardhshëm shqiptarët do të na rijapin mbi 1 milionë vota, sepse shqiptaret janë larg së qeni budallenj dhe janë larg së qeni një tufë delesh që mund t’i marri dhe t’i çojë pas berihait çdo lloj çobani, me gjithfarë lloj kërrabash të shtrembëta.

Shqiptarët i mbështesin reformat. Edhe prurjet e mëdha, që ne kemi pasur në këtë proces të hapjes dhe të riorganizimit të Partisë Socialiste, janë tregues se këto reforma nuk e kanë ulur, por e kanë rritur besimin tek Partia Socialiste. Janë tregues që njerëzit e kanë kuptuar që nëpërmjet këtyre reformave, më në fund, ne po bëjmë shtet. Duke bërë shtet, ne po krijojmë më në fund, kushtet që njerëzit në këtë vend të kenë shumë më tepër mundësi dhe që ëndrrat dhe shpresat e tyre të jenë shumë më të realizueshme.

Thonë që sallat tona mbushen me administratë. Më vjen shumë keq për ta, sepse një ndër shumë gjërat që kanë ndryshuar në 2013-n, me ardhjen tonë në qeveri, është edhe kjo. Në zgjedhjet e 2015-s, mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, infermierët dhe mjekët dhe gjithë punonjësit e administratës më në fund morën frymë lirisht, sepse askush nuk i detyroi që të mblidheshin si një tufë delesh, bashkë me nxënësit dhe të dilnin në miting për të duartrokitur Kryeministrin apo Kryetarin e Parlamentit. Askush nuk u tha dilni tek oborri se do vijë Kryeministri dhe do ju flas kalamajve. Ju kujtohet, nuk ka ndodhur në shekullin e kaluar., por vetëm përpara tre vjetësh, kur Kryeministri mbajti një fjalim përpara kalamajve dhe u tha “më ndihmoni me prindërit tuaj. Bindini prindërit që po erdhi Edi Rama me Partinë Socialiste, Shqipërinë do e marri lumi”. E ia tha kalamajve nga 6 vjeç, në shkollë.

Sot ka shumë mësues që janë pjesë e anëtareve dhe anëtarëve të rinj të Partisë Socialiste në Shqipëri, por për arsye krejt të ndryshme nga ata të cilët merrnin me pahir kartën e anëtarësisë në Partinë Demokratike, apo merreshin me pahir dhe me apel për të shkuar në mitingje. E arsyeja krejt e ndryshme është se mësueset dhe mësuesit, që kanë arrë kartën e anëtarësisë në Partinë Socialiste, në një pjesë të madhe janë persona që e bëjnë ë këtë gjë, sepse ndjehen njerëz të lirë dhe sepse kanë fituar një besim të madh tek Partia Socialiste, pikërisht për shkak të reformës në arsim, pjesë e së cilës është edhe vendosja e meritës si kusht për t’u bërë mësues i fëmijëve tanë. E meritës që garantohet nëpërmjet testimit kombëtar të mësueseve, të cilët renditen në portalin elektronik, jo sepse janë anëtarë partie, as sepse janë miq shokë apo kushërinj të X apo Y me pushte në Tiranë apo në bashki, por sepse kanë marrë numrin e  pikëve që i bën fitues në atë portal. Po sikur kjo reformë të ishte bërë 20, 15, 10 apo edhe 5 vjet përpara, sa më tepër nxënës do të kishin përfituar nga fakti që mësuesit do të ishin njerëz të lirë, të zgjedhur me meritë e të motivuar! Ashtu sikundër edhe në çdo fushë të jetës.

Miqtë e mi!

Unë jam shumë mirënjohës për çdokënd që ka ardhur rishtas në Partinë Socialiste. Ardhja e vajzave e djemve, grave e burrave, sot në Partinë Socialiste, është shpërblimi  më i madh që unë dhe ne mund të pretendojmë. Është në një njëjtën kohë, edhe detyrim i madh që ne të vazhdojmë të bëjmë ende shumë më tepër. Unë jam shumë i vetëdijshëm dhe ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se çka kemi bërë, është ende larg së qeni e mjaftueshme për Shqipërinë që duam, por ardhja juaj në Partinë Socialiste tregon se çka kemi bërë është e mjaftueshme, për të kuptuar që Partia Socialiste është fuqia që mundet dhe po e bën e do ta bëjë ndryshimin që duam për familjet tona, komunitetet tona, vendin tonë.

Jam shumë i bindur  që deri ditën e fundit, unë nuk do të jem një njeri i lumtur për detyrën dhe me detyrën. Sepse beteja kundër papunësisë, kundër varfërisë dhe kundër të gjitha këtyre problemeve shoqërore që kemi trashëguar për kaq shumë viteve nuk do të mbarojë bashkë me mbarimin e detyrës sime. Por ju duhet të jeni absolutisht të bindur se deri në ditën e fundit , unë dhe ne të gjithë sëbashku, për sa kohë ju do të vendosni që do të jemi në këtë detyrë, do të bëjmë me mish e me shpirt gjithçka, që secili prej jush të jetë krenar përPartinë Socialiste të Shqipërisë. Padyshim do të bëjmë me mish e me shpirt gjithçka, që secili prej jush të mos ndjehet i lënë mënjanë, mos ndjehet pa barazi mundësish dhe të mos ndjehet se padrejtësisht nuk e ka pasur shansin që kanë pasur të tjerët.

Papunësia është një armik i madh i vendit tonë dhe i të gjithëve ne si shoqëri dhe kemi ende shumë për të bërë. Por kujt më thotë se në Shqipëri qenka rritur papunësia, unë i them s’ke pse më dëgjojnë mua, s’ke pse na dëgjon neve, hapi librat e llogarive të këtij shteti dhe shiko sa shqiptarë punonin  në këtë vend, në vitin 2013 dhe sa punojnë sot. Nuk po llogaris këtu, ata që punojnë në bujqësi, – ata, qeveria e mëparshme i merrte të gjithë si të punësuar, – por po flasim për sektorin jo bujqësor. Sa janë njerëzit në Shqipëri, të cilët punojnë në shtet apo privat, paguajnë taksat dhe janë të siguruar dhe kjo e thënë nga librat e llogarive të shtetit? Nëse në 2013, këta ishin 470 e ca mijë,  ndërsa sot janë 630 e ca mijë, çfarë trego kjo, se në Shqipëri ka më shumë njerëz të papunë, apo ka më shumë njerëz që punojnë? Kjo tregon se në sektorin jo bujqësor në Shqipëri janë mbi 160 mijë shqiptarë më shumë që punojnë, që janë të siguruar  dhe që paguajnë taksat. E këtë e bën kjo rrugë dhe të jeni të sigurt se edhe më shumë do të jenë në fund të këtij viti, të jeni të sigurt se hapësirat për punë do të shkojnë duke u zgjeruar, pasi ne kemi ndërmarrë një reformë që po të ishte ndërmarrë 20 vjet përpara, do të ishim duke bërë një bisedë krejt tjetër sot për papunësinë dhe punësimin, reformën në arsim, duke rihapur rrugën për arsimin profesional, duke rihapur rrugën për mijëra vajza e djem që të marrin zanate e që të punësohen përmes zanateve.

Kundërshtarët kanë gjetur tani, një motiv tjetër. Motivin që ne paskemi marrë përsipër të themi se shqiptarët janë dembelë, janë parazitë dhe s’duan të punojnë. E kanë bërë gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë, duke na vënë në gojë gjëra që s’i kemi menduar kurrë e jo më t’i themi. Ndërkohë as nuk mund të ndodhë që unë t’i ndryshoj bindjet e mia dhe të mos i ndaj ato me njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejt dhe në mënyrë të sinqertë e të ndershme. E vërteta është që sot në Shqipëri ka mundësi për punë dhe se fatkeqësisht ka pak njerëz që janë të kualifikuar. Në anketimet e bëra me investitorët, e huaj e të brendshëm, kur pyeten se çfarë ju pengon të investoni më shumë në Shqipëri, nuk thonë se janë taksat, as drejtësia, por thonë mungesa e krahut të kualifikuar të punës dhe ky është fakt.

Këtu, fajin nuk e kanë shqiptarët, nuk e kanë njerëzit që u lanë rrugëve dhe që u gënjyen me historinë e turpshme të universiteteve piramida, fajin nuk e kanë prindërit që investuan paratë e tyre për t’i bërë fëmijët juristë me diploma false, por fajin e ka një politikë e verbër e dritëshkurtër, të cilën e përfaqësojnë ata që sot na kundërshtojnë, që për 20 vjet nuk menduan asnjëherë sesi të kishte ky vend sa më shumë zanatçinj, teknikë të mesëm bujqësorë, teknikë të mesëm të naftës, të minierave dhe për të gjitha ato fusha të jetës ku Shqipëria ka mundësi të rritet.

Kaq shumë herë e në mënyrë kaq të përsëritur është thënë se Shqipëria ka pasuri të mëdha natyrore. Po, i ka Shqipëria pasuritë natyrore, por kush ishte ajo qeveri, përpara kësaj qeverie, që mendoi sesi për shfrytëzimin e këtyre pasurive natyrore të krijonte edhe teknikët e domosdoshëm, përveç inxhinierëve apo atyre me shkollë të lartë. Askush! Prandaj, edhe kompanitë e huaja që punojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, në kuptimin e  gjenerimit të energjisë elektrike, apo në fushën e naftës e të mineraleve, teknikët e zanatçinjtë i marrin nga jashtë. Kërkojnë teknikë dhe në Shqipëri nuk ka, sepse shkollat u mbyllën. Kërkojnë krah të kualifikuar pune, vajza e djem që të dinë të punojnë si axhustatorë, elektricistë, hidraulikë, tornitorë, frezatorë e me radhë dhe nuk ka. Politika qorre nuk pa më larg sesa hunda e vet dhe askush nuk mendoi sesi t’ju hapte rrugën të rinjve për të marrë zanatet dhe pastaj për të siguruar punë.

Nëse sot, Gjermania është vendi me punësimin më të lartë në Europë, një nga arsyet themelore është fakti se është vendi me më shumë zanatçinj në Europë. Të bëhesh zanatçi nuk do të thotë thjesht të shkon të punosh në një fabrikë, por do të thotë të kesh mundësi të hapësh edhe biznesin tënd të vogël, të bësh kompaninë tënde të vogël të shërbimeve hidraulike, elektrike dhe të të gjitha shërbimeve të tjera me radhë. Kemi 20 vjet që themi turizmi, por nuk bëmë një shkollë për të qenë, për të nxjerrë njerëzit që turizmin ta kenë zanat, ata që administrojnë hotele, restorante dhe gjithë klientelën që krijon turizmi.

E prapë qenka faji ynë që i themi këto gjëra, qenka faji ynë që konstatojmë se në Korçë ka 5 mijë punëkërkues, por ka 6 mijë vende pune dhe fatkeqësia është se punëkërkuesit nuk dinë t’i bëjnë punët për të cilat kërkohen punonjës. Është historia e çdo fabrike në Shqipëri, më besoni, që mund të zgjerohet, por për t’u zgjeruar ka nevojë për njerëz të zanateve. Është historia që tregon edhe një gjë tjetër; Në dy vitet e fundit, shkalla e punësimit e atyre që mbarojnë një shkollë profesionale është shumë më e lartë se shkalla e punësimit të atyre që mbarojnë universitetin. Për të mos folur për ata që mbarojnë gjimnazin, që ngelen të gjithë pa punë, në rast se nuk shkojnë në universitete, sepse nuk kanë një zanat.

Prandaj, ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që vajzat e djemtë e këtij vendi të mos rrinë kafeneve, duke pritur një papunë në shtet, por të marrin një zanat, që ju garanton të jenë të dobishëm dhe që ju jep mundësi të ndërtojnë familjet e tyre, jo si të papunë, por si njerëz që shkojnë në punë në mëngjes, shkojnë në punë tek ndërmarrja e dikujt apo tek biznesi i tyre i vogël. Historia e shumë njerëzve në Gjermani që kanë ndërtuar fabrikat e tyre është historia e zanatçinjve që janë bërë biznesmenë me dijen e zanatin e tyre. Si mund të pranohet ky diskutim, që synon thjesht e vetëm të njëjtën gjë që është synuar me vite të tëra, të budallallepsë sa më shumë njerëz, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e tyre! Është njësoj si t’i thuash një të sëmuri, i cili sigurisht i nënshtrohet operacionit dhe kurave aspak të këndshme, mos i pi ilaçet, mos e bëj operacionin, çohu e merr përpara mjekët se këta ta kanë fajin, ti nuk ke gjë. Reformat janë operacione, nuk janë festa. Nuk ka prind që ka dëshirë ta çojë fëmijën në operacion, apo që ia jep fëmijës me qejf ilaçet. Gjithë prindërit kanë dëshirë t’i japin fëmijëve çokollata e karamele. Por a ka prind të përgjegjshëm që thotë, nuk po ia jap ilaçet fëmijës, duke ditur se fëmija ka nevojë për to?  Nuk ekziston!

E pra, kjo qeveri mund të ketë shumë të meta,  por ka një virtyt të madh që nuk e kanë pasur qeveritë e tjera. Virtytin që i thotë sëmundjes, sëmundje, problemit, problem, hallit, hall dhe nuk mbyll sytë përpara të vërtetave të hidhura, por i sheh ato në sy dhe lufton për t’i zgjidhur problemet me mjetet që ato zgjidhen. Jo për të bërë sikur, jo për të shtyrë kohën në pushtet, jo për t’i thënë vajzave e djemve vazhdoni të shkoni në universitete, vazhdoni të merrni diploma false, sepse kështu, ne vazhdojmë rrimë rehat. Është shumë më e lehtë, ndaj dhe e bënë. Ishte më e lehtë t’i çonin të gjithë të rinjtë në universitete dhe të mos kishin problemin e të rinjve pa punë, por t’i “drogonin” me iluzionin se do të bëheshin të gjithë, gjyqtarë e prokurorë. Kështu krijuam një popull juristësh. Kjo është e vërteta!

Krijuam një vend ku kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Jam i bindur se këtu ka plot juristë, por nuk e di sa elektricistë ka, ndoshta në çdo rresht gjen një jurist, por jam i bindur që nuk është e njëjta gjë për zanatet. Ajo ishte shumë më e lehtë politikisht, ndërsa kjo që po bëjmë ne, është më e vështirë politikisht. Prandaj është rruga e duhur. Nuk ka rrugë të duhur që është e lehtë. Në këtë rrugë, të jeni të sigurt, se ne do t’i bëjmë realitet ato që jemi angazhuar dhe po i bëjmë dita-ditës, me punë, me punë dhe punë. Vetëm puna do të na nxjerrë në dritë, asgjë tjetër! Të gjitha të tjerat janë dokrra.

Shumë faleminderit.

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me anëtarësinë në Pogradec, për procesin e hapjes dhe riorganizimit të partisë.