Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Për ne llogaridhënia publike është institucion, është kontrata jonë e bashkëqeverisjes me qytetarët shqiptarë

Të reja

Për ne llogaridhënia publike është institucion, është kontrata jonë e bashkëqeverisjes me qytetarët shqiptarë

28 Apr 2018    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Socialiste, Taulant Balla:

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste,

Jemi sot 10 muaj nga zgjedhjet historike të 25 qershorit, të cilat ishin votëbesimi më i qartë popullor për programin tonë të bazuar në tre shtylla kryesore: në shtet, punë dhe mirëqenie.

Këto janë shtyllat në të cilat mbështetet edhe Shqipëria Europiane, një projekt që pas rekomandimit pozitiv pa kushte të Komisionit Europian, tanimë është më pranë se kurrë të qenit realitet.

Pa dyshim mbetet përpara ende një rrugë e gjatë, që Shqipëria të shndërrohet në një vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Megjithatë ne duhet të jemi krenarë, si Partia Socialiste e Shqipërisë, që rekomandimi i Komisionit është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur.

Arritjet e këtyre gjashtë muajve të parë që ne kemi marrë në analizë për qeverisjen janë një rikonfirmim se ne, Partia Socialiste, jemi duke zbatuar një për një të gjitha angazhimet për të cilat shqiptarët na votuan që të qeverisim vetëm, si kurrë më parë në 25 vitet e fundit.

Por, në këtë kontekst duhet të kujtoj se për ne është themelore përfshirja e drejtpërdrejtë e publikut, e njerëzve të zakonshëm në vlerësimin se çfarë ne kemi bërë në këto gjashtë muaj, se çfarë nuk kemi mundur të bëjmë në këto gjashtë muaj dhe si mund t’i kishim bërë më mirë këto gjëra të bëra këto gjashtë muaj.

E për këtë qëllim është detyruese që ne të fillojmë menjëherë, prej ditës së parë të muajit maj e deri në fund të qershorit, një proces të plotë llogaridhënieje në të 321 njësitë administrative të vendit, në të 61 bashkitë e vendit dhe 12 qarqet.

Kontrata e besimit, e konkretizuar në marrëveshjen e firmosur në fillim të kësaj legjislature parlamentare mes meje si Kryetar i Grupit Parlamentar dhe si Sekretar i Përgjithshëm me çdo ministër, ka synuar garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.

Konstatoj se në përfundim të 180 ditëve të para të mandatit qeverisës, Grupi Parlamentar ka marrë dhe po merr në analizë secilin prej ministrave në seanca dëgjimore të hapura të zhvilluara të gjitha në selinë e Partisë Socialiste, për të shqyrtuar kontratën e performancës së secilit për sektorët që mbulojnë. Gjithashtu është bërë edhe një analizë paraprake për zbatimin e kësaj marrëveshjeje sipas metodologjisë së përcaktuar në të.

Në dosjet e punës që ka secili prej anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, keni një përmbledhje sintezë të raportimit për çdo ministri.

Si do të zhvillohet procesi i llogaridhënies publike?

Historia që në këtë vend qeveria apo të zgjedhurit deputetë, kryetarë bashkie japin llogari para zgjedhësve vetëm kur ka zgjedhje, i përket së shkuarës.
Më 25 qershor jemi votuar për ta ndryshuar këtë histori dhe kjo histori po ndryshon dhe do ndryshojë brenda ditës.
Për ne llogaridhënia publike është institucion, është kontrata jonë e bashkqëqeverisjes me qytetarët.

Më lejoni të rikujtoj këtu se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2019, ne do të kemi vetëm një koalicionin: Aleancën me Qytetarët; përballë kemi një aleancë politikanësh që politikën e duan si mjet për interesat e tyre dhe jo për interesat e Shqipërisë.

Detyra jonë sot është njerëzve, banorëve të çdo komuniteti në cdo cep të Shqipërisë, t’i krijojmë mundësitë për të qenë pjesë e analizës së 6 muajve të parë të qeverijes tonë qendrore, por edhe 33 mujore të qeverisjes së pushtetit vendor nëpërmjet një procesi llogaridhënës. 
Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i projekteve strategjike, që do të realizohen deri në fund të këtij mandatit që na kanë besuar shqiptarët; që publiku të dijë paraprakisht çdo projekt qoftë rrugë, qoftë urë, qoftë autostradë me toll, pa toll, qoftë ujësjellës, qoftë impiant i trajtimit të mbetjeve, qoftë shkollë, qendër shëndetësore; çfarëdo qoftë, ne duhet të komunikojmë me publikun.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i politikave tona fiskale, politikave tona sociale, masat për shtresat në nevojë, gjithçka që bëjmë apo do të bëjmë në gjithë këtë kohë që kemi përpara.

Buxheti i vitit 2018 ishte buxheti i parë në Shqipëri që u ndërtua mbi bazën e konsultimeve publike, por përsëri na duhet që llogaridhënia, që e fillojmë nga 1 maji deri në 30 qershor, të përmbajë në vetvete edhe konsultimet publike mbi draftimin e buxhetit të ardhshëm, atë të vitit 2019.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe intensifikimi i nxitjes së punësimeve nëpërmjet panaireve të punës. Grupi Parlamentar ka nisur prej dy muajsh një proces draftimi të një strategjie kombëtare për punësimin, e cila do t’i vihet në dispozicion qeverisë.

Sigurisht nuk duhet të lemë jashtë vëmendjes, gjatë kësaj fushate dymujore, edhe eventet sociale apo kulturore, sepse kanë të bëjnë me një lançim të sezonit të ri turistik që fillon.

Llogaridhënie publike do të thotë përfshirje e të gjithë qytetarëve pa përjashtim, sepse vetëm kështu jetësohet bashkëqeverisja jonë me qytetarët.

Në këtë proces do të përfshihen të gjithë: Kryeministri, drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, zëvendësministrat dhe të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse. 
Në çdo takim publik do të mbahet shënim çdo pyetje, çdo ankesë, çdo sugjerim.

Çdo pyetje duhet të marrë përgjigje.
Çdo sugjerim me vlerë të përfshihet në raportin përfundimtar.
Çdo ankesë e drejtë duhet të sqarohet, të marrë zgjidhje dhe personat përgjegjës të identifikohen.

Në fund të këtij procesi do të hartohet një raport përfundimtar, i cili do t’i paraqitet Asamblesë Kombëtare në mes të muajit korrik. 
Pas miratimit nga Asambleja, me gjithë rekomandimet do të integrohet në planet e punës së qeverisë dhe sfidave e mandatit tonë bashkëqeverisës.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm