Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Për shkak të çadrës së PD-së jemi me 8 muaj vonesë në ngritjen e KLGJ dhe KLP!

Të reja

Për shkak të çadrës së PD-së jemi me 8 muaj vonesë në ngritjen e KLGJ dhe KLP!

23 Jul 2018    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla në mbyllje të seancës së sotme parlamentare:

Dua t’ju them që në fakt sot kemi pasur një komunikim me opozitën dhe na vjen keq që tek kjo çështje, që është thjesht një ndryshim afati dhe që nuk ka të bëjë aspak me çështje të rëndësishme, të binarëve të rëndësishëm të paketës së Reformës në Drejtësi, opozita nuk erdhi të jepte dakordësinë e saj. Sikurse bëri edhe për një çështje tjetër, që më shumë se sa i përket interesit të punës së përditshme parlamentare ka të bëjë me interesin e përditshëm të atyre qytetarëve shqiptarë, të cilët lëvizin në rrugët e Shqipërisë me leje drejtimi të vendeve të huaja apo edhe shtetas të huaj, që lëvizin të shumtë nëpër Shqipëri këto ditë pushimesh vere. Sot do të kishim mundësinë që të ndryshonim Kodin Rrugor.

Megjithatë, ajo që dua të them dhe që është shumë e rëndësishme është që ky nuk është një problem i pazgjithshëm, sepse të gjithë e dimë që shumë shpejt, qoftë Këshilli i emërimeve në Drejtësi, apo edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit apo dhe ai i Prokurorisë do të jenë funksionalë dhe do të jetë KLGJ-ja, e cila do të përcaktojë pastaj se cila është nevoja e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës për magjistratë gjyqësor apo kush do të jetë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë numri i nevojave që ka institucioni i Prokurorisë për prokurorë të rinj, pra që mbarojnë Magjistraturën dhe hyjnë në sistem.

Kështu që sot unë ende nuk gjej një shpjegim për arsyen e vërtetë të bojkotit nga ana e opozitës në votim. Ju që jeni gazetarë të vëmendshëm e që ndiqni punën e Kuvendit e dini fare mirë se sa projekt-ligje të tjera shumë të rëndësishme, marrëveshje financiare nga të cilat përfitojnë ata që na kanë sjellë këtu në këtë godinë, në këtë institucion kaq të rëndësishëm, pra, populli pret që deputeti të cilin e ka çuar në Kuvend të marri pjesë dhe të votojë ligjet për të cilat nuk kishim dhe nuk kemi asnjë lloj debati.

Dua të theksoj dhe të sqaroj para opinionit publik edhe ligji që votuam "Për Avokatinë" dhe amendamenti i propozuar prej meje dhe z. Manja është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të moralit dhe të pastërtisë së figurës së atyre që bashkëveprojnë në kuadër të sistemit të drejtësisë, të avokatëve. Kemi miratuar një amendament, i cili garanton që persona të cilët kanë qenë pjesë e Sistemit të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë, të cilët largohen për shkak të Vettingut, për një kohë të caktuar nuk mund të kryejnë dhe profesionin e avokatit duke dhënë garancitë për të gjithë komunitetin e juristëve, të cilët kanë pasur këndvështrime të kundërta lidhur me kushtetueshmërinë apo jo, shkeljen e të drejtave të njeriut apo jo, të marrim në kohë edhe një vlerësim nga Komisioni i Venecias.

Ne i kemi dhënë udhë miratimit të ligjit sot, me qëllim që edhe ky ligj që është pjesë e paketës së madhe të ligjeve të Reformës në Drejtësi, të vijojë përpara.

Z. Basha foli sot që konsensusi kalon në shtatë pika duke parashtruar disa kushte. A do ta merrni ju në konsideratë ofertën e Lulzim Bashës në mënyrë që të zgjidhet ky ngërç që ka përfshirë institucionet, ngritjen e institucioneve në drejtësi përpara se të ngrihet KLGJ e KLP? Mund të kemi negociata apo diskutime mes palëve?

Unë kam qenë në detyrë si deputet në sallën e Kuvendit dhe kam dëgjuar fjalën e deputetëve dhe dua t’ju them që kemi pasur një komunikim institucional me opozitën, qoftë me LSI dhe qoftë me PD dhe për sa i përket votimit të sotëm. Na është thënë që pa u anuluar votimi për ligjin "Për Teatrin", ne nuk marrim pjesë. Pra, nuk kam informacion për shtatë kushte. Kishte vetëm një kusht që për çështjen e ligjit që kemi kaluar në Kuvend për Teatrin dhe t’ju them të drejtën unë nuk shoh ndonjë lidhje mes këtyre të dyjave; mes shkollës së Magjistraturës, ndërprerjes pa të drejtë karrierës së studentëve ekselentë për këtë vit, nga ana e PD-së me mungesën në këtë votim, dhe ligjit për Teatrin.

Dua t’ju them se që prej ditës së parë, prej shtatorit të 2017-ës ne kemi shprehur gadishmërinë tonë për të pasur dialog konstruktiv me opozitën në vijim, pse jo, edhe të çështjeve që ishin trajtuar në marrëveshjen e 17 Majit të 2017-ës.

Kujtoj këtu që në shtator na pret një punë intensive që ka të bëjë me adresimin  e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për sa i përket Reformës Zgjedhore. Dua t’i them sot opozitës zyrtarisht se jemi vonë, por ende jo shumë vonë, për të përmbyllur brenda afatit që vendosëm sot dhe këtu kuptohet edhe serioziteti i kërkesave. Sot opozita duhet të ishte në sallë për të votuar ndryshimin e afatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Sot i kemi dhënë dhe tre muaj të tjerë, (gusht, shtator, tetor) dhe brenda fundit të shtatorit, duhet të kemi komplet paketën për t’u bërë publike dhe më pas për të vijuar votimin në seancë plenare të ndryshimeve në disa ligje, qoftë në Kodin Zgjedhor apo ligjin e partive politike, etë tjera me radhë që janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këtu ritheksoj edhe një herë rekomandimin e Këshillit Europian, i cili pasi vlerësoi arritjet tona në shumë fusha, e ka kufizuar tashmë që ne duhet të kemi domosdoshmërisht një adresim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për sa i përket çështjeve në Reformën Zgjedhore.

Z. Balla, ju në fjalën tuaj theksuat që KLGJ dhe KLP do të ngrihen shumë shpejt. Keni një afat pak a shumë se kur do të ngrihen këto dy organe?

Jemi sot në këtë fazë ku na u desh të bëjmë një ri-skedulim afati për shkak të vonesave, minimalisht 8 muaj vonesa, që erdhën si pasojë e "çadrës" dhe ju e mbani mend. Pra, ishte "çadra" e opozitës, bojkoti i Partisë Demokratike, që bllokoi ligjin e Vettingut. Po ashtu, kishim dhe një manovër për të vonuar procesin e Vettingut, përmes një kërkese absurde në Gjykatën Kushtetuese që e mori përgjigjen.

Pra, për shkak të atyre 8 muajve të çuar dëm, kemi dhe 8 muaj-1 vit vonesë në ngritjen e KLGJ dhe KLP. Por ju e dini që Kuvendi i Shqipërisë, pjesën e vet, pra pjesën që i takon të miratohet prej tij, qoftë në KLGJ e KLP, e ka përmbyllur. Kjo do të thotë që gjashtë ë tjerët, që vijnë nga komuniteti i gjyqësorit dhe komuniteti i Prokurorisë, një pjesë janë në proces Vettingu, sapo ato të kenë mbaruar vetingun në rast se do ketë vakanca do ketë plotësim të vakancave me qëllim që të jemi në kohë.

Por, ajo që dua të them për të gjithë opinionin publik është se ka një disinformim publik se gjoja jemi në një situatë ku shteti ka rënë.

E para, le të bëjmë një diskutim të hapur, publik, nëse duhet të mbanim Gjykatën Kushtetuese që kishim, por gjyqtarët që kishim, ishin njerëz që nuk justifikonin pasurinë apo duhet të kemi një Gjykatë të re Kushtetuese ku njerëzit duhet të jenë me integritet të lartë moral dhe profesional?

Ndërmjet këtyre të dyjave, shqiptarët kanë zgjedhur të kenë një Gjykatë Kushtetuese apo një Gjykatë të Lartë me persona me integritet të lartë profesional, moral, të pakorruptuar.

Opozita ankohet se ka rënë Gjykata e Lartë, sepse iku një gjyqtar i cili u provua të kishte lidhje kriminale apo një gjyqtar që nuk justifikonte dot pasurinë marramendëse.

Ky është një diskutim që nuk ka më vlerë në një vend dhe në një shtet si ky i yni, që një vit më parë ka mandatuar realisht një forcë politike që në fund të fundit ishte Pro pastrimit të sistemit të drejtësisë nga elementët e korruptuar.

Faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm