Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › PD kërkon të krijojë destabilitet

Të reja

PD kërkon të krijojë destabilitet

18 Mar 2017    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruci në Fier gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit:


Unë e prita me kënaqësi ftesën e drejtorit të ALUIZNI-t dhe kryetarit të Bashkisë për të asistuar në shpërndarjen e certifikatave të pronësisë.

Miq të dashur, para tre viteve e gjysëm u mblodhëm këtu, në këtë shesh dhe ju kërkuam një mandat të cilin ju na e dhatë.

Pushteti merret me votë dhe hiqet me votë; pushteti merret me votë dhe mbahet me punë.
Në çdo vend demokratik, populli, sovrani ta jep pushtetin që të zgjidhen ato gjëra të cilat individualisht nuk zgjidhen dot.
Pra pronar nuk mund të vetëbëhet gjithsecili nga ne, këtë gjë e bën shteti.

Ata të cilët bërtasin sot në çadër, në tetë vite qeverisje ndanë në qarkun e Fierit gjithësej 800 leje legalizimesh, dhe ato duke pritur e duke paguar.
Ndërkohë, në vetëm tre vite e gjysëm vetëm në njësinë tuaj administrative janë dhënë 800 leje legalizimi.
Pra, aq sa ka bërë qeveria e çadrës në tetë vite në gjithë qarkun e Fierit, aq janë bërë vetëm në njësinë administrative të Portëz në tre vite e gjysëm. Ndërkohë në të gjithë qarkun e Fierit, në harkun kohor të tre viteve e gjysëm janë dhënë 18000 certifikata legalizimi.
Pra fshati që duket, nuk do kallauz.

Pushteti duhet të zgjidhë ato gjëra që nuk i zgjidh dot individi. Individi nuk zgjidh dot as problemin e kanaleve vaditëse, as kanalet kulluese. Ka dy muaj e gjysëm që Bashkia si rezultat i reformës administrativo-territoriale, po punon këtu në Polëz që uji në parcelë të mos mungojë dhe parcelë të përmbytur të mos ketë. Për ato kanale që varen nga pushteti.
Kur kam ardhur këtu, në njësinë tuaj para tetë viteve tre qendra votimi nuk u hapën, dhe kjo me të drejtë pasi mungonte rruga. Na u desh që të vinim ne pas tetë viteve në pushtet, në mënyrë që pikërisht në qarkun e Fierit të bëhej rruga juaj, një investim 3 mln euro.

Është e vërtetë që në 25 vite nuk ishte vënë dorë në kanalet kulluese, ujërat vaditës, ujërat e zeza, telat e energjisë elektrike, etj. Por gjërat bëhen me radhë.
Në datën 18 qershor ne do të heshtim, ju do të flisni. Dhe pikërisht sa më shumë afron ajo datë, aq më shumë tromaksemi ne të Tiranës, prandaj bëhet gjithë ajo zullumahi. Mirëpo atë e keni në dorë ju.
Shikoni se ç'po ndodh, kërkohet me insistim që në Shqipëri të krijohet një krizë jo vetëm imagjinare, por edhe institucionale. S'na ndan veçse një muaj nga koha kur duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit. Kërkohet që ky vend të mbetet pa president, ky është fillimi i krizës. Në 18 qershor janë zgjedhjet. Jo më larg se mbrëmë, nga çadra u hodh teza se nuk do të ketë as zgjedhje. Pra kërkohet që Shqipëria të mos ketë president, të mos ketë zgjedhje, të mos ketë as parlament. Por jo vetëm kaq, në 9 shtator i mbaron mandati edhe qeverisë, pra kërkohet që Shqipëria të mbetet edhe pa qeveri. Kjo është kriza e vërtetë.

Prandaj gjërat duhen thënë siç janë. Se kush është në pushtet këtë e vendos vetëm elektorati, e vendosni ju. Por përgjegjshmërinë për stabilitetin e vendit duhet ta kemi të gjithë. Shqipëria destabilitetin e vendit e ka provuar me një haraç shumë të madh. E provoi me destabilitet kur u ndërruan sistemet; e provuam në 1997-ën dhe e pamë se çfarë ishte destabiliteti; e provuam destabilitetin edhe në 1998-ën. Shqipëria nuk ka më takat as politik as ekonomik dhe as financiar që të prodhojë më destabilitet.
Prandaj ajo që unë kërkoj është që i gjithë populli shqiptar me urtësinë, mençurinë dhe atdhetarizmin që e karakterizon të hapë sytë e të mos bëhet mbështetës i çdo oreksi të kujtdo partie politike, qoftë edhe asaj Socialiste.

Kështu që pjesëmarrja në 18 qershor dhe dhënia e mbështetjes  të atij programi, të asaj alternative, të asaj force, të atij kandidati që është më i besueshëm është domosdoshmëri dhe është në dorën tuaj.
Unë nuk do të vazhdoj më gjatë, do të kaloj në fazën tjetër, atë të ndarjes së tapive. T'i gëzoni ato!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm