Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Për PS, mirëqenia është një prej binarëve kryesorë të punës

Të reja

Për PS, mirëqenia është një prej binarëve kryesorë të punës

17 May 2017    

Do të doja që t’i thoja Evis Lilës, e cila sigurisht është një prej grave të listës sonë, që: "Mos u mërzit Evis, nuk ka problem. Kështu kemi pasur të gjithë emocione kur kemi dalë për herë të parë".
Edhe ajo që vjen pas meje, Evis Kushi, besoj se të njëjtat emocione ka pasur edhe kur ka dalë për herë të parë para studentëve.

Të dashura nëna, motra të Elbasanit!
Nesër ne fillojmë zyrtarisht fushatën zgjedhore, e nuk kishte më bukur që zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë t’i fillonim këtu, në Kuvendin e Grave të Elbasanit. Fillon fushata nesër.

Në 18 qershor kemi zgjedhje. Zgjedhje të cilat kësaj radhe kanë një rëndësi shumë të veçantë. Sigurisht, në 30 ditët që vijnë ne do të diskutojmë në çdo cep të Elbasanit, për çdo hall e çdo problem që shqetëson çdo familje të Elbasanit. Do t'u flasim atyre në sy. Pikësëpari do t'u kërkojmë ndjesë për gjithçka që nuk mundëm ta arrijmë, ta bëjmë në këto 4 vitet e para të qeverisjes sonë. Por ne jemi krenarë t'u tregojmë gjithçka arritëm të bëjmë me mbështetjen e tyre të pakufishme. Në 23 qershor 2013, populli shqiptar na dha ne besimin për të qeverisur Shqipërinë. Ne për asnjë ditë nuk kemi dashur e nuk jemi tërhequr prapa, sepse ne nuk duam t’i zhgënjejmë ata që na besuan. Do t’i kishim zhgënjyer nëse ne do të ishim tërhequr nga reforma në drejtësi, sepse më shumë se 90% e shqiptarëve sot duan që reformën në drejtësi ne ta cojmë përpara.

Në të gjithë këto ditë, në çdo cep të qarkut Elbasan ku unë kam shkelur, nuk kam gjetur askënd që të çohet e të thotë: "Po ç’e doni këtë reformën në drejtësi?!". Përkundrazi, socialistë e demokratë më kanë thënë: "Taulant, ne nuk do t’jua falim kurrë nëse ju do të tërhiqeni nga reforma në drejtësi!". Sot, gjithë këtyre njerëzve të nderuar, me plot halle e me plot probleme, unë dua t’u them se Partia Socialiste e Shqipërisë i qëndron një për një fjalës së dhënë. Ne, me të njëjtin angazhim, me të njëjtën vendosmëri do të punojmë për punësimin sikur se punuam në këto 4 vjet për reformën në drejtësi.
Ju e dini fare mirë, ne e filluam reformën në drejtësi sapo morëm qeverisjen e vendit. PD nuk vinte në komision. Një vit na u desh bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë që t’i sjellim ata në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Ju e mbani mend fare mirë, se deri një natë përpara 22 korrikut betoheshin se nuk do ta votonin reformën në drejtësi. Por erdhën, dhe ajo reformë mori plot 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë.
Tani është e njëjta situatë. Betohen e stërbetohen se nuk do të ketë zgjedhje. Zgjedhje në 18 qershor ka! Populli shqiptar e ka këtë të drejtë dhe nuk ka parti politike, nuk ka Lul e Sali që mund t’i heqë popullit shqiptar të drejtën për të votuar në 18 qershor.

Elbasani  ka njohur shumë ndryshime në këto 3 vjet e gjysmë. Falenderimin e parë e kam për mikun tim Qazim Sejdini, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer. Por asgjë nuk mund të ishte arritur nëse nuk do të kishim mbështetjen e pakursyer të kryeministrit Edi Rama; faleminderit Edi Rama për gjithçka ke bërë për Elbasanin, Cërrikun, Belshin, Gramshin, Librazhdin, Prrenjasin, Peqinin. Janë 7 bashki të cilat kanë njohur një transforimim të paimagjinueshëm 4 vite më parë.
Ne sapo e kemi nisur rrugëtimin tonë. Kemi shumë punë të rëndësishme për të bërë së bashku. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë: zgjedhjet në 18 qershor janë historike! O do vazhdojmë rrugën që kemi nisur, o do kthehemi përsëri atje ku ishim. Unë mendoj që ne nuk kemi kohë për të humbur. Madje as na shkon ndërmend që të humbim më kohë me hallet e çadrës, që nuk kanë asgjë të përbashkët me hallet e popullit shqiptar. Asgjë nuk i lidh ata me hallet që ka sot Elbasani. Nuk e dinë fare sesi janë problemet e Elbasanit.

Ne, të dashura motra, të dashura nëna, përulemi para jush e ju themi se sigurisht ne donim të bënim më shumë për ndihmën ekonomike; ne donim të bënim më shumë për punësimin; ne donim të bënim më shumë për gjithçka që ju keni sot në hallet e ditës tuaj. Por duhet të dini, se ka vetëm një parti që mendon për 3 gjërat kryesore që mendon një nënë. Nëna dhe motra do shtet e shteti ofron garanci. Të gjitha nënat dhe motrat e Elbasanit duan shtet. Nënat duan mirëqenie; motra tona duan më shumë mirëqenie. Për PS ky është një prej binarëve kryesorë të punës.
Sigurisht çdo nënë e çdo motër në Elbasan, në gjithë këto ditë në rrugëtimin tonë, na kërkon më shumë punësim. Unë sot ju them se me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën: shtet, punësim dhe sigurisht mirëqenie!

Lejomëni që përpara se të ftoj kryeministrin, dua të ftoj atë që është krahu im i djathtë në këtë fushatë; dhe krahu i djathtë sigurisht është  një zonjë e nderuar, ajo quhet Evis Kushi dhe është një profesoreshë.
Ne kemi plot 6 nëna, 6 motra në listën tonë zgjedhore. Kurrë më parë kandidatet për deputete nga Partia Socialiste nuk kanë qenë kaq shumë, por secila ka nga një karakteristikë. Njëra është profesoreshë, Evisi. Tjetra është një doktoreshë dhe një administratore e shkëlqyer, Desantila. Erjona është një mjeke, që në fshatrat e Gramshit për kaq pak kohë ka treguar sesi duhet të jetë mjekësia, edhe në fshatin më të thellë të Shqipërisë. Klodjana, një administratore e shkëlqyer në bashkinë e Belshit, e cila i ka ndryshuar tërësisht faqen marrëdhënieve me publikun. Evisin, e thamë, një studente e shkëlqyer në SHBA. Në fund Ana, Ana e vogël, por tashmë një vajzë e nderuar e cila është një prej studenteve më të shkëlqyera të ekselencës në Universitetin e Elbasanit.  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm