Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Për Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie

Të reja

Për Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie

23 Jun 2017    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në mbylljen e fushatës elektorale për qarkun e Tiranës:

 

Motra dhe vëllezër!

Po ju drejtoj disa fjalë, duke ju kujtuar se 4 vjet më parë kemi qënë këtu në këtë shesh, kur ndërmorëm rrugëtimin tonë për të rilindur Shqipërinë dhe dëshirojmë që të gjithë ju që jeni këtu dhe ata që më dëgjojnë ta kthejnë kokën pas, 4 vjet më parë.

 

4 vjet më parë, kur ne zhvilluam fushatën elektorale, kryefjala e asaj fushate në çdo qytet, në çdo fshat të Shqipërisë ishte krimi që ishte hapur si vaji në lakra në gjithë territorin e Shqipërisë, që kërcënonte sigurinë dhe qetësinë e të gjithë njerëzve të ndershëm dhe të mirë të këtij vendi.

 

4 vjet më parë, ekonomia ishte e bllokuar dhe borxhet e këqija kishin arritur nivele të frikshme.

4 vjet më parë, Shqipëria rritej me 0, diçka %.

4 vjet më parë, Shqipëria kërcënohej që të binte në gropën thithëse të sektorit të energjisë elektrike.

4 vjet më parë, arsimi profesional në Shqipëri ishte një shkretëtire ndërsa arsimi parauniversitar ishte një torturë, që nga tekstet e  shkollave për fëmijët, tek trajtimi mizerabël i mësuesve, tek Matura Shtetërorë që ishte një kopje shtetërore dhe deri tek bota e shpartalluar universitare, ku lulëzonin universitetet që jepnin diploma pa asnjë vlerë, pasi thithnin gjakun dhe shkatërronin ëndrrat e mijëra e mijëra të rinjve çdo vit.

4 vjet më parë, Tirana, gjithë Shqipëria ishte në një kaos në çdo rrugë dhe ngjyra e semaforit  varej nga statusi i personit.

4 vjet më parë pihej duhan në çdo ambient publik dhe kudo mund të të gjente belaja, ndërkohë që figura e policit të shtetit ishte bërë figura më qesharake në mjedisin tonë publik.

4 vjet më parë, bregdeti i Shqipërisë ishte i mbushur me plehra dhe qytetet e Shqipërisë lëngonin në agoninë e errësirës, të kthyera si në konvikte ku njerëzit vetëm flinin, kapërcenin gropat, baltën, pluhurin për të shkuar në punë  dhe s’kishte asnjë hapësirë të vetme publike që ata të ndiheshin njerëz.

4 vjet më parë, kur ne morëm mandatin dhe pastaj shkuam të marrim detyrën, 44 muaj më parë, gjetëm përpara një mal të fshehur me borxhe. 720 milionë dollarë borxhe të papaguara për rrugët, për ilaçet, për bankat e shkollave, për shërbimet e tjera që i ishin bërë shtetit, deri edhe për darkat dhe drekat e 100 vjetorit të pavarësisë, nuk ishin paguar borxhet.

4 vjet më parë, shqiptarët, ata që fitonin më pak, vuanin asfiksinë e lakut të taksës së sheshtë.  

4 vjet më parë, pastruesja e Kryeministrisë paguante taksë më të lartë sesa Kryeministri.

4 vjet më parë, infermierët paguanin taksë më të lartë sesa ministri i Shëndetësisë.

4 vjet më parë një furrë buke, një sipërmarrje e thjeshte paguante më shumë taksa se 15 katëshi, Rogneri apo Sheratoni.

4 vjet më parë, në spitalin  e Shqipërisë, që nga qendra spitalore universitare nuk kishte ilaçe, nuk kishte batanije, nuk kishte çarçafë, por kishte vetëm njerëz të dëshpëruar që vinin vërdallë me receta në duar për të shkuar për të blerë ilaçe që nga aspirinat, deri tek më të shtrenjtat në farmacitë ku i dërgonin mjekët.

 

Tirana 4 vjet më parë ishte pis, ishte rrëmujë.  Ishte plot gropa dhe kudo mund të dëgjoje po të vije pak veshin një gërhimë të gjumit të zhegut që vazhdonte ditën dhe natën, në pranverë, në vjeshtë, në verë dhe në dimër.

 

Kjo ishte me shumë pak fjalë Shqipëria që kishim 4 vite më parë. Shqipëria që kishim kur njerëzit mund të niseshin për në protesta, por nuk dihej a do ktheheshin apo nuk do ktheheshin në shtëpi. Ku njerëzit ishin të detyruar që të shkonin pas berihait dhe duartrokisnin kryeministrin, kryetarin e parlamentit dhe ofiqarët e lartë në çdo vizitë, në çdo qytet, me detyrim, që nga fëmijët e kopshteve, deri tek pleqtë e azilit.

 

Shqipëria që kemi sot, nuk është Shqipëria që duam. E prandaj ne jemi në këtë betejë sepse Shqipërinë që kishim e lamë pas dhe s’duam të kthehet përsëri në rrugën tonë. E Shqipërinë që duam jemi të vetmit që mund ta ndërtojmë.

 

Policia e Shtetit, institucioni më qesharak, më i pabesueshëm bashkë me gjykatat dhe prokuroritë, 44 muaj më parë, sot është institucioni më i besueshëm i shqiptarëve, falë Saimir Tahirit e më pas, Fatmir Xhafës, dy njerëz që treguan dhe tregojnë se Partia Socialiste nuk është një njeri, por është në skuadër fituesish.

 

Shifrat e kriminalitetit thonë se në këto 44 muaj, Shqipëria ka numrin më të ulët mesatar të vrasjeve dhe plagosjeve, në 27 vjet. Pa diskutim, që Shqipëria ka sfida të mëdha përpara dhe në fushën e rendit dhe të sigurisë, sepse 4 vjet më parë, unë nuk ju kam thënë që do bëjmë një polici më të mirë se e Saliut, por ju kam thënë se brenda 8 vjetësh policia e shtetit shqiptar do jetë në mesataren e lartë të BE, për nga sjellja, për nga performanca dhe për nga respekti që gëzon tek qytetarët.

 

Si e bëmë ne, policinë e shtetit? Ashtu siç duam të bëjmë edhe administratën shtetërore në vitet që vijnë, duke i prerë rrugën influencave të të gjitha partive të pushtetit dhe duke ja kthyer policinë e shtetit, ligjit, profesionisteve, djemve dhe vajzave që duan të mbrojnë vendin e tyre, njerëzit e tyre, Kushtetutën dhe ligjin.

 

Kujt ja priste mendja, 44 muaj më parë, pas çerekshekulli harbutëri, pas çerekshekulli qenëri dhe mizerabilitet  në rrugët  e Tiranës, se Policia e Shtetit shqiptar do të gjobiste ministra, deputetë, zyrtarë, të fortë, e kush t’i dilte përpara.

 

Sot mund të duket një gjë shumë  e vogël, por është një gjë shumë e madhe, që nga unë kryeministri, tek ministrat, deputetët e kështu me radhë, nuk guxon më njeri t’i thotë të kuqes, jeshile, dhe të kalojë semaforin sikur është i pandëshkueshëm.

 

Sot, ata që fitojnë më pak, që nga niveli më i ulët i pagesës në shtet, deri tek niveli mbi mesatar, jo vetëm që nuk paguajnë më haraçin e taksës së sheshtë për më të fortët, për më të pasurit, por vetëm nga ulja e taksës kanë përfituar një rrogë më shumë në ditë.

 

E falë rritjes më të madhe të rrogave brenda një viti, sot 97% e shqiptarëve i gëzohen një situate krejt ndryshe, në raport më 44 muaj më parë. Por, 4 vite më pas do të jetë shumë më ndryshe.

 

Shqiptarët e mirë, shqiptarët punëtorë, shqiptarët pa llafe dhe pa kohë për të humbur nëpër banakë, nëpër kazanë e nëpër historia online, por që kanë hapur një biznes të vogël, kanë punësuar familjen dhe punësojnë dhe të tjerë, si janë sot krahasuar me 44 muaj më parë?  

 

44 muaj më parë, e thashë, paguanin më shumë taksë sesa bizneset e mëdha. Sot janë 83 mijë familje në biznes të vogël, që e kanë taksën zero.

 

Dhe 15 mijë të tjerë e kanë taksën vetëm 5%, ndërkohë që sigurisht, bizneset e mëdha paguajnë më shumë seç paguanin 44 muaj më parë, sepse ne e patëm thënë dhe e përsëris, kush fiton më shumë, do paguajë më shumë. 

 

Për të gjithë ata që këndojnë këngën e kukuvajkave të mjerimit. Lajmi që s’kam dashur kurrë të dëgjojnë dhe që unë  e përsëris, është se Shqipëria, sot ka 47 mijë biznese më shumë se 44 muaj më parë.

 

Po Shërbimi Kombëtar i Punësimit, si ishte 44 muaj më parë? Është një shifër shumë domethënëse, Shërbimi Kombëtar i Punësimit paguante më shumë njerëz që rrini në zyra për të hapur vende pune, sesa hapte vende pune. Ky ishte Shërbimi Kombëtar i Punësimit! Të gjithë atyre që thonë se në Shqipëri nuk është hapur asnjë vend pune, unë iu them se janë 80 mijë vende pune vetëm nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

 

Ju lutem, thirrini pak memories tuaj. Ata që janë pak më të moshuar dhe që i kanë ndjekur fushatat qysh prej vitit 1992, çfarë ju kujtohet nga çdo fushatë? Ju kujtohet me siguri se të gjitha partitë, pavarësisht se çfarë i thonë vetes, të majta, të djathta a të qendrës, në çdo fushatë për qeverinë, për bashkinë, vijnë përballë jush edhe ju thonë kush e  kush më shumë do t’i çojë taksat për tokë e kush  e kush më shumë do t’i çojë  shpenzimet në hava.

 

Si ka mundësi që kjo recetë nuk funksioni kurrë, deri në vitin 2013, kurrë?! Si ka mundësi që vazhdojnë ta përsërisin të njëjtën recetë?! Ka një mundësi dhe është ajo mundësia që ne socialistët e dimë dhe që ne socialistët nuk mund ta neglizhojmë: Nuk ka ulje taksash e rritje shpenzimesh që sjellin  zhvillim, po nuk pati shtet, shtet, shtet!

Nuk ka rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe të punësimit, po nuk pati arsim profesional për fëmijët. Ata kanë një përgjegjësi historike për brezin, të cilin sot i qajnë hallin, tamam si ata që të vrasin natën dhe të qajnë hallin ditën. Një gjeneratë të tërë e përvëluan me diplomat e kristalit, portalit, vitrinave, magazinave, llamarinave, teneqeve, hedhurinave dhe nuk i dhanë shqiptarëve të vegjël një zanat të vetëm. I lanë rrugëve, juristë që të gjithë, me një diplomë që nuk i duhet dreqit dhe pastaj thonë, pse i marrin rrugët. Ndërkohë ne, në 44 muaj, nga 3 mijë njerëz të të braktisur, të lënë në qoshe, me demek në shkolla arsimi profesional, kemi sot 27 mijë vetë që po marrin zanate.

Dua që të gjithë shqiptarët t’i bëjnë vetes pyetjen, si ka mundësi që të gjithë bashkë thonë që gjëja e parë që do bëjnë, po na e dhatë votën, do përmbysim reformën  në arsim. Çfarë kanë me reformën në arsim, pse nuk e duan?

 

Ka disa arsye, po njërën, në fakt, ata e zbulojnë vetë. Arsyeja është se reforma jonë në arsim ka ende shumë fryte për të dhënë, por ndërkohë ka dhënë  një fryt, që le ta ngrejë dorën një prind nga Tropoja deri në Konispol dhe të thotë se unë e imagjinoja se kjo do bëhej ndonjëherë në Shqipëri. Ky fryt është se për të hyrë në universitet nuk ka më rëndësi si quhet babi, nuk ka më rëndësi sa lekë ka mami, nuk ka më rëndësi a e ke një njeri në parti, nuk ka më rëndësi asgjë tjetër, përveç pikëve të mbledhura nga mesatarja dhe nga provimi i Maturës Shtetërore.

 

Ata që janë kundër reformës në arsim kanë humbur pushtetit mbi shpirtrat e të rinjve. Ata nuk mundem më t’i sundojnë shpirtrat e të rinjve, duke iu dhënë kopjet e maturës. Nuk munden më t’i sundojnë të rinjtë, duke iu dhënë bankën e universitet pa meritë. Sot, asnjë djalë politikani, asnjë vajzë biznesmeni nuk e parakalon dot djalin e një fermeri në majë të Dajtit, në qoftë se ai i ka pikët më shumë se ata të dy. Kjo është Shqipëria që duam ne!

 

I keni dëgjuar kur thonë, do ta përmbysim reformën në arsim, sepse është një reformë që favorizon privatët. E këtë e thotë ata që privatët nuk i favorizuan, por ua hodhën në kurriz prindërve dhe fëmijëve. I thonë partitë që mbanin në këmbë Kristalin, partitë që mbanin në këmbë vitrinat, llamarinat. Si mund t’u besojë këtyre, një shqiptar i vetëm! Si mundet një prind i vetëm  t’u besojë këtyre të paudhëve që deri dje e bënë masakër gjithë botën universitare dhe sot kanë marrë flamurin e interesit publik! Të cilit interes publik? Ata vetëm interes publik nuk njohin. Ata njohin manipulimin e publikut për interesat e tyre.

 

Unë e di shumë mirë se ka shumë akoma për të bërë, por di një gjë, që ka shumë për të humbur dhe këtë bëjnë mirë ta dëgjojnë të gjithë baballarët dhe nënat që kanë fëmijë sot në arsimin parauniversitar. Ne i gjetëm fëmijët me turrat  e librave mbi shpinë, njësoj si turrat e druve të atyre të moshuarve dikur, që zbrisnin nga mali. Mbushur me libra që peshonin shumë, kushtonin shumë, por nuk i duheshin dreqit. Libra të marra andej-këndej, të kopjuara e të përkthyera sa këtej e andej, që i prodhoni Fahriu, Balliu, Saliu, Sabiu dhe ua rrasnin fëmijëve në kurriz. Ne pastruam 600 tekste dhe iu hoqëm fëmijëve kilogramë të tërë me libra nga kurrizi. Ama ne nuk i zëvendësuam me të tjerë libra të të tjerë fahrive dhe ballinjve, me ngjyrë tjetër. Ne morëm librat e Oxford, të Cambrigde dhe Pearson dhe duhen edhe dy vjet, o prindër të Shqipërisë, që nga klasa e parë deri në fund të gjimnazit, çdo fëmije i Shqipërisë që duam, të marrin dije nga të njëjtët libra që i marrin fëmijët e Europës që duam. Në qoftë se ju prindërit demokratë i thoni vetes, për mua ka më shumë rëndësi t’i gjej Lulit një punë që s’di ta bëj, sesa të ruaj të ardhshmen e fëmijës tim, jazëk ju qoftë!

 

Unë e  di shumë mirë që ka ende shumë për të bërë për shëndetësinë, por kush e imagjinonte 44 muaj më parë, që ilaçet të cilat, kur ne ishim këtu në këtë shesh katër vjet më parë, kushtonin 30% më shumë sesa vendet e origjinës, sot do të ishin 30% më lirë. Kush e imagjinonte 44 muaj më parë se 600 mijë shqiptarë të pasiguruar do të merrnin ilaçet me rimbushim, qindarkë për qindarkë, njësoj si shqiptarët e siguruar.

 

Miqtë e mi, dua ta dëgjojnë të gjithë, hapur, sinqerisht, të gjithë ata që dëgjoni të flasin për koncesionet, në daç në kazanin e politikës, në daç në kazanin mediatik flasin për koncesione, sepse mendjen e kanë vetëm për koncesione.  

 

Ne kemi shpëtuar mijëra e mijëra nëna nga infeksionet pas lindjes dhe mijëra e mijëra njerëz nga infeksionet pas operacionit, që vazhdonin si normalitet për vite e vite të tëra, sepse bëheshin operacionet me instrumentet e 35 viteve më parë.

Këta kanë gojë të na kërkojë llogari e të na thonë “ku e ke shëndetësinë!”

Ne, të gjitha ato që themi, i kemi në zemër. Të gjitha ato që përpiqemi të bëjmë, janë pikërisht ato që themi. Nëse shumëçka arrijmë ta bëjmë, diçka ende jo, kjo nuk ndodh se ne nuk duam t’ia dimë për njerëzit si ata, por se ne jemi njerëz njësoj si të gjithë ju.

 

I keni dëgjuar, kur thonë se s’kemi bërë një kilometër rrugë. E vërteta është ndryshe. Qeveria e kaluar ka bërë shumë më shumë tendera rrugësh. Por 44 muaj më parë nuk la një rrugë të mbaruar dhe të gjitha rrugët, rrugëve, me projekte skandaloze, me kontrata skandaloze. Po të numërojmë kilometrat e shtruara dhe të paguara nga ju, nga shteti, duke hequr Rrugën e Kombit, në 44 muaj kemi bërë më shumë kilometra rrugë në rrugët e lëna rrugëve, seç ka bërë Saliu në 8 vjet.  

 

Mund të flisja edhe shumë më gjatë se zakonisht, se më ka ardhur shpirti në majë të hundës me këta të paudhë, me këta njerëz që luajnë si me top me zemrat e njerëzve dhe me mendjet e njerëzve. Dua që njerëzve të mos u kem asnjë borxh, përpara se të shkojnë në kutitë e votimit.

 

Çfarë kanë këta me sheshet, me trotuaret, me parqet e lodrave, me parqet e fëmijëve, me parqet për të moshuarit?

Çfarë kanë këta me gjelbërimin, me ndriçimin?

Çfarë kanë me të gjithë elementët që krijuan qytetin, pasi njeriu doli nga shpella dhe pasi braktisi sistemet barbare?

 

Ne kemi hapur 641 kantiere të Rilindjes Urbane nga Tropoja deri në Konispol. Iu them të gjithëve, shkoni shikoni Tropojën dhe do mrekulloheni jo vetëm nga bukuritë e natyrës, por nga hyrja drejt natyrës, që deri dje ishte një gropë e zezë, për faqen më të zezë të Sali Berishës.

 

Kemi punësuar në kantieret e Rilindjes Urbane 49326 shqiptarë, vende pune, ekonomi. Nuk i kanë ndërtuar kinezët, as egjiptianët, as somalezët. I kanë ndërtuar shqiptarët të gjitha.

 

Rilindja Urbane nuk është zbukurim. Rilindja Urbane është qytetërim.

Rilindja Urbane nuk është prioritet i gabuar. Rilindja Urbane është prioriteti i munguar për çerekshekulli.

Rilindja Urbane është rritje ekonomike, është turizëm, është dinjitet.

 

Ne, në 4 vitet e ardhshme, Rilindjen Urbane do ta çojmë thellë në çdo njësi administrative deri në fshat, kudo ku jetojnë shqiptarë, se çdo familje nuk ka nevojë vetëm të hajë dhe të flejë, por ka nevojë të ndihet pjesë e një komuniteti në hapësirën ku komuniteti jeton.

 

Më tha dikush sot, në Kavajë, çfarë bëhet me Lulin? Edhe kompanitë më të mëdha ajrore po heqin ushqimin, Luli thotë do ushqej falas të gjithë shqiptarët, nga 3-16 vjeç! Çfarë bëhet me këta të tjerët!

 

Këta të tjerët çfarë kanë?! Ne jemi krenarë për çfarë kemi bërë në qeverinë e koalicionit. Po këta pse s’janë krenarë? Çfarë kanë këta me reformat? Pse janë sot kaq të acaruar me të gjitha reformat që kanë bërë themelet e shtetit? Atëherë kemi të drejtë të mendojmë që ato vota na i kanë dhënë vetëm për të mos u larguar nga tepsia e pushtetit.

 

Ne nuk kemi luftë me këta. Ne nuk duam të bëjmë replika, polemika, konflikte me askënd, sepse ne jemi në këtë betejë, jo për të mundur ata e ata. Ne jemi në këtë betejë për të bërë Shqipërinë që Duam.

 

Ne jemi në këtë betejë që porta e drejtësisë, të cilën e hapi vetëm Paria Socialiste e Shqipërisë, të mos mbyllet, që Vetting-u të zbatohet deri në fund, që gjykatësit e prokurorët e korruptuar të shkojë para drejtësisë, ndërsa gjykatësit e prokurorët që do të kalojnë Vetting-un të fillojnë të merren me hapjen e kapakëve të zullumeve çerekshekullore të politikanëve.

 

Ne nuk mund ta pranojmë më! Unë nuk mund ta pranoj më, që zyrat e shtetit të jenë copa, llokma, plaçkë e partive të pushtetit!

Unë dua nga socialistët dhe demokratët, jo një votë për bindjet, por një votë kuqezi për dinjitetin e çdo njeriu që shkon në një zyrë shteti.

Unë dua nga socialistët e demokratët, jo një votë që të fitojmë ne dhe të humbin ata, por një votë që, më në fund, qytetari, njeriu i zakonshëm i këtij vendi ta shikojë nga lart poshtë zyrtarin dhe jo zyrtari të shkelë me këmbë qytetarin, sepse ka prapa partitë e tepsisë së pushtetit.

 

Miqtë e mi, në 25 qershor, të gjithë duhet të bëjnë një zgjedhje shumë të qartë: Do shkojnë në votim me flamurin e partisë në krah, që t’i nxjerrim sytë tjetrit në krah që ka flamurin e një partie tjetër, apo do shkojmë në votim të gjithë bashkë, që ky flamur i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i dëshmorëve, i patriotëve, të ngrihet në lartësinë që meriton dhe çdo shqiptar ta ndjejë flamurin e tij, jo vetëm kur shkon në stadium, por dhe kur troket në zyrën e shtetit.

 

Kjo është zgjedhja!

 

Para se të ndahemi, dua këngën Kuqezi! Ngrijini flamujt kuqezi që ta shikojë e gjithë Shqipëria që Tirana është gati!

 

Rrofshin tironsit e vjetër!

Rrofshin tropojanët, kuksianët, dibranët, pukianët, mirditorët, korçarët, mallakastriotët, vlonjatët, himarjotët sarandjotët, elbasanllinjtë, devollinjtë, durrsakët!

Rrofshin të gjithë ata që e bëjnë kryeqytetin, Qytetet e Bashkuara të Shqipërisë!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm