Apolloni Lajm PS

Për Shqipërinë që Duam, votuesit për herë të parë kanë vetëm një zgjedhje, Partinë Socialiste

Juve ju qëllon të votoni për herë të parë në një moment që nuk është i zakonshëm.

Debati për qeveri teknike, për qeveri besimi, për shtyrje zgjedhjesh është një debat që nuk ka lidhje me arsyet pse zgjedhjet organizohen dhe me arsyet pse duhet votuar në zgjedhje. Ai është një debat që ka lidhje, jo me zgjedhësit, por me ata që janë zgjedhur dhe që duan të zgjidhen dhe që s’duan të lënë të tjerët të zgjedhin se s’duan që të zgjidhen të tjerët. Ndërkohë që votimi ka lidhje me disa gjëra që janë drejtpërdrejtë të lidhura me jetën tuaj të përditshme. Votimi ka lidhje me Shqipërinë që Duam.

Duam një Shqipëri ku nuk ka rëndësi fare sa mëson dhe sa di, por ka rëndësi sesi e ke mbiemrin dhe se kë njeh?! Unë them që duam një Shqipëri ku ka rëndësi sa mëson dhe sa di.

Duam një Shqipëri ku, pavarësisht se ia vlen, apo s’ia vlen, të gjithë shkojnë në universitet dhe shumica dërrmuese të ketë në dorë një diplomë që s’ka asnjë vlerë dhe të rreshtohen në kolonën e gjatë të të rinjve të papunë, apo duam një Shqipëri ku kush shkon në universitet, merr një diplomë me vlerë dhe kush nuk shkon në universitet, merr një zanat që i vlen për gjithë jetën?! Unë them që ne duam një Shqipëri ku çdo vajzë dhe çdo djalë, sot, me rrugën që zgjedh për në universitet apo në arsimin profesional, të ketë të sigurt vetëm një gjë, që në momentin kur mbaron shkollën, është në gjendje të jetojë me punë të ndershme.

Duam një Shqipëri ku mësuesit, mësueset t’i zgjedhë partia, t’i zgjedhë kushëriri, t’i zgjedhë xhepi, apo një Shqipëri ku mësuesit dhe mësueset i zgjedh aftësia, dija dhe përkushtimi i tyre?! Unë them që na duhet një Shqipëri ku çdo mësues dhe mësuese është aty, që nga klasa e parë deri në vitin e fundit, falë dijes, aftësisë, përkushtimit dhe jo falë partisë, xhepit dhe kushëririt.

Ne duam një Shqipëri ku çdo prind të mos ndjehet në vështirësi, nëse s’ka një teserë partie në xhep, nëse s’ka lekë për të paguar për gjithçka që në fakt i takon, apo juve ju takon, apo nëse nuk ka të njohur dhe kushërinj me pushtet.

Ne duam një Shqipëri ku çdo familje të ketë mundësi ta shikojë të ardhmen me optimizëm falë punës. Por një Shqipëri ku secili ka mundësinë që të punojë, të bëjë sukses, të bëjë para falë punës është një Shqipëri që ka nevojë të jetë e drejtë me të gjithë dhe ku drejtësia të mos jetë privilegj i atyre që kanë pushtet, apo i atyre që kanë para.

Për këtë arsye, vota e 18 qershorit është një votë për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar, që janë të lidhur si mishi me thoin me politikanët që për 20 e kusur vite nuk arritën dot t’iu japin njerëzve të këtij vendi, vizionin e Shqipërisë që duam.

Me atë votë, ju nuk do të luftoni vetëm për veten, ju do luftoni për prindërit tuaj.

Prindërit tuaj nuk do luftojnë vetëm për veten, por do të luftojnë edhe për ju. Sepse ajo votë për të çliruar drejtësinë do të thotë një votë ku, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht simpative për një parti apo një tjetër, shqiptarët e zakonshëm do të marrin në dorë pushtetin e qytetarit, për të pasur një drejtësi përballë të cilës jemi të gjithë qytetarë të barabartë, jo disa qytetarë të privilegjuar se kanë pushtet dhe para dhe disa skllevër të nënshtruar, sepse nuk kanë as pushtet, as para.

Historia e këtyre viteve ka treguar shumë thjesht, ndër të tjera, se e vetmja forcë që ka aftësinë dhe ka fuqinë për të bërë reforma që nuk janë për t’ju hedhur njerëzve hi syve, por janë për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër, është Partia Socialiste.

E vetmja forcë që ka fuqinë dhe aftësinë për ta çuar deri në fund betejën për drejtësinë, për të bërë të mundur zbatimin e Reformës në Drejtësi, për t’i çuar përpara drejtësisë ata që për 20 e kusur vite me radhë e kanë marrë peng drejtësinë, qofshin prokurorë, qofshin gjykatës, qofshin politikanë, është vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.

Kjo nuk ka të bëjë me mua, me Gramozin, me Elisën, apo me përfaqësuesit tuaj.

Kjo ka të bëjë në radhë të parë, me atë që është Partia Socialiste. Është e vetmja parti, në gjithë këto vite, që pavarësisht gabimeve, pavarësisht dhe fajeve, në historinë e saj nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar. Është e vetmja parti që ka treguar, herë më mirë, herë më keq, por, pavarësisht sa mirë apo sa keq, se mund të ndërtojë institucione në këtë vend.

Sot, unë kalova dhe pashë të gjitha kantieret e Fierit. Kush jeton në Fier, kush ka sy për të parë, kush ka mend për të kuptuar, e shikon shumë qartë dallimin e madh mes vizionit, punës dhe veprave të këtyre viteve të fundit dhe historisë së gjatë që e zhyti Fierin në errësirë, në rrëmujë, në braktisje.

(Dikush po thotë “Luli”. Çfarë ke me Lulin? Ku ta fus brenda? Brenda është ai, në çadër. Ai është mbyllur brenda, nuk do të dalë. Na ra goja: Dil Luli! Hajde të flasim! Jo, thotë nuk dal, ma bini këtu çelësin e zyrës.)

Në Fier, ju keni një shembull fantastik për të kuptuar se çfarë është 18 qershori. Keni të gjitha kantieret e reja dhe të gjitha hapësirat e transformuara nga puna këmbëngulëse e Armandos, për të zbatuar vizionin tonë të Rilindjes Urbane.

Keni edhe ngrehinat mbi Gjanicë, që u ngritën barbarisht, njësoj siç u ngritën barbarisht ngrehinat në buzë të Lanës në Tiranë; siç u ngritën barbarisht mbi Parkun Rinia në Tiranë; përpara Piramidës në Tiranë; rreth Muzeut Historik në Tiranë; përpara Galerisë së Arteve në Tiranë dhe siç janë ngritur barbarisht kudo.

Çadra në Bulevard është ngrehina e fundit e një epoke që i ka rrënjët në Lanë dhe në Gjanicë. Është ngrehina e një mënyre të papranueshme për ta parë Shqipërinë dhe për t’i parë shqiptarët. Është ngrehina e politikës së forcës, e pushtetit të forcës, imponimit me forcë mbi hapësirën e përbashkët dhe mbi të gjithë ata që mendojnë ndryshe.

Është një ngrehinë që është shprehja më kuptimplotë e një krize që e ka karakterizuar këtë vend për 20 e kusur vite me radhë dhe tanimë nuk është më një krizë e shtetformimit, sepse ne do bëjmë shtet, por është kriza e një partie që e ka penguar Shqipërinë të bëhet shtet për 20 e kusur vite me radhë; E një partie që e ka penguar një gjeneratë të tërë që të marrë një profesion; E një partie që i mori të rinjtë dhe i ktheu në kope dhe i çoi në universitete për t’u dhënë një copë letër në dorë dhe për t’i kthyer në një ushtri të papunësh; E një partie që iu shkeli syrin të gjithë atyre që i konsideronte skllevërit e vet, që ta vjedhin energjinë, që të mos paguajnë faturat dhe që e ndau popullin në dy pjesë, në një shumicë budallenjsh që respektojnë ligjin, që paguajnë taksa, që paguajnë faturat, që nuk zaptojnë tokën e tjetrit, nuk zaptojnë hapësirën publike dhe një Shqipëri të fortësh dhe të papërgjegjshmish, që mund të bëjnë përshesh kudo ku gjejnë një shesh.

Kjo është vota e 18 qershorit.

Vota e 18 qershorit është kurorëzimi i betejës sonë që kemi hapur për të bërë reforma, për të bërë shtet dhe i mbylljes së një kapitulli për të hapur një kapitulli të ri. Me votën e 18 qershorit, Shqipëria duhet të japë një mesazh shumë të qartë: Këtu do bëhet shtet!

Këtu kthim mbrapa nuk ka!

Shqipëria nuk është “tokë e xanun”!

Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët!

I keni dëgjuar kur thonë s’ka zgjedhje në 18 qershor. Po pse s’ka zgjedhje?

Në fakt, e vërteta është që duan të pengojnë Partinë Socialiste të hyjë në zgjedhje, sepse e dinë shumë mirë që zgjedhjet janë mundësia e popullit për ta ndarë përfundimisht një epokë të një Shqipërie të rrëmujës, të kaosit, të borxheve dhe të rrëshqitjes së vazhdueshme në drejtim të paditur dhe për të vulosur përfundimisht me vullnetin e popullit. Se kjo është rruga që kemi dashur në 2013-ën, kjo është rruga që duhet të vazhdojmë për Shqipërinë që Duam, me shtet, me punë, me mirëqenie.

Nuk e kuptoj, si mundet një familje e zakonshme, një njeri i thjeshtë, çfarëdo arsyesh të ketë për të mos e dashur Partinë Socialiste, sepse e ka lidhur besimin, mendimin e vet me Partinë Demokratike, të pranojë një parti politike, e cila nuk e lejon të jetë një qytetar i barabartë kur shkon në gjykatë për pronën e tij, për të drejtën e tij, për lirinë e tij. Kjo është e papranueshme! Kjo është ajo që të gjithë ne, të gjithë ju duhet të ndajmë me të gjithë ata që kemi rreth e rrotull.

Kini parasysh që në këto momente shoqet e shokët tuaj, familjet dhe prindërit e të cilëve janë me Partinë Demokratike, janë në vështirësi. Jepuni dorën! Përqafojini dhe merrini me vete të votojnë Partinë Socialiste në 18 qershor.

Me teorinë “më mirë një vezë sot, se një pulë mot”, Shqipëria mbeti një kotec ku u mbyt çdo hapësirë publike, nga çfarë lëshuan gjelat e kotecit.

Ne na duhet një Shqipëri që nuk ecën me ambicie mizerabël, hajde ta shtyjmë sot për nesër, bëjmë si bëjmë se ka ditë nesër, apo tani nuk është koha, por nesër do ta shohim. Por na duhet një Shqipëri ambicioze, na duhet një  fuqi ambicioze, na duhet një ambicie e madhe për Shqipërinë që, më në fund, Shqipëria të jetë vendi që deshën ata që dhanë jetën për të, ata që sakrifikuan për të, ata që lanë amanete për të dhe që askush, as rreth e rrotull nesh, as në Europën ku duam të integrohemi, mos të na shikojnë si qytetar i dorës së dytë, si popull i dorës së dytë dhe si vendi i dorës së dytë, por të na respektojnë për atë që jemi dhe që për të na respektojnë për atë që jemi, duhet të respektojmë veten për Shqipërinë që Duam.

Unë nuk kam gjëra për t’ju thënë nga ato që ju thonë të tjerët. Të tjerët ju thonë hajde me mua se do të fusë në punë, hajde me mua se do ta marrësh provimin, hajde me mua se për mua ngelësi është kalues dhe kaluesi është ngelës, varet me kë është. Nga këto, unë as di, as kam. Por di t’ju them një gjë, se ju jeni dëshmitarë se sot matura shtetërore është e drejtë, sot hyrja në universitet është e drejtë. Por sot, siç dëshmon dhe Fieri ku është një nga shkollat më të mira profesionale të Shqipërisë, që ka rilindur dhe që po bëhet një nga bazat e krijimit të sistemit të ri të arsimit profesional, e rëndësishme është jo t’i çojmë të gjithë në universitet, por t’i japim të gjithëve një mundësi.

Mos e harroni asnjëherë që, nëse vendet e tjera shumë më të zhvilluara kanë më shumë më tepër punësim, kjo vjen se kanë shumë më tepër njerëz me arsim profesional. Ashtu sikundër, njerëzit me arsim profesional nuk janë thjesht zanatçinj që shkojnë punojnë për dikë tjetër, por janë dhe sipërmarrës. Janë sipërmarrës që vetëpunësohen, janë sipërmarrës që punësojnë të tjerë, janë sipërmarrës që drejtojnë kompani të mëdha.

Miqtë e mi!

E ardhmja është në dorën tonë. Kemi dëgjuar shpesh, e keni dëgjuar dhe ju gjithandej se Shqipëria s’bëhet. Por në fakt duhet të dini se sa më shumë njerëzit e zakonshëm t’i rrinë larg kutisë së votimit, aq më shumë ata që zgjidhen janë larg kontrollit dhe vëmendjes së njerëzve të zakonshëm. Sa më shumë njerëz të zakonshëm të marrin pjesë në proces, aq më shumë, ata që zgjidhen e kanë fatin të lidhur me njerëzit e zakonshëm.

Mos e harroni kurrë se akoma sot, në këtë botë ku jetojmë ka njerëz që japin jetën se nuk votojnë dot. Mos e harroni kurrë se për të ardhur deri tek vota në Shqipëri, janë vrarë njerëz, janë torturuar njerëz, kanë kaluar gjenerata që nuk kanë mundur të votojnë dot. Mos e harroni kurrë që ju sot jeni këtu pjesë e një përpjekjeje të një partie që ka luftuar për votën e lirë, që ka luftuar për të garantuar lirinë e votës. Nuk është thjesht një votë në emrin tuaj, por është në nderim dhe në respekt të të gjithë atyre që e deshën Shqipërinë më të mirë se Shqipëria që kemi.

Shqipëria që kemi është më e mirë se ajo që kishim në 2013-n. Fieri që kemi është më i mirë se ai që kishim në 2013-n. Patosi që kemi është më i mirë se ai që kishim në 2013-n. Fieri që duam, Patosi që duam, Mallakastra që duam, Roskoveci që duam, Shqipëria që duam, duhet të jetë shumë më e mirë se kjo që kemi. Këtë mund ta bëjmë vetëm ne që kemi bërë shumë, por që e dimë që ka akoma shumë për të bërë.

Ndërkohë duhet t’u tregojmë të gjithëve sa shumë ka për të humbur Shqipëria, nëse ne lejojmë që ata që pushtuan Gjanicën, që pushtuan Lanën, që pushtuan anembanë, në emër të dhunës, të forcës, të brutalitetit, duke i bërë për budallenj shumicën e shqiptarëve, të na marrin për hunde.

Ta harrojnë! Shqipëria ka zot!

Ta harrojnë! Shqipëria po bëhet dhe do të bëhet shtet!

Ta harrojnë, se Shqipëria ka një popull që në asnjë mënyrë nuk do të kthehet mbrapa në kapitujt e hidhur të së kaluarës, me rrëmujë, me destabilizim, me rrumpallë, por që do të shkojë përpara për t’ju dhënë mundësi fëmijëve të këtij vendi që të mos paguajnë më haraçet e më të rriturve të këtij vendi, siç i paguajnë sot haraçet, të gjithë të rinjtë që kanë lindur në vitin 1990.

Ju jeni një gjeneratë pak më e re se ajo e 1990-s. Ju e keni në dorë shpejtësinë e progresit. Ju e keni në dorë sesa shpejt do bëhet Shqipëria që Duam dhe vendimin tuaj duhet ta merrni dhe duhet t’i thoni të tjerëve ta marrin, jo duke parë kush është më i gjatë e kush më i shkurtër, kush është majtas e kush është djathtas, kush është me këtë e kush është me atë, por duke e ndier në zemrën tuaj, si është Shqipëria që doni dhe kush mund ta bëjë Shqipërinë që Duam!

Shumë faleminderit të gjithëve! Deri në 18 qershor është për ditë një betejë. Një betejë për të fituar përditë një zemër, një beteje për të fituar përditë një mendje, një betejë për të afruar përditë një shok, për të afruar përditë një shoqe, pa i parë se me kë janë e çfarë janë, por duke u folur drejtpërdrejtë. Kjo është bukuria e të marruarit me aktivitetet shoqëror, sepse sa më shumë të jemi bashkë, aq më shumë gjëra kemi për të ndarë me njëri-tjetrin.

Duke ju uruar që ndërkohë mos të harroni për asnjë moment që keni maturën shtetërore, se ne kopje nuk japim, ne mik nuk fusim që të kaloni nëpër provime. Një mik sot, të merr në qafë nesër, një kopje sot të merr në qafë nesër, sepse ata që ju japin kopje dhe ju gjejnë miq, ju duan për sot, ndërsa ne ju duam për nesër. Ata ju duan për një votë, ne ju duam për Shqipërinë që Duam të gjithë së bashku.

Faleminderit!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste me votues për herë të parë